Mësimi 17
Shpëtimtari Vuajti dhe Vdiq në Kryqin e Kalvarit
Hyrje
Ndërsa Shpëtimtari i afrohej fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, “Ai u arrestua dhe u dënua me akuza të rreme, u fajësua për të kënaqur një turmë dhe u dënua të vdiste në kryqin e Kalvarit” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Në këtë mësim, ne theksojmë të vërtetën e rëndësishme se Jezu Krishti e lejoi Veten të vuante e të vdiste në duart e të tjerëve; askush nuk ia mori jetën Atij.
Lexim Konteksti
-
Xhefri R. Holland, “Askush Nuk Ishte me Të” Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 86–88.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 27:26–54; Gjoni 10:11–18; 19:10–11; 1 Nefi 19:9
Jezu Krishti kishte fuqi për ta dhënë jetën e Tij
Paraqitni figurën Kryqëzimi (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 57; shih edhe LDS.org).
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë një nga shikuesit besnikë të portretizuar në figurë ndërsa e lexoni Mateun 27:26–54 me zë të lartë. Nxitini studentët ta ndjekin atë dhe të përfytyrojnë se si mund të ishte po të kishin qenë ai njeri dhe të dëshmonin Kryqëzimin e Jezu Krishtit. Pasi të keni mbaruar së lexuari, ftojini studentët të përshkruajnë çfarë mendimesh dhe ndjenjash përfytyrojnë ata se përjetoi ai njeri. Pas disa përgjigjesh, pyeteni klasën:
-
Çfarë ndjenjash keni për Shpëtimtarin pas leximit dhe diskutimit të këtij tregimi?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 10:11, 17–18 . Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:
-
Çfarë na mësojnë këto vargje për Kryqëzimin dhe vdekjen e Jezu Krishtit? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se Jezu Krishti kishte fuqinë nga Ati që ta jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë sërish.)
Shfaqeni mësimin e mëposhtëm nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Një efekt i natyrshëm i origjinës së pavdekshme të [Jezusit], si Biri i lindur në tokë i një Babai të pavdekshëm, ishte që Ai kishte imunitet nga vdekja përveç nëse Ai i dorëzohej asaj. Jeta e Jezu Krishtit nuk mund të merrej përveç nëse Ai e vendoste dhe e lejonte. Fuqia për ta dhënë jetën e Tij ishte e qenësishme në Veten e Tij, sikurse ishte fuqia për ta ngritur trupin e tij të vrarë në një gjendje pavdekësie” (Jesus the Christ, bot. i 3–të [1916], f. 418).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 26:53–54 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Gjonin 19:10–11 . Kërkojuni studentëve ta ndjekin, duke i krahasuar dhe ballafaquar dy fragmentet.
-
Sipas tregimit te Mateu, çfarë ndihme kishte të drejtë Jezu Krishti të merrte?
-
Çfarë mësoni nga ky fragment te Gjoni? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Askush nuk mund t’ia merrte jetën Jezusit; Ai e vuajti me gatishmëri vdekjen.)
-
Nëse Jezusi mund të kishte thirrur ushtri të tëra engjëjsh për ndihmë, pse mendoni se e lejoi Veten që të kryqëzohej?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 19:9 . Kërkojini klasës të përkufizojnë fjalën duron. (Duron, siç përdoret këtu, do të thotë të autorizosh apo lejosh. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët të shkruajnë “të lejosh” në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë 1 Nefit 19:9.)
-
Përse Shpëtimtari e lejoi Veten që të kryqëzohej?
Mund të dëshironi ta shfaqni thënien e mëposhtme nga Plaku Aleksandër B. Morrison, i Të Shtatëdhjetëve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
“Ishte dashuria për të gjithë fëmijët e Perëndisë që e bëri Jezusin, i pashoq në përsosurinë e Tij të pamëkat, që ta ofronte Veten si shpërblesë për mëkatet e të tjerëve. … Ky pra, ishte shkaku i përkryer i cili e shtyu Jezusin në tokë të ‘vuante, derdhte gjak e të vdiste për njeriun’ [“’Tis Sweet to Sing the Matchless Love”, Hymns, nr. 176]. Ai erdhi … të shlyente për mëkatet tona, që Ai, pasi të ngrihej në kryq, të mund t’i tërheqë të gjithë njerëzit tek Vetja (shih 3 Nefi 27:14)” (“For This Cause Came I into the World”, Ensign, nëntor 1999, f. 26).
Vini në dukje se Jezu Krishti e vuajti Kryqëzimin për shkak të dashurisë së Tij të madhe për Atin e Tij gjithashtu dhe prej dashurisë së Tij për ne. Më pas, pyetni:
-
Si mund t’ju ndihmojë dijenia se Shpëtimtari iu nënshtrua me gatishmëri të qenit i kryqëzuar për shkak të dashurisë së Tij për Atin e Tij dhe për ne që të duroni përvojat e vështira që mund të hasni?
