Ndihma Shtesë për Zhvillimin e Mësuesve
Përvoja Nr. 14 e të Nxënit: Hyrje në Zotërimin Doktrinor


“Përvoja Nr. 14 e të Nxënit: Hyrje në Zotërimin Doktrinor”, Burim Trajnimi për Mësuesin e Ri: Një Shoqërues i Manualit Mësimdhënia dhe Të Nxënit e Ungjillit për Përmirësimin e Mësuesit (2016)

“Përvoja Nr. 14 e të Nxënit”, Burim Trajnimi për Mësuesin e Ri

Përvoja Nr. 14 e të Nxënit

Hyrje në Zotërimin Doktrinor

Vështrim i Përgjithshëm

Kjo përvojë e të nxënit përfshin konceptet vijuese:

  • Të kuptuarit e qëllimeve dhe rezultateve të dëshiruara nga Zotërimi Doktrinor

  • Të nxënit dhe zbatimin e parimeve hyjnore për të marrë njohuri shpirtërore nga Zotërimi Doktrinor

  • Arritjen e zotërimit të doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit

  • Vënien në Zbatim në Klasë të Zotërimit Doktrinor

Shënim: Kjo përvojë e të nxënit jep një vështrim të përgjithshëm të parimeve dhe praktikave të Zotërimit Doktrinor. Për një shqyrtim më në thellësi, ju lutem shihni materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, fletushkën “Vështrim i Përgjithshëm i Zotërimit Doktrinor” dhe faqen doctrinalmastery.churchofjesuschrist.org.

Konceptet Kyçe

Pse Zotërimi Doktrinor?

Si mësues në Seminaret dhe Institutet e Fesë, ne kërkojmë t’i ndihmojmë studentët ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin duke i ndihmuar ata ta kuptojnë, besojnë dhe të jetojnë në përputhje me doktrinën e Tij (shih Helamani 5:12). Sidoqoftë, sot mësuesit dhe studentët në mënyrë të ngjashme përballen me sfida të mëdha për ndërtimin e besimit te Jezu Krishti. Merrini parasysh disa shembuj të këtyre sfidave në jetën tuaj dhe në jetën e studentëve tuaj. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi disa prej rrethanave sfiduese me të cilat përballen studentët dhe mësuesit:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Kanë ikur kohët kur studentët ishin të mbrojtur nga njerëzit që e sulmonin Kishën. …

… Jo të gjithë studentët tuaj e kanë besimin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat e ardhshme. …

[Jetojmë në një kohë] kur studentët kanë qasje të menjëhershme ndaj çdo gjëje virtuale rreth Kishës nga çdo pikëpamje e mundshme. Sot, ajo që ata shohin në aparatet e tyre telefonike, ka gjasë të jetë sfiduese për besimin po aq sa të jetë rritëse e besimit. …

Në dritën e këtyre sfidave, Bordi i Arsimimit kohët e fundit miratoi një nismë në seminar të quajtur Zotërimi i Doktrinës. … [K]jo nismë e re do të përqendrohet te ndërtimi dhe forcimi i besimit të studentëve tanë te Jezu Krishti dhe fortifikimi i tyre me mundësi më të madhe për ta jetuar dhe vënë në zbatim ungjillin në jetën e tyre. …

Kjo nismë është e frymëzuar dhe e kohës. Ajo do të ketë një ndikim të mrekullueshëm tek të rinjtë tanë” (M. Rasëll Ballard, “Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 26 shkurt 2016]).

Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?

Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë nismën Zotërimi Doktrinor, shiheni materialin filmik “What Is Doctrinal Mastery?” [“Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?”] (03:53), që është në dispozicion në churchofjesuschrist.org. Teksa e shihni, mbajini në mendje pyetjet vijuese:

  • Pse Zotërimi Doktrinor është i frymëzuar dhe i kohës për rininë e sotme?

  • Cilat janë rezultatet e dëshiruara nga Zotërimi Doktrinor?

