2018
Në Shtëpi më Herët nga sa e Kisha në Plan
Janar 2018


Në Shtëpi më Herët nga sa e Kisha në Plan

Ka shumë mënyra që të vazhdojmë t’i shërbejmë Zotit dhe të gjejmë domethënie pas kthimit herët në shtëpi nga një mision.

house with missionary outfit hanging outside

Të dy prindërit e mi shërbyen në mision. Që në moshë të re, i dëgjoja historitë e tyre të misionit dhe ëndërroja për ditën kur do të mund t’i shërbeja Zotit si një misionare kohëplotë.

Përgatitja për misionin tim ishte një nga kohët më të çmuara të jetës sime. Isha më pranë Zotit se kurrë më parë. E mora thirrjen time të misionit për në Misionin e Budapestit në Hungari dhe hyra në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve (QTM), e vendosur për t’ia dhënë gjithë qenien time Atit tim Qiellor.

Të qenët në QTM ishte një përvojë jashtëzakonisht shpirtërore për mua. Teksa u afrova më pranë Zotit, u luta çiltërsisht se isha e gatshme të bëja çdo gjë që Ai kërkonte, dhe premtova se do t’i doja hungarezët me gjithë zemrën time.

Nga fundi i përvojës sime në QTM, unë u sëmura. Pas një periudhe të shkurtër në shtëpi që të shërohesha, m’u dha mundësia që ta vazhdoja misionin tim në Hungari. Më caktuan me një trajnuese të mrekullueshme, Motrën Sanshajn Nestor, e cila më mësoi se si t’i dalloja mëshirat e dhembshura dhe mrekullitë e përditshme të Zotit.

Pas disa muajsh, u sëmura sërish. Megjithëse unë dhe motra Nestor vazhduam të bënim më të mirën që mundeshim, m’u desh të kthehesha sërish në shtëpi.

Mendoja se e kisha zhgënjyer Zotin ngaqë nuk kisha shërbyer një mision “të plotë”. Isha e bindur se kishte ende hungarezë që “duhej t’i kisha” mësuar unë nëse nuk do të isha sëmurur. Pyesja veten se mos nuk kisha mjaft besim për t’u shëruar ngaqë, në fund të fundit, Zoti i mbron misionarët e Tij. Nuk e kisha menduar kurrë se sakrifica ime për Zotin nuk do të ishte që të jepja një vit e gjysmë të jetës sime, por përkundrazi që të sakrifikoja llojin e misionit që mezi e kisha pritur.

Kërkimi Im për Domethënie në Shtëpi

Teksa zbrita nga avioni për të ardhur në shtëpi, nuk mund të mos mendoja se kisha lënë prapa në fushën e misionit punën më të rëndësishme të jetës sime. Kërkoi kohë, por mësova se kishte punë në shtëpi që gjithashtu do t’i sillte domethënie jetës sime.

Pavarësisht nga arsyeja juaj për t’u kthyer nga misioni juaj më herët nga ç’e kishit pritur, vendosni sot që ta bëni këtë përvojë një hap drejt përparimit tuaj, jo një hap prapa. U ktheva në shtëpi për arsye mjekësore, por të tjerët kthehen në shtëpi për një mori arsyesh, përfshirë shkeljen. Si rrjedhojë, disa nga idetë më poshtë mund të mos gjejnë zbatim për situatën tuaj. Lutjuni Zotit që të gjeni mënyra për t’i shërbyer Atij nga shtëpia. Për shembull, nëse u kthyet në shtëpi për shkelje dhe nuk jeni ende i/e denjë për ta frekuentuar tempullin, ju ende mund të gjeni domethënie ndërsa ecni rregullisht në rrethinat e tempullit dhe zotoheni se një ditë do të ktheheni në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Përveç leximit të shkrimeve të mia të shenjta, lutjes dhe frekuentimit të kishës, secili nga hapat vijues në udhëtimin tim ishte jetik për shërimin tim.

post-mission journey

1. Mbajtja e Lidhjeve

Hapi im i parë për të gjetur domethënie në jetën time ishte të mbaja lidhje me shenjtorët dhe misionarët në Hungari. Për një kohë të gjatë, unë mezi prisja ditët e përgatitjes kur do të merrja postë elektronike nga Motra Nestor dhe shoqet e mia të QTM-së. Duhet ta pranoj, nganjëherë nuk ishte e lehtë të lexoja rreth misioneve të shoqeve të mia apo të flisja me hungarezët, për të cilët më kishte marrë malli kaq shumë. Por, ndërsa tani e hedh vështrimin prapa, kuptoj se ishte vendimtare për shërimin tim që të dëgjoja rreth mrekullive që po ndodhnin atje.