Mateu 27:46; Lluka 23:34–46; Gjoni 19:26–30
Jezu Krishti e mbaroi misionin e Tij në vdekshmëri
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë se si ishte kryqëzimi, merrni parasysh të tregoni sa vijon:
“Vdekja me anë të kryqëzimit duket se i përfshin të gjitha gjërat që dhembja dhe vdekja mund t’i kenë të tmerrshme e të kobshme – marramendje, ngërç, etje, vdekje nga uria, pagjumësi, ethe tronditëse, tetanos, turpërim publik, vazhdim të gjatë torturash, llahtarinë e pritjes, gangrenizimin e plagëve të lëna pa u shëruar – të gjitha u ngjeshën deri në atë pikë që nuk mund të durohen fare, por të gjitha ndalin vetëm pak para pikës që do t’i jepte vuajtësi lehtësimin e pavetëdijes. Pozicioni i panatyrshëm e bënte çdo çast të dhembshëm; venat e çjerra dhe tejzat e thërrmuara rrihnin me dhembje të pandërprerë; plagët, të përflakura nga ekspozimi gangrenizoheshin shkallë–shkallë; arteriet – veçanërisht të kokës dhe stomakut – fryheshin dhe shtypeshin me mbingarkesë gjaku; dhe ndërkohë që çdo larmi e mjerimit vazhdonte të shtohej shkallë–shkallë, atyre iu shtohej sëmbimi i padurueshëm i një etjeje djegëse e të tërbuar; dhe të gjitha këto ndërlikime fizike shkaktuan një ngacmim dhe ankth të brendshëm që e bënë mendimin e vetë vdekjes – të vdekjes, armikes lebetitëse e të panjohur, prej avitjes së të cilës njeriu rrëqethet më shumë se prej gjithçkaje – të mbartte kuptimin e një çlirimi të këndshëm e të bukur.
E tillë ishte vdekja me të cilën u dënua Krishti” (Frederic W. Farrar, The Life of Christ [1964], f. 641).
Thuajuni studentëve se Jezu Krishti shqiptoi shtatë pohime gjatë kohës në kryq. Shkruajini në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta (mos i përfshini fjalët në kllapa) dhe ftojeni çdo student që t’i kërkojnë disa prej tyre e të përcaktojnë atë që tha Jezusi:
Ndërsa studentët i raportojnë gjetjet e tyre, shkruajini me fjalët tuaja këto pohime në tabelë pranë referencave të tyre përkatëse. Pyetini studentët:
-
Çfarë zbulojnë këto pohime rreth Shpëtimtarit dhe çfarë po përjetonte Ai në kryq?
-
Për çfarë e kishte fjalën Jezusi kur shpalli: “U krye!”? (Ai e kishte përfunduar vuajtjen e pafundme që kërkohej nga Shlyerja. Mund t’ua vini në dukje studentëve se te Përkthimi prej Joseph Smith–it, Mateu 27:54, lexohet: “Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë duke thënë, At, u krye, u bë vullneti yt dhe dha frymë” [shih edhe Mateu 27:50, poshtëshënimi a]. Jezusi vdiq vetëm pasi e dinte se i kishte përmbushur të gjitha gjërat që Ati donte që Ai të bënte.
Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kur shpagimi pastaj ishte bërë deri në qindarkën e fundit, kur vendosmëria e Krishtit për të qëndruar besnik ishte aq e dukshme sa edhe absolutisht e pamposhtur, më në fund dhe mëshirshëm ajo ‘u krye’ [shih Gjoni 19:30]. Me gjithë urrejtjen dhe asnjë që Ta ndihmonte ose Ta përkrahte, Jezusi i Nazaretit, Biri i gjallë i Perëndisë [së gjallë], rivendosi jetën fizike atje ku vdekja kishte fituar dhe solli shëlbim të gëzueshëm shpirtëror prej mëkatit, errësirës dhe dëshpërimit të skëterrshëm. Me besim në Perëndi, të cilin Ai e dinte se ishte atje, Ai mund të thoshte në triumf: ‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim’ [Lluka 23:46]” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 88).
Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Jezusi zgjodhi të mos çlirohej nga kjo botë derisa të kishte duruar deri në fund e ta kishte përfunduar misionin, të cilin ishte dërguar të përmbushte për njerëzimin. Në kryqin e Kalvarisë, Jezusi ia dorëzoi frymën e Vet Atij të Tij me një pohim të thjeshtë: ‘U krye’ (Gjoni 19:30). Duke qenë se kishte duruar deri në fund, Ai u çlirua nga vdekshmëria.
“Edhe ne duhet të durojmë deri në fund” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 6).
-
Çfarë na ndihmojnë këta dy Apostuj të kuptojmë rreth asaj për të cilën e kishte fjalën Jezusi kur shqiptoi: “U krye!”? (Pasi studentët të përgjigjen, merrni parasysh ta shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti e përfundoi besnikërisht gjithçka që Ati Qiellor e urdhëroi Atë të bënte në vdekshmëri.)
-
Në kohët tona vetjake të vështira, si do të na ndihmonte ta kujtonim atë që përballoi dhe duroi besnikërisht Shpëtimtari në mënyrë që të përmbushte misionin e tij në vdekshmëri?
-
Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e shembullit të Shpëtimtarit që të kryeni atë, të cilën u lindët të bëni?
-
Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shpëtimtari vuajti për ne? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Ne e tregojmë mirënjohjen tonë për vuajtjen e Shpëtimtarit në kryq duke e ndjekur shembullin e Tij për durimin me besnikëri deri në fund.
Ftojini studentët të marrin parasysh shpërndarjen e ndjenjave të tyre për Shpëtimtarin dhe të asaj çfarë zotohen të bëjnë për të qëndruar të vërtetë ndaj atyre ndjenjave në mediat shoqërore.
Leximet e Studentëve
-
Mateu 27:26–54; Lluka 23:34–46; Gjoni 10:11–18; 19:10–11, 19–37; 1 Nefi 19:9.
-
Xhefri R. Holland, “Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 86–88.