Përvoja Nr. 12 e të Nxënit
Marrja Vendim se Si të Jepet Mësim: Bërja e Pyetjeve të Efektshme
Vështrim i Përgjithshëm
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Të kuptuarit e rëndësisë së pyetjeve
-
Krijimin e pyetjeve për [të pasur] rezultate konkrete
-
Bërjen e pyetjeve të efektshme
Konceptet Kyçe
Të Kuptuarit e Rëndësisë së Pyetjeve
Ka shumë teknika mësimdhënieje të efektshme që mund t’i përdorni në klasën tuaj, përfshirë diskutimet në klasë, paraqitjet e mësuesve dhe të shkruarit. Të gjitha këto metoda e rritin procesin e të nxënit dhe të mësimdhënies, por ekziston një metodë që është më e rëndësishmja se pothuajse çfarëdo metode tjetër. Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Bërja e pyetjeve dhe përgjigjja e pyetjeve është në zemër të të nxënit në tërësi dhe të të gjithë mësimdhënies” (“The Lord Will Multiply the Harvest” [një mbrëmje me Plakun Henri B. Ajring, 6 shkurt 1998], f. 5–6, si.churchofjesuschrist.org; theksimi i shtuar).
Të mësuarit për të krijuar me kujdes pyetje të mira kërkon kohë, përpjekje dhe ushtrim. Kjo përvojë e të nxënit do t’ju ndihmojë që të mësoni të bëni pyetje që mund të kenë ndikime të thella te studentët tuaj.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve” (02:42), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Ndërkohë që e shihni materialin filmik, kërkoni pikëpamje mbi rëndësinë e bërjes së pyetjeve të efektshme.
Krijimi i Pyetjeve me Qëllimshmëri
Pyetjet që ju bëni duhet t’i ftojnë studentët që t’i zbatojnë elementët e modelit të të nxënit. Meqenëse çdo element çon drejt një rezultati të ndryshëm, llojet e pyetjeve që bëni do të ndryshojnë bazuar në rezultatin e dëshiruar.
Për shembull, nëse rezultati që ju kërkoni është t’i ndihmojë studentët të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta, bëni pyetje lidhur me njerëzit, radhën e ngjarjes dhe sfondin kulturor. Sidoqoftë, nëse rezultati që ju kërkoni është t’i ndihmojë studentët të zbatojnë një doktrinë ose parim, bëni pyetje që i nxitin ata të reflektojnë mbi mënyrat si mund ta përfshijnë një doktrinë a parim në jetën e tyre.
Parimet Bazë të të Nxënit dhe Pyetjet Tipike
Sa vijon janë shembuj të pyetjeve që mund t’ua bëni studentëve, të cilat lidhen me çdo parim bazë të të nxënit. Vëreni se si pyetjet në secilin nivel e përforcojnë njëra-tjetrën, duke filluar me të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen dhe duke kaluar te të zbatojnë doktrinën dhe parimet.
-
Të Kuptojnë Kontekstin dhe Përmbajtjen
-
Cilët janë njerëzit e përfshirë në këtë histori?
-
Çfarë po ndodh në këtë fragment?
-
Ku po ndodhin këto ngjarje?
-
-
Të Dallojnë Doktrinën dhe Parimet
-
Çfarë doktrine dhe parimesh vini re?
-
Cili është morali ose thelbi i historisë?
-
Çfarë synonte autori për ne që të mësojmë?
-
-
Të Kuptojnë Doktrinën dhe Parimet
-
Çfarë dini për këtë parim?
-
Si mendoni ju, përse ky parim është i rëndësishëm për ne sot?
-
Si do t’ia shpjegonit këtë parim dikujt tjetër?
-
Çfarë sjelljesh dhe veçorish do të shihnit tek dikush që po e jeton këtë parim?
-
-
Të Ndiejnë të Vërtetën dhe Rëndësinë e Doktrinës dhe Parimeve
-
Kur e keni ndier të vërtetën e këtij parimi?
-
Si e dini që ky është një parim i vërtetë?
