Seminare dhe Institute
Mësimi 28: Një Dëshmitar Personal i Jezu Krishtit


Mësimi 28

Një Dëshmitar Personal i Jezu Krishtit

Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve deklaroi: “Ne dëshmojmë, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet – që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Gjatë gjithë këtij kursi, ne kemi studiuar shërbesën e përjetshme të Jezu Krishtit dhe dëshmitë e profetëve lidhur me Të. Ndërsa fitojmë dëshmi vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti i Gjallë, ne jemi të përgatitur ta ndajmë vetë dëshminë tonë për Shpëtimtarin me të tjerët.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 25:26; Mosia 18:8–11

Duke qëndruar si dëshmitar i Krishtit

Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre ka qenë ndonjëherë në një rrethanë ku ai ishte i vetmi anëtar i Kishës ose i vetmi njeri i gatshëm për të përfaqësuar standardet e Kishës. Ftojini ata t’u përgjigjen pyetjeve vijuese:

  • Si u ndiet kur iu përgjigjët asaj situate si ndjekës i Jezu Krishtit?

  • Cilat ishin disa nga anët kuptimplote apo sfiduese të përvojës suaj?

Kujtojuni studentëve rrëfimin e Almës në librin e Mormonit, që u kthye në besim me anë të mësimeve të profetit Abinadi. Pas kthimit të tij në besim, Alma filloi gjithashtu të predikonte ungjillin. Te Mosia 18, mund t’i lexojmë mësimet e tij rreth besëlidhjes së pagëzimit. Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 18:8–11 . Ftojini studentët t’i ndjekin dhe t’i përcaktojnë tiparet dhe veprimet që tregojnë se një njeri është gati ta bëjë dhe ta mbajë besëlidhjen e pagëzimit. Pasi studentët të përgjigjen, vini në dukje frazën “qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet” në vargun 9. Më pas, pyetni:

  • Çfarë do të thotë të qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë, Atit, “në të gjitha kohërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet”? (Mosia 18:9).

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Apostujt kanë thirrjen dhe shugurimin për të qenë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në mbarë botën (shih DeB 107:23), por detyra për të qenë dëshmitar dhe për të dëshmuar për Krishtin në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet gjen zbatim për çdo anëtar të Kishës që e ka marrë dëshminë e Frymës së Shenjtë” (“Witnesses of Christ”, Ensign, nëntor 1990, f. 30).

  • Sipas Plakut Ouks, kush e ka përgjegjësinë për të dhënë dëshmi për Jezu Krishtin? (Sigurohuni që studentët ta dallojnë të vërtetën vijuese: Të gjithë anëtarët e Kishës kanë besëlidhur që të qëndrojnë si dëshmitarë të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.)

  • Përveç dhënies me gojë të bindjeve dhe dëshmisë sonë, në çfarë mënyrash të tjera mund të qëndrojmë si dëshmitarë të Krishtit? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh t’i ftoni ata të studiojnë Mateun 5:14–16 dhe 3 Nefin 18:24.)

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Gjatë shërbesës së Tij në hemisferën perëndimore, Shpëtimtari dha këtë urdhërim: ‘Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë” (3Nefi 18:24). Njerëzit duhet të jenë në gjendje që të shohin diçka të Jezu Krishtit te ne. Mënyra si veprojmë, flasim, shikojmë e madje mendojmë do ta pasqyrojë Atë dhe mënyrat e Tij” (“Becoming a Witness of Christ”, Ensign ose Liahona, mars 2008, f. 60).

  • Si i keni parë të tjerët të veprojnë, të flasin apo të shikojnë në mënyra që e pasqyrojnë bindjen e tyre te Jezu Krishti?

  • Si do t’i rekomandonit dikujt që ta kapërcejë ngurrimin ose druajtjen për të qenë dëshmitar i Jezu Krishtit?

