Përvoja Nr. 6 e të Nxënit
Të Kuptuarit e Kontekstit dhe Përmbajtjes
Vështrim i Përgjithshëm
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Të kuptuarit e domethënies së kontekstit dhe përmbajtjes
-
Të kuptuarit e rëndësisë së kontekstit dhe përmbajtjes
-
Të zbuluarit e kontekstit dhe përmbajtjes në shkrimet e shenjta
Konceptet Kyçe
Në disa nga përvojat e të nxënit të radhës, ne do t’i këqyrim nga afër, njëra pas tjetrës, komponentët e veçuar të modelit të të nxënit. Modeli i të nxënit jep një strukturë të parimeve bazë që ndihmon për ta rrënjosur ungjillin brenda mendjes dhe zemrës sonë. Në këtë përvojë të të nxënit, ne do të mësojmë rreth të kuptuarit të kontekstit dhe të përmbajtjes.
Qëllimi i kësaj përvoje të të nxënit, është t’ju japë një paraqitje të shkurtër të aspekteve të modelit të të nxënit. Kur shërbeni si një mësues seminari ose instituti, ju do të keni shumë më tepër mundësi për të mësuar rreth këtyre aftësive dhe për t’i ushtruar ato.
Të Mësuarit nga Shkrimet e Shenjta: Të Kuptuarit e Kontekstit dhe Përmbajtjes
-
Në shëmbëlltyrën e gurëve të çmuar, e reja sheh në ëndërr sikur po kërkon në rërë për gurë të çmuar. Kërkimi i saj simbolizon një nxënës që kërkon për të vërtetat e përjetshme në shkrimet e shenjta. Rëra përfaqëson kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta – njerëzit, vendet, ndodhitë, radhën e ngjarjeve, mësimet e kështu me radhë – në të cilat mund të gjenden të vërtetat e ungjillit.
-
Ndërsa kërkojmë të vërtetat e përjetshme në shkrimet e shenjta, ne duhet të fillojmë duke u përpjekur për të kuptuar sfondin historik dhe hollësitë bazë të fragmenteve që po lexojmë. Përpjekja për ta kuptuar kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta do të na lejojë që t’i zbulojmë më lehtësisht të vërtetat e rëndësishme të ungjillit.
Domethënia dhe Rëndësia e Kontekstit dhe Përmbajtjes
Shqyrtojeni tabelën vijuese për ta kuptuar më tej kontekstin dhe përmbajtjen:
Konteksti |
Përmbajtja |
---|---|
Çfarë është konteksti? Konteksti përbëhet nga rrethanat që ndodhin përreth ose që i japin sfond një fragmenti, ngjarjeje apo historie të veçantë të shkrimit të shenjtë. Konteksti përfshin mjedisin historik, kulturor dhe gjeografik; pyetje që nxitën ngjarjet e shkrimeve të shenjta; e kështu me radhë. |
Çfarë është përmbajtja? Përmbajtja përfshin radhën e ngjarjeve, njerëzit, ndodhitë, predikimet dhe shpjegimet e frymëzuara që përbëjnë tekstin e shkrimit të shenjtë. Zbulimi i përmbajtjes përfshin të mësuarit e domethënies së fjalëve dhe frazave të vështira, si dhe interpretimet e shëmbëlltyrave, simboleve e kështu me radhë. |
Përse është i rëndësishëm konteksti? Konteksti e qartëson dhe e thellon kuptueshmërinë për ngjarjet, mësimet, doktrinën dhe parimet në tekstin e shkrimit të shenjtë. |
Përse është e rëndësishme përmbajtja? Përmbajtja u jep gjallëri dhe rëndësi doktrinës dhe parimeve që gjenden në bllokun e shkrimit të shenjtë. |
Bërja e Pyetjeve
Për ta kuptuar kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta, fillimisht kërkoni që të njiheni me hollësitë bazë të fragmentit e më pas shqyrtojini imtësisht ato hollësi për kuptueshmëri më të madhe. Këtë mund ta bëni duke mësuar se si të bëni pyetje rreth njerëzve, vendeve, ndodhive e kështu me radhë, në fragmentin e shkrimit të shenjtë që po lexoni, e më pas duke kërkuar përgjigje për ato pyetje, duke përdorur burime të dobishme dhe të besuara.
Pyetjet si të mëposhtmet mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë kontekstin dhe përmbajtjen e fragmentit të shkrimit të shenjtë që po studioni:
-
Cili është sfondi historik i fragmentit?
-
Cili është mjedisi historik, kulturor dhe gjeografik?
-
Kush është autori?
-
Cilët janë njerëzit në fragment? Çfarë po bëjnë apo po thonë ata dhe përse?
-
Çfarë po ndodh? Cila është radha e ngjarjes?
-
Cili është kuptimi i fjalëve, frazave apo i shprehjeve të pahasura më parë?
-
Cila është domethënia e zakoneve dhe e praktikave që përshkruhen?
Kërkimi i Përgjigjeve
Sa vijon janë disa nga burimet më të mira e më të besuara që mund të përdorni për t’ju ndihmuar që të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja:
-
Mjetet ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta, të tilla si kapitujt dhe krerët e seksioneve, poshtëshënimet, Bible Dictionary [Fjalori Biblik], Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, indekset e kombinimit tresh, hartat e kështu me radhë
-
Fragmentet e ndërlidhura të shkrimit të shenjtë
-
Fjalët e profetëve dhe apostujve të gjallë (veçanërisht ato që gjenden në fjalimet e konferencave të përgjithshme)
-
Programi mësimor i kursit të shkrimeve të shenjta të seminarit dhe institutit (përfshirë manualet e mësuesit e të studentit)
-
Fjalorët
Ndërsa arrini të kuptoni kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta, ju do të jeni në gjendje të hyni më tërësisht në botën e njerëzve, vendeve, ngjarjeve e mësimeve që po lexoni, dhe t’i shihni gjërat siç i pa autori. Kjo do të ndihmojë që të hapet dera për zbulimin e të vërtetave të rëndësishme të ungjillit.
Marrja e Ndihmës Hyjnore në Mësimdhënien e Ungjillit
Shihni materialin filmik “Të Kuptuarit e Kontekstit dhe Përmbajtjes” (07:39), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, tre mësues diskutojnë lidhur me përpjekjet e tyre për të kuptuar kontekstin dhe përmbajtjen.
Shkruajini dy a tre ide që mësuat nga materiali filmik në një ditar studimi ose në ndonjë vend tjetër ku mund të drejtoheni tek to dhe ndajini ato me mësuesin tuaj ose me grupin.
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
Konteksti e qartëson dhe e thellon kuptueshmërinë tonë për ngjarjet, mësimet, doktrinën dhe parimet në tekstin e shkrimit të shenjtë.
-
Përmbajtja u jep gjallëri dhe rëndësi doktrinës dhe parimeve në shkrimet e shenjta.
-
Të kuptuarit e kontekstit dhe përmbajtjes së shkrimeve të shenjta do të ndihmojë për t’i zbërthyer shumë të vërteta të rëndësishme të ungjillit.
-
Që të arrijmë të kuptojmë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta, ne duhet të bëjmë pyetje dhe të kërkojmë burime të besueshme për përgjigjet ndaj atyre pyetjeve.
“Njihuni me mësimet që na japin shkrimet e shenjta. Mësoni për mjedisin dhe rrethanat e shëmbëlltyrave të Mjeshtrit dhe paralajmërimeve të profetëve. Studiojini ato sikur po ju flasin juve, sepse kështu është e vërteta” (Tomas S. Monson, “Të Jini më i Miri që Mundeni”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 68).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.