Tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për 2018-ën
Paqe në Krisht
Pavarësisht nga rrethanat tuaja, ju gjithmonë mund të gjeni paqe te Jezu Krishti.
Në një botë të mbushur me trazirë, ideale në konkurrim, tundime dhe filozofi pështjelluese, gjetja e paqes nuk është gjithmonë e lehtë. Por premtimi i Shpëtimtarit që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 19:23 (tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për vitin 2018), jep një shteg të sigurt drejt paqes: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”.
Si Presidenca të Përgjithshme të Të Rejave dhe të Të Rinjve, ne dëshmojmë se kjo është e vërtetë. Ne e kemi parë atë në vetë jetën tonë dhe, nëse ju e ndiqni këtë model, Perëndia do ta plotësojë premtimin e Tij për paqe në jetën tuaj gjithashtu.
Shumë prej jush mund të ndihen në ankth dhe të shqetësuar për atë që do t’u sjellë e ardhmja. Shumë prej jush e vrasin mendjen për pamjen e tyre, aftësitë e tyre, potencialin e tyre. Por, pavarësisht nga ajo me të cilën po përballeni, ju mund të gjeni paqe. Kjo nuk do të thotë se të gjitha ato pyetje ose shqetësime do të shuhen, por ju mund të ndieni sigurinë e qetë se gjërat do të rregullohen. Më e rëndësishmja, ju mund të ndieni dashurinë e Jezu Krishtit për ju personalisht dhe kjo sjell paqe të madhe.
Le të bisedojmë rreth secilit prej elementeve të këtij vargu.
Mëso nga Unë
Të arrini ta njihni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin është një pjesë e domosdoshme e udhëtimit tuaj në jetë. Zoti tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Teksa arrini ta njihni më mirë Krishtin, ju mund ta kuptoni se sa i mirë, i mençur, i sjellshëm dhe i dashur është Ai. Besimi juaj tek Ai do të rritet dhe ju do të keni një dëshirë më të madhe për ta ndjekur Atë dhe Atin Qiellor.
Dëgjoji Fjalët e Mia
Jezu Krishti na flet nëpërmjet shkrimeve të shenjta, profetëve të gjallë dhe Frymës së Shenjtë. Ne duhet të ushqehemi me bollëk me këto fjalë, të përsiatim për to dhe t’i vëmë në zbatim ato në jetën tonë. Në studimin tuaj të fjalëve të Shpëtimtarit, përqendrohuni te Libri i Mormonit sepse ai është “më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë”, dha mësim Jozef Smithi, “dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”1. Ftesa e fuqishme për ne e Presidentit Tomas S. Monson në konferencën e përgjithshme të prillit 2017, që ta lexojmë Librin e Mormonit çdo ditë, do të na ndihmojë t’i dëgjojmë dhe t’i kuptojmë fjalët e Krishtit.2
Ec në Butësinë e Shpirtit Tim
Të dëgjuarit e fjalëve të Shpëtimtarit fillon të na ndryshojë vetëm kur jemi të gatshëm t’iu bindemi atyre. Kjo kërkon shpirtbutësi nga ana jonë. Kjo kërkon të heqim dorë nga udha jonë vetjake dhe të ecim në udhën e Tij. Nganjëherë ne mendojmë se udha jonë është më e mirë. Por, kur jemi shpirtbutë dhe e ndjekim Atë kudo që Ai të na udhëheqë, ne gjithmonë do të jemi në shtegun më të mirë.
Ti do të Kesh Paqe në Mua
Ky është premtimi i madhërishëm: nëse ju do t’i bëni këto tri gjëra – të mësoni, të dëgjoni dhe të ecni me Shpëtimtarin – do të keni paqe në jetën tuaj. Do të keni sigurinë se Perëndia është përkrah jush dhe se Ai do të kujdeset për ju, pavarësisht çfarëdo frike, pasigurie apo dobësie që mund të keni. Ju mund të keni vetëbesim – jo vetëm në veten tuaj por gjithashtu te Jezu Krishti dhe te dashuria e fuqia e Tij.
Ne e ftojmë të gjithë rininë e Kishës që ta mësojë përmendsh këtë varg. Përdoreni atë si një udhërrëfyes në jetën tuaj. Kur mjegullat e errësirës t’ju sillen rrotull dhe të duken dërrmuese, ju do të jeni në gjendje ta sillni në mendje këtë varg, ta ndiqni modelin e tij dhe të kapeni fort te themeli i qëndrueshëm dhe i sigurt i Jezu Krishtit.