Seminare dhe Institute
Mësimi 14: Jezu Krishti Është Mesia


Mësimi 14

Jezu Krishti Është Mesia

Hyrje

Profetët e Dhiatës së Vjetër dëshmuan për ardhjen e Mesias – një pasardhës i mbretit David, i cili do të çlironte popullin e Tij. Jezu Krishti ishte “Jehova i Madh i Dhjatës së Vjetër, Mesia i Dhjatës së Re” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Në këtë mësim, studentët do të analizojnë disa prej profecive të Dhiatës së Vjetër për Jezu Krishtin dhe do të zbulojnë se si u përgjigjën disa individë kur u përballën me pranimin apo hedhjen poshtë të Jezu Krishtit si Mesia.

Lexim Konteksti

  • G. Homer Durham, “Jesus the Christ: The Words and Their Meaning”, Ensign, maj 1984, f. 14–16.

  • “The Divine Mission of Jesus Christ: Messiah”, Ensign ose Liahona, gusht 2014, f. 7.

Sugjerime për Mësimdhënien

Isaia 61:1–2; Lluka 4:16–24

Jezusi shpall se Ai është Mesia

Pyetini studentët nëse kanë përjetuar ndonjëherë të dëgjuarin e një lajmërimi të shumëpritur ose të shikuarit e mbërritjes së një miku ose anëtari të shumëpritur të familjes. Tregojuni studentëve se mësimi i sotëm analizon një përvojë të ngjashme mes judenjve të lashtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Isaian 61:1–2. Më pas pyesni:

  • Për kë bën fjalë kjo profeci?

video iconShfaqni videon “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”] (3:24) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video mbi Jetën e Jezu Krishtit nga Bibla]. (Shkarkojeni dhe shikojeni videon para orës mësimore.) Ftojini studentët të ndjekin shkrimin te Lluka 4:16–21 ndërsa shohin [videon].

Pas videos, pyesni:

  • Si do ta përmblidhnit mesazhin e Shpëtimtarit në Nazaret atë ditë? (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që diskutimi të përqendrohet te vargu 18 dhe te vargu 21.)

  • Cila mendoni se është domethënia e frazave “ai më vajosi” dhe “sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja”? (Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se edhe Mesia edhe Krisht kanë të dy kuptimin “i Vajosuri”, ftojini të lexojnë pjesën “Mesia”, f. 116 te Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (shih scriptures.lds.org).

  • Si e përmbushi Jezusi profecinë te Isaia nga e cila citoi (shih vargjet 18–19)?

Mateu 21:1–11

Jezu Krishti erdhi si Mesia

Paraqitini ose shkruajini grupet vijuese të fragmenteve të shkrimit të shenjtë në tabelë dhe ftojini studentët të përzgjedhin një ose dy prej tyre që t’i studiojnë. Ndërkohë që studentët krahasojnë dhe ballafaqojnë fragmentet që kanë zgjedhur, kërkojuni atyre të mendojnë për atë se përse fragmentet janë grupuar tok dhe për atë se çfarë na mësojnë rreth Jezu Krishtit.

Isaia 7:14; Mateu 1:21–23

Mikea 5:2; Lluka 2:4–7

Zakaria 9:9; Mateu 21:6–11; Gjoni 12:12–15

Psalmeve 22:16, 18; Mateu 27:35

Isaia 53:9; Mateu 27:59–60; Gjoni 19:18, 38–42

Ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan. (Ndonëse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të kuptojnë se Jezu Krishti erdhi, jetoi dhe vdiq në përmbushje të profecive mesianike.) Theksoni se kjo e vërtetë është ajo që Shpëtimtari shpalli në Nazaret. Lexoni me zë të lartë Llukën 4:28–29. Më pas pyesni:

  • Si iu përgjigjën njerëzit në sinagogën në Nazaret lajmërimit të Jezusit?

Tregojuni studentëve se pak vite më vonë, Jezusi provoi një përgjigje mjaft të ndryshme nga disa njerëz në Jerusalem. Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 21:1–11. Përpara se studentët të lexojnë, nxiteni klasën që të përfytyrojë sikur janë te ngjarja e përshkruar në këtë fragment. Shpjegojuni studentëve se, ndërsa mësojnë të përfytyrojnë atë që po ndodh në shkrimet e shenjta, ata do t’i japin Frymës së Shenjtë mundësi shtesë për t’i mësuar ata.

  • Përse njerëzit në Jerusalem u përgjigjën në atë mënyrë? (Ata e pranuan se Jezusi ishte Mesia i shumëpritur.)

  • Si mendoni se do të ishit përgjigjur ju?

Vini në dukje fjalën Hosana te vargu 9; pastaj tregoni përkufizimin vijues:

“[Hosana është] një fjalë hebraike që do të thotë ‘të lutemi na shpëto’ dhe përdoret në përlëvdim dhe përgjërim.

