Mësimi 12
Mrekullitë Rrugës për në Palestinë
Hyrje
“[Jezu Krishti] eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Mrekullitë ishin pjesë e rëndësishme e shërbesës së dhembshur të Shpëtimtarit në vdekshmëri, por ato gjithashtu vunë në dukje fuqinë dhe autoritetin e Tij, duke i dhënë besueshmëri pohimit të Tij se Ai ishte Mesia. Duke ushtruar besim te Jezu Krishti, edhe ne mund të dëshmojmë ose provojmë dashurinë, dhembshurinë dhe fuqinë e Shpëtimtarit në formën e mrekullive.
Lexim Konteksti
-
Dallin H. Oaks, “Miracles”, Ensign, qershor 2001, f. 6–17.
-
Sydney S. Reynolds, “A God of Miracles”, Ensign, maj 2001, f. 12–13.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 1:39–42; 2:1–12; 5:1–8, 19, 22–43; 8:1–9; Lluka 7:11–15; 3 Nefi 17:5–9
Shpëtimtari bëri mrekulli gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri
Shkruani frazat vijuese në tabelë: fashiti detin, ngriti të vdekurit dhe dëboi frymërat e liga. Pyetini studentët se cila prej këtyre mrekullive të bëra nga Shpëtimtari mendojnë se është më e madhja nga të tria. Pasi studentët të përgjigjen, shtoni krijoi tokën te lista në tabelë dhe pyesni se cila është më e madhja. Përsëriteni ushtrimin me ktheu shpirtra në besim dhe, në fund, me vuajti dhe vdiq për mëkatet tona.
Pyetini studentët se si do ta përkufizonin fjalën mrekulli. Pasi studentët të përgjigjen, paraqitni përkufizimin vijues dhe ftoni një student që ta lexojë atë me zë të lartë:
“[Një mrekulli është] një ngjarje e jashtëzakonshme e shkaktuar nga fuqia e Perëndisë. Mrekullitë janë një element i rëndësishëm në punën e Jezu Krishtit. Ato përfshijnë shërime, kthimin e të vdekurve në jetë dhe ringjallje. Mrekullitë janë pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Besimi është i nevojshëm që mrekullitë të shfaqen” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mrekulli”, f. 126; scriptures.lds.org).
-
Cilët janë disa shembuj të tjerë të mrekullive që bëri Jezusi gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
-
Përse është e rëndësishme të kuptohet se sa me ndikim të gjerë është fuqia e Shpëtimtarit?
Renditini referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë dhe ftojini studentët të zgjedhin që të studiojnë një referencë: Marku 1:40–42; Marku 5:1–8, 19; Marku 8:1–9; Lluka 7:11–15 dhe 3 Nefi 17:5–9. Kërkojuni atyre të gjejnë në fragmentin që lexuan një mrekulli të bërë nga Shpëtimtari dhe atë që ajo ilustron rreth fuqisë së Tij. Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Për çfarë mrekullie lexuat dhe çfarë ilustron ajo rreth fuqisë së Shpëtimtarit?
-
Si ju ndihmon të kuptuarit e fuqisë së Shpëtimtarit për të kryer mrekulli, që të keni besim tek Ai? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të vini në dukje që shekuj përpara se Shpëtimtari të lindte, profetët parashikuan se Ai do të bënte mrekulli gjatë shërbesës së Tij tokësore [shih 1 Nefi 11:31; Mosia 3:5–6]. Kjo njohuri i ndihmoi ata që jetuan përpara lindjes së Tij, që të kishin besim më të madh tek Ai.)
Ftojini studentët ta kontrollojnë përsëri fragmentin që studiuan dhe të përcaktojnë arsyen e shprehur se përse Jezusi e bëri mrekullinë. Diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Cila ishte arsyeja e dhënë për të cilën Shpëtimtari e bëri mrekullinë rreth të cilës lexuat? (Lejoni disa studentë që të përgjigjen. Dhembshuria e Shpëtimtarit përmendet në secilin shembull. Tregojuni studentëve se, ndërsa ata mësojnë të gjejnë modele dhe tema të tilla si këto në shkrimet e shenjta, ata do ta thellojnë njohurinë e tyre për shkrimet e shenjta.)
-
Në çfarë mënyrash këto mrekulli shfaqin dhembshurinë e Shpëtimtarit?
-
Ç’ndryshim përbën për ju të dini që Shpëtimtari ndonjëherë i bëri mrekullitë për shkak të dhembshurisë së Tij të madhe? (Ndërsa studentët përgjigjen, theksoni që, ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim fuqinë e Tij të madhe dhe të ndiejmë dhembshurinë e Tij për ne.)
