Seminare dhe Institute
Mësimi 13: Jezu Krishti Thirri Dymbëdhjetë Apostuj


Mësimi 13

Jezu Krishti Thirri Dymbëdhjetë Apostuj

Hyrje

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari thirri, shuguroi dhe porositi dymbëdhjetë Apostuj. Ai u dha çelësat e priftërisë dhe ata morën një dëshmi të hyjnisë së Tij. Nën drejtimin e Shpëtimtarit, Apostujt ndihmuan për drejtimin e punës së Kishës dhe u përgatitën për kohën kur Ai nuk do të ishte më në tokë. Ky mësim analizon autoritetin e priftërisë së Shpëtimtarit dhe përgatitjen prej Tij të Apostujve për ta udhëhequr Kishën.

Lexim Konteksti

  • Bojd K. Paker, “Të Dymbëdhjetët”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 83–87.

  • Edward J. Brandt, “And He Gave Some, Apostles”, Liahona, shtator 2001, f. 32–39.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 10:1–8; 16:15–19; 17:1–8; Gjoni 15:16

Jezu Krishti u dha Apostujve të Tij çelësat e priftërisë

Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjet vijuese:

  • Si i dallojmë individët që kanë autoritet për të udhëhequr në komunitetin tonë?

  • Si do ta kishte dalluar një person që jetonte në kohën e Jezu Krishtit, autoritetin e Tij? (Përgjigje të mundshme përfshijnë fuqinë, mrekullitë dhe mësimet e Tij.)

Kërkojini klasës të marrë parasysh këtë pyetje: “Si, kur dhe nga kush e mori Shpëtimtari Priftërinë Melkizedeke?” Pastaj tregoni thëniet vijuese nga Plaku B. H. Roberts (1857–1933), i Të Shtatëdhjetëve, dhe Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku B. H. Roberts

“Ky fragment [DeB 107:2–4] e tregon qartazi faktin se Priftëria Melkizedeke ekzistonte përpara Priftit të madh të Lartë, Melkizedekut, por se ajo ekzistonte nën një emër tjetër, d.m.th. – ‘Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë’. Kjo do të thotë, ishte po ajo lloj priftërie, po ai rend priftërie, që mbajti Biri i Perëndisë. Por kjo ishte përpara kohës së Melkizedekut, përpara Abrahamit dhe për rrjedhim qindra vite përpara lindjes së Krishtit në botë. … Atëherë, Jezusi mbante atë që ne tani e quajmë Priftëria Melkizedeke përpara se të shfaqej në këtë botë dhe pa dyshim përpara se vetë bota të krijohej, … por ‘si, ku dhe nga kush’ e mori atë, askush nuk e di, përveçse ndoshta të fundit, d.m.th., ‘nga kush’. Ai, me siguri, duhet ta ketë marrë nga Perëndia” (B. H. Roberts, Improvement Era, maj 1908, f. 557).

Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Por për sa i përket shërbesës së Tij në vdekshmëri, Krishti … e mori Priftërinë Melkizedeke këtu në tokë dhe u shugurua në detyrën e saj të priftit të lartë, duke dhënë kështu një shembull për të tjerët dhe duke qenë në të gjitha gjërat Shembulli i shpëtimit” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1973], f. 157).

Paraqitini ose shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe kërkojuni studentëve që të kontrollojnë për përgjigjet te Mateu 10:1–8 dhe Gjoni 15:16:

  • Çfarë autoriteti u dha Jezu Krishti Apostujve të Tij?

  • Çfarë do t’u jepte mundësi që të bënin ky autoritet?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që të bashkohen në dyshe me një anëtar tjetër të klasës për të diskutuar për atë që gjetën. Më pas, kërkojuni disa studentëve t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Ndihmojini studentët të kuptojnë se Jezusi u dha Apostujve të Tij autoritetin e priftërisë që do t’ju jepte atyre mundësinë të bënin të njëjtat vepra që kishin parë Atë të bënte.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 16:15–19. Pyesni:

  • Si e dalloi Pjetri autoritetin e Jezusit? (Me anë të zbulesës, që është e njëjta mënyrë se si dishepujt bashkëkohorë e dallojnë autoritetin e Tij.)

