Shikoni dhe Jetoni
Kur kthehemi drejt Perëndisë, ne krijojmë një burim të vazhdueshëm ripërtëritjeje shpirtërore.
Teksa po rritesha, ishte një ngjarje e përhershme për familjen time që të udhëtonim me makinë midis Kalifornisë Veriore dhe Jutës në SHBA. Nuk ishte udhëtimi përmes shkretëtirës që na kënaqte; ishte arritja në vendmbërritje dhe gëzimi për vizitat te pjesëtarë të familjes atje.
Verën përpara se të nisesha për misionin tim kohëplotë, udhëtova edhe një herë për të vizituar të afërmit në Jutë. Por këtë herë unë dhe vëllai im më i vogël, Dejvidi, udhëtuam vetëm. Ne ishim 18 dhe 16 vjeç në atë kohë. E kishim bërë udhëtimin prej 10-orësh me familjen tonë shumë shpesh sa kishim vetëbesim të madh në aftësinë tonë për të udhëtuar pa problem.
Vizituam xhaxhanë tonë, Kein, teto Dajenën dhe kushërirën tonë, Mishelën. Më pas, ndërsa Dejvidi e zgjati vizitën e tij, mua m’u desh të kthehesha vetëm në Kaliforni për një vizitë te dentisti.
Nata po afrohej kur u largova nga Spenish-Forku në Jutë, për të filluar një udhëtim gjatë gjithë natës me makinë. Gjithçka shkoi mirë në fillim. Shpejt u largova nga autostrada që shkonte nga jugu në veri dhe mora atë që shkonte nga lindja për në perëndim. Ndeza dritat e përparme të makinës dhe udhëtova me nxitim përmes Jutës perëndimore. Teksa kilometrat kalonin dhe nata përmes shkretëtirës bëhej gjithnjë dhe më e errët, vura re se e pata gjithnjë e më të vështirë që ta shihja rrugën. Më së fundi, e kuptova se dritat e përparme po bëheshin gjithnjë e më të zbehta. Ato më së fundi u shuan, motori ndaloi dhe makina lëvizi derisa mbeti në vend në anë të autostradës.
Bateria u shkarkua. Makina nuk mund të lëvizte më tej. Edhe pse kisha qenë i kujdesshëm që të sigurohesha për të pasur mjaft benzinë dhe madje e kisha menduar se ku do të ndaloja për benzinë, nuk isha i përgatitur për humbjen e plotë të fuqisë elektrike.
Çfarë Është një Dinamo?
Unë u rrita nga një baba që krenohej se i mirëmbante vetë makinat e familjes sonë. Ai na mësoi rreth anës automekanike, kështu që e dija se një bateri e mirë nuk do të shkarkohej teksa makina lëvizte, në qoftë se nuk kishte një problem me dinamon. Dinamoja është një gjenerator elektrik që e kthen energjinë mekanike në energji elektrike. Ajo e përdor energjinë kinetike të motorit të ndezur për të prodhuar energji magnetike, e cila shndërrohet në rrymë elektrike që e rimbush vazhdimisht baterinë. Kjo i lejon dritat, radion, kondicionerin e ajrit dhe pajisje të tjera elektrike që të punojnë pa ndërprerje. Ajo gjithashtu e mban motorin të ndezur.
Tani diçka nuk shkonte në dinamon e makinës sime. Duhej të riparohej ose zëvendësohej përpara se të mund ta vazhdoja udhëtimin.
Në një epokë përpara telefonave celularë, zgjedhja ime e vetme ishte të filloja të ecja. Më së fundi, një burrë më mori në makinë dhe më çoi deri në qytezën pranë. Te një kabinë telefonike mora në telefon për një kamion rimorkiues. U ula në kabinë me shoferin gjatë udhëtimit njëorësh për t’u kthyer te makina. Më pas u ula me të sërish teksa u kthyem në qytezën e vogël me makinën time të rimorkiuar. Më së fundi, katër orë pasi u largova fillimisht nga makina ime, isha sërish brenda saj, duke fjetur përpara një ofiçine mekanike derisa të hapej.
