Përvoja Nr. 9 e të Nxënit
Përgatitja e një Mësimi: Marrja Vendim se Çfarë të Jepet Mësim
Vështrim i Përgjithshëm
Shënim: Pesë përvojat e radhës të të nxënit janë hartuar për t’ju ndihmuar të mësoni se si të përgatitni një mësim. Përvojat nr. 9–10 të të nxënit përqendrohen te marrja e vendimit se çfarë të jepet mësim dhe përvojat nr. 11–13 të të nxënit përqendrohen te marrja e vendimit se si të jepet mësim.
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Mësimdhënien e shkrimeve të shenjta sipas radhës
-
Baraspeshimin e asaj se çfarë të jepet mësim dhe si të jepet ai
-
Marrjen e vendimit se çfarë të jepet mësim
Konceptet Kyçe
Mësuesit e sapothirrur shpesh kanë pyetje të tilla si këto që vijojnë:
-
Në ç’mënyrë është e ndryshme mësimdhënia në seminar nga mësimdhënia në klasat e tjera si Doktrina e Ungjillit, Shoqata e Ndihmës, kuorumi i pleqve, e kështu me radhë?
-
Si ta përgatit një mësim?
-
Sa kohë duhet të kaloj për të zgjedhur se çfarë të jap mësim dhe si ta jap mësim atë?
-
Si të vendos se çfarë të jap mësim?
Kjo përvojë e të nxënit do të ndihmojë për t’iu përgjigjur disa prej këtyre pyetjeve.
Studimi dhe Mësimdhënia e Shkrimeve të Shenjta Sipas Radhës
Në kurset e seminarit dhe institutit që përqendrohen te veprat standarde, librat dhe kapitujt e shkrimeve të shenjta jepen mësim sipas radhës që shfaqen në shkrimet e shenjta. Mësimet janë organizuar sipas bllokut të shkrimit të shenjtë sesa me tema. Çdo bllok i shkrimit të shenjtë mund të përmbajë kapituj, parime dhe tema të shumta që mund t’i theksoni. Kjo qasje është e ndryshme nga kurset e institutit që jepen mësim me një qasje tematike.
Shihni materialin filmik “Studimi i Shkrimeve të Shenjta Sipas Radhës” (00:46), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkruan dobitë nga studimi i shkrimeve të shenjta sipas radhës.
Kur e jepni mësim një bllok të shkrimit të shenjtë sipas radhës, ju do të jepni mësim parime të shumta brenda një mësimi të vetëm. Çdo parim mund të marrë një nivel theksimi të ndryshëm.
Shihni materialin filmik “Mësimdhënia e Shkrimeve të Shenjta Sipas Radhës” (04:28), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Ky material filmik ilustron disa koncepte të rëndësishme për t’u marrë në shqyrtim kur planifikoni të jepni mësim një bllok të shkrimit të shenjtë sipas radhës.
Çfarë dhe Si: Drejtpeshimi i Përgatitjes Suaj
Gjatë përgatitjes së mësimit, është e rëndësishme që të drejtpeshoni përpjekjet tuaja për të vendosur se çfarë të jepni mësim dhe si ta jepni mësim.
Përgatitje jo e Drejtpeshuar
-
Çfarë
Kur një mësues kalon shumë kohë dhe përpjekje duke marrë vendimin se çfarë të japë mësim, ai ose ajo nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të marrë në shqyrtim se si t’i ndihmojë studentët të marrin pjesë në [procesin] e të nxënit. Shpesh, kjo do të pasojë mësime që janë të mërzitshme dhe shumë të përqendruara te mësuesi.
-
Si
Kur një mësues kalon shumë kohë dhe përpjekje duke marrë vendimin se si ta japë mësimin, mësimeve mund t’iu mungojë qëllimi dhe fuqia. Në këtë rast, studentët mund të kujtojnë metodën e mësimdhënies më shumë sesa mesazhet e frymëzuara nga shkrimet e shenjta.
Përgatitje e Drejtpeshuar
“Kur përgatit një mësim, çdo mësues duhet të vendosë: ‘Çfarë do të jap mësim?’ dhe ‘Si do ta jap mësim?’” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 56.) Ju keni mësuar vetëm se ç’ndodh kur [mënyrat] çfarë dhe si nuk janë të drejtpeshuara në përgatitjen tuaj. Tani lexojini seksionet vijuese dhe vëreni veçoritë e përgatitjes kur [mënyrat] çfarë dhe si janë të drejtpeshuara.
