2018
Kujdesi për Fëmijën Tim të Sëmurë dhe Thirrjen Time
Janar 2018


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kujdesi për Fëmijën Tim të Sëmurë dhe Thirrjen Time

Young Womanhood Recognition

Kur u thirra të shërbeja si këshilltare në organizatën e Të Rejave të lagjes sime, unë e pranova thirrjen, por isha e shqetësuar rreth asaj se si ta kryeja. Ndihesha e papërgatitur dhe po përballesha me një sprovë.

Foshnja ime, Nikolasi, kishte lindur tre muaj përpara marrjes së kësaj thirrjeje, pas një shtatzënie me rrezikshmëri të lartë. Ai kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme mjekësore. Pak javë pas lindjes së tij, një njollë e vogël e kuqe u shfaq në qepallën e tij dhe filloi të rritej gradualisht. Pediatri ynë shpjegoi se qe tumor beninj dhe do të zhdukej pasi Nikolasi të mbushte një vjeç. Por tumori u rrit me shpejtësi. Ai u përhap në hapësirën e syrit të tij dhe përfundimisht do t’i shkaktonte dëmtim të përhershëm të shikimit nëse nuk do të trajtohej.

Ne morëm vendimin e vështirë për të filluar kimioterapinë. Trupi i brishtë i Nikolasit iu përgjigj negativisht trajtimit. Ai kishte ethe të përditshme, infeksione të vazhdueshme dhe peshë të vogël. Ky proces e bënte të qante shumë. Thirrja ime u bë përherë e më e vështirë për t’u përmbushur në këto kushte. Nuk e dija se si mund t’ia dilja.

Fatmirësisht, bashkëshorti im më mbështeste. Së bashku, ne ndiem se unë duhet të vazhdoja. Presidentja e Të Rejave më mbështeste gjithashtu. Ajo ishte një motër besnike dhe e duruar. Ajo më ndihmoi të shihja cilësi që nuk e dija se i kisha, dhe më ndihmoi të gjeja mënyra se si mund të shërbeja, të cilat nuk i kisha menduar.

Të qenit me të rejat çdo javë më ndihmoi të mos fiksohesha me rutinën e injeksioneve, ekzaminimeve dhe mjekëve. Më ndihmoi t’i përmbahesha harxhimit të kohës më kot me ndjenja keqardhjeje për veten apo me pyetje se përse kjo po i ndodhte engjëllit tim të vogël. Thirrja ime qe një bekim dhe, përpara se ta vija re, Nikolasi po rritej dhe trajtimi kishte përfunduar. Nikolasi u bë një djalë i lumtur dhe i shëndetshëm, i cili ishte plot energji.

Shërbimi ndaj atyre bijave guximtare të Atit tonë Qiellor më ka ndihmuar të mposht ndjenjat e papërshtatshmërisë, të zhvilloj lidhje të përjetshme miqësie, të zbuloj talentet e mia dhe të përmirësohem në përgjegjësitë e mia si nënë dhe grua.

Zoti nuk i heq përherë sprovat nga ne, por unë e di me gjithë zemrën time se Ai është përherë i gatshëm të na ndihmojë që të kemi forcën për t’u përballur me to.