Mësimi 21
Jezu Krishti Organizoi Kishën e Tij
Hyrje
Gjatë shërbesës së Tij trevjeçare në vdekshmëri, Jezu Krishti ua kaloi çelësat e priftërisë Dymbëdhjetë Apostujve të Tij. Me këto çelësa, Kisha e Jezu Krishtit “[u] ndërtua mbi themelin e apostujve dhe të profetëve” (Efesianëve 2:20). Ky mësim diskuton mënyrën se si , pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari vazhdoi t’i udhërrëfente dhe drejtonte Apostujt e Tij dhe Kishën e Tij nëpërmjet dhënies së Frymës së Shenjtë që ata të mund të ndihmonin për të përmbushur besëlidhjen abrahamike për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë.
Lexim Konteksti
-
Jeffrey R. Holland, “Prophets, Seers, and Revelators”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 6–9.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 10:1–4; 16:19; 17:3–7; 18:18; Efesianëve 2:19–20; 4:11–14
Jezu Krishti e organizoi Kishën e Tij mbi një themel apostujsh dhe profetësh
Tregojuni studentëve një çelës ose një tufë çelësash dhe pyetini se çfarë duam të themi kur përdorim fjalën çelësa në kontekstin e ungjillit. Ftojini disa studentë ta lexojnë me radhë me zë të lartë zinxhirin vijues të shkrimeve të shenjta. Kërkojini klasës t’i ndjekë ata dhe të përcaktojë ngjarjen kryesore që përshkruhet apo për të cilin hidhet fjala në çdo fragment.
-
Mateu 10:1–4 (thirren dhe autorizohen Apostujt)
-
Mateu 16:19 (çelësat e priftërisë i premtohen Pjetrit [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Çelësat e Priftërisë”; scriptures.lds.org].)
-
Mateu 17:3–7 (“Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi [Elija] ia dhanë çelësat Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në mal, kur ata u shpërfytëruan para tij” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 109].)
-
Mateu 18:18 (Përmendja e lidhjes dhe e zgjidhjes në tokë e në qiell e hedh fjalën për çelësat e priftërisë që u premtohen edhe Apostujve të tjerë.)
Mund të dëshironi të shpjegoni se “çelësat” që përmenden ose për të cilët hidhet fjala në këto fragmente janë sinonime me fuqinë vulosëse (see Boyd K. Packer, The Holy Temple [1980], f. 81–87).
Pyetini studentët:
-
Çfarë nënkuptohet me çelësat e priftërisë?
-
Përse është e rëndësishme që Apostujt t’i mbajnë çelësat e priftërisë?
Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“‘Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë [mbajtësve] të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë” [Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 2.1.1]. Çdo veprim ose ordinancë e kryer në Kishë bëhet nën autorizimin e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të personit që mban çelësat për atë funksion. Siç e ka shpjeguar Plaku M. Rasëll Ballard ‘Ai që i ka çelësat e priftërisë … e bën të mundur me kuptimin e plotë të fjalës për të gjithë që shërbejnë besnikërisht nën drejtimin e tyre që ta ushtrojnë autoritetin e priftërisë dhe të kenë mundësi të përdorin fuqinë e priftërisë’ [M. Rasëll Ballard, “Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit”, New Era, prill 2014, f. 4; Liahona, prill 2014, f. 48]” (“Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49).
-
Në çfarë mënyrash i bekojnë çelësat e priftërisë anëtarët e Kishës një e nga një?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 2:19–20 . Më pas, pyeteni klasën:
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth themelimit të Kishës së Shpëtimtarit? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti, që është guri kryesor i qoshes, e organizoi Kishën e Tij mbi një themel apostujsh dhe profetësh.)
-
Çfarë i bëjnë një ndërtese një themel dhe një gur qosheje? (Themeli i siguron ndërtesës forcë dhe mbështetje. Si guri i parë që vendoset në themel, guri i qoshes është pika e referimit për vendosjen e të gjithë gurëve të tjerë të themelit dhe përcakton pozicionin e të gjithë ndërtesës. Ai ndihmon edhe për t’i mbajtur muret në vend.)
Ftojini studentët t’i diskutojnë pyetjet vijuese me dikë që është ulur pranë tyre:
-
Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti “guri kryesor i qoshes” për Kishën?