Rezultatet e Dëshiruara nga Zotërimi Doktrinor

Pamja
faqja kryesore grafike e Zotërimit Doktrinor

Zotërimi Doktrinor përqendrohet mbi dy rezultate:

  • Të nxënit dhe zbatimin e parimeve hyjnore për të marrë njohuri shpirtërore

  • Arritjen e zotërimit të doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit dhe të fragmenteve të shkrimeve të shenjta në të cilat jepet mësim ajo doktrinë

Këto dy rezultate plotësojnë njëra-tjetrën dhe mund t’i ndihmojnë studentët që ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij. Teksa studentët i arrijnë këto rezultate, ata e thellojnë kthimin e tyre në besim dhe mund t’i ndihmojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Në këtë përvojë të të nxënit, ne do ta shqyrtojmë secilin rezultat të Zotërimit Doktrinor me më shumë hollësi, do të shohim se si vihen në zbatim në një mjedis klase dhe do ta kuptojmë më mirë se si studentët mund të bekohen më plotësisht nga Jezu Krishti dhe doktrina e Tij.

Marrja e Njohurisë Shpirtërore

Rezultati i parë është që studentët të ndihmohen për t’i mësuar e zbatuar parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore. Perëndia i di të gjitha gjërat dhe është burimi i gjithë së vërtetës. Për shkak se Ai na do, Ai dëshiron të na ndihmojë që ta gjejmë të vërtetën teksa përpiqemi ta njohim e ta kuptojmë doktrinën e Tij dhe teksa kërkojmë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet tona.

Teksa punoni me këtë pjesë, merrini parasysh disa nga pyetjet dhe shqetësimet që studentët tuaj mund të kenë, të tilla si: “Pse ka kaq shumë vuajtje në botë?” “A e ushtronte Jozef Smithi poligaminë?” dhe “A më do Perëndia?”

Pamja
faqja grafike e marrjes së njohurisë shpirtërore nga Zotërimi Doktrinor

Tre parimet vijuese të marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i udhërrëfejnë edhe mësuesit, edhe studentët teksa kërkojnë të mësojnë dhe të kuptojnë të vërtetën e përjetshme, të zgjidhin pyetjet dhe shqetësimet dhe teksa marrin vendime në jetën e tyre të përditshme:

  • Veproni me besim

  • Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Secili prej këtyre parimeve shpjegohet dhe ilustrohet më tej në pjesët vijuese.

Veproni me Besim

Kur veprojmë me besim, ne i mirëbesojmë Perëndisë dhe drejtohemi tek Ai fillimisht nëpërmjet lutjes së sinqertë, studimit dhe bindjes. Ne mbështetemi tek ajo që tashmë e dimë se është e vërtetë dhe vazhdojmë të kërkojmë përgjigje. Kemi mirëbesim se pyetjet dhe shqetësimet tona do të marrin përgjigje dhe do të zgjidhen në kohën e Zotit.

Shiheni materialin filmik “Veproni me Besim: Gurgdhendësi” (04:58), që është në dispozicion në churchofjesuschrist.org. Teksa e shihni këtë material filmik, kërkoni mënyra se si mund të zgjidhen pyetjet dhe shqetësimet tona me kalimin e kohës duke vazhduar të veprojmë me besim.

Shqyrtojini Konceptet dhe Pyetjet me një Këndvështrim të Përjetshëm

Duke i shqyrtuar imtësisht pyetjet, shqetësimet, problemet shoqërore dhe ngjarjet historike në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë për t’i parë gjërat ashtu siç i sheh Zoti. Ne përqendrohemi tek anët e rëndësishme të ungjillit dhe nuk shpërqendrohemi nga hollësitë më pak domethënëse.