-
Kur jeni bekuar ngaqë i jeni bindur këtij parimi?
-
-
Të Zbatojnë Doktrinën dhe Parimet
-
Çfarë do të bëni për shkak të asaj që keni ndier sot?
-
Çfarë ndryshimesh mund të bëni për ta zbatuar këtë parim në jetën tuaj?
-
Të Bërit e Pyetjeve që i Ndihmojnë Studentët ta Kuptojnë Kontekstin dhe Përmbajtjen
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen e një blloku të shkrimit të shenjtë, bëni pyetje që i nxitin studentët të kërkojnë informacion rreth asaj që po lexojnë dhe që i ndihmojnë ata të zbërthejnë atë që gjejnë.
Pyetje që i Ndihmojnë Studentët të Kërkojnë Informacion
Kur e ndihmoni klasën tuaj që të kuptojë kontekstin dhe përmbajtjen e një blloku të shkrimit të shenjtë, bëni pyetje që i nxitin ata të kërkojnë informacion lidhur me njerëzit, radhën e ngjarjes, sfondin kulturor dhe hollësi të tjera. Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve shpesh gjenden drejtpërdrejt në tekstin e shkrimit të shenjtë ose në [materialet] ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta të tilla si: poshtëshënimet, Bible Dictionary [Fjalori Biblik], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, hartat dhe fotografitë në shkrimet e shenjta, e kështu me radhë. Këto burime duhet t’i ndihmojnë studentët të kuptojnë hollësitë konkrete të bllokut të shkrimit të shenjtë. Për shembull, ju mund të bëni pyetje si këto që vijojnë:
-
Sipas 1 Nefit 3:1–4, kush e urdhëroi Nefin që të shkonte te Labani dhe të merrte analet?
-
Kërkoni te 1 Nefi 16:10. Si dukej Liahona?
-
Kërkojeni fjalën Apostull në Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Çfarë kuptimi ka kjo fjalë? (Ju mund ta bëni këtë pyetje pasi studentët të kenë lexuar Llukën 6:13.)
Lexojeni seksionin 5.1.1 në faqet 65–66 të manualit tuaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Teksa lexoni, theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që ju ndihmojnë të kuptoni se si bërja e pyetjeve që i nxitin studentët të kërkojnë informacion, mund t’i ndihmojë ata të zbulojnë kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Kërkimi për Informacion” (01:36), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një mësuese seminari krijon pyetje që do t’i ndihmojnë studentët e saj të kërkojnë informacion të rëndësishëm lidhur me përmbajtjen dhe kontekstin e Doktrina e Besëlidhjeve 1:1–4.
Pyetje që i Ndihmojnë Studentët të Zbërthejnë Kontekstin dhe Përmbajtjen
Pasi studentët të jenë njohur me hollësitë bazë të një fragmenti, bëni pyetje që i ftojnë ata të zbërthejnë hollësitë e radhës së ngjarjes, njerëzit dhe rrethanat e tyre, e kështu me radhë.
Për shembull, kur të jeni duke studiuar Llukën 5:1–11, studentët do të mësojnë që Pjetri kishte peshkuar gjithë natën pa pasur sukses. Për t’i ndihmuar studentët ta zbërthejnë fragmentin më në thellësi, ju mund të bëni pyetje të tilla si këto që vijojnë:
-
Si mendoni ju, përse Pjetri ngurroi që të vazhdonte të peshkonte sërish?
-
Si mendoni ju, përse Shpëtimtari ia bëri këtë kërkesë Pjetrit?
Studiojini paragrafët poshtë nëntitullit “Të ndihmuarit e studentëve për të kuptuar më mirë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta” në seksionin 5.1.2 në faqen 66–67 të manualit Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që ju ndihmojnë të kuptoni se si bërja e pyetjeve që i ndihmojnë studentët të zbërthejnë kontekstin dhe përmbajtjen, do të ndihmojë për ta thelluar dhe zgjeruar të kuptuarit e tyre ndaj shkrimeve të shenjta.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Analizimi i Kontekstit dhe i Përmbajtjes” (01:45), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një mësuese seminari bën pyetje që i nxitin studentët ta zbërthejnë përmbajtjen dhe kontekstin e Doktrina e Besëlidhjeve 1:1–4.
