Mesazhi i Presidencës së Parë
Dhurata e Pendimit
“Përgjegjësia jonë është të ngrihemi nga të menduarit ngushtë për te vetëzotësia, nga dështimi tek arritja”, ka dhënë mësim Presidenti Tomas S. Monson. “Detyra jonë është të bëhemi vetja jonë më e mirë. Një prej dhuratave më të madhërishme të Perëndisë për ne është gëzimi i të provuarit përsëri, sepse asnjë dështim nuk ka pse të jetë kurrë i fundit.”1
Ne shpesh e lidhim ardhjen e një viti të ri me qëllime vjetore dhe synime. Ne vëmë si qëllim vjetor të përmirësohemi, të ndryshojmë, të përpiqemi sërish. Ndoshta mënyra më e rëndësishme se si mund të përpiqemi sërish është duke e përqafuar atë që Presidenti Monson e ka quajtur “dhurata e pendimit”2.
Në pjesët e shkëputura vijuese nga mësimet e tij që kur u bë President i Kishës, Presidenti Monson na këshillon ta “përdor[im] gjakun shlyes të Krishtit, që ne të mund të marrim faljen e mëkateve tona dhe zemrat tona të mund të pastrohen”3.
Mrekullia e Faljes
“Ne të gjithë kemi bërë zgjedhje të gabuara. Nëse nuk i kemi korrigjuar tashmë këto zgjedhje, unë ju siguroj se ka një mënyrë për ta bërë këtë. Procesi quhet pendim. Unë lutem që t’i korrigjoni gabimet tuaja. Shpëtimtari ynë vdiq për t’ju siguruar juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Megjithëse shtegu nuk është i lehtë, premtimi është i vërtetë: ‘Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora’ [Isaia 1:18]. ‘Dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ [DeB 58:42]. Mos e vini në rrezik jetën tuaj të përjetshme. Nëse keni mëkatuar, sa më shpejt të filloni rrugën e kthimit, aq më shpejt ju do të gjeni paqen dhe gëzimin e ëmbël që vijnë me mrekullinë e faljes.”4
Kthehuni në Shteg
“Ndonëse është e domosdoshme që të zgjedhim me urtësi, ka momente kur ne do të bëjmë zgjedhje të pamenda. Dhurata e pendimit, e siguruar nga Shpëtimtari ynë, na mundëson ta ndreqim mjedisin e drejtimit tonë, që të mund të kthehemi te rruga që do të na çojë tek ajo lavdi çelestiale që kërkojmë.”5
Kthimi Sërish
“Nëse ndokush nga ju është penguar në udhëtimin e tij, ju siguroj se ka një mënyrë kthimi sërish. Procesi quhet pendim. Edhe pse shtegu është i vështirë, shpëtimi juaj i përjetshëm varet prej tij. Çfarë mund të ishte më e vlefshme për përpjekjet tuaja? Ju lutem që të vendosni pikërisht këtu dhe tani që të ndërmerrni hapat e domosdoshëm për t’u penduar plotësisht. Sa më shpejt që ta bëni këtë, aq më shpejt ju do të jeni në gjendje të përjetoni paqen, qetësinë dhe sigurinë për të cilat foli Isaia [shih Isaia 1:18].”6
Njerëzit Mund të Ndryshojnë
“Ne duhet ta ngulitim në mendje që njerëzit mund të ndryshojnë. Ata mund t’i lënë pas veset e këqija. Ata mund të pendohen për shkeljet. Ata mund ta mbajnë priftërinë me denjësi. Dhe mund t’i shërbejnë Zotit me zell.”7
Bëhuni Përsëri të Pastër
“Nëse ka ndonjë gjë gabim në jetën tuaj, ka një rrugëdalje të hapur për ju. Ndërpriteni çfarëdo padrejtësie. Bisedoni me peshkopin tuaj. Cilido qoftë problemi, ai mund të zgjidhet nëpërmjet pendesës së duhur. Ju mund të bëheni përsëri tё pastër.”8
Roli Thelbësor i Shpëtimtarit
“Thelbësor për planin [e shpëtimit] është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pa flijimin e Tij shlyes, të gjithë do të humbnin. Sidoqoftë, nuk është e mjaftueshme që thjesht të besojmë në Të dhe në misionin e Tij. Duhet të punojmë e të mësojmë, të kërkojmë e të lutemi, të pendohemi e të përmirësohemi. Kemi nevojë që t’i njohim ligjet e Perëndisë dhe të jetojmë sipas tyre. Kemi nevojë që t’i marrim ordinancat e Tij shpëtuese. Vetëm duke e bërë këtë, ne do të marrim lumturinë e vërtetë, të përjetshme.”9