Fqinji Im i Çuditshëm
Autorja jeton në Viktoria, Australi.
Isha në një pikë të ulët të jetës sime, por shkuarja në kishë me fqinjin tim e ndryshoi gjithçka.
Disa vite më parë isha e brengosur ngaqë ndieja që nuk kisha askënd me të cilin të flisja. Familja ime ishte larg dhe nuk kisha miq, ndaj nuk mund të gjeja arsye për të jetuar më tej.
Jetoja me emtën dhe dajën tim dhe e vetmja gjë, që më thanë të mos e bëja, ishte që të mos i flisja fqinjit. Ata pretendonin që ai ishte i çuditshëm dhe ata krijuan histori rreth tij për të më trembur.
Gjithsesi, një të shtunë, ai dhe dy vajza adoleshente të moshës sime më kërkuan ndihmë për ndërtimin e një gardhi. Unë rashë dakord dhe fillova të punoj.
Pasi vërejta këto vajza, kuptova se ato ishin të këndshme, ndaj fillova të flas me to, gjë që çoi në një bisedë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë kisha aq shumë pyetje, të cilave ato iu përgjigjeshin. U bëra kureshtare. Fqinji më ftoi të shkoja në kishë me të ditën tjetër për të parë nëse do të më pëlqente. Isha në një pikë të ulët të jetës sime, kështu mendova se nuk kisha ç’të humbisja.
Duke ecur përmes atyre dyerve mëngjesin vijues, ndjeva një paqe të brendshme të menjëhershme që nuk e kuptoja, por e dija se kjo ishte kisha ku duhej të isha. U njoha me misionarët atë mëngjes dhe pashë se si ata e dinin që Kisha ishte e vërtetë.
Fillova të dëgjoj mësimet e ndryshme nga misionaret. Nuk mund t’i kisha kërkuar Atit Qiellor një kohë më të mirë për të më dërguar ato dy misionare të dashura, përkujdesëse dhe shpirtërore. Me ndihmën e tyre unë fitova njohurinë që kishin rreth ungjillit.
Pasi i dëgjova të tregonin se si njohuria mbi Atin Qiellor i ndihmonte ato në sprova, ndjeva se duhej të lutesha që të shihja nëse ajo që patën thënë, ishte e vërtetë. Pas lutjes, pata një ndjenjë të fortë lumturie, paqeje dhe qetësie brenda vetes. Unë e dija se pata marrë një përgjigje atë natë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Duke pasur këtë njohuri, dëshmia ime është rritur me shpejtësi. Qysh kur iu bashkova Kishës në vitin 2013, kam parë pa dyshim bekimet që më ka dhënë njohuria mbi Atin tonë Qiellor. Jam mirënjohëse për ato misionare dhe ftesën që fqinji im më bëri të vij te Krishti.