Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Përgjigje ndaj Lutjeve të Njëri-Tjetrit
Po mbaroja misionin tim në Misionin e Çikagos Jugore në Ilinois, kur mora leje të veçantë për të vizituar një zonë të mëparshme dhe të drekoja me familjen Tremijo. Pata shërbyer në lagjen e tyre një vit të tërë dhe isha afruar shumë me ta.
Gjatë drekës, Vëllai Tremijo më nxiti të tregoja të paktën një mesazh lumturie gjatë udhës sime për në shtëpi. Ai tha se Zoti do të vendoste dikë në fluturimin tim që do t’i duhej ndihma ime. Unë i premtova se do ta ndihmoja.
Nga ajo kohë derisa u largova nga Çikagoja, unë isha gjithashtu duke u lutur që të merrja konfirmim se Zoti do ta pranonte sakrificën time të shërbimit në një mision.
Tri javë më vonë, unë u ngjita në aeroplanin që do të më çonte në shtëpi. Ndërsa po i afrohesha ndenjëses, personi në ndenjësen pranë meje vështroi sipër. “E pamundur!” tha ajo. “Nuk mund ta besoj!”
Mendimi im i parë ishte: “Shkëlqyeshëm, ajo i urren mormonët!” Kur u ula, ajo më tregoi se emri i saj ishte Kelli dhe se ishte një e kthyer së fundi në besim. Ajo shprehu se sa e lumtur ishte që një misionar gjendej ulur përbri saj. Kelli më tregoi se personi i fundit ulur përbri saj, qe antimormone dhe e pahijshme në mënyrën e shprehjes së mendimit të saj për besimin e sapogjetur të Kellit. Kelli ishte e merakosur dhe kishte pyetje. Ajo ishte lutur për përgjigje dhe ngushëllim.
Unë bëra një lutje në zemrën time dhe dëshmova për të vërtetën e ungjillit dhe për dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij, përfshi atë. I tregova rreth këshillës që pata marrë nga Vëllai Tremijo. I thashë se Perëndia e pati përgatitur këtë çast të veçantë posaçërisht për të.
Me lot në sy, Kelli më falënderoi. Ajo tha gjithashtu: “Unë mund ta dalloj se keni qenë një misionar i mirë dhe se Zoti e pranon sakrificën tuaj”. Në atë çast, unë ndieva dashurinë e thellë të Perëndisë për mua. Ishte radha ime që të qaja. Me lot në sy, e falënderova Kellin dhe i tregova se ajo ishte një përgjigje për lutjen time. Unë iu përgjigja edhe disa pyetjeve të tjera të saj dhe shkëmbyem adresat e postës elektronike.
Fluturimi mbaroi dhe u përshëndetëm ndërsa ajo shkoi te fluturimi tjetër i saj. Unë gjithmonë do të jem mirënjohës që Ati Qiellor ishte i gatshëm të na bekonte në një mënyrë të tillë të dhembshur.