Shkruajini frazat vijuese në tabelë:

Flasim për Krishtin

Gëzohemi në Krishtin

Predikojmë për Krishtin

Profetizojmë për Krishtin

Shkruajmë për Krishtin

Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 25:26 në heshtje dhe kërkojuni të shpjegojnë se si dikush mund ta japë dëshminë e tij për Jezu Krishtin në mënyrat e përmbledhura në tabelë. Për ta ndihmuar diskutimin e klasës, përdoreni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, sipas nevojës:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Fraza e Nefit ‘ne flasim për Krishtin’ [2 Nefi 25:26] sugjeron që ne nuk jemi ngurrues për të folur rreth ndjenjave tona për sa i përket Shpëtimtarit në bisedat dhe mjediset joformale. Shpesh këto janë biseda vetëm për vetëm ku në mënyra të hapura e miqësore ne mund të diskutojmë se kush është Ai dhe çfarë bëri e dha mësim, duke i nxitur edhe të tjerët që ta duan e ta ndjekin Atë.

‘Ne gëzohemi në Krishtin’ nënkupton se ne jetojmë me një pikëpamje përgjithësisht të lumtur që e pasqyron besimin tonë te Krishti. Ne e dimë se ‘hiri i tij [është i] mjaft[ueshëm]’ për ne që të shëlbohemi nga vdekja dhe mëkati e të përsosemi në Të (shih Moroni 10:32–33). Ndërkohë që hasim zhgënjime e madje tragjedi, ne e dimë se për shkak të Tij, lumturia jonë e përjetshme është e sigurt. Teksa besimi ynë në Jezu Krisht vazhdon të shkëlqejë, ne u tregojmë të tjerëve që janë ‘të munduar dhe të rënduar’ si të gjejnë çlodhje tek Ai (shih Mateu 11:28–30).

‘Ne predikojmë për Krishtin’ sigurisht i drejtohet punës misionare kohëplotë dhe asaj të anëtarëve, por përfshin edhe atë që ne bëjmë në shërbesat e adhurimit, orët mësimore të Shkollës të së Dielës dhe mjedise të ngjashme ku Ai është tema e studimit dhe udhëzimit. Pjesëmarrja jonë si mësues edhe si studentë është pjesë e dhënies së dëshmisë për Të. …

‘Ne profetizojmë për Krishtin’ do të thotë që ne e shprehim dëshminë tonë për Të me anë të fuqisë së Shpirtit (shih 1 Korintasve 12:3). ‘Dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë’ (Zbulesa 19:10). Si ata që profetizuan në lashtësi për ardhjen e tij të Parë, ne gjithashtu i pohojmë me fjalë e vepra profecitë për Ardhjen e Tij të Dytë. …

Dhe ne ‘shkruajmë sipas profecive tona’ sugjeron urtësinë e kthimit të dëshmisë sonë për Krishtin në një anal të përhershëm. Ne e kuptojmë se dëshmitë që japim ‘shënohe[n] në qiell, që engjëjt ta vështrojnë; dhe ata gëzohen për [ne]’ DeB 62:3). Vetë pasardhësit tanë dhe të tjerët mund ta vështrojnë e t’i gëzohen dëshmisë sonë për Krishtin të shkruar apo të shënuar për përfitimin e tyre” (“Becoming a Witness of Christ”, Ensign, mars 2008, f. 62–63).

Ndërsa e përfundoni këtë pjesë të mësimit, nxitini studentët që të marrin parasysh një prej zonave në tabelë dhe të vendosin një synim për atë që do të bëjnë që të bëhen dëshmitarë më të fortë të Jezu Krishtit.