Mbylleni këtë pjesë të mësimit duke e ftuar një student të lexojë Veprat e Apostujve 10:38, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës e ndjek. Më pas pyetini studentët:
-
Çfarë kuptimi ka që Jezusi i shëroi “të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli”? (Kjo frazë mund t’u referohet mrekullive të Jezusit të dëbimit të djajve si edhe mrekullisë më të madhe mbi të gjitha – shërimit shpirtëror që Jezusi u solli të shtypurve nga mëkati. Vini në dukje se, ndonëse shërimi fizik ishte një pjesë e rëndësishme e shërbesës së Shpëtimtarit, pasojat e saj ishin të përkohshme. Bekimi i shërimit shpirtëror ishte – dhe është – i përjetshëm.)
Marku 2:1–12; 5:22–43
Besimi në Jezu Krisht sjell mrekulli në jetën tonë
Tregojuni studentëve se, ndonëse është e rëndësishme të dimë se Jezusi bëri mrekulli ndërsa “Ai eci rrugëve të Filistisë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, f. 2), është ndoshta më e rëndësishme të dimë se Ai vazhdon të bëjë mrekulli sot. Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje Ethërin 12:12, 18 dhe pastaj të shkruajnë një parim të ungjillit që mësojnë nga këto vargje. Ftoni disa studentë t’i tregojnë klasës për atë që shkruan. (Përgjigjet duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të dëshmojmë fuqinë e Tij të mrekullueshme në jetën tonë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta analizojnë këtë të vërtetë, shkruajini referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Marku 2:1–12; Marku 5:22–24, 35–43; dhe Marku 5:25–34. (Shënim: Ju mund të dëshironi të vini në dukje se këto fragmente përmbajnë një ilustrim tjetër të një modeli apo teme në shkrimet e shenjta.) Ndajeni klasën në grupe treshe. Caktojini secilit grup të lexojë një prej fragmenteve, duke kërkuar për mënyrat se si u shfaq besimi në Jezu Krisht. Pas një kohe të mjaftueshme, pyesni:
-
Çfarë prove gjetët të besimit në Jezu Krisht?
Jepini secilit student një kopje të fletushkës “Shër[imi i] të Sëmurë[ve]”.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë nevojën e besimit në përmbushjen e mrekullive, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nga fletushka thënien e parë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Më pas pyesni:
-
Cilat të vërteta të rëndësishme dha mësim Plaku Ouks rreth besimit?
Për pikëpamje shtesë nga Plaku Ouks, merrni parasysh të lexoni ose të tregoni me vetë fjalët tuaja thënien e dytë te fletushka. Ju mund të përmendni se Plaku Ouks ua drejtoi këto fjalë mbajtësve të priftërisë. Diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Çfarë tha Plaku Ouks që kërkohet prej nesh kur lutemi me besim për një mrekulli që të ndodhë?
-
Përse është e rëndësishme të kujtojmë se ajo që kërkojmë duhet të jetë në përputhje me vullnetin e Atit Qiellor?
Dëshmoni se mrekullitë ende ndodhin sot. Tregoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shumë mrekulli ndodhin çdo ditë në punën e Kishës sonë dhe në jetën e anëtarëve tanë. Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, ndoshta më tepër sesa e merrni me mend” (“Miracles”, Ensign, qershor 2001, f. 6).
-
Përse mendoni që ne jo përherë i dallojmë mrekullitë që ndodhin në jetën tonë? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të vini në dukje se pak mrekulli përfshijnë shfaqje të mahnitshme të fuqisë së Zotit. Shumë mrekulli janë relativisht të vogla dhe ndodhin në mënyrë të fshehtë. [Shih Sydney S. Reynolds, “A God of Miracles”, Ensign, maj 2001, f. 12–13.])
-
Çfarë zbulojnë këto mrekulli të vogla, të fshehta rreth interesimit të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ne?
-
Çfarë shembujsh mrekullish të “vogla” ose “të përditshme” ju vijnë në mendje? (Nëse nuk ka përgjigje, merrni parasysh të tregoni disa nga ato të përmendura nga Motra Sidni S. Rejnolds, e Presidencës së Përgjithshme të Fillores, te “A God of Miracles” [Ensign, maj 2001, f. 12–13].)
Ftojini studentët t’i përgjigjen me shkrim pyetjes vijuese:
-
Çfarë mund të bëni për t’i dalluar më mirë mrekullitë e Zotit – si të vogla dhe të mëdha – në jetën tuaj, dhe për të fituar mirënjohje më të madhe për to?
Nxitini studentët të marrin parasysh me lutje mënyrën se si ata mund të veprojnë sipas asaj që shkruan. Mbylleni mësimin duke pyetur nëse ndonjë nga studentët tuaj do të donte të shprehte dëshminë e vet për Shpëtimtarin dhe dashurinë që ka ndier prej Tij dhe për Të.
Materiale Leximi për Studentin
-
Marku 1:39–42; 2:1–12; 5:1–8, 19, 22–43; 8:1–9; Lluka 7:11–15; 1 Nefi 11:31; Mosia 3:5–6; 3 Nefi 17:5–9.
-
Sydney S. Reynolds, “A God of Miracles”, Ensign, maj 2001, f. 12–13.