Shiheni materialin filmik “Shqyrtimi i Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm” (02:56), që është në dispozicion në churchofjesuschrist.org. Ndërsa e shihni këtë material filmik, kërkoni mënyra se si mund t’i riformulojmë pyetjet dhe shqetësimet (ose t’i shikojmë ato ndryshe) dhe t’i shohim idetë duke u bazuar te standardi i Zotit për të vërtetën në vend që t’i pranojmë premisat apo hamendësimet e botës. Teksa e shihni, mbajeni në mendje pyetjen vijuese:

  • Si i ndihmon studentët tuaj kuptueshmëria për planin e Atit Qiellor për shpëtimin dhe për doktrinën e Tij që t’i shohin më mirë pyetjet dhe shqetësimet e tyre me një këndvështrim të përjetshëm?

Mbajini shënim përgjigjet tuaja ndaj kësaj pyetje në një ditar studimi ose në ndonjë vend tjetër ku mund të drejtoheni tek ajo dhe ndajini ato me udhëheqësin tuaj të praktikës ose grupin.

Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme Nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore

Kur kërkojmë kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore, ne fitojmë njohuri shpirtërore nëpërmjet Frymës së Shenjtë, shkrimeve të shenjta, profetëve, prindërve, udhëheqësve të Kishës dhe burimeve të tjera të besuara. Ndëra mësojmë nga këto burime, ne mësojmë ta dallojmë e ta shquajmë të vërtetën nga gabimi.

Mendoni për burimet e caktuara në mënyrë hyjnore që ju dhe studentët tuaj mund t’i përdorni për të kërkuar kuptueshmëri të mëtejshme, të tilla si shkrimet e shenjta dhe mesazhet nga konferenca e përgjithshme. Merrni parasysh edhe burime të tjera të besuara që mund të përdorni, të tilla si burimet në faqen “Gospel Topics, Essays, and Other Resources” [“Tema të Ungjillit, Ese dhe Burime të Tjera”]churchofjesuschrist.org.

Veprimtaria Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor

Studiojeni pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor për t’i shqyrtuar dhe për t’u njohur më shumë me parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Shqyrtojini tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore të përvijuara në këtë pjesë dhe nënvizoni anë të tjera të rëndësishme të marrjes së njohurisë shpirtërore.

Arritja e Zotërimit të Doktrinës

Rezultati i dytë i Zotërimit Doktrinor është arritja e zotërimit të doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit. Duke e arritur zotërimin e doktrinës, studentët mund të bëhen të aftë për t’i përdorur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në kërkimin e tyre për të vërtetën.

Pamja
faqja grafike e arritjes së zotërimit të doktrinës nga Zotërimi Doktrinor

Në vijim janë tre elemente të rëndësishme të arritjes së zotërimit të doktrinës:

  • Kuptojini temat doktrinore dhe pohimet kyç të doktrinës

  • Dijini fragmentet e zotërimit doktrinor

  • Shpjegojeni dhe zbatojeni doktrinën

Kuptojini Temat Doktrinore dhe Pohimet Kyç të Doktrinës

Përveç parimeve për marrjen e njohurisë shpirtërore, studentët do të studiojnë nëntë tema doktrinore. Secila temë doktrinore përfshin pohime të doktrinës që janë të rëndësishme për t’u kuptuar, besuar dhe zbatuar nga studentët. Disa nga këto pohime të doktrinës nga Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor quhen pohime kyç të doktrinës. Këto pohime kyç shoqërohen nga fragmente shkrimesh të shenjta të zotërimit doktrinor që ndihmojnë për të dhënë mësim disa anë të pohimeve të doktrinës.

Dijini Fragmentet e Zotërimit Doktrinor

Ka 25 fragmente të zotërimit doktrinor për çdo kurs studimi (100 fragmente gjithsej). Këto fragmente shkrimesh të shenjta ndihmojnë për t’i dhënë mësim anët e pohimeve kyç që shoqërohen nga secila temë doktrinore. Për shembull, pohimi kyç vijues i doktrinës shoqërohet me një fragment të zotërimit doktrinor nga tema doktrinore “Shlyerja e Jezu Krishtit”: “[Sakrifica e Jezu Krishtit] i sjell përfitim secilit prej nesh dhe tregon vlerën e pafundme të secilit dhe çdonjërit prej fëmijëve të Atit Qiellor (shih DeB 18:10–11)” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2016], f. 6). Ndihma që iu jepni studentëve për t’i kujtuar e gjetur këto fragmente dhe për të kuptuar se si fragmentet ndihmojnë për ta dhënë mësim doktrinën e Shpëtimtarit, është një pjesë e rëndësishme e punës suaj si mësues/e.

