Seminare dhe Institute
Mësimi 11: Jezu Krishti e Përshkoi Vendin Duke Bërë Mirë


Mësimi 11

Jezu Krishti e Përshkoi Vendin Duke Bërë Mirë

Hyrje

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” na mëson se “[Jezusi] e ‘përshkoi vendin duke bërë mirë’ (Veprat e Apostujve 10:38), por megjithatë u përbuz për këtë” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij e të bërit mirë pavarësisht mundësisë së përndjekjes. Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë arsyet përse ne duhet që ata që na keqtrajtojnë për shkak të bindjeve tona, t’i trajtojmë me të njëjtën dashuri dhe respekt që Jezusi shfaqi ndaj përndjekësve të Tij. Ndërsa ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, ne do të bekohemi me guxim për ta jetuar dhe për ta mbrojtur besimin tonë dhe ne do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët t’i afrohen më pranë Zotit.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 5:43–47; 9:9–13; 12:22–30; Marku 3:1–6; 11:15–19; Gjoni 11:43–53

Jezu Krishti u përndoq ngaqë bëri mirë

Fillojeni orën mësimore duke iu drejtuar studentëve pyetjen vijuese:

  • Kur mendoni për jetën shembullore të Shpëtimtarit, çfarë ju bën më shumë përshtypje nga e gjithë e mira që Ai bëri në vdekshmëri?

Pasi studentët të jenë përgjigjur, lexoni (ose tregoni me vetë fjalët tuaja) rrëfimin vijues të treguar nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth dy motrave misionare:

Plaku Xhefri R. Holland

“Me admirim dhe inkurajim për çdo njeri që do të duhet të mbetet i palëkundur në këto ditë të mëvonshme, unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.

Për shembull, një motër misionare më shkroi kohët e fundit: ‘Unë dhe shoqja ime pamë një burrë të ulur në një stol në qendër të qytetit duke ngrënë drekën e tij. Teksa i shkuam më afër, ai ngriti sytë dhe pa etiketat tona misionare. Me një shikim të tmerrshëm në sy, ai u ngrit me rrëmbim dhe ngriti dorën që të më qëllonte. Iu shmanga tamam në kohë, vetëm që ai të arrinte ta pështynte ushqimin e tij kudo mbi mua dhe të fillonte të na shante me fjalët më të tmerrshme. U larguam pa thënë asnjë fjalë. U përpoqa ta fshija ushqimin nga fytyra ime, vetëm që të ndieja një masë pureje patatesh që më goditi në kokë nga pas. Nganjëherë është e vështirë të jesh një misionare, sepse pikërisht në atë çast doja të kthehesha, ta mbërtheja atë burracak dhe t’i thoja: “Ç’TË ZURI!” Por nuk e bëra’” (“Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6).

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mateun 5:43–47, duke kërkuar për një parim që Jezusi dha mësim në Predikimin e Tij në Mal të cilin këto motra misionare e vunë në zbatim. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që, ndërsa studentët lexojnë, të ushtrojnë teknikën e studimit të shkrimeve të shenjta të zëvendësimit të emrit të tyre për të ndihmuar për individualizimin e mesazhit të këtyre vargjeve. Për ta ushtruar këtë teknikë, studentët duhet ta zëvendësojnë fjalën ju me emrin e vet.)

  • Cili është një parim që Jezusi dha mësim në këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të gjejnë parimin vijues: Nëse do të ndjekim mësimet e Jezu Krishtit, ne duhet të mësojmë t’i duam armiqtë tanë dhe të jemi të dashur me ata që na përndjekin.)

  • Çfarë e bën këtë parim të ungjillit të vështirë për ta vënë në jetë?

Shfaqni thënien vijuese në tabelë:

“[Jezusi] e ‘përshkoi vendin duke bërë mirë’ (Veprat e Apostujve 10:38), por megjithatë u përbuz për këtë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2).

Shpjegoni se, ndonëse Shpëtimtari u pranua nga shumë njerëz edhe në Galile edhe në Jude, dhe shumë vetë i panë veprat e Tij të mira si dëshmi e hyjnisë së Tij, të tjerët e përçmuan dhe e përndoqën Atë për shkak të veprave të Tij të mira.