-
Çfarë
Përgatitja se çfarë të jepet mësim përbëhet nga:
-
Të kuptuarit e kontekstit dhe përmbajtjes (sfondi, kultura dhe mjedisi).
-
Të kuptuarit e përmbajtjes (radha e ngjarjes, njerëzit, ndodhitë, predikimet dhe shpjegimet e frymëzuara).
-
Dallimi i doktrinës apo parimeve të rëndësishme.
-
-
Si
Përgatitja si të japësh mësim përbëhet nga përcaktimi i metodave, qasjeve dhe veprimtarive që do të përdorni për t’i ndihmuar studentët të mësojnë (diskutimi në klasë, pyetjet, burimet audiopamore, ushtrimet me shkrim, punët në grupe të vogla, e kështu me radhë).
Për më shumë informacion, shihni seksionin 4.3.2 (“Vendosni se Çfarë dhe Si të Jepni Mësim”) në faqen 56 të manualit Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit.
Shqetësimi i një Mësueseje të Re
Shihni materialin filmik “Fitojeni Fjalën” (08:54), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Në këtë material filmik, Lea Murrei është një nënë e zënë me punë, e cila është thirrur së fundmi si mësuese seminari. Si shumë mësues të sapothirrur, ajo ndihet e merakosur për gjetjen e kohës për të përgatitur mësimet dhe për të dhënë mësim çdo ditë. Ajo madje e pyet veten se nga t’ia nisë. Teksa e shihni materialin filmik, kërkoni se kujt i drejtohet ajo kur ka nevojë për ndihmë me thirrjen e saj. Kërkoni edhe se çfarë këshille i jepet asaj lidhur me gjënë më të rëndësishme nga ku t’ia nisë kur përgatit mësimet.
Marrja Vendim se Çfarë të Jepet Mësim: Katër Faza
Teksa përgatitni një mësim, ndiqini këto katër faza që t’ju ndihmojnë të merrni vendimin se çfarë të jepni mësim. Këto faza shpjegohen te manuali Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, seksioni 4.3.3 (“Vendosni se Çfarë të Jepni Mësim”), në faqet 56–60.
-
Thellohuni në shkrimet e shenjta për ta kuptuar kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë.
-
Dalloni dhe përpiquni të kuptoni doktrinën dhe parimet që gjenden në bllok.
-
Vendosni se cila doktrinë dhe cilat parime janë më të rëndësishme për studentët tuaj që t’i mësojnë dhe zbatojnë.
-
Vendosni se çfarë niveli theksimi t’i jepni secilit segment të bllokut të shkrimit të shenjtë.
Veprimtaria vijuese do të përqendrohet në katër hapat e marrjes së vendimit se çfarë të jepet mësim. Për secilën nga katër pjesët e veprimtarisë, shihni materialin filmik që paraqet se si të plotësohet çdo fazë. Më pas, ushtrojeni atë që keni mësuar duke krijuar shënime për mësimet ndërkohë që jeni duke përmbledhur Mosian 27.
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
Në kurset e seminarit dhe institutit që përqendrohen te veprat standarde, doktrina dhe parimet duhet të jepen mësim sipas radhës që shfaqen në shkrimet e shenjta.
-
Kur të përgatitni një mësim, drejtpeshimi i asaj se çfarë të jepet mësim dhe si të jepet mësim, siguron një përvojë nxënieje më të fuqishme dhe më me qëllimshmëri.
-
Kur të merrni vendimin se çfarë të jepni mësim:
-
Thellohuni në shkrimet e shenjta për ta kuptuar kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë.
-
Dalloni dhe përpiquni të kuptoni doktrinën dhe parimet që gjenden në bllok.
-
Vendosni se cila doktrinë dhe cilat parime janë më të rëndësishme për studentët tuaj që t’i mësojnë dhe zbatojnë.
-
Vendosni se çfarë niveli theksimi t’i jepni secilit segment të bllokut të shkrimit të shenjtë.
-
“Përcaktoni, sipas aftësive dhe nevojave vetjake të studentëve tuaj se çfarë ka më shumë përparësi. Nëse një parim kyç kuptohet, përvetësohet dhe bëhet pjesë e librit udhërrëfyes të studentëve për jetën, atëherë synimi më i rëndësishëm është përmbushur” (Richard G. Scott, “To Understand and Live Truth” [një mbrëmje me Plakun Riçard G. Skot, 4 shkurt, 2005], f. 2–3, si.churchofjesuschrist.org).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.