Seminare dhe Institute
Mësimi 2: Jezu Krishti është Qendra e të Gjithë Historisë Njerëzore


Mësimi 2

Jezu Krishti është Qendra e të Gjithë Historisë Njerëzore

Hyrje

Duke dëshmuar për rolin thelbësor të Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor, profetët bashkëkohorë kanë shpallur: “Ne dëshmojmë solemnimisht se jeta e Tij, e cila është qendra e gjithë historisë njerëzore, as nuk filloi në Betlehem, as nuk mbaroi në Kalvar” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë se Ati Qiellor e hartoi planin e Tij të shpëtimit në jetën paratokësore dhe e parashuguroi Jehovën, Jezu Krishtin e para lindjes, që të ishte figura qendrore në atë plan. Studentët do të nxiten ta vendosin Jezu Krishtin në qendër të jetës së tyre të vdekshme.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 12:22–34

Shpëtimtari është në qendër të planit të Perëndisë

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Aleksandër B. Morrison, i Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë. Ftojeni klasën ta ndjekë atë dhe përcaktoni atë që Ati Qiellor u paraqiti fëmijëve të Tij në jetën para lindjes:

Plaku Aleksandër B. Morrison

“Shumë kohë më parë, përpara se toka në të cilën jetojmë të ekzistonte, Perëndia, Ati ynë … hartoi një plan. … [Ai] plan siguroi udhën e përsosur për të gjithë fëmijët e Perëndisë që të merrnin pavdekësinë dhe të fitonin jetën e përjetshme” (“Life—the Gift Each Is Given”, Ensign, dhjetor 1998, f. 15–16).

  • Çfarë bekimesh tha Plaku Morrison mund të marrim përfundimisht si pjesë e planit të Perëndisë? (Shpjegoni se pavdekësia i referohet të qenit të ringjallur – për të mos vdekur më kurrë fizikisht – dhe se jeta e përjetshme i referohet llojit të jetës që jeton Perëndia.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 12:25 dhe të përcaktojnë se si e quan Alma planin e Perëndisë dhe kohën kur u përgatit. Kërkojuni atyre të raportojnë për atë që zbulojnë. (Alma dha mësim se “plani [i] shëlbimit” i Perëndisë u përgatit që “nga krijimi i botës”. Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të dëshironi të vini në dukje se tituj të tjerë të planit të Perëndisë përfshijnë “plani [i] mëshirshëm [i] Krijuesit të madh” [2 Nefi 9:6]; “plani i shpëtimit” [Alma 24:14]; “plani [i] madh [i] Perëndisë së Amshuar” [Alma 34:9]; “plani [i] madh [i] lumturisë” [Alma 42:8]; dhe “besëlidhje … e pafundme [e përjetshme]” [DeB 22:1; 45:9; 66:2].)

Pastaj ftojini studentët të studiojnë në dyshe Almën 12:22–32 duke kërkuar arsyet përse plani i Perëndisë është quajtur plani i shëlbimit. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë t’ia tregojnë gjetjet e tyre klasës. Ndihmojini studentët t’i kuptojnë më mirë këto vargje duke pyetur:

  • Në përputhje me mësimet e Almës, cila do të ishte vështirësia jonë e përjetshme pa planin e shëlbimit? (Pa një plan shëlbimi, nuk mund të kishte ringjallje të të vdekurve ose shëlbim nga mëkati, duke e lenë njerëzimin të humbur e të rënë dhe në një gjendje të vdekjes fizike dhe shpirtërore përgjithmonë [shih edhe 2 Nefi 9:6–13].)

  • Përse ishte thelbësore që të na jepej një udhë për t’i mposhtur këto kushte?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 12:33–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që siguroi Perëndia për të shëlbuar fëmijët e Tij. Ndihmojini studentët të shprehin një doktrinë ose parim që na mësohet në këto vargje, duke pyetur:

  • Si do ta përmblidhnit atë që Jezusi e bën të arritshme për ne në planin e Perëndisë? (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: Nëse pendohemi dhe nuk i ngurtësojmë zemrat tona, ne do të marrim mëshirë dhe një heqje të mëkateve nëpërmjet Birit të Vetëmlindur të Perëndisë. Vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund të marrim një heqje të mëkateve dhe të hyjmë në prani të Atit Qiellor.)

Dëshmoni se Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë dhe se përmes Shlyerjes së Tij na sigurohet udha për të marrë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.

Abraham 3:24–27; 1 Pjetër 1:19–20

Jezu Krishti u parashugurua të ishte Shpëtimtari ynë

Ftojini studentët të shqyrtojnë Abrahamin 3:24–27 dhe 1 Pjetrin 1:19–20, duke kërkuar atë që këto fragmente na mësojnë rreth rolit të Shpëtimtarit në planin e Perëndisë. Më pas bëni pyetjet vijuese. (Vini re: Duke bërë pyetje të tilla, ju mund t’i ndihmoni studentët të mësojnë se si të analizojnë fragmente të shkrimit të shenjtë dhe të përcaktojnë doktrina që na mësohen në to.)

  • Tek Abrahami 3:26, çfarë kuptohet me frazat “gjendje e parë” dhe “gjendje e … dytë”? (“Gjendje e parë” i referohet jetës para lindjes dhe “gjendje e … dytë” i referohet jetës së vdekshme.)

  • Cilët janë tre individët e përmendur tek Abrahami 3:27 dhe çfarë bëri secili prej tyre? (Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Satani. Theksoni se, në jetën para lindjes, Ati Qiellor parashuguroi Birin e Tij të Parëlindur, Jezu Krishtin, për të qenë figura qendrore në planin e Tij.)