  • Çfarë premtoi Jezusi se do t’i jepte Pjetrit?

Ftoni disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 17:1–8. Më pas pyesni:

  • Përse Moisiu dhe Elia iu shfaqën Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit?

Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, paraqitni thëniet vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844) dhe Profeti Jozef F. Smith (1838–1918):

Profeti Jozef Smith

“Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi [Elija] ia dhanë çelësat Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në mal, kur ata u shpërfytyruan para tij” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 109).

Presidenti Jozef F. Smith

“Priftëria në përgjithësi është autoriteti dhënë njeriut për të vepruar për Perëndinë. Çdo burri të shuguruar në çfarëdo shkalle të Priftërisë i është deleguar ky autoritet.

Por është e nevojshme që çdo veprim që kryhet nën këtë autoritet, të bëhet në kohën e në vendin e duhur, në mënyrën e duhur dhe sipas rendit të duhur. Fuqia e drejtimit të këtyre punëve përbën çelësat e Priftërisë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 141).

Vini në dukje se ne mësojmë te Doktrina e Besëlidhje 110 se Moisiu dhe Elija iu shfaqën gjithashtu Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudrit në Tempullin e Kirtlandit dhe u dhanë atyre çelësat e priftërisë. Ky rrëfim te Doktrina e Besëlidhje na ndihmon të kuptojmë atë që ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Doktrina e Besëlidhjen 110:13–16 si një referencë kryq në anë të faqes pranë Mateut 17:1–8.

Vijoni duke bërë pyetjet e mëposhtme:

  • Përse do të ishte e rëndësishme për Apostujt e Jezusit që të kishin çelësat e priftërisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Jezusi ia dha çelësat e priftërisë Apostujve të Tij në mënyrë që të kishin autoritetin për të drejtuar Kishën si përpara edhe pas vdekjes së Tij. Ju mund të theksoni se nga një pikëpamje e përjetshme, çelësat janë thelbësorë për vendosjen dhe mbajtjen e rendit në Kishën e Zotit, duke ndihmuar kështu në bërjen që të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.)

  • Si ndihmoi përvoja e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në Malin e Shpërfytyrimit që ata të përgatiteshin për ta udhëhequr Kishën pas vdekjes së Shpëtimtarit?

Ju mund të dëshironi të shpjegoni se te Mateu 18:18–19, ne mësojmë se çelësat e priftërisë iu dhanë të gjithë Apostujve të Jezusit.

Mateu 18:21–22; 26:51–56; Marku 4:35–41; 5:25–43; 9:25–29; Lluka 9:51–56; 24:44–48; Gjoni 13:4–17; 21:15–17

Jezu Krishti i përgatiti Apostujt e Tij që të udhëhiqnin Kishën

Shkruani thënien vijuese në tabelë:

Përpara vdekjes së Tij, Jezu Krishti i përgatiti Apostujt e Tij që të udhëhiqnin Kishën.

Më pas pyesni:

  • Çfarë mund t’u jetë dashur të mësonin Apostujve të Jezusit në mënyrë që të udhëhiqnin Kishën?

Kopjoni disa ose të gjitha referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë:

Mateu 18:21–22

Mateu 26:51–56

Marku 4:35–41

Marku 5:25–34

Marku 5:35–43

Marku 9:25–29

Lluka 9:51–56

Lluka 24:44–48

Gjoni 13:4–17

Gjoni 21:15–17

Caktojini studentët që të punojnë në dyshe për të studiuar një ose dy prej këtyre fragmenteve dhe të marrin parasysh se çfarë parimesh mund të kenë mësuar Apostujt nga përvojat e tyre me Shpëtimtarin. Pastaj ftojini studentët që t’i tregojnë klasës për atë që diskutuan. Ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas bëni pyetje shoqëruese të tilla si ato në vijim:

  • Përse do të ishte e rëndësishme për Apostujt që t’i mësonin këto parime?