Shpjegojeni dhe Zbatojeni Doktrinën

Një pjesë e rëndësishme e arritjes së zotërimit të doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit është të qenit në gjendje ta shpjegoni qartë çdo pohim kyç të doktrinës dhe ta kuptoni se si fragmentet e zotërimit doktrinor ndihmojnë për t’i dhënë mësim ato pohime kyç. Kur studentët e kuptojnë doktrinën dhe mund t’i gjejnë dhe t’i mbajnë mend fragmentet e zotërimit doktrinor dhe pohimet kyç të doktrinës që i shoqërojnë ato, ata mund ta zbatojnë më mirë doktrinën dhe mund t’ua shpjegojnë më mirë të tjerëve. Sikurse dha mësim Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, i ndryshon qëndrimet dhe sjelljen” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).

Veprimtaria Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor

Hidhuni një sy shkurtimisht nëntë temave doktrinore te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor për të parë se si janë organizuar. Studiojeni paragrafin e parë nën temën doktrinore nr. 3, “Shlyerja e Jezu Krishtit” dhe kërkojeni mënyrën se si fragmentet e zotërimit doktrinor harmonizohen me temat doktrinore dhe ndihmojnë për t’i dhënë mësim pohimet kyç të doktrinës duke u paraprirë atyre drejtpërdrejt. Mendoni rreth mënyrës se si kjo doktrinë mund t’i ndihmojë studentët për ta ndërtuar themelin e tyre mbi Jezu Krishtin dhe për të filluar marrjen e përgjigjeve ndaj vetë pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre, të tilla si: “A më do Perëndia?”

Zotërimi Doktrinor në Klasë

Pamja
faqja e fundit grafike e Zotërimit Doktrinor

Tani që i kuptoni rezultatet e Zotërimit Doktrinor dhe mënyrën se si ato mund t’i ndihmojnë studentët për ta ndërtuar themelin e tyre mbi Jezu Krishtin, ne do të shqyrtojmë imtësisht se si ato duhet të përdoren dhe jepen mësim në klasë.

Programi mësimor i Zotërimit Doktrinor i ndihmon mësuesit dhe studentët t’i mësojnë e zbatojnë parimet që lidhen me marrjen e njohurisë shpirtërore dhe nëntë temat doktrinore. Përbërësit kyç të programit mësimor përfshijnë:

  • Të kuptuarit e doktrinës: Një seri veprimtarish mësimore ose fragmentesh që i ndihmon studentët të zhvillojnë një kuptueshmëri më të thellë për secilën temë doktrinore, pohimet kyç të doktrinës që i shoqërojnë ato dhe fragmentet shoqëruese të zotërimit doktrinor.

  • Ushtrimet praktike: Ushtrime që përbëhen nga raste për studim, interpretime me role, skenarë dhe pyetje për t’i ndihmuar studentët që t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën për rrethana bashkëkohore dhe pyetje që lidhen me to.

  • Përsëritjet e Zotërimit Doktrinor: Veprimtari që i ndihmojnë studentët t’i gjejnë, t’i mbajnë mend dhe t’i zotërojnë pohimet kyç të doktrinës dhe fragmentet shoqëruese të zotërimit doktrinor.