Në tabelë, renditni fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë nën titullin “Jezusi e përshkoi vendin duke bërë mirë”:

Mateu 9:9–13

Mateu 12:22–30

Marku 3:1–6

Marku 11:15–19

Gjoni 11:43–53

Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup që të studiojë një prej fragmenteve të renditura në tabelë. Kërkojuni studentëve të dallojnë te secili fragment veprën e mirë që bëri Jezusi, dhe mënyrën se si njerëzit iu përgjigjën asaj. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të raportojnë atë çfarë zbuluan. Vini në dukje se ky varg fragmentesh zbulon një model në jetën e Zotit nga i cili ne mund të mësojmë. Bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë vutë re rreth mënyrës se si Shpëtimtari iu përgjigj përndjekjes që përjetoi?

Nxitini studentët që të përfytyrojnë në mendjen e tyre ngjarjen e treguar te fragmenti i shkrimit të shenjtë që studiuan. Më pas pyesni:

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur ju nëse do të kishit qenë të pranishëm me Jezusin në atë rast?

  • Çfarë mendoni se Jezusi do të dëshironte që të mësonit nga fjalët dhe veprimet e Tij në atë kohë? (Sa vijon është një parim që studentët mund ta përcaktojnë: Ndërsa përpiqemi të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit të të bërit mirë, ne ndonjëherë do të na duhet të durojmë përndjekje.)

Mateu 5:9–12, 21–24, 38–41; 6:14–15; 7:1–5, 12

Përgjigjja ndaj përndjekjes

Tregojuni studentëve se, te Predikimi i Tij në Mal, Jezu Krishti i këshilloi dishepujt e Tij për mënyrën se si të përgjigjeshin kur të përndiqeshin. Kopjojeni frazën dhe referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë dhe caktojini secilit student të lexojë të paktën një prej fragmenteve. Kërkojuni studentëve të gjejnë te fragmenti që lexojnë, një parim që Jezusi dha mësim që mund t’i udhëheqë ata në ndërveprimet e tyre me të tjerët.

Si t’i përgjigjesh përndjekjes

Mateu 5:9–12

Mateu 5:21–24 (shih edhe 3 Nefi 12:22)

Mateu 5:38–41; 7:12

Mateu 6:14–15 (shih edhe DeB 64:9–10)

Mateu 7:1–5

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të shpjegojnë parimet që gjetën dhe mënyrën se si ato gjejnë zbatim për marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë. Ndërsa studentët tregojnë parimet që gjetën te Mateu 5:21–24, ju mund të dëshironi të vini në dukje se 3 Nefi 12:22 dhe Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 5, heqin fjalët “pa shkak” (Mateu 5:22; shih edhe Joseph Smith Translation, Matthew 5:24 [(te botimi shdm i Biblës) te Matthew 5:22, shënimi b në fund të faqes]). (Ndërkohë që studentët përgjigjen, theksoni të vërtetën vijuese: Ati Qiellor pret nga ne që të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit kur përndiqemi për shkak të bindjeve tona.)

Paraqitni thëniet vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe Plaku Dallin H. Ouks, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Mbrojini bindjet tuaja me mirësjellje dhe me dashamirësi, por mbrojini ato” (Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 9).

Plaku Dallin H. Ouks

“Pasuesit e Krishtit duhet të jenë shembuj të mirësjelljes. Ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, të jemi dëgjues të mirë dhe të tregojmë shqetësim për bindjet e tyre të sinqerta. Megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk duhet të jemi fyes. Qëndrimet dhe komunikimi ynë mbi tema të diskutueshme nuk duhet të shkaktojnë grindje. Ne duhet të jemi të mençur në shpjegimin dhe ndjekjen e pikëpamjeve tona dhe në ushtrimin e ndikimit tonë. …

Kur pikëpamjet tona nuk fitojnë, ne duhet t’i pranojmë me hir rezultatet e pafavorshme dhe të ushtrojmë mirësjellje me kundërshtarët tanë” (Dallin H. Ouks, “Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 26‑27).

Diskutoni me studentët sfidat dhe bekimet e ndjekjes së këshillës së Plakut Holland dhe Plakut Ouks. Pastaj ftoni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 5:9–12.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë premtimesh bëri Jezusi që mund ta bëjnë më të lehtë të përgjigjemi në mënyra si të Krishtit kur përndiqemi për shkak të bindjeve tona fetare?

