Seminare dhe Institute
Mësimi 7: Jezu Krishti – Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në Mish


Mësimi 7

Jezu Krishti – Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në Mish

Hyrje

Në lashtësi, lajmërimi për lindjen e Shpëtimtarit përbënte lajme gëzimi të shpallura nga shumë vetë – Perëndia kishte dërguar Birin e Tij për të shëlbuar botën. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” shpall se Jezusi është “i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Në këtë mësim studentët do të arrijnë të dinë arsyen përse qe vendimtare që Jezusi të lindej nga një nënë e vdekshme dhe një Atë i pavdekshëm.

Lexim Konteksti

  • Robert E. Wells, “Our Message to the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 65–66.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 1:18–24; Lluka 1:26–35; Mosia 3:7–8

“I Vetëmlinduri i Atit”

video iconFillojeni orën mësimore duke shfaqur videon “The Nativity” [“Lindja e Krishtit”] (7:53). (Shkarkojeni dhe shikojeni videon para orës mësimore.)

2:3

Pas videos, pyesni:

  • Cilat aspekte të lindjes së Shpëtimtarit janë të rëndësishme për ju dhe përse?

Tregojuni studentëve se në këtë mësim ata do të diskutojnë për një aspekt të lindjes së Jezu Krishtit që është vendimtar për të kuptuarin nga ana jonë të aftësisë së Shpëtimtarit për të përmbushur rolin e Tij në planin e Atit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 1:18–19 dhe kërkojini klasës ta përfytyrojë situatën që përshkruajnë këto vargje. (Shënim: Përfytyrimi është një teknikë studimi e shkrimeve të shenjta që mund të ndihmojë në bërjen e një rrëfimi të shkrimit të shenjtë më të gjallë dhe të vërtetë.) Më pas pyetini studentët se si mund të ndiheshin po ta gjenin veten në një situatë të ngjashme me atë të Jozefit. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mateun 1:20–24 dhe të përcaktojnë arsyen përse Jozefi vendosi që “ta linte [Marinë] fshehtas” (vargu 19), që do të thotë ta prishte fshehtas fejesën me Marinë. (Shënim: Përkufizimi i fjalëve dhe frazave të vështira i ndihmon studentët t’i kuptojnë shkrimet e shenjta. Për këto vargje, mund të përdorni shpjegimet vijuese: 1) emri Jezus [Yeshua në gjuhën aramaike] do të thotë “Jehova është shpëtim” ose “Jehova shpëton”; 2) shkrimi i shenjtë i përmendur te Mateu 1:22–23 është Isaia 7:14; dhe 3) emri Emanuel do të thotë “Zoti me ne”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:26–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që na mëson ky fragment rreth Marisë. Kërkojuni studentëve ta shpjegojnë atë që gjejnë. Më pas kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 1:31–35 ndërsa klasa e ndjek. Pyesni:

  • Si e pohojnë këto vargje se kush është Ati i Jezusit?

Vizatojeni skicën vijuese në tabelë:

skicë, prindërit, ju

Bëjini një anëtari të klasës pyetjet vijuese:

  • Cili është një tipar fizik që trashëguat nga ati juaj? Cili është një tipar fizik që trashëguat nga nëna juaj?

Shtojeni përgjigjen e studentit te skica në tabelë (shih shembullin shoqërues):

skicë, prindërit, cilësitë, ju

Fshijeni skicën e mëparshme dhe vizatoni sa vijon në tabelë:

skicë, Maria, Ati Qiellor, Jezu Krishti

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Plaku Xhejms E. Talmixh

“Ai Fëmijë që i lindi Maries, qe lindur prej Elohimit, Atit të Përjetshëm, jo në shkelje të ligjit fizik po në përputhje me shfaqjen më të lartë të tij; … Në natyrën e Tij do të bashkoheshin fuqitë e Perëndishmërisë me aftësinë dhe mundësitë e vdekshmërisë; dhe kjo nëpërmjet funksionimit të zakonshëm të ligjit thelbësor të trashëgueshmërisë të shpallur nga Perëndia, të dëftuar nga shkenca dhe të pranuar nga filozofia, se qeniet e gjalla do të riprodhohen – brenda llojit të tyre. Fëmija Jezus do të trashëgonte tiparet, prirjet dhe fuqitë fizike, mendore dhe shpirtërore që i karakterizonin prindërit e Tij – njëri i pavdekshëm dhe i lavdishëm – Perëndia, tjetri njerëzor – gruaja” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 81).

  • Çfarë tiparesh të rëndësishme trashëgoi Shpëtimtari nga prindërit e Tij?

Ndërsa studentët përgjigjen, renditni në tabelë nën emrin “Maria” tiparet që Jezu Krishti trashëgoi nga nëna e Tij (të tilla si vdekshmërinë – mundësinë për të provuar dhembje dhe për të vdekur fizikisht). Renditni nën “Ati Qiellor” tiparet që Jezusi trashëgoi nga Ati i Tij (të tilla si fuqitë e Perëndishmërisë – pavdekësinë ose fuqinë për të jetuar përgjithmonë; shih Gjoni 10:17–18).