Materiali i Veprimtarive të Mësuesit për Zotërimin Doktrinor

Për të parë se si duket Zotërimi Doktrinor në klasë, hapeni materialin tuaj të mësuesit për Zotërimin Doktrinor te mësimi i titulluar “Shlyerja e Jezu Krishtit”. Në mësim, shqyrtojini imtësisht ushtrimet vijuese që bëhen në klasë: 1) të kuptuarit e doktrinës, 2) ushtrimet praktike dhe 3) përsëritjet e Zotërimit Doktrinor. Vini në dukje se tek ushtrimet për të kuptuarit e doktrinës, pohimet kyç të doktrinës janë me shkrim të theksuar dhe shoqërohen nga fragmente të zotërimit doktrinor për t’i ndihmuar studentët që ta zotërojnë doktrinën. Vini re që te ushtrimet praktike, studentët ftohen ta shpjegojnë dhe zbatojnë doktrinën për pyetjet dhe shqetësimet nga vetë jeta e tyre dhe nga jeta e të tjerëve. Kur studentët të marrin pjesë në ushtrimet praktike, është e rëndësishme të përdoren parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Në fund, vini re se përsëritjet e Zotërimit Doktrinor janë hartuar për t’i ndihmuar studentët që t’i gjejnë, t’i mbajnë mend dhe t’i zotërojnë pohimet kyç të doktrinës dhe fragmentet shoqëruese të zotërimit doktrinor.

Materiali i Veprimtarive të Mësuesit për Zotërimin Doktrinor

Për ta përjetuar vetë mënyrën se si mund të përdoret Zotërimi Doktrinor në klasë, hapeni materialin tuaj të mësuesit për Zotërimin Doktrinor te mësimi i titulluar “Shlyerja e Jezu Krishtit”. Puna gjatë një ushtrimi praktik. Përfytyrojeni atë që mund të bëjnë dhe ndiejnë studentët tuaj gjatë orës mësimore dhe mënyrën se si do ta përdorin atë që kanë mësuar rreth parimeve të marrjes së njohurisë së shpirtërore dhe elementet e zotërimit të doktrinës. Merrini parasysh pyetjet që vijojnë:

  • Si mund t’i ndihmojë Zotërimi Doktrinor studentët për ta forcuar besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të kuptuarit e doktrinës së Tij?

  • Si mund t’i trajtojë më tej Zotërimi Doktrinor pyetjet dhe shqetësimet e studentëve (në këtë rast pyetja “A më do Perëndia?”)?

Mbajini shënim përgjigjet tuaja ndaj këtyre pyetjeve në një ditar studimi ose në ndonjë vend tjetër ku mund t’u drejtoheni atyre dhe tregojuani ato udhëheqësit tuaj të praktikës ose grupit.

Studentët tuaj do të bekohen teksa u përmbahen parimeve dhe praktikave të Zotërimit Doktrinor gjatë gjithë jetës së tyre.

Shiheni materialin filmik ““Marrja e Njohurisë Shpirtërore: Historia e Medisonit” (08:36), që është në dispozicion në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, një e re që quhet Medison i përdor parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të marrë përgjigje për pyetjet e veta dhe për t’u dhënë mësim të tjerëve e për t’i ndihmuar ata që ta dinë të vërtetën. Teksa e shihni, mbajini në mendje pyetjet vijuese:

  • Si mund t’i ndihmojë Zotërimi Doktrinor studentët tuaj për ta ndërtuar themelin e tyre mbi Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij?

  • Si mund t’ju ndihmojnë ju parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta shtyrë një student/e që ta mësojë të vërtetën dhe të zbulojë përgjigje për pyetjet e tij ose të saj?

  • Si mund t’iu vijnë në ndihmë parimet e Zotërimit Doktrinor studentëve për t’i ndihmuar të tjerët të marrin njohuri shpirtërore?

Pika të Tjera për t’u Marrë Parasysh rreth Zotërimit Doktrinor

Pikat vijuese për t’u marrë parasysh do t’ju ndihmojnë ta përdorni më së miri Zotërimin Doktrinor në klasën tuaj. Kërkojeni ndihmën e Zotit dhe udhërrëfimin e bashkërenduesit tuaj vendor për të vendosur se si ta vini në jetë më së miri Zotërimin Doktrinor në detyrën tuaj dhe për studentët tuaj.

