2018
3 Ide për Mbrëmjen Familjare që i Rimbushin Bateritë Tuaja Shpirtërore
Janar 2018


3 Ide për Mbrëmjen Familjare që i Rimbushin Bateritë Tuaja Shpirtërore

një baba duke u dhënë mësim fëmijëve

Të gjithë kemi nevojë t’i rimbushim bateritë tona shpirtërore çdo ditë. Plaku W. Mark Baset, i Të Shtatëdhjetëve, shkruan rreth kësaj nevoje në artikullin “Shikoni dhe Jetoni” (Liahona, janar 2018). Këto ide veprimtarish, të bazuara tek artikulli i tij, mund të përshtaten nga familje me fëmijë të të gjitha moshave për t’u përdorur në mbrëmjen familjare.

  1. Ashtu si bijtë e Izraelit, edhe ne kemi nevojë të mbledhim “manë shpirtërore” çdo ditë – ne lutemi, i studiojmë shkrimet e shenjta, i mbajmë urdhërimet dhe u shërbejmë të tjerëve në mënyrë që ta mbajmë Shpirtin me vete. Gjeni diçka që mund ta përdorni si “manë” (kopsa, lodra, toptha letre etj.) dhe përhapini në dyshemenë tuaj. Vërini fëmijët ta mbledhin manën dhe ta vendosin në një tas. (Për ta bërë lojën pak më të vështirë, mund ta fshihni manën.) Sa herë që të vendosin një pjesë mane në tas, ata mund të japin një shembull të një veprimi që siguron ushqyerje shpirtërore. Merreni parasysh ta lexoni Eksodin 16:19–21 dhe të zhvilloni një diskutim. Përse ishte e rëndësishme që izraelitët ta mblidhnin manën çdo ditë? Dhe përse është e rëndësishme për ne?

  2. Njësoj si bateria e makinës që ka nevojë të rimbushet herë pas here në historinë e Plakut Baset, edhe ne kemi nevojë të karikohemi shpirtërisht. Gjeni një lodër me kurdisje ose që rrotullohet mbi majë – diçka që duhet të kurdiset ose rrotullohet në mënyrë që të punojë. Rrotullojeni ose kurdiseni lodrën disa herë. Si lidhet kjo me mënyrën se si ne e fuqizojmë veten shpirtërisht? Çfarë ndodh kur ne ndalojmë së rrotulluari lodrën? Në mënyrë të ngjashme, çfarë ndodh nëse ndalojmë së bëri lutje apo së shkuari në kishë? Mund të doni ta përmendni pjesën “Mana Shpirtërore” nga artikulli i Plakut Baset.

  3. Nëse “bateritë tona shpirtërore” janë të mbushura dhe të fuqishme, Fryma e Shenjtë mund të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm. Përpara mbrëmjes familjare, bëni dy lista me veprime: 1) gjëra që na i shterojnë bateritë tona shpirtërore (të tilla si thënia e gënjeshtrave, sjellja e keqe me një vëlla/motër, lënia pas dore e studimit të shkrimeve të shenjta) dhe 2) gjëra që i mbushin ato (të tilla si pagimi i së dhjetës, vizitat tek të sëmurët, marrja e sakramentit). Lexojeni çdo pikë me zë të lartë. Kërkojuni fëmijëve të shkojnë në anën e majtë të dhomës nëse veprimi na i shteron bateritë shpirtërore dhe në anën e djathtë të saj nëse veprimi i mbush ato. Nxitini ata që të zgjedhin të drejtën.