Të Bërit e Pyetjeve që i Ndihmojnë Studentët të Dallojnë Doktrinën dhe Parimet
Kur bëni pyetje që i ndihmojnë studentët të dallojnë doktrinën dhe parimet, ju i ftoni ata që t’i zbulojnë si dhe t’i shpallin qartësisht të vërtetat e rëndësishme që kanë mësuar.
Për shembull, pasi ta keni studiuar historinë e Nefit që merr fletët prej tunxhi, ju mund të pyetni: “Çfarë parimi ilustrohet nga suksesi i Nefit lidhur me marrjen e fletëve prej tunxhi pavarësisht peripecive të mëdha?” Kjo i nxit studentët që të dallojnë dhe të shpallin një doktrinë ose parim me vetë fjalët e tyre, të tillë si Unë mund të përmbush gjëra të mëdha kur bëj atë që Zoti kërkon nga unë.
Studiojini paragrafët poshtë nëntitullit “Të ndihmuarit e studentëve për të dalluar parimet dhe doktrinat e ungjillit” në faqen 67, të manualit tuaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që ndihmojnë ta qartësojnë rëndësinë e bërjes së pyetjeve që i nxitin studentët të dallojnë doktrinën dhe parimet.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Përcaktimi i Doktrinës dhe Parimeve” (00:42), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një klasë diskuton për Eksodin 17, që përmban rrëfimin e Moisiut, të cilit iu desh t’i mbante duart lart në mënyrë që të ndalonte ushtrinë e izraelitëve në fushëbetejë. Teksa e shihni materialin filmik, kërkoni mënyrën se si mësuesi e pyet klasën për të dalluar një parim nga historia.
Të Bërit e Pyetjeve që i Ndihmojnë Studentët të Kuptojnë Doktrinën dhe Parimet
Sapo studentët ta kenë dalluar një doktrinë apo parim, bëni pyetje që e ndihmojnë klasën të kuptojë 1) se ç’domethënie ka doktrina ose parimi dhe 2) se si doktrina ose parimi mund të jetë e rëndësishme në ditët e sotme. Për shembull, pasi klasa të ketë dalluar parimin Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme (Lluka 1:37), ju mund të bëni pyetje të tilla si: “Çfarë mendoni se do të thotë fjala e pamundshme?” dhe “Përse mendoni se na nevojitet ta kuptojmë këtë parim në ditët e sotme?”
Studiojini paragrafët poshtë nëntitullit “Të ndihmuarit e studentëve për të zhvilluar një kuptueshmëri më të thellë të doktrinave dhe parimeve” në faqen 67 të manualit tuaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që e qartësojnë rëndësinë e bërjes së pyetjeve që i nxitin studentët t’i kuptojnë doktrinën dhe parimet.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Parimeve” (00:41), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një mësues instituti i paraqet një parim studentëve të tij dhe i bën një pyetje që i ndihmon ata ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre ndaj atij parimi.
Të Bërit e Pyetjeve që i Ndihmojnë Studentët të Ndiejnë të Vërtetën dhe Rëndësinë e Doktrinës dhe Parimeve
Ju mund t’i ndihmoni studentët që të ndiejnë personalisht të vërtetën dhe rëndësinë e një parimi duke i bërë pyetje që i ftojnë ata të tregojnë përvojat dhe dëshminë. Po ashtu, studentët mund të jenë shumë më të pranueshëm ndaj një parimi pasi studentët e tjerë të kenë dëshmuar për ndikimet e tij në jetën e tyre.
Për shembull, pasi klasa juaj ta ketë thelluar kuptueshmërinë e vet për parimin Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme (Lluka 1:37), ju mund të bëni pyetjen vijuese: “Mendoni për një rast kur Perëndia ju ndihmoi juve ose dikë që njihni, të bënit diçka që dukej e pamundur. Si e forcoi ajo përvojë dëshminë tuaj për fuqinë e Perëndisë?”