Kur erdhi përgjegjësi, ai qeshi me idenë se qyteza e tij e vogël do ta kishte pjesën që më nevojitej mua. Ai mund të bënte një porosi, por nuk do të mbërrinte përpara dy ose tri ditësh. Pastaj atij i erdhi keq për mua. Më tha se mund ta fuste baterinë time të rimbushej për gati tri orë. Ajo mund të më jepte fuqi të mjaftueshme për ta ngarë makinën deri në qytezën tjetër. Ndoshta ata do ta kishin pjesën që më nevojitej.
Me baterinë të ngarkuar, u nisa pa ndezur asgjë që mund ta harxhonte kot elektricitetin e paçmueshëm. Mbërrita në qytezën tjetër, por as ata nuk e kishin pjesën që më nevojitej. Ky cikël vazhdoi – një rimbushje treorëshe për një udhëtim dyorësh nga një qytezë në tjetrën. Pasi gjeta njerëz mirëdashës në qytezat përgjatë rrugës, më së fundi mbërrita në parkimin para shtëpisë së prindërve të mi, i stërmunduar pas një udhëtimi 30-orësh, por i sigurt në shtëpi.
Mana Shpirtërore
Ka një paralelizëm midis udhëtimit tim dhe udhëtimit nëpër shkretëtirë të izraelitëve në kohët e Dhiatës së Vjetër. Për 40 vjet izraelitët u furnizuan vazhdimisht me ushqim nga qielli, të quajtur mana. (Shih Eksodi kapitulli 16 dhe Numrat kapitulli 11.)
Në kohën tonë, ne kemi një nevojë të ngjashme për ushqim nga qielli, për ushqim shpirtëror. Fatmirësisht, ne mund të krijojmë një “dinamo shpirtërore” e cila do të “prodhojë manën shpirtërore” që na nevojitet. Përderisa nevojat tona shpirtërore plotësohen nëpërmjet ruajtjes së marrëdhënies sonë me Atin tonë në Qiell dhe me Birin e Tij, Jezu Krishtin, atëherë, po ashtu si izraelitët që harxhuan kohë çdo ditë duke mbledhur manën fizike, ne sot duhet të mbledhim manë shpirtërore nëpërmjet lutjes, studimit të ungjillit dhe përpjekjes së madhe për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.
Izraelitët më së fundi u lodhën së mbledhuri manën fizike dhe i “pushtoi një lakmi e madhe” për gjërat që i lanë pas (Numrat 11:4). Nëse e lejojmë veten tonë që të lodhemi nga mbledhja e manës shpirtërore, ne mund ta gjejmë veten duke dëshiruar shumë gjëra që nuk janë në interesin tonë më të mirë shpirtëror. Si izraelitët e pashpresë, ne ka rrezik që ta humbasim përqendrimin tonë te qëllimi ynë fillestar – që të arrijmë në tokën e premtuar. Ne madje mund të dëshirojmë që të mos ishim larguar kurrë nga “Egjipt[i]” ynë (shih Numrat 11:5–6). Si përfundim, dinamoja jonë shpirtërore ndalon së krijuari energji dhe ne nuk mund të përparojmë. E gjejmë veten duke u endur, duke vuajtur nga uria dhe duke e dëshiruar shumë shpëtimin.
Të Shikuarit e Mrekullisë
Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim: “Nganjëherë duket se i shohim shkrimet e shenjta si tepër të mirëqena, sepse nuk e vlerësojmë tërësisht se sa gjë e rrallë është që t’i kemi ato në zotërim dhe sa të bekuar jemi ngaqë vërtet i kemi ato. Duket se jemi përshtatur kaq rehatshëm me përvojat tona në këtë botë dhe na është bërë shumë zakon që ta dëgjojmë ungjillin të jepet mësim mes nesh, sa është e vështirë për ne që të përfytyrojmë se mund të kishte qenë ndonjëherë ndryshe.”1
Kurrë nuk duhet ta shohim si të mirëqenë nevojën tonë për studimin e vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, lutjen e bindjen, sepse ato na ndihmojnë që ta ruajmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Nëse i lëmë pas dore veprimtaritë që na mbushin shpirtërisht në jetë, nëse ato na bëhen të mërzitshme ose thjesht i kryejmë si rutinë, atëherë dinamoja jonë shpirtërore nuk po funksionon plotësisht. Dalëngadalë ne mund të bëhemi të pambushur shpirtërisht, ndoshta kaq gradualisht sa vështirë se e kuptojmë. Në një kohë të tillë, e vetmja mënyrë për t’u shëruar është të kthehemi te Jezu Krishti dhe të pendohemi. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe pendimit të sinqertë, të gjitha gjërat mund të rivendosen.
