Përvoja Nr. 3 e të Nxënit
Mësimdhënia dhe të Nxënit me Anë të Shpirtit
Vështrim i Përgjithshëm
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Të kuptuarit e rolit të Frymës së Shenjtë në mësimdhënien dhe të nxënit
-
Plotësimin e të dyja nevojave të studentëve që shihen dhe që nuk shihen
-
Të ftuarit e ndikimit të Frymës së Shenjtë
Konceptet Kyçe
Roli i Frymës së Shenjtë në Mësimdhënien dhe të Nxënit
“Mësimdhënia dhe të nxënit e ungjillit ndodh përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë. … Vetëm nëpërmjet mësimdhënies dhe të nxënit me anë të Shpirtit studentët do të arrijnë t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit në një mënyrë të tillë që të mund të kualifikohen për jetën e përjetshme” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 13).
Përse të Japim Mësim dhe të Nxëmë me Anë të Shpirtit?
Motra Kristin Park ka dhënë përditë mësim për pesë vjet në seminar, në Reding, Kaliforni, dhe vazhdimisht kërkon që të plotësojë nevojat dhe rrethanat e veçanta të studentëve të saj. Shihni materialin filmik “Nevojat e Studentëve” (01:35), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, motra Park tregon shpresat e veta për studentët e saj dhe gjithashtu çfarë peshon në zemrën e në mendjen e saj, teksa ajo përpiqet t’i ndihmojë studentët e vet që të përjetojnë një kthim më të thellë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit.
Sikurse motra Park ka studentë me nevoja e sfida të shumëllojshme, po ashtu do të keni dhe ju. Shembujt vijues paraqesin disa rrethana tipike të studentëve. Mendoni për mënyrën se si rrethanat e studentëve tuaj mund të ndikojnë në mënyrën se si Shpirti e udhëheq mësimdhënien tuaj.
-
“Ndonjëherë shkolla më bën të jem shumë i/e zënë. Më duhet të mësoj tej mase për lëndët e mia të tjera mësimore.”
-
“Shpresoj që të mund të përqendrohem sot në klasë. Nuk lexoj shumë mirë dhe e kam të vështirë që ta kem vëmendjen.”
-
“Jam i/e rrethuar nga kaq shumë njerëz, por prapëseprapë ndihem i/e vetmuar.”
-
“Më pëlqen që jam këtu në seminar – më në fund një vend ku ndihem i/e pranuar.”
-
“Nuk e di nëse duhet të jem sot këtu. Kam bërë ca gjëra për të cilat ndihem i/e turpëruar.”
-
“Mendoj se jam i/e vetmi/ja në familjen time që nuk kam një dëshmi.”
Nëse mbështetemi veç në aftësitë tona vetjake, ne nuk do të jemi në gjendje t’iu përgjigjemi të gjitha nevojave të veçanta të studentëve tanë. Sidoqoftë, nëse ne jemi të përgatitur dhe i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë, ne do të udhërrëfehemi që të japim mësim në një mënyrë që do ta thellojë kthimin në besim të studentëve tanë dhe do të na ndihmojë t’i plotësojmë nevojat e tyre që shihen dhe që nuk shihen.
Shihni materialin filmik “Të Japësh Mësim me Anë të Shpirtit” (01:39), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, motra Park tregon rëndësinë e pasjes së Shpirtit që e udhërrëfen atë teksa jep mësim.
Më pas, shihni materialin filmik “Zoti e Di Çdo Nevojë” (00:45), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon se si Fryma e Shenjtë mund t’ju udhërrëfejë për t’i plotësuar nevojat e studentëve tuaj.
Të Ftuarit e Shpirtit për të Përmbushur Rolin e Tij
Kur ne e kuptojmë rolin e Frymës së Shenjtë në mësimdhënien dhe të nxënit e ungjillit, ne do të bëjmë gjithçka mundemi për ta ftuar Atë që të përmbushë rolin e Tij në jetën tonë dhe në jetën e studentëve tanë (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, seksioni 2.1 [“Të Japin Mësim dhe të Nxënë me Anë të Shpirtit”], faqe 13).
