Seminare dhe Institute
Mësimi 1: Jezusi Është Krishti i Gjallë


Mësimi 1

Jezusi Është Krishti i Gjallë

Hyrje

Dëshmitarët bashkëkohorë kanë shpallur: “Ne dëshmojmë, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet – që Jezusi është Krishti i Gjallë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Ngaqë bota duket se është në padijeni për natyrën e vërtetë të Jezu Krishtit dhe marrëdhënien e Tij me Perëndinë, Atin, është e rëndësishme të kemi dëshmitarë besnikë të Birit të Dashur të Perëndisë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët ta përcaktojnë këtë nevojë dhe të mësojnë mënyrën se si ata mund t’i dëshmojnë më mirë familjes, miqve dhe fqinjëve për Jezu Krishtin.

Lexim Konteksti

  • “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2–3.

  • Dieter F. Uchtdorf, “The Power of a Personal Testimony”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 37–39; [Konferenca e Përgjithshme Tetor 2006 (nr. artikulli 01637 101), “Forca e një Dëshmie Personale”, f. 52–56].

Sugjerime për Mësimdhënien

Krishti i Gjallë

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:

Kush është Jezu Krishti dhe përse besoni në Të?

Tregojuni studentëve se shumë njerëz i përgjigjen kësaj pyetjeje duke dhënë dëshmi. Një dëshmi e tillë është shprehur në himnin “E Di se Rron Shëlbuesi Im” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 38). Jepini klasës tekstin e këtij himni dhe ndajini studentët në katër grupe. Caktojini secilit grup nga një strofë të ndryshme të himnit dhe kërkojuni që të lexojnë fjalët. Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë fjalësh ose frazash janë përdorur në këtë himn për të treguar se cili është Jezu Krishti dhe çfarë bën Ai për ne? (Përgjigjet duhet të përfshijnë “i përjetshmi Zoti im”, “Miku im i urt’, qiellor”, “Profet, Mbret’ im hyjnor”, “Shpëtuesi im”. Ai na bekon me dashurinë e Tij, na ndihmon, na rrëfen udhën, na qetëson dhe na jep frymë çdo ditë.)

  • Çfarë fjalësh përdor ky himn për të përshkruar mënyrën se si dëshmia e Jezu Krishtit mund të ndikojë në ne? (Përgjigjet duhet të përfshijnë “qet’si” dhe “gëzim”.)

Tregojini klasës se Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e shpallën publikisht dëshminë e tyre të përbashkët për Jezu Krishtin te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (shih Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2–3). Jepini secilit student një kopje të kësaj dëshmie dhe shpjegojini se ky kurs i merr shumë prej temave të tij mësimore nga doktrinat dhe parimet e paraqitura në këtë dokument të frymëzuar. Ftoni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë:

“Ndërsa përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit dy mijë vjet më parë, ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe virtytit të pafund të sakrificës së Tij madhështore e shlyese. Asnjë tjetër nuk ka patur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë mbi tokë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2).

  • Çfarë ndikimi do të donit që studimi juaj për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të përhershëm të kishte te ju në këtë semestër? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të theksoni që një studim i sinqertë i jetës së Jezu Krishtit do të na ndihmojë ta çmojmë ndikimin e thellë që Ai ka pasur dhe mund të ketë në jetën tonë.)

  • Në cilat mënyra ka ndikuar Shpëtimtari tek të gjithë që kanë jetuar ose do të jetojnë në tokë? (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që të theksoni Shlyerjen universale të Shpëtimtarit.)

U thoni studentëve që ky kurs do të përqendrohet te shërbesa e përjetshme e Shpëtimtarit gjatë jetës së Tij para lindjes, në vdekshmëri dhe pas vdekjes. Ndërsa studentët studiojnë rolet e shumta hyjnore të Shpëtimtarit, dashuria dhe dëshmia e tyre për Të do të thellohet.

Gjoni 20:30–31; 1 Nefi 6:4; 2 Nefi 25:23, 26

Shkrimet e shenjta u shkruan në mënyrë që njerëzit të mund të besojnë te Jezu Krishti

Pyetini studentët se sa libra mendojnë që janë shkruar rreth Jezu Krishtit. Shpjegoni që çdo studim i përshtatshëm i jetës së Jezu Krishtit duhet të përqendrohet te shkrimet e shenjta. Ftoni tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë: Gjoni 20:30–31; 1 Nefi 6:4; dhe 2 Nefi 25:23, 26. Ftoni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar për arsyet se përse shkrimet e shenjta janë një burim i vlefshëm kur studiohet shërbesa e përjetshme e Shpëtimtarit.