Shikoni dhe Jetoni
Kur izraelitët u ankuan, ata e humbën mirënjohjen e tyre për bekimin e ushqyerjes. Si ndëshkim, “Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën” (Numrat 21:6).
Më së fundi, “populli shkoi te Moisiu dhe i tha: ‘Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj’. Dhe Moisiu u lut për popullin.
Pastaj Zoti i tha Moisiut: ‘Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar’.
Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte” (Numrat 21:7–9).
Gjarpërinjtë e Sotëm prej Bronzi
Gjarpri prej bronzi është një simbol i Krishtit që do të ngrihej në kryq (shih Gjoni 3:14–15). Kur shohim drejt këshillës së profetëve të kohës moderne, ne po shohim drejt Krishtit, sepse ata na e kthejnë përqendrimin tonë te plani i Atit tonë dhe roli thelbësor i Jezu Krishtit. Ashtu si njerëzit zemërgjerë që më lejuan ta rimbushja baterinë time, profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë na rimbushin shpirtërisht duke na kujtuar se jemi fëmijë të Atit tonë në Qiell dhe se kjo është “vepra … dhe lavdia [e Tij] – të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Ata na kanë këshilluar veçanërisht që, kur adhurojmë më me efektshmëri në ditën e Shabatit, ne do ta rritim besimin tonë tek Ati Qiellor, te plani i Tij për lumturinë, te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.
Historia e Moisiut dhe e gjarprit prej bronzi gjithashtu përmendet në Librin e Mormonit, ku na thuhet se “shumë shikuan dhe jetuan” (Alma 33:19; shih edhe vargjet 20–22). Të tjerët, megjithatë, nuk pranuan të shikonin. “Puna që ata duhet të kryenin, ishte të shikonin; dhe për shkak të thjeshtësisë së udhës ose lehtësisë së saj, kishte shumë që mbaruan” (1 Nefi 17:41). A mund të thuhet për ne një ditë se nuk pranuam të shikonim te profetët dhe këshilla e tyre për shkak të lehtësisë së udhës?
“Në qoftë se ju mund të shëroheshit vetëm duke i hedhur sytë diçkaje që të shëroheshit, a nuk do t’i hidhnit sytë me të shpejtë[?] …
… Atëherë hidhni sytë dhe filloni të besoni në Birin e Perëndisë” (Alma 33:21, 22).
Jam mirënjohës për bekimet që na vijnë ndërkohë që vazhdojmë përgjatë “autostradës sonë drejt qiellit” dhe i nxitim të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Jam po aq mirënjohës për mundësinë, kur jemi në udhë të gabuar, që të pendohemi, t’i lëmë pas zakonet e këqija dhe të kthehemi te një shteg i duhur. Bekimet janë të pamatshme.
Një tjetër fragment në Librin e Mormonit që flet për përvojën e izraelitëve, përfundon: “Dhe sikurse të gjithë ata që do të shikonin atë gjarpër do të jetonin, ashtu madje të gjithë ata që do t[ë] shikojnë në Birin e Perëndisë me besim, me shpirt të penduar, do të mund të jetojnë madje gjithashtu në atë jetë që është e përjetshme” (Helamani 8:15).
Dëgjimi me vëmendje i këshillës së profetëve modernë i ushtron zemrat tona që të kenë besim. Ai na forcon që të kapërcejmë pengesa përgjatë udhëtimit tonë, ashtu siç m’u desh mua të ecja përpara atë natë vere në shkretëtirë. Unë dëshmoj se, kur shikojmë tek Ati ynë në Qiell dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, ne do të gjejmë domethënie dhe qëllim në udhëtimin tonë.
Ju mund të gjeni ide për mbrëmjen familjare për këtë artikull te lds.org/go/11811.