Ftojini studentët të përsiatin mbi mënyrën se si mund të vënë në zbatim një ose më shumë prej mësimeve të Shpëtimtarit te Predikimi në Mal në një marrëdhënie aktuale që kanë, ose se si ata mund t’i kishin vënë ato në zbatim në një përvojë të shkuar. Pyesni nëse ndonjë prej studentëve do të ishte i gatshëm t’ia tregonte mendimet e veta klasës.

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Robert D. Hejls

“Disa njerëz gabimisht mendojnë se përgjigje të tilla si qetësia, butësia, zemërgjerësia dhe sjellja e një dëshmie të përulur janë pasive ose të dobëta. Por, të ‘[duam] armiqtë [tanë], [të bekojmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u bëjmë] mirë atyre që [na] urrejnë dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin’ (Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha kurajë të krishterë. …

Kur ne nuk hakmerremi – kur ne kthejmë faqen tjetër dhe u rezistojmë ndjenjave të inatit – ne gjithashtu qëndrojmë me Shpëtimtarin. Ne tregojmë dashurinë e Tij, që është e vetmja forcë që mund të nënshtrojë kundërshtarin dhe t’u përgjigjet akuzuesve tanë pa iu kthyer atyre me akuza. Kjo nuk është dobësi. Kjo është kuraja e Krishterë. …

Kur ne u përgjigjemi të tjerëve, çdo rrethanë do të jetë e ndryshme. Fatmirësisht, Zoti i njeh zemrat e akuzuesve tanë dhe mënyrën si ne mund t’u përgjigjemi atyre më me efikasitet. Ashtu si dishepujt e vërtetë kërkojnë drejtim nga Shpirti, ata marrin frymëzim të përshtatur për çdo përballje. Dhe në çdo përballje, dishepujt e vërtetë përgjigjen në mënyra që ftojnë Shpirtin e Zotit. …

Si dishepuj të vërtetë, shqetësimi ynë parësor duhet të jetë mirëqenia e të tjerëve, jo justifikimi vetjak. Pyetjet dhe kritikat na japin një mundësi t’u drejtohemi të tjerëve dhe të tregojmë se ata kanë rëndësi për Atin tonë Qiellor dhe për ne. Qëllimi ynë duhet të jetë t’i ndihmojmë ata të kuptojnë të vërtetën, jo të mbrojmë egot tona ose të fitojmë pikë në një debat teologjik. Dëshmitë tona me zemër janë përgjigja më e fuqishme që mund t’u japim akuzuesve tanë” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72, 73–74).

Jepuni studentëve kohë të lexojnë dhe të nënvizojnë me ngjyra parimet e dhëna mësim nga Plaku Hejls. Ftojini të tregojnë atë që mësuan. Nëse nevojitet, diskutoni për disa ose të gjitha pyetjet vijuese:

  • Si mund të ndikojnë veprimet tona ndaj njerëzve të tjerë në marrëdhënien e tyre me Perëndinë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa ndjekim shembullin e Krishtit të përgjigjes me dashuri dhe mirësi ndaj atyre që na kundërshtojnë, ne mund ta forcojmë marrëdhënien e tyre me Perëndinë si edhe tonën.)

  • Si është të trajtuarit e të tjerëve në këtë mënyrë, pjesë e besëlidhjes së pagëzimit që kemi bërë me Atin Qiellor? (Ajo është një mënyrë e rëndësishme e të qëndruarit si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet [shih Mosia 18:9].)

Pyetini studentët nëse kanë pasur ndonjë përvojë në të cilën ndjekja e shembullit dhe e mësimeve të Shpëtimtarit i mundësoi ata të ndihmonin dikë tjetër që të afrohej më pranë Zotit. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë përvojat e tyre.

Nxitini studentët të analizojnë marrëdhëniet e tyre me të tjerët, të përcaktojnë një marrëdhënie që mund të përmirësohet, dhe të shkruajnë për mënyrën se si ata do t’i vënë në zbatim parimet e diskutuara sot në atë marrëdhënie.

Materiale Leximi për Studentin