Lukasi dhe ‘i Forti’
Lukasi u ndie shumë mirë rreth asaj që tha … gjersa pa pamjen e fytyrës së Pedros.
“Le t’flasim fjal’ t’mira njëri-tjetrit n’shtëpi ose ku të jemi” (Himne, nr. 148).
“Oh, jo! Ja ku po vjen Pedroja!”
Kushdo në shkollë e dinte se Pedroja ishte një mujshar [i forti]. Ai ishte trupmadh dhe ai ishte zemërlig. Ai i shante fëmijët e tjerë, u merrte drekën dhe i ndiqte përreth oborrit të shkollës. Askush nuk donte të ishte pranë tij.
Pedroja po kalonte pranë Lukasit dhe mikut të tij, Arturit. Ai i quajti ata “humbës” dhe e shtyu Arturin.
Lukasi ishte lodhur me Pedron që ishte aq zemërlig. Madje pa e menduar, i bërtiti: “Mjaft Pedro!”
Lukasi nuk mund ta besonte. Ai thjesht u mbrojt nga më ‘i forti’ i shkollës!
Pedroja shkoi me zemërim te Lukasi dhe e mbërtheu nga këmisha. “Çfarë the?” Zemra e Lukasit rrihte aq shpejt sa dukej se do t’i dilte nga kraharori! “Po të bëj një paralajmërim”, tha Pedroja. “Por më mirë ki kujdes!” Ai e shtyu Lukasin dhe u largua.
Pas kësaj, Lukasi bëri më të mirën që ta shmangte, por Pedroja gjithnjë e gjente. Ai e mbajti Lukasin larg shilarësve, e shtynte në lojën me top, i vinte pengesë në mensë dhe gjithnjë thoshte gjëra të ulëta.
Një ditë Lukasi dhe Arturi po luanin me topin e Arturit. Pedroja kërceu nga prapa një peme dhe ua rrëmbeu.
“Të lutem na i kthe”, tha Arturi.
“Kush më detyron mua?” Pedroja e shtyu Lukasin te një pemë dhe qeshi.
Lukasi ndjeu stomakun t’i mblidhej lëmsh. Ishte aq i zemëruar! “A e di çfarë, Pedro?” tha Lukasi. “Ti je fëmija më i poshtër që njoh! Askush nuk të do. Kushdo dëshiron që të largoheshe për gjithmonë!”
Pedroja ndaloi së qeshuri. Lukasi u ndie shumë mirë rreth asaj që tha … gjersa pa pamjen e fytyrës së Pedros. A ishte ai gati për të qarë? Pedroja shpejt pa poshtë dhe u largua.
Lukasi menjëherë u ndie shumë keq. Gjatë pjesës tjetër të ditës, edhe pse u përpoq fort, Lukasi nuk e largonte dot ndjesinë e tmerrshme. Atë natë, ai rrotullohej në krevat. Ai vazhdonte të mendonte sa i dëshpëruar dukej Pedroja.
“Si mund të ndihej keq Pedroja?” mendonte Lukasi. “Atij nuk i bëhet vonë nëse është i lig me fëmijët e tjerë. Unë duhej të thosha diçka, apo jo?” Sa më shumë që Lukasi mendonte rreth saj, aq më shumë kuptonte se ishte e drejtë të mbronte veten dhe mikun e vet. Por ai e kishte gabim që tha ato gjëra të ulëta.
Lukasi u gjunjëzua te krevati i tij dhe i kërkoi Atit Qiellor që ta falte. Ai i tregoi Atit Qiellor se nuk donte t’i lëndonte kurrë përsëri ndjenjat e ndokujt. Ai donte të ishte i këndshëm. Kur Lukasi tha “amen”, ai e dinte se çfarë duhej të bënte.
Pas drekës ditën tjetër, Lukasi e gjeti Pedron vetëm të mbështetur në një mur. Lukasi ishte i shqetësuar. Çfarë do të bënte Pedroja? Lukasi mori frymë thellë dhe iu afrua.
“Ëëm, më vjen keq për çka ndodhi dje.”
Pedroja pa i befasuar. “Ty të vjen keq?”
“Po. Të thashë disa gjëra vërtet të ulëta dhe nuk duhej. Më vjen keq.”
Pedroja vështroi poshtë te këpucët e veta. “Në rregull.”
Zilja ra. Lukasi u nis të kthehej në klasë. Ai u ndie shumë më mirë. Por kishte edhe një gjë që donte të thoshte. U kthye mbrapsht. “Ne mund të luajmë futboll nesër në pushim po të duash.”
Një buzëqeshje e lehtë përshkoi fytyrën e Pedros. “Më duket mirë.”
Pas kësaj, gjërat shkuan më mirë me Pedron. Ai sillej përsëri si ‘i fortë’ ndonjëherë, por nuk ishte aq i lig. Ai madje luante herë-herë me Lukasin në pushim. Dhe në të vërtetë ishte zbavitëse! Në mbarim të vitit shkollor, Pedroja i tha Lukasit se do të largohej. Atëherë ai tha diçka që vërtet e befasoi Lukasin.
“Faleminderit që ishe miku im”, tha Pedroja. “Edhe kur unë nuk isha i këndshëm.”
Ndjenja e ngrohtë në zemrën e Lukasit i tregoi atij se të jesh i sjellshëm është gjithnjë zgjedhja e drejtë.