  • Si mendoni se i ka përgatitur Shpëtimtari Apostujt bashkëkohorë që të shërbejnë?

  • Si ju ndihmon të diturit që Jezu Krishti i udhëheq Apostujt e Tij që të mirëbesoni në këshillën e tyre?

Veprat e Apostujve 1:8, 21–22; Doktrina e Besëlidhje 107:23

Apostujt bashkëkohorë japin dëshmi të vërtetë për Jezu Krishtin

Tregojuni studentëve se Veprat e Apostujve 1 përmban një rrëfim të përzgjedhjes nga ana e Apostujve të zëvendësuesit për Juda Iskariotin, në vijim të ringjalljes së Shpëtimtarit. Ftojini studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 1:21–22 dhe të përcaktojnë kërkesën që Apostulli i ri duhej të plotësonte.

  • Cilat ishin cilësitë për Apostullin e ri? (Të ishte “në shoqërinë [e tyre]” dhe të ishte një “dëshmitar … i ringjalljes së [Shpëtimtarit]”.)

  • Sipas vargut 22, çfarë do të shugurohej që të bënte Apostulli i ri? (Merrni parasysh t’i ftoni studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 1:8 për t’u treguar atyre që kjo ishte një porosi që Jezusi ua dha të gjithë Apostujve të Tij.)

Kërkojuni studentëve që të rishqyrtojnë fragmentet vijuese dhe të përcaktojnë atë që ato kanë të përbashkët: Veprat e Apostujve 2:22–24, 32; Veprat e Apostujve 3:12–16; Veprat e Apostujve 4:31–33; dhe Veprat e Apostujve 5:29–32. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni që të diskutojnë mbi gjetjet e tyre. (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se Apostujt e kryen porosinë e tyre për të dhënë dëshmi për Jezu Krishtin.)

Ftojini studentët të marrin parasysh se si porosia e Apostujve bashkëkohorë i shëmbëllen asaj të Apostujve të hershëm. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:23. Më pas pyeteni klasën:

  • Çfarë doktrine na mësohet në këtë varg? (Studentët duhet të kuptojnë se Apostujt janë porositur të jenë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në të gjithë botën.)

  • Si i keni parë Apostujt bashkëkohorë ta përmbushin këtë përgjegjësi?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Bojd K. Paker

“Pas gjithë viteve që kam jetuar dhe dhënë mësim e shërbyer, pas miliona kilometrash që kam udhëtuar rreth botës, me gjithçka që kam përjetuar, ka një të vërtetë të madhërishme që dua të shpreh. Ajo është dëshmia ime për Shpëtimtarin Jezu Krisht. …

Jap dëshminë time se Shpëtimtari jeton. Unë e njoh Zotin. Unë jam dëshmitari i Tij. Unë e njoh sakrificën e madhërishme dhe dashurinë e Tij të përjetshme për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. E jap dëshminë time të veçantë me të gjithë përulësinë, por me siguri të plotë” (“Dëshmia”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 97).

  • Kur e keni ndier fuqinë e dëshmisë së një Apostulli të Jezu Krishtit dhe si ka ndikuar ajo në dëshminë tuaj?

  • Si mund ta dini që dëshmia që Apostujt bashkëkohorë japin për Jezu Krishtin, është e vërtetë? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, unë mund ta di se dëshmia që japin Apostujt e gjallë për Jezu Krishtin, është e vërtetë.)

Sfidojini studentët që të zgjedhin një dëshmi për Krishtin të dhënë nga një Apostull bashkëkohor dhe të përcaktojnë me lutje dikë me të cilin të mund ta ndajnë atë. Nxitini që të dëshmojnë personalisht se mesazhi i Apostullit është i vërtetë.

Materiale Leximi për Studentin