  • Përdoreni fletushkën “Vështrim i Përgjithshëm i Zotërimit Doktrinor” që jepet në shtojcën e këtij manuali për ta shqyrtuar dhe mbajtur mend secilin përbërës të Zotërimit Doktrinor dhe mënyrën se si çdo përbërës i plotëson të tjerët.

  • Zotërimi Doktrinor dhe mësimdhënia e njëpasnjëshme e shkrimeve të shenjta janë të ndara dhe të dallueshme nga njëra-tjetra dhe që të dyja janë elemente të rëndësishme të përvojës së studentëve në seminar. Në mënyrë që t’i jepni mësim të dyja me sukses, do t’ju nevojitet t’i planifikoni mësimet tuaja me kujdes duke përdorur udhëzuesin e sugjeruar të ritmit, duke e drejtpeshuar me nevojat tuaja vendore.

  • Konceptet dhe parimet e Zotërimit Doktrinor megjithatë, mund të zbatohen gjithsesi gjatë mësimeve të njëpasnjëshme ose mjediseve të tjera gjatë gjithë vitit teksa në klasë ngrihen pyetje ose shqetësime. Theksimi i fragmenteve të zotërimit doktrinor ndërsa i hasni ato në studimin tuaj të njëpasnjëshëm të shkrimeve të shenjta, do t’i ndihmojë studentët të fitojnë një kuptueshmëri më të madhe për kontekstin dhe përmbajtjen e secilit fragment si dhe ta lartësojë rëndësinë e të vërtetave që na mëson çdo fragment.

  • Zotërimi Doktrinor ndërtohet mbi programin e Zotërimit të Shkrimeve të Shenjta dhe e zëvendëson atë. Përmbajtja e zotërimit të shkrimeve të shenjta në botimet e mëparshme duhet të zëvendësohet me veprimtaritë dhe fragmentet e shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor.

  • Për më shumë pikëpamje dhe udhërrëfim, vizitoni doctrinalmastery.churchofjesuschrist.org.

Përmbledhja dhe Zbatimi

Parime për t’u Mbajtur Mend

  • Zotërimi Doktrinor është një nismë e frymëzuar për t’i bekuar studentët tanë teksa ata përparojnë dhe përballen me sfida të vështira.

  • Zotërimi Doktrinor përqendrohet në dy rezultate: 1) të nxënit dhe zbatimin e parimeve hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore dhe 2) arritjen e zotërimit të doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit dhe të fragmenteve të shkrimeve të shenjta në të cilat jepet mësim ajo doktrinë.

  • Kur i ndihmoni studentët që t’i arrijnë rezultatet e Zotërimit Doktrinor, kjo do t’i shtyjë ata ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin teksa fillojnë ta kuptojnë, besojnë dhe të jetojnë në përputhje me doktrinën e Tij.

Pamja
Plaku Kim B. Klark

“Zotërimi Doktrinor është një program në seminar me tre objektiva: i pari, t’i ndihmojë studentët tanë të mësojnë se si të marrin njohuri shpirtërore; i dyti, t’i ndihmojë studentët ta njohin dhe kuptojnë doktrinën e Shpëtimtarit – që do të thotë edhe ta njohin doktrinën e vërtetë në mendjet e tyre edhe ta kuptojnë doktrinën e vërtetë në zemrat e tyre, dhe duam që ajo të jetë thellë në zemrat e tyre; dhe i treti, t’i ndihmojë studentët të mësojnë se si ta zbatojnë doktrinën në jetën e tyre, edhe ta jetojnë atë vetë dhe ta përdorin për t’iu përgjigjur pyetjeve që miqtë e tyre mund të kenë ose për t’u dhënë mësim e për t’i ndihmuar të tjerët ta dinë të vërtetën” (Kim B. Klark, “Zotërimi Doktrinor dhe Mësimi në Thellësi” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 17 shkurt 2017]).

Atëherë, Çfarë?

Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.

Shtyp në Letër