Dëshmimi për Jezu Krishtin

Kërkojuni studentëve të rikujtojnë në mendje kursin e semestrit dhe të përcaktojnë disa nga rolet e Jezu Krishtit dhe disa prej temave të lidhura me Të që u diskutuan në klasë. Përmblidhini përgjigjet e studentëve në tabelë. (Rolet mund të përfshijnë Avokatin, Shpëtimtarin, Shëlbuesi, I Parëlinduri, I Vetëmlinduri, Jehova, Mesia, Krijuesi. Temat mund të përfshijnë sa vijon: qendërzimi i Jezu Krishtit në planin e Perëndisë; shërbesa e Tij paratokësore; realiteti se Ai Jeton; shërbesa e Tij pas vdekjes; Ardhja e Dytë; mbretërimi i Tij Mijëvjeçar; Rivendosja e ungjillit të Tij; udhëheqja e Tij e Kishës dhe mënyrat në të cilat Ai është Drita dhe Jeta e Botës.)

video iconShkarkojeni dhe paraqitni një regjistrim pamor të thënies vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910-2008) në të cilat ai dha dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Nëse videoja nuk është e mundësuar në gjuhën tuaj, ftojeni një student ta lexojë thënien me zë të lartë.

Presidenti Gordon B. Hinkli

Jezusi është miku im. Askush tjetër nuk më ka dhënë kaq shumë. ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’ (Gjoni 15:13). Ai dha jetën e Tij për mua. Ai hapi udhën drejt jetës së përjetshme. Vetëm një Perëndi mund ta bënte këtë. Unë shpresoj të konsiderohem i denjë për të qenë miku i Tij.

Ai është shembulli im. Mënyra e Tij e jetesës, sjellja e Tij tërësisht vetëmohuese, qasja e Tij ndaj njerëzve në nevojë, sakrifica e Tij përfundimtare, që të gjitha qëndrojnë si shembull për mua. …

Ai është mësuesi im. Asnjë zë tjetër nuk ka folur një gjuhë kaq mahnitëse. …

Ai është shëruesi im. Unë qëndroj plot habi para mrekullive të Tij mahnitëse. …

Ai është udhëheqësi im. Jam i nderuar që jam një në varganin e gjatë të atyre që e duan Atë dhe që e kanë ndjekur Atë gjatë dy mijëvjeçarëve që kanë kaluar që nga lindja e Tij. …

Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im. Nëpërmjet dhënies së jetës Tij me dhembje dhe vuajtje të pashprehshme, Ai është ulur për të më ngritur mua dhe çdonjërin prej nesh e të gjithë bijtë e bijat e Perëndisë nga humnera e errësirës së përjetshme që vjen pas vdekjes. … Mirënjohja ime nuk njeh kufij. Falënderimi im ndaj Zotit tim nuk ka fund.

Ai është Perëndia im dhe Mbreti im. Nga përjetësia në përjetësi, Ai do të mbretërojë e sundojë si Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve. Nuk do të ketë fund për pushtetin e Tij. Nuk do të ketë natë për lavdinë e Tij” (“My Testimony”, Ensign, maj 2000, f. 71).

Paraqituani studentëve tuaj skenarin vijues: Po t’ju pyeste dikush se çfarë besoni rreth Jezu Krishtit, cilat do ishin ato tri apo katër ide që do të donit të theksonit më shumë? Jepuni studentëve kohë që t’i hedhin në letër idetë. Pastaj ftojini studentët të bëhen dyshe e t’i ndajnë përgjigjet e tyre me njëri-tjetrin. Nxitini ata të diskutojnë pse i kanë zgjedhur ato që zgjodhën dhe ndonjë përvojë që kanë pasur që mund t’ua ketë forcuar të kuptuarin dhe dashurinë për Shpëtimtarin. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente ta ndante dëshminë e tij për Jezu Krishtin me klasën.

Mbylleni duke dhënë vetë dëshminë tuaj për shërbesën e përjetshme të Krishtit të Gjallë. Merrni parasysh të shprehni mirënjohjen tuaj për rolet e shumta thelbësore të përmbushura nga Zoti Jezu Krisht gjatë gjithë kohës. Pastaj, jepuni studentëve sfidën vijuese: Ndërsa e përfundoni këtë kurs, përsiatni se kë njihni që do të forcohej nga dëgjimi i dëshmisë suaj për Shpëtimtarin. Gjatë javës së ardhshme e tutje, vendosni se te kush do të ndikoni dhe si do ta jepni dëshminë tuaj.

Leximet e Studentëve