Sigurohuni që studentët e kuptojnë se Jezusi njihej si Jehova në jetën para lindjes. Më pas pyesni:

  • Kur Jehova i tha Atit: “Ja ku jam, dërgomë mua”, për çfarë po zotohej Ai që do të bënte në vdekshmëri? (Të jepte mësim ungjillin e Tij, të themelonte Kishën e Tij, të vuante e vdiste për mëkatet tona dhe të ngrihej nga vdekja.)

  • Çfarë solli për ne, në lidhje me mundësitë tona të ardhshme, zgjedhja e Jehovës si Shëlbuesi ynë nga ana e Atit Qiellor?

Kërkojuni studentëve ta studiojnë në heshtje Moisiun 4:2, duke kërkuar të vërteta të tjera të rëndësishme për zgjedhjen nga ana e Atit Qiellor të Jehovës për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Teksa studentët shpjegojnë atë që gjetën, sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetat vijuese: Jehova u zgjodh që nga fillimi fare. Një arsye përse u zgjodh Jehova është se Ai u përpoq të bënte vullnetin e Atit dhe t’ia jepte të gjithë lavdinë Atit. Për t’i theksuar më tej këto të vërteta, paraqitni dhe lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“[Jezu Krishti] ishte me sa duket i vetmi mjaftueshëm i përulur dhe i gatshëm në këshillin para lindjes që të parashugurohej për të [sjellë Shlyerjen e pafundme]” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 35).

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si mund të jetë dukur të ishin të pranishëm kur Ati Qiellor u tha të gjithë fëmijëve të Tij se Biri i Tij i Parëlindur, Jehova, do të ishte Shpëtimtari ynë. Pastaj paraqitni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Profeti Jozef Smith

“Në organizimin e parë në qiell ne qemë të gjithë të pranishëm dhe pamë Shpëtimtarin të zgjidhej e të caktohej, dhe të bëhej plani i shpëtimit, dhe ne e miratuam atë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 209).

  • Çfarë mendoni se dinit për Jehovën që do t’ju ketë bërë ta mbështetni thirrjen dhe caktimin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pastaj jepuni studentëve disa çaste që të shkruajnë ndonjë nga mendimet dhe ndjenjat që kanë për Shpëtimtarin, ndërsa përsiatin të vërtetën hyjnore të dhënë mësim nga Plaku Maksuell:

Plaku Nil A. Maksuell

“Asnjëherë, askush nuk ka ofruar kaq shumë për kaq shumë vetë në kaq pak fjalë si Jezusi kur tha: ‘Ja ku jam, dërgomë mua’. (Abraham 3:27.)” (“Jesus of Nazareth, Savior and King”, Ensign, maj 1976, f. 26).

Merrni parasysh t’u kërkoni disa studentëve t’i tregojnë klasës atë që shkruan.

Vendosja e Shpëtimtarit në qendër të jetës sonë të vdekshme

Drejtojini studentët përsëri tek Abrahami 3:25, ku mësojmë se Ati Qiellor kishte qëllim që vdekshmëria të ishte një kohë prove, për të parë nëse ne do t’u bindeshim urdhërimeve të Tij. Lexoni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien ndërsa klasa kërkon për një zgjedhje që ne duhet të bëjmë si pjesë të provës sonë në vdekshmëri:

Plaku Robert D. Hejls

“Mendoni për këtë: në gjendjen tonë para lindjes, ne zgjodhëm të ndjekim Shpëtimtarin, Jezu Krishtin! Dhe sepse e bëmë, ne u lejuam të vijmë në tokë. Unë dëshmoj se, duke bërë të njëjtën zgjedhje që ta ndjekim Shpëtimtarin tani, ndërsa jemi këtu në tokë, ne do të sigurojmë një bekim edhe më të madh në përjetësira. Por, le të dihet: ne duhet të vazhdojmë të zgjedhim Shpëtimtarin. Përjetësia rrezikohet dhe përdorimi ynë i mençur i lirisë sonë të zgjedhjes e veprimet tona janë thelbësore që të mund të kemi jetë të përjetshme” (“Liria e Zgjedhjes: Thelbësore për Planin e Jetës” Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 25).

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë dhe kuptojnë një parim ose të vërtetë të dhënë mësim nga Plaku Hejls, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mësoni nga thënia e Plakut Hejls rreth zgjedhjeve tona në këtë jetë? (Pasi studentët të përgjigjen, dëshmoni se, duke zgjedhur ta vendosim Shpëtimtarin në qendër të jetës sonë ndërsa jemi këtu në tokë, ne do të marrim bekime më të mëdha në përjetësi.)

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Plaku Hejls me frazën “përjetësia rrezikohet”?

  • Cilat janë disa qëndrime dhe veprime që tregojnë se dikush po zgjedh të ndjekë Jezu Krishtin? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Shpjegoni se, për shumicën prej nesh, është e lehtë të përqendrohen te Shpëtimtari të dielave. Por si mund ta bëjmë Atë më shumë pjesë të jetës sonë gjatë javës? Jepuni studentëve kohë të përsiatin për atë që kanë bërë sot për t’u përqendruar te Shpëtimtari. Ftojini të shkruajnë diçka që mund të bëjnë sot për ta vendosur Shpëtimtarin më plotësisht në qendër të jetës së tyre. Nxitini t’i zotohen në heshtje Atit Qiellor që ata do ta bëjnë atë.

Mbylleni mësimin duke dhënë dëshmi rreth të vërtetave të dhëna mësim sot.

Materiale Leximi për Studentët