Mësuesit mund të bëjnë sa vijon që ta ftojnë Shpirtin të përmbushë rolin e Tij:
-
Përpiqen për denjësi vetjake.
-
Ofrojnë një “lutje … besimi” (DeB 42:14).
-
Përpiqen që të jenë plotësisht të përgatitur për çdo mësim.
-
Përpiqen që të përqendrohen te përvoja e të nxënit e studentëve të tyre.
-
Kërkojnë paqe në vend që të ndihen të zemëruar dhe të shqetësuar për gjëra të tjera.
-
Kanë një shpirt të kërkimit me përulësi.
-
Nxitin studentët ta ftojnë Frymën e Shenjtë në përvojat e tyre të të nxënit.
Shihni materialin filmik “Të Ftojmë Shpirtin: Mësuesit” (02:47), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, mësuesit tregojnë se çfarë mund të bëjnë që ta ftojnë Shpirtin në zemrën e tyre dhe në klasë. Teksa e shihni materialin filmik, mbani shënime te manuali juaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit rreth praktikave të rëndësishme që doni t’i mbani mend.
Mësuesit dhe studentët mund të bëjnë sa vijon që ta ftojnë Shpirtin të përmbushë rolin e Tij:
-
Lexojnë dhe japin mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve.
-
I përqendrojnë shembujt dhe diskutimet te Shpëtimtari dhe dhënia e dëshmisë për Të.
-
I deklarojnë thjesht dhe qartë doktrinën dhe parimet e ungjillit.
-
Gjejnë kohë për përsiatje të kujdesshme gjatë çasteve të qetësisë së frymëzuar.
-
Tregojnë përvoja të përshtatshme vetjake dhe dëshmojnë për doktrinën e parimet.
-
Shprehin dashuri dhe mirënjohje për njëri-tjetrin dhe për Zotin.
Shihni materialin filmik “Të Ftosh Shpirtin: Mësues dhe Studentë” (02:23), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, mësuesit dhe studentët tregojnë se çfarë mund të bëjnë që ta ftojnë Shpirtin në zemrën e tyre dhe në klasë. Teksa e shihni materialin filmik, mbani shënime te manuali juaj Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit rreth praktikave të rëndësishme që doni t’i mbani mend.
Në ditarin tuaj vetjak, shkruani disa mbresa ose pika për veprim që ju kanë ardhur në mendje teksa keni përsiatur se në ç’mënyrë ju dhe studentët tuaj mund ta ftoni Frymën e Shenjtë që ta përmbushë rolin e Tij në mësimdhënien dhe të nxënit e ungjillit.
Shiheni shtojcën e këtij manuali për fletushkën e titulluar “Inviting the Holy Ghost to Fulfill His Role in Gospel Teaching and Learning” [“Të Ftuarit e Frymës së Shenjtë që ta Përmbushë Rolin e Tij në Mësimdhënien dhe të Nxënit e Ungjillit”], e cila rendit mënyrat se si mësuesit mund ta ftojnë Shpirtin që ta përmbushë rolin e Tij.
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
“Mësimdhënia dhe të nxënit me anë të Shpirtit ndodh kur Fryma e Shenjtë po luan rolin ose funksionet e Tij me mësuesin, me studentin ose me të dy” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit f. 13).
-
Teksa jeni të vëmendshëm ndaj nxitjeve të qeta të Shpirtit, ju mund të drejtoheni që të ndihmoni për plotësimin e nevojave të studentëve, që shihen dhe që nuk shihen.
-
Sapo ju dhe studentët tuaj ta kuptoni rolin vendimtar që luan Fryma e Shenjtë në nxënien shpirtërore, ju do të bëni gjithçka që mundeni për ta ftuar Shpirtin t’i përmbushë këto role.
“Asnjë nxënie e përjetshme nuk mund të zërë vend pa gjallërinë e Shpirtit nga qielli. … Për këtë arsye, ju duhet ta jepni mësim ungjillin ‘me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën’ [DeB 50:14]” (Dieter F. Uchtdorf, “A Teacher of God’s Children” [një mbrëmje me Presidentin Diter F. Uhtdorf, 28 janar 2011], f. 7, si.churchofjesuschrist.org).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.