  • Çfarë parimi na mësojnë këto fragmente rreth qëllimit të shkrimeve të shenjta? (Ndonëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa studiojmë fragmente të shkrimit të shenjtë rreth Shpëtimtarit, dëshmia jonë për Të do të forcohet dhe ne do të afrohemi më pranë Tij.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftoni një student ta lexojë me zë të lartë:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti. …

… Besimi vjen nga dëshmia e Shpirtit të Shenjtë tek shpirti ynë, Shpirti ndaj shpirtit, ndërsa dëgjojmë ose lexojmë fjalën e Perëndisë. Dhe besimi piqet ndërsa ne vazhdojmë të ushqehemi me bollëk me fjalën” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34–35).

  • Në çfarë mënyrash shkrimet e shenjta mund të na ndihmojnë që të forcojmë besimin tonë ose të na afrojnë më pranë Jezu Krishtit?

  • Si është forcuar besimi dhe dëshmia juaj te Jezu Krishti duke studiuar shkrimet e shenjta?

Jepini secilit student një kopje të burimeve të renditura te pjesa Materiale Leximi për Studentin për këtë kurs. (Kjo mund të jetë një fletë letre, ose ju mund t’u shpjegoni studentëve se ku mund të gjejnë një kopje elektronike.) Sfidojini studentët që t’i bëjnë materialet e leximit për studentin të këtij kursi pjesë të studimit të tyre të përditshëm të shkrimeve të shenjta gjatë këtij semestri. Sigurojini studentët që, ndërsa ata veprojnë në zbatim të kësaj sfide, ata do të mësohen nga Fryma e Shenjtë dhe do t’i afrohen më pranë Shpëtimtarit.

Të bërit dëshmitarë të Jezu Krishtit

Shpjegojuni studentëve që nuk është e mjaftueshme thjesht të studiosh rreth Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta. Ne duhet gjithashtu të fitojmë një dëshmi ose pohim vetjak shpirtëror nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, i Vajosuri, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ndani me klasën thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ne nuk mund të mbështetemi në dëshmitë e njerëzve të tjerë. Ne kemi nevojë ta dimë vetë. Presidenti Gordon B. Hinkli ka thënë: ‘Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme ka përgjegjësi të dijë vetë me siguri dhe përtej çdo dyshimi se Jezusi është Biri i ringjallur, i gjallë, i Perëndisë së gjallë’ (“Fear Not to Do Good”, Ensign, maj 1983, f. 80).

Burimi i kësaj diturie të sigurt dhe bindjeje të patundur është zbulesa e shenjtë, ‘sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë’ (Zbulesa 19:10).

Ne e marrim këtë dëshmi kur Shpirti i Shenjtë i flet shpirtit tonë brenda nesh. …

Thelbi i kësaj dëshmie gjithnjë do të jetë te besimi dhe te njohuria për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij hyjnor” (“The Power of a Personal Testimony”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 38; [Konferenca e Përgjithshme tetor 2006 (nr. artikulli 01637 101), “Forca e Një Dëshmie Personale”, f. 54]).

  • Përse mendoni se Jezu Krishti duhet të jetë në thelb të dëshmive tona?

  • Çfarë mendoni se Jezu Krishti do të donte që të bënit me dëshminë tuaj për Të?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftoni një student ta lexojë me zë të lartë:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje që të shohin te ne diçka të Jezu Krishtit. Mënyra se si ne veprojmë, flasim, shikojmë dhe madje se si mendojmë do të reflektojë Atë dhe mënyrat e Tij. … Ndonëse nuk ishim të pranishëm me Të në shërbesën e Tij, kur shqyrtojmë shkrimet e shenjta, ne shohim Jezusin dhe atë që Ai tha dhe bëri. Dhe kur e përvetësojmë atë shembull, ne japim dëshmi për Të” (“Becoming a Witness of Christ”, Ensign, mars 2008, f. 60).

Vijoni duke i pyetur studentët:

  • Si i keni parë të tjerët të japin dëshmi për Jezu Krishin nëpërmjet veprimeve të tyre?

  • Ndërsa mendoni rreth botës në të cilën jetoni, çfarë mund të bëjmë ne që dëshmia dhe dëshmimi ynë për Shpëtimtarin të mund të kenë një ndikim tek të tjerët?

Dëshmoni se, kur fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne kemi një përgjegjësi për ta shpërndarë atë.

Sfidojini studentët që të jetojnë çdo ditë të përgatitur për të dëshmuar për Jezu Krishtin nëpërmjet fjalëve dhe veprave të tyre. Nxitini ata që, kur të vijnë në klasë, t’i kenë lexuar më parë materialet e caktuara të leximit për studentin dhe të kenë gatishmëri për të ndarë mendime, për të bërë pyetje dhe për të marrë pjesë në diskutimet e orës mësimore.

Materiale Leximi për Studentin