… Në hyrjen ngadhënjimtare të Zotit në Jerusalem, turmat thirrën ‘Hosana’ dhe shpërndanë degë palmash që Jezusi të ecte mbi to, duke shprehur kështu të kuptuarin e tyre se Jezusi ishte po ai Zot që e kishte çliruar Izraelin në lashtësi (Psa. 118:25–26; Mt. 21:9, 15; Mr. 11:9–10; Gjo. 12:13). Këta njerëz e njohën Krishtin si Mesian e shumëpritur. Fjala Hosana është bërë një festim i Mesias në të gjitha kohërat (1 Ne. 11:6; 3 Ne. 11:14–17). Thirrja hosana u përfshi në përkushtimin e Tempullit të Kirtland-it (DeB 109:79) dhe tani është pjesë e përkushtimit të tempujve bashkëkohorë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hosana”, f. 65; scriptures.lds.org).

Merrni parasysh të paraqitni qëllimet vijuese të profecive Mesianike (përshtatur nga Bruce R. McConkie, The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 28–32):

  1. Profecitë Mesianike u mundësuan atyre që jetuan përpara lindjes së Jezu Krishtit, që të kishin besim tek Ai, duke i ndihmuar për rrjedhim që të fitonin shpëtim (shih 1 Nefi 10:4–6; 2 Nefi 25:18–20, 26; Mosia 3:13).

  2. Profecitë Mesianike u mundësuan atyre që jetuan në kohën e Krishtit, që të dallonin se Ai ishte përmbushja e atyre profecive, duke i ndihmuar kështu që të fitonin shpëtim (shih Gjoni 4:25, 29).

  3. Profecitë Mesianike i ndihmojnë ata që jetojnë pas shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit, që të dinë se Ai ishte përmbushja e profecive, duke i ndihmuar kështu që të fitojnë shpëtim (shih Veprat e Apostujve 3:12–18; 26:22–23).

  • Ndërsa i merrni parasysh këto tri qëllime, si mund të jetë e dobishme për ju të mësoni t’i dalloni profecitë Mesianike në shkrimet e shenjta dhe ta shihni Krishtin si përmbushje të atyre profecive?

Gjoni 6:5–69

Ndjekja e Jezu Krishtit si Mesia

Përsëritni që judenjtë gjatë kohës së Dhiatës së Re besonin se Mesia do të vinte një ditë nga familja e Davidit për të shpëtuar popullin e Tij. Shumë vetë besuan se Ai do t’i çlironte ata nga skllavëria romake ashtu si Jehova i kishte çliruar izraelitët nga Egjipti.

Kërkojuni studentëve që me shpejtësi t’i hedhin një sy rrëfimit te Gjoni 6:5–15. Pyesni:

  • Çfarë mrekullie bëri Jezusi në këtë rrëfim?

  • Si do ta përshkruanit reagimin e njerëzve te vargjet 14–15?

  • Përse mendoni se ata u përgjigjën në këtë mënyrë?

Ndani pikëpamjen vijuese nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Kishte një traditë, të dhënë mësim nga rabitë dhe të ngulitur në mënyrë të palëkundur në mendjen e njerëzve që, kur Mesia të vinte, ai do t’i ushqente ata me bukë nga qielli” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 2:367).

Shpjegoni se ashtu si kur Jehova i ushqeu fëmijët e Izraelit me mana (shih Eksodi 16), kur Jezusi e ushqeu turmën me pesë bukë elbi dhe dy peshq, shumë e interpretuan mrekullinë e Tij si një shenjë që Ai ishte Mesia.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me zë të lartë me radhë nga Gjoni 6:31–32, 49–53, 60, 66. Kërkojini klasës të ndjekë dhe të kërkojnë për mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj Jezusit ditën tjetër dhe mënyrën se si Ai iu përgjigj atyre.

  • Përse mendoni se shumë vetë nuk e pranuan Jezusin atë ditë?

  • Çfarë nuk kishin arritur të kuptonin ata? (Jezusi ishte burimi i jetës shpirtërore; Ai ishte Buka e Jetës.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:67–69. Më pas pyeteni klasën:

  • Çfarë pohoi dëshmia e Pjetrit te vargu 69?

  • Si ndikoi dëshmia e Pjetrit për Shpëtimtarin në jetën e tij?

Shkruajeni thënien vijuese të paplotë në tabelë dhe kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si do ta plotësonin atë: Nëse e pranojmë Jezu Krishtin si Mesia, atëherë _________________________________________ .

Pas disa përgjigjesh, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei (1873–1970):

Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei

“Ajo që mendoni sinqerisht në zemrën tuaj për Krishtin, do të përcaktojë se çfarë jeni, do të përcaktojë gjerësisht se si do të jenë veprat tuaja. Asnjë person nuk mund ta studiojë këtë personalitet hyjnor, nuk mund t’i pranojë mësimet e tij pa u bërë i vetëdijshëm për një ndikim lartësues dhe rafinues brenda vetes” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 7).

Jepuni studentëve kohë që të shkruajnë atë që mendojnë rreth Krishtit. Ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan.

Nxitini studentët të marrin parasysh atë që mund të bëjnë këtë javë për të shfaqur besimin e tyre te Jezu Krishti.

Materiale Leximi për Studentin