Studiojeni seksionin 5.1.3 në faqet 67–68 të manualit tuaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që e qartësojnë rëndësinë e bërjes së pyetjeve që i nxitin studentët të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe parimeve.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Ftesa e Ndjenjave dhe e Dëshmisë” (00:48), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një klasë diskuton një parim nga Alma 7. Vëreni se si mësuesi bën një pyetje që do t’i ndihmojë studentët të ndiejnë të vërtetën e parimit dhe rëndësinë e tij.
Të Bërit e Pyetjeve që i Nxitin Studentët të Zbatojnë Doktrinën dhe Parimet
Edhe kur studentët e kuptojnë dhe e ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e një parimi, ata prapëseprapë duhet të zgjedhin ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Roli juaj si mësues/e është të bëni pyetje që i ndihmojnë studentët të marrin në shqyrtim se si t’i zbatojnë parimet e ungjillit në situatat e tyre të tanishme dhe atyre në vijimësi. Për shembull, pas një diskutimi me klasën mbi parimin Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme (Lluka 1:37), ju mund të pyetni: “Si do ta vendosni mirëbesimin tuaj te Perëndia kur përballeni me një situatë që duket e pamundur?”
Për shkak se përgjigjet e disa studentëve mund të jenë tepër vetjake ose delikate, ju mund të doni që studentët t’i shkruajnë përgjigjet e tyre ndaj kësaj lloj pyetjeje në ditarët e tyre të studimit, në vend që t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre.
Studiojeni seksionin 5.1.4 në faqet 68–69 të manualit tuaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Theksojini me ngjyrë fjalët ose frazat që e qartësojnë rëndësinë e bërjes së pyetjeve që i nxitin studentët të zbatojnë doktrinën dhe parimet në jetën e tyre.
Shihni materialin filmik “Bërja e Pyetjeve: Nxitja e Zbatimit” (00:50), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një klasë diskuton për një parim nga Lluka 5:12–26. Vëreni se si mësuesi bën pyetje që i ndihmojnë studentët të marrin në shqyrtim se si mund ta zbatojnë parimin në jetën e tyre.
Përdorimi i Pyetjeve nga Manuali Juaj i Mësuesit
Një nga burimet më të mëdha që keni për shembuj të pyetjeve të efektshme, është manuali juaj i mësuesit. Çdo mësim përmban pyetje të sugjeruara që duhet t’i merrni parasysh t’i përdorni në mësimin tuaj. Shumë pyetje në manualin tuaj të mësuesit janë bërë për t’i ndihmuar studentët të zbatojnë elementet e modelit të të nxënit.
Teksa përpiqeni t’i përmirësoni aftësitë tuaja në të shkruarin e pyetjeve, juve mund t’ju duket udhëzuese t’i shqyrtoni pyetjet në manualin tuaj të mësuesit për t’i kuptuar më mirë veçoritë e pyetjeve të mirëkrijuara.
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
Bërja e pyetjeve dhe përgjigjja e tyre është në zemër të të nxënit në tërësi dhe të të gjithë mësimdhënies.
-
Bërja e pyetjeve të efektshme është një nga aftësitë më të rëndësishme që ju si mësues mund të zhvilloni.
-
Përdorimi i pyetjeve të krijuara me kujdes mund t’ju ndihmojë juve dhe studentët tuaj të arrini rezultate konkrete e të synueshme.
-
Të mësuarit për të krijuar me kujdes pyetje të mira kërkon kohë, përpjekje dhe ushtrim.
“Bëni pyetje të ndërtuara me kujdes, që na shtyjnë të mendojmë. Edhe kur përgjigjet nuk janë të përsosura, ato do ta rritin mundësinë që mësimet e rëndësishme të mësohen” (Richard G. Scott, “To Understand and Live Truth” [një mbrëmje me Plakun Riçard G. Skot, 4 shkurt 2005], f. 3; si.churchofjesuschrist.org).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.