-
Çfarë na mëson ky shkrim i shenjtë rreth marrëdhënies sonë midis Shpëtimtarit (gurit të qoshes) dhe apostujve e profetëve (themelit)?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:11–14 . Kërkojini grupit ta ndjekë dhe të përcaktojë arsyet që Pali dha për pyetjen përse na nevojiten apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që t’i udhërrëfejnë shenjtorët.
Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Në mënyrë që të themelonte një kishë që do të vazhdonte nën drejtimin e Tij edhe pasi Ai të merrej nga toka, Jezusi ‘shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.
Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj’ [Lluka 6:12–13].
“Më pas, Pali do të jepte mësim se Shpëtimtari, duke e ditur pashmangshmërinë e vdekjes së Tij, e kishte bërë këtë për t’i dhënë Kishës ‘themelin e apostujve dhe të profetëve’ [shih Efesianëve 2:19–20]. Këta Vëllezër dhe drejtuesit e tjerë të Kishës do të shërbenin nën drejtimin e Krishtit të ringjallur.
Përse? Mes arsyesh të tjera ‘që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit’ [Efesianëve 4:14]” (“Prophets, Seers, and Revelators”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 6–7).
-
Në çfarë mënyrash i keni parë apostujt dhe profetët bashkëkohorë t’i japin forcë dhe qëndrueshmëri themelore Kishës?
Veprat e Apostujve 2:1–6, 14–26; 4:1–13, 18–21; Veprat e Apostujve 10:9–20, 25–28, 34–35, 44–48; Veprat e Apostujve 15:1–20
Jezu Krishti i udhërrëfeu Apostujt nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 1:1–2 . Më pas, pyeteni klasën:
-
Si vazhdoi Jezu Krishti i ringjallur t’i udhëhiqte Apostujt e Tij pas Ngjitjes së Tij në Qiell sipas asaj që tha Lluka? (Ai dha urdhërime dhe udhëzime nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Dëshmoni se, pas Ringjalljes dhe Ngritjes së Tij në qiell, Jezu Krishti i udhërrëfeu Apostujt nëpërmjet dhënies së Frymës së Shenjtë. Për t’i ndihmuar studentët të shohin shembuj të këtij udhërrëfimi, ndajeni klasën në katër grupe dhe jepuni atyre detyrat vijuese:
-
Studioni Veprat e Apostujve 2:1–6, 14–26, duke kërkuar mënyrën se si Fryma e Shenjtë u erdhi në ndihmë Pjetrit dhe Apostujve ditën e Rrëshajave.
-
Studioni Veprat e Apostujve 4:1–13, 18–21, duke kërkuar mënyrën se si Fryma e Shenjtë e ndihmoi Pjetrin t’i përgjigjej udhëheqësve judenj.
-
Studioni Veprat e Apostujve 10:9–20, 25–28, 34–35, 44–48, duke kërkuar mënyrën se si iu zbulua Pjetrit një ndryshim i rëndësishëm në Kishë.
-
Studioni Veprat e Apostujve 15:1–20, duke kërkuar mënyrën se si zbulesat e së shkuarës nga Jezu Krishti nëpërmjet Frymës së Shenjtë ndikuan te vendimi i Pjetrit dhe te përkrahja që udhëheqësit e tjerë të Kishës i dhanë këtij vendimi në konferencën e Jerusalemit.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni individëve në secilin grup që ta përmbledhin atë që lexuan e të shpjegojnë se si Jezu Krishti i udhërrëfeu udhëheqësit e Kishës nëpërmjet dhënies së Frymës së Shenjtë. Shpjegoni se Fryma e Shenjtë i kryen detyrat e Tij nën drejtimin e Shpëtimtarit (shih Gjoni 16:13–14).
Merrni parasysh të përdorni 3 Nefin 19:7–9, 19–20 për të treguar se, edhe udhëheqësit e Kishës për të cilët lexojmë në Librin e Mormonit, morën ndihmën e Frymës së Shenjtë në shërbesën e tyre.
Diskutojeni me studentët pyetjen që vijon:
-
Si do t’ia shpjegonit dikujt pse është e rëndësishme ta dijë se pas vdekjes së Tij, Jezu Krishti vazhdoi t’i udhërrëfente Apostujt e Tij?