Pastaj ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 3:7–8. Pyesni:

  • Përse i duheshin Shpëtimtarit edhe fuqitë e vdekshmërisë edhe të pavdekshmërisë për të përmbushur Shlyerjen? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, sigurohuni që ata e kuptojnë të vërtetën vijuese: Si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në mish, Jezu Krishti qe në gjendje të kryente sakrificën Shlyese, e cila i kërkoi Atij të duronte më shumë sesa mund të duronte një person i vdekshëm dhe rrjedhimisht të përmbushte rolin e Tij në planin e Atit. Përveç kësaj, për shkak se Jezusi kishte fuqi mbi vdekjen, Ai kishte aftësinë të ngrihej nga vdekja. Sigurohuni që studentët e kuptojnë se, nëse Jezu Krishti do të kishte lindur nga dy prindër të vdekshëm, Ai nuk do të kishte mundur ta mposhtte vdekjen apo të duronte dhembjen dhe vuajtjen e pafund të Shlyerjes. Nëse Ai do të kishte lindur nga dy prindër të pavdekshëm, Ai nuk do t’i ishte nënshtruar vuajtjes dhe vdekjes fizike.)

Për ta theksuar më tej këtë doktrinë vendimtare, jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Robert E. Uells, i Të Shtatëdhjetëve, dhe jepuni atyre kohë që ta lexojnë dhe të përsiatin mbi të:

Plaku Robert E. Uells

“Birnia hyjnore e Jezu Krishtit … është thelbësore për të kuptuar të gjithë planin e shpëtimit. Ai është Biri i Parëlindur i Atit në ekzistencën para lindjes dhe Biri i Vetëmlindur i Atit në tokë. Perëndia Ati i Amshuar është prindi i vërtetë i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht dhe i fëmijëve të tjerë të Tij shpirtërorë. …

‘Birnia hyjnore’ i referohet gjithashtu përcaktimit ‘Biri i Vetëmlindur në mish’. … Ky titull ka kuptimin që trupi fizik i Jezusit ishte krijesë e një nëne të vdekshme dhe e një Ati të Amshuar të pavdekshëm, e vërtetë e cila është thelbësore për Shlyerjen, një akt suprem që nuk mund të ishte përmbushur nga një njeri i zakonshëm. Krishti kishte fuqinë për ta lënë jetën e Tij dhe fuqinë për ta marrë atë përsëri për shkak se Ai kishte trashëguar pavdekësinë nga Ati i Tij Qiellor. Nga Maria, nëna e Tij, Krishti trashëgoi vdekshmërinë ose fuqinë për të vdekur.

Kjo shlyerje e pafundme e Krishtit dhe Birnia hyjnore e Krishtit bashkohen dorë më dorë për të formuar doktrinën e vetme më të rëndësishme të të gjithë krishtërimit” (“Our Message to the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 65).

Mbylleni këtë pjesë të mësimit duke bërë pyetjet vijuese:

  • Si ju ndihmon të dalluarit e cilësive që Jezusi trashëgoi nga Maria, të mirëbesoni dhe të keni besim te Shpëtimtari?

  • Si ju ndihmon të dalluarit e cilësive që Jezusi trashëgoi nga Ati Qiellor, të mirëbesoni dhe të keni besim te Shpëtimtari?

1 Nefi 11:13–21

Nefi pa denjimin e Perëndisë

Tregojuni studentëve se ne lexojmë te Libri i Mormonit që Nefi pa një vegim ku ai mësoi për prindërit e Jezu Krishtit. Ne mund të mësojmë të vërteta shtesë prej vegimit të tij. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 11:13–21. Kërkojini pjesës tjetër të klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë doktrina të rëndësishme të dhëna mësim në këtë fragment. Shpjegoni se, në këtë kontekst, fjala denjim do të thotë të ulesh nga një gjendje ose konditë më e lartë në një më të ulët ose të marrësh një pozitë më të vogël.

  • Cilët mësoi Nefi që do të ishin prindërit e Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Perëndia, Ati i Amshuar, dhe Maria janë prindërit e Jezu Krishtit të vdekshëm.)

  • Ndërsa merrni parasysh mësimet e deritanishme në këtë kurs, përse lindja e Jezu Krishtit do të quhej pjesë e denjimit të Tij?

Paraqitni thënien vijuese nga Vëllai Ted R. Kelister, president i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Ted R. Kelister

“Perëndia Biri e dha shtëpinë e Tij qiellore me gjithë zbukurimet e saj çelestiale për një banesë të vdekshme me kushtet e saj primitive. Ai, ‘Mbreti i qiellit’ (Alma 5:50), ‘Zoti i Plotfuqishëm që mbretëron’ (Mosia 3:5) la një fron për të trashëguar një grazhd. Ai e shkëmbeu pushtetin e një perëndie për varësinë e një foshnjeje. … Ishte një shkëmbim i një dimensioni të pakrahasueshëm. … Jehova i madh, krijuesi i botëve pa numër, i pafund në virtyt dhe fuqi, hyri në këtë botë në pelena dhe në një grazhd” (The Infinite Atonement [2000], f. 64).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si lindja në vdekshmëri e Jezu Krishtit ishte gjithashtu pjesë e denjimit të Perëndisë, Atit, lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Denjimi i Perëndisë (domethënë i Atit) qëndron në faktin se, ndonëse Ai është një Personazh i ekzaltuar, i përsosur, i përlëvduar, Ai u bë Ati personal dhe i drejtpërdrejtë i një Pasardhësi të vdekshëm të lindur nga një grua e vdekshme” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 155).

Mbylleni duke i pyetur studentët se çfarë mendimesh dhe ndjenjash kanë ata për Shpëtimtarin ndërsa marrin parasysh denjimin e Tij dhe natyrën e mrekullueshme të lindjes së Tij. Pyesni nëse ndonjë prej tyre do të dëshironte të jepte dëshminë e vet për Shpëtimtarin si një përfundim për orën e sotme mësimore.

Materiale Leximi për Studentin