Gjetja e Paqes: 4 Mënyra (Të Tjera) për ta Përdorur Temën e Aktiviteteve të Përbashkëta për Vitin 2018
Tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për Vitin 2018 i mëson rinisë rreth paqes që mund të marrë nga Jezu Krishti. Tema vjen nga Doktrina e Besëlidhje 19:23, ku Zoti na fton: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”. Çfarë mesazhi i fuqishëm! Ja tek janë katër mënyra zbavitëse për ta përdorur temën e Aktiviteteve të Përbashkëta për t’i forcuar të rinjtë e të rejat gjatë periudhave sfiduese:
1. Ushtrimet hyrëse
Duke e përfshirë temën në fillim të Aktivitetit të Përbashkët, mund të vendosni atmosferën e të gjithë veprimtarisë. Përpara çdo veprimtarie, mund të caktoni një të ri ose një të re që të zgjedhë një shkrim të shenjtë të lidhur me vargun te Doktrina e Besëlidhje 19:23 dhe t’ia paraqitë atë grupit. Ju gjithashtu mund të lini mënjanë kohë gjatë ushtrimeve hyrëse për t’i studiuar vargjet e lidhura me vargun 23 për ta kuptuar kontekstin e tij.
2. “Dëgjoji fjalët e mia”
Zgjidhni një recetë dhe vëreni një person ta lexojë atë ndërkohë që secili nga të rinjtë e të rejat i dëgjon dhe i ndjek udhëzimet për ta bërë gatimin. Më pas, vini muzikë me zë të lartë herë pas herë teksa lexuesi është duke folur, duke e bërë më të vështirë që të dëgjohen udhëzimet. Nxiteni lexuesin që të vazhdojë ta lexojë recetën dhe të mos i përsëritë fjalët. Pas veprimtarisë, bisedoni rreth mënyrës se si, kur e lejojmë botën t’i mbytë fjalët e Krishtit, kjo e bën më të vështirë që ta ndjekim Atë.
3. “Mëso nga unë”
Kjo veprimtari do t’ju mësojë të rinjve e të rejave mënyrën se si të gjejnë paqe duke e studiuar jetën e Krishtit në një mënyrë përfshirëse, shpirtërore. Në korridoret e shtëpisë së mbledhjeve të lagjes suaj (ose në ndonjë vendndodhje tjetër të përshtatshme), do të vendosni disa stacione ku të keni fotografi/sende që përfaqësojnë disa nga faktorët stresues në jetën e të rinjve e të rejave – gjëra si detyrat e shkollës, luftërat/zhurmat e luftërave, njerëz që janë të pasjellshëm etj. Çdo stacion duhet të jetë në korridor, jashtë një klase. Në çdo stacion, lejojini të rinjtë e të rejat të diskutojnë për disa nga ndjenjat dhe përvojat e tyre mbi mënyrën se si ndikojnë tek ata këta faktorë të veçantë stresues. Pastaj, hapeni derën e dhomës jashtë së cilës ndodhet stacioni. (Mund të ketë edhe një pikturë të Krishtit të afishuar te dera.) Brenda dhomës, duhet të jetë vendosur një stacion tjetër me një material filmik/shkrim të shenjtë/mesazh mbi një pjesë të jetës dhe mësimeve të Krishtit që do të ndihmojnë të sigurohet paqe në lidhje me faktorin stresues që është jashtë në korridor. Tri stacione të tilla dypjesëshe (një pjesë në korridor, një pjesë në klasë) duhet të jenë në gjendje ta plotësojnë një veprimtari të plotë.
4. “Ti do të kesh paqe në mua”
Shkoni të “këndoni këngë krishtlindjeje për paqe” si grup i Aktiviteteve të Përbashkta. Ndonëse të kënduarit e këngëve të Krishtlindjes zakonisht lihet vetëm për në kohën e Krishtlindjes, ajo është një veprimtari e shkëlqyer për çdo kohë të vitit. Gjeni disa familje që i njihni, të cilave mund t’iu duhet një ngritje shpirtërore, dhe pastaj shfaquni në derën e tyre me një qerasje dhe disa himne që mund t’i këndoni. Himnet ftojnë Shpirtin gjë e cila gjithashtu sjell një sasi më të madhe paqeje.