Jezu Krishti i drejton udhëheqësit e Kishës sot nëpërmjet Frymës së Shenjtë
Shfaqini thëniet e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson dhe Presidenti Henri B. Ajring të Presidencës së Parë, ( ose shpërndajani klasës) dhe kërkojini një studenti t’i lexojë ato me zë të lartë:
“Dëshmoj se Shpëtimtari ynë Jezu Krishti është kreu i kësaj Kishe, e cila mban emrin e Tij. E di se përvoja më e ëmbël në gjithë këtë jetë është të ndiesh nxitjet e Tij ndërsa Ai na drejton në çuarjen përpara të punës së Tij” (Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 88).
“Zbulesë dhe frymëzim i kanë ardhur [Presidentit Tomas S. Monson] në praninë time, që më vërteton se Perëndia po i nderon ata [çelësat e priftërisë që i mban profeti]. Unë jam një dëshmitar okular” (Henri B. Ajring, “Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 24).
-
Si e ilustrojnë këto thënie lidhjen midis Kishës së Dhiatës së Re dhe Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? (Ndihmojini studentët ta kuptojnë të vërtetën vijuese: Njësoj sikurse Jezu Krishti i drejtoi Apostujt e Tij në kohët e Dhiatës së Re, Ai i drejton udhëheqësit e Kishës sot nëpërmjet mënyrave të ndryshme, përfshirë ndikimin e Frymës së Shenjtë.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien që vijon nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: Kërkojini klasës të dëgjojë dhe të mendojë rreth arsyes përse udhëheqësit e Kishës kanë nevojë të drejtohen nga Shpëtimtari.
“Themeli apostolik dhe profetik i Kishës ishte që të bekonte në të gjitha kohët, por veçanërisht në kohë fatkeqësish apo rreziku, në kohë kur mund të ndihemi si fëmijë, të pështjelluar apo të çorientuar, ndoshta pak të frikësuar, në kohë kur dora gjarpëruese e njerëzve apo keqdashja e djallit do të orvatet të turbullojë apo largojë nga udha e drejtë. Kundër kohëve të tilla si këto që vijnë në kohën tonë bashkëkohore, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve autorizohen nga Perëndia dhe mbështeten nga ju si profetë, shikues e zbulues, me Presidentin e Kishës të mbështetur si profeti, shikuesi e zbuluesi Kryeapostulli dhe si i tillë i vetmi njeri i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë çelësat e zbulesës dhe të administrimit për Kishën. Në kohët e Dhiatës së Re, në kohët e Librit të Mormonit dhe në kohët bashkëkohore, këta drejtues formojnë gurët e themelit të Kishës së vërtetë, të pozicionuar përreth gurit kryesor të qoshes dhe duke marrë forcë prej tij, ‘shkëmbi[t të] Shëlbuesit tonë që është [Jezu] Krishti, biri i Perëndisë’ [Helamani 5:12]” (“Profetë, Shikues e Zbulues”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 7).
Thellohuni duke u bërë studentëve disa ose të gjitha pyetjet e mëposhtme:
-
Çfarë mendoni se do të thotë që drejtuesit kryesues të Kishës janë të “pozicionuar përreth” gurit kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe marrin forcë prej tij?
-
Çfarë provash keni parë ose kur e keni ndier se Shpëtimtari i drejton ata që kryesojnë mbi Kishën sot?
-
Në çfarë mënyrash ju ka ndihmuar pjesëmarrja në konferencën e përgjithshme që të vini te Krishti dhe të ndërtoni mbi një themel apostujsh dhe profetësh?
Shfaqini ose shkruajini pyetjet vijuese në tabelë. Ftojini studentët të përsiatin pyetjet dhe më pas të shkruajnë në ditarët vetjakë ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një plan për t’u përmirësuar në ato fusha.
Leximet e Studentëve
-
Mateu 10:1–4; 16:19; 17:3–7; 18:18; Veprat e Apostujve 2:1–6, 14–26; 4:1–13, 18–21; Veprat e Apostujve 10:9–20, 25–28, 34–35, 44–48; Veprat e Apostujve 15:1–11, 13–19; Efesianëve 2:19–20; 4:11–14.
-
Jeffrey R. Holland, “Prophets, Seers, and Revelators”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 6–9.