Përvoja Nr. 4 e të Nxënit
Krijimi i një Mjedisi me Dashuri, Respekt dhe Qëllimshmëri
Vështrim i Përgjithshëm
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Të kuptuarit e ndikimit të dashurisë si të Krishtit
-
Krijimin e një mjedisi me dashuri dhe respekt
-
Formimin e një ndjesie qëllimi në klasë
Konceptet Kyçe
“Nxënia rritet kur mësuesit dhe nxënësit e duan dhe e respektojnë Zotin, njëri-tjetrin dhe fjalën e Perëndisë. Ndjesia e përbashkët e qëllimit i përqendron përpjekjet e pritshmëritë dhe i jep drejtim përvojës së klasës” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 16).
Dashuria si e Krishtit: Një Ndikim për Mirë
Jeta jonë është pasuruar dhe mbushur nga ndikimi i individëve me dashuri si të Krishtit. Teksa reflektojmë për jetën tonë, secili nga ne mund të dallojë veprat e mira të njerëzve mirëdashës që kanë ndikuar për mirë tek ne.
Mendoni për një mësues, udhëheqës ose person tjetër që ka shfaqur dashuri si të Krishtit dhe ka sjellë një ndryshim në jetën tuaj. Si ju ndihmoi ai ose ajo që të ndiheshit, dhe përse? Shkruajini idetë dhe mbresat tuaja në një ditar studimi ose në ndonjë vend tjetër ku mund të drejtoheni tek to dhe ndajini ato me mësuesin tuaj ose me grupin.
Sikurse personi mbi të cilin reflektuat pati një ndikim pozitiv tek ju, po ashtu si mësues seminari dhe instituti, ne mund të sjellim një ndryshim në jetën e studentëve tanë. Ne e bëjmë këtë duke krijuar një mjedis dashurie si të Krishtit dhe respekt në klasë.
Krijimi i një Mjedisi me Dashuri dhe Respekt: Përse dhe në Ç’Mënyrë
Materialet filmike vijuese ilustrojnë shumë nga parimet dhe praktikat e dalluara në seksionin 2.2.1 (“Dashuria dhe Respekti”), të manualit Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Shihini këto materiale filmike dhe përsiatini përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve më poshtë që pasojnë përshkrimin e materialit filmik.
Shihni materialin filmik “Jepni Mësim me Dashuri Hyjnore” (01:44), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpall se është thelbësore që mësuesit të mbushen me dashurinë e pastër të Krishtit. Teksa e shihni, kërkoni mënyrën si e shfaqi Zoti dashurinë ndaj atyre që Ai u dha mësim.
Pasi ta keni parë materialin filmik, shkruani në ditarin tuaj të studimit përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese:
-
Si ia shfaqi me vepra Shpëtimtari dashurinë e Tij atyre që u dha mësim?
-
Si mund t’i tregoj dashuri dhe respekt atyre që u jap mësim?
Shihni materialin filmik “Klasa e Motrës Egan” (02:17), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, Motra Egan, një mësuese e thirrur seminari, tregon se si të krijohet në mënyrë të efektshme një mjedis me dashuri, respekt dhe qëllimshmëri. Shihni për mënyrën se si ajo dhe studentët e saj kujdesen për njëri-tjetrin dhe krijojnë një mjedis të atillë.
Pasi ta keni parë materialin filmik, shkruani në ditarin tuaj të studimit, përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese:
-
Çfarë bënë motra Egan dhe studentët e saj për të krijuar një mjedis me dashuri dhe respekt?
-
Çfarë mund të bëj unë për të krijuar një mjedis mësimor me dashuri dhe respekt në klasën time?
Afrimi tek të Gjithë Studentët
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nëse [studentët] janë jo reagues, ndoshta ju ende nuk mund t’u jepni mësim atyre, por mund t’i doni ata. Dhe nëse i doni ata sot, ndoshta mund t’u jepni mësim nesër” (“Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 102).
Studentët mund të hasin vështirësi me sfida të ndryshme: shqetësime në familje, sëmundje, çrregullime të të nxënit, paaftësi fizike e kështu me radhë. Jini të ndjeshëm ndaj rrethanave dhe nevojave të tyre vetjake. Jo të gjithë studentët do t’u përgjigjen menjëherë përpjekjeve tuaja për të krijuar një mjedis me dashuri dhe respekt. Materiali filmik vijues ilustron se si mësuesit mund të ndihmojnë që t’i ndikojnë studentët, të cilët me raste duken jo reagues në mësim.
