Mbrëmja e Tempullit e Thjeshtuar: 6 Sugjerime për t’i Bërë më të Lehta Udhëtimet për në Tempull
Ka një milion gjëra që mund t’ju pengojnë të shkoni në tempull. Pasja e një kalendari si ky është vetëm një nga sugjerimet për ta bërë më të lehtë të shkoni atje, sugjerime të cilat i mblodhëm pasi ju kërkuam ide juve në Facebook. Qoftë nëse lini mënjanë pak kohë në programin tuaj të ngjeshur që të shkoni vetë ose të shoqëroni një mik që të mos i duhet të shkojë vetëm, këto sugjerime mund t’ju ndihmojnë t’i merrni më shpesh bekimet e vajtjes në tempull.
Për Familjet me Fëmijë
Bëjeni mbrëmjen e takimit tuaj vetëm për vetëm një mbrëmje tempulli. Zëvendësojeni një nga mbrëmjet e takimit tuaj vetëm për vetëm me një vizitë në tempull. Çfarëdo planesh bëni zakonisht që dikush të kujdeset për fëmijët kur ju dhe bashkëshorti/ja juaj dilni në një takim, mund të zbatohen [edhe] ndërkohë që merrni pjesë në një sesion tempulli në vend që të shkoni për darkë dhe për të parë një film. Ju dhe bashkëshorti/ja juaj prapëseprapë do të kaloni kohë cilësore së bashku, thjesht me bekimin e shtuar të frekuentimit të tempullit.
Shkëmbejini fëmijët: Gjeni një familje tjetër që është e gatshme të planifikojë t’i mbajë fëmijët tuaj që të luajnë me fëmijët e tyre ndërkohë që ju frekuentoni tempullin; më pas shkëmbehuni dhe bëni të njëjtën gjë për ta.
Piknik dhe lojë: Njësoj si familja në artikullin “Një Bekim i Premtuar për Frekuentimin e Tempullit”, bëjeni atë një udhëtim njëditor ose fundjave. Merreni të gjithë familjen; një prind mund të ndjekë një sesion tempulli ndërkohë që tjetri i nxjerr fëmijët për piknik ose ndonjë lloj tjetër vakti ngrënieje apo zëmre. Më pas, ai prind mund të ndjekë një sesion ndërkohë që prindi i parë i nxjerr fëmijët për të luajtur në park ose për një shëtitje nëpër rrethinat e tempullit.
Për të Gjithë
Caktoni një kohë fikse: Nëse koha dhe vendndodhja juaj e lejon, bëni një vizitë të rregullt të planifikuar në tempull (të përjavshme, të përmuajshme ose të përvitshme). Një vizitë e rregullt do t’ju lejojë të bëni planifikime të tjera në varësi të saj dhe do t’ju ndihmojë ta keni përparësi frekuentimin e tempullit.
Zotohuni: Gjejeni kohën dhe zotohuni për të. Nëse e keni të vështirë të gjeni kohë në programin tuaj, provojeni në mëngjes herët; tempujt zakonisht janë më pak të ngarkuar herët në mëngjes.
Gjeni një shok: Nëse e keni të vështirë të merrni shtysë për ta frekuentuar vetëm tempullin, gjeni një mik/e që të vijë me ju! Mos kini frikë të viheni në kontakt me mësuesit e shtëpisë, mësueset vizitore ose anëtarë të tjerë të lagjes dhe kërkojuni atyre ta frekuentojnë tempullin me ju.