2. Indeksimi nëpërmjet Internetit

Vëllai im i vogël, i nxitur butësisht nga nëna ime e mençur, më bindi të filloja indeksimin. Fillimisht bëra grupe emrash për t’ia bërë qejfin atij, por një ditë në ekranin tim u shfaq një regjistër me emra hungarezë. Shpirti më përfshiu të gjithën dhe më mësoi se isha ende në gjendje të ndihmoja për të sjellë shpirtra hungarezë te Krishti – thjesht në anën tjetër të velit.

3. Vendosja e Synimeve

Pas misionit, të gjitha synimet e mia para misionit dukeshin të paarritshme me gjendjen time të re shëndetësore. Por me kalimin e kohës kuptova se kishte synime që mund t’i arrija ndërkohë që rrija shtrirë. Synime të tilla si leximin e librit Jesus the Christ [Jezusi, Krishti] i quajta “synime horizontale” dhe punoja me to çdo ditë.

4. Kthimi në Shkollë

Një nga synimet e mia para misionit ishte që të diplomohesha në kolegj. Ndërsa ndjekja e orëve mësimore do të ishte e vështirë me sëmundjen time dhe takimet e vazhdueshme me mjekun, babi më nxiti të merrja pjesë në orë mësimore nëpërmjet internetit nga Studimi i Pavarur në Universitetin “Brigam Jang”. Ky jo vetëm që ishte një synim horizontal i arritshëm, por gjithashtu kuptova se ndoshta unë isha në gjendje të arrija më shumë prej synimeve të mia para misionit nga ç’e kisha menduar të mundshme më parë.

5 . Shërbimi i një Misioni nëpërmjet Internetit

Një ditë në kishë, një motër erdhi drejt mamit tim dhe i tha: “A e di se Destini mund të shërbejë një mision indeksimi nëpërmjet internetit?” Kjo pyetje e papritur ishte një përgjigje për lutjet e mia. Unë munda t’i shërbej Zotit për nëntë muaj si një misionare indeksimi me shërbim mbështetës në Kishë. Ky ishte një mision që mund ta bëja!*

6. Dhënia Mësim në Klasën e Përgatitjes për Mision

Teksa u përmirësova në kontrollin e gjendjes sime shëndetësore, fillova të studioj në një kolegj shtetëror ndërsa kryeja misionin tim nëpërmjet internetit. M’u kërkua që të jepja mësim në klasën e përgatitjes për mision në një institut aty pranë. Mësimdhënia më ndihmoi të kuptoja se ngazëllimi im për punën misionare nuk ishte venitur dhe që, edhe misioni im i shkurtër, më kishte dhënë shumë përvojë që mund të ishte e vlefshme për studentët e mi.

7. Puna Vullnetare në QTM

Pasi ndoqa me sukses një semestër në kolegjin pranë shtëpisë sime, u shpërngula në Jutë të SHBA-së për të ndjekur UBJ-në. Në fillim, nuk mund të ecja pranë QTM-së në Provo pa përjetuar një lumë emocionesh kontradiktore. Por fillova të bëja punë vullnetare çdo javë në QTM dhe zbulova se ishte shëruese të takoja misionarët e mrekullueshëm që po dërgoheshin në Hungarinë time të dashur.

8. Kryerja e Punës në Tempull

Një motër hungareze, Editi, e cila kishte përgatitur pothuaj 150 000 emra për në tempull, më kërkoi që t’i çoja disa nga emrat e saj në tempull. Ishte e gëzueshme të bëja ordinancat shpëtuese për këta hungarezë!

Shërimi Gradual Përmes Punës së Tij

Të shërbeja në një mision ishte ëndrra më e rëndësishme e jetës sime dhe, kuptueshëm, ndjeva një humbje kur erdha në shtëpi më herët nga sa e kisha menduar. Për njëfarë kohe, pata vështirësi të flisja rreth misionit tim. Më duhej të përballesha me ndjenjat e mia të dështimit. M’u desh të mësoja që ta gjykoja vlerën e misionit tim nëpërmjet dëshirës sime për të shërbyer përkundrejt kohëzgjatjes së tij. Megjithëse nuk e kuptova këtë në atë kohë, secili prej këtyre hapave për domethënie në jetën time solli gjithashtu shërim.

Për vite të tëra isha në ankth se kthimi në Hungari do të ishte i vështirë për mua emocionalisht. Kur më në fund udhëtova për atje, që në ditën e dytë e kuptova se jo vetëm që nuk po ndieja ndonjë dhembje, por që gjithashtu po ndieja një gëzim të jashtëzakonshëm që isha kthyer. Atëherë e kuptova se Ati Qiellor më kishte dhënë mundësinë që ta përjetoja fuqinë shëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Tani e di se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjitha gjërat do të rregullohen në fund.