Shihni materialin filmik “Afrimi tek Individi” (01:28), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Teksa e shihni këtë material filmik, kërkoni mënyrat se si mësuesi me një dashuri dhe mirësi si të Krishtit, ftoi ndryshimin në zemrën e një studenti.
Krijoni një Ndjesi Qëllimi
“Ndjesia e qëllimit që ndajnë mësuesi dhe studenti, mund ta rrisë besimin dhe t’i japë drejtim e kuptim përvojës së klasës. Studentët duhet ta kuptojnë se po marrin pjesë në orën mësimore që të arrijnë të njohin Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të përparojnë drejt jetës së përjetshme përmes studimit të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 17).
Në klasë, është po aq e rëndësishme për mësuesit që të krijojnë një ndjesi qëllimi saç është për ta që të krijojnë një mjedis me dashuri dhe respekt.
Zakonet që Ndihmojnë për të Krijuar një Ndjesi Qëllimi
Shihni materialin filmik “Një Ndjesi Qëllimi” (08:32), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, disa mësues dhe studentë tregojnë zakonet që ndihmojnë për të krijuar një ndjesi qëllimi në klasat e tyre. Teksa e shihni këtë material filmik, kërkoni mënyrat se si të krijoni një ndjesi qëllimi në klasën tuaj.
Pyetje që i Ndihmojnë Mësuesit të Krijojnë një Mjedis me Dashuri, Respekt dhe Qëllimshmëri
Reflektimi herë pas here ndaj pyetjeve vijuese teksa i mësoni studentët tuaj, do t’ju ndihmojë të krijoni një mjedis me dashuri, respekt dhe qëllimshmëri:
-
A e dinë studentët e mi se unë i dua ata?
-
Kur e shoh që e kam të vështirë të jem i/e dashur, a lutem që të mbushem me dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit (shih Moroni 7:47–48)?
-
Në çfarë mënyrash ndikojnë mësimet dhe shembulli i Shpëtimtarit tek mënyra se si unë ndërveproj me studentët e mi dhe se si ndërveprojnë ata me njëri-tjetrin?
-
Çfarë veprimesh të thjeshta duhet të ndërmarr që t’u shërbej studentëve të mi, t’u bekoj [jetën] dhe të lutem për ta rregullisht?
-
A e kuptojnë studentët e mi se qëllimi i orës sonë mësimore është që të përmbushë Synimin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë – që t’i ndihmojë ata të kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit?
-
A na ndihmojnë veprimtaritë mësimore që unë zgjedh për ta përmbushur qëllimin tonë dhe jo për të na shpërqendruar nga arritja e Synimit të Seminareve dhe Instituteve të Fesë?
-
A kam shpenzuar kohë për të studiuar dhe për ta kuptuar bllokun e shkrimit të shenjtë dhe për të parë se si Shpëtimtari është në qendër të mësimit?
-
A jam i/e përgatitur për t’i dhënë përqendrimin e duhur studentëve të mi që nga momenti që ata mbërrijnë e deri në momentin sa largohen nga klasa?
-
Në çfarë mënyrash i mësoj dhe i ftoj studentët e mi rregullisht që ta përmbushin rolin e tyre në nxënien shpirtërore?
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
Nxënia rritet kur ju dhe studentët tuaj e doni dhe e respektoni Zotin, njëri-tjetrin dhe fjalën e Perëndisë.
-
Ju mund të zhvilloni dashuri të pastër për studentët tuaj, duke kërkuar dhuratën e dashurisë hyjnore përmes lutjes së sinqertë, siç udhëzohet nga profeti Mormon (shih Moroni 7:47–48).
-
Ndjesia e qëllimit që ndani ju dhe studentët tuaj, mund ta rritë besimin dhe t’i japë drejtim e kuptim përvojës së klasës.
-
Ndjesia e qëllimit mund të krijohet kur ju dhe studentët tuaj e kuptoni se ata po marrin pjesë në orën mësimore që të arrijnë ta njohin Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të përparojnë drejt jetës së përjetshme përmes studimit të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve.
“Mendoni për dashurinë më të kthjellët, më gjithëpërmbushëse që mund të përfytyroni. Tani shumëfishojeni atë dashuri me një sasi të pafundme – kjo është masa e dashurisë së Perëndisë për ju” (Diter F. Uhtdorf, “Dashuria e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 22).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.