Përvoja Nr. 5 e të Nxënit
Të Përjetuarit e Modelit të të Nxënit
Vështrim i Përgjithshëm
Kjo përvojë e të nxënit trajton konceptet vijuese:
-
Paraqitjen e një modeli të të nxënit
-
Çuarjen e ungjillit në zemrën e studentëve
-
Të kuptuarit e modelit të të nxënit
-
Zbatimin e modelit të të nxënit në studimin e ungjillit
Konceptet Kyçe
Profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme u kanë vënë detyrë mësuesve në Seminaret dhe Institutet e Fesë për t’i mësuar studentët që të dallojnë, kuptojnë e të zbatojnë doktrinën dhe parimet e ungjillit që gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Lidhur me këtë detyrë, Presidenti J. Ruben Klark i Riu (1871–1961), i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Ju duhet ta jepni mësim këtë ungjill, duke përdorur si burimet dhe autoritetet tuaja veprat standarde të Kishës dhe fjalët e atyre që Perëndia i ka thirrur për të drejtuar popullin e Tij në këto ditë të fundit” (The Charted Course of the Church in Education, bot. i rish. [1994], f. 10).
Paraqitja e një Modeli të të Nxënit
Teksa studentët e mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, është thelbësore që doktrina dhe parimet e ungjillit të zhyten thellë në zemrën e tyre. Për të ndihmuar që ky proces të zërë vend, Seminaret dhe Institutet e Fesë theksojnë një model bazë të të nxënit që i lejon mësuesit dhe studentët t’i zbulojnë, t’i kuptojnë e t’i zbatojnë të vërtetat e ungjillit në jetën e tyre. Ky model përbëhet nga parimet bazë vijuese:
-
Të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen.
-
Të dallojnë doktrinën dhe parimet.
-
Të kuptojnë doktrinën dhe parimet.
-
Të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe parimeve.
-
Të zbatojnë doktrinën dhe parimet.
Sa më shumë të arrini që t’i kuptoni dhe t’i përdorni këto parime bazë gjatë studimit tuaj vetjak të ungjillit, aq më tepër do të jeni në gjendje për t’i ndihmuar studentët që t’i zbatojnë ato.
Qëllimi i kësaj përvoje të të nxënit, është të japë një vështrim të përgjithshëm të pesë parimeve bazë të modelit të të nxënit. Çdo parim bazë do të trajtohet më me hollësi në përvojat nr. 6–8 të të nxënit.
Shihni materialin filmik “Shëmbëlltyra e Gurëve të Çmuar” (06:47), të mundësuar në churchofjesuschrist.org. Teksa e shihni materialin filmik, pyeteni veten: “Si mund të krahasohet kërkimi i gurëve të çmuar dhe gjetja e tyre në rërë me studimin dhe të mësuarit nga shkrimet e shenjta?”
Pasi ta shihni materialin filmik, shkruajini idetë dhe mbresat tuaja në një ditar studimi ose në ndonjë vend tjetër ku mund të drejtoheni tek to dhe ndajini ato me mësuesin tuaj ose me grupin.
Zbatojeni Shëmbëlltyrën për Modelin e të Nxënit
Shëmbëlltyra e gurëve të çmuar na ndihmon të kuptojmë parimet bazë të modelit të të nxënit. Lexojini përshkrimet më poshtë që të mësoni më shumë për çdo parim bazë.
-
Të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen:E reja, e cila kërkon gurë të çmuar në rërë, simbolizon një nxënës/e që kërkon të vërtetat e përjetshme në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve. Rëra përfaqëson hollësitë e shkrimeve të shenjta ose mësimeve – radhën e ngjarjeve, njerëzit, vendet, datat e kështu me radhë. E reja e cila po shoshiste rërën për gurë të çmuar, është si një nxënës/e i/e cili/a shoshit për hollësitë në shkrimet e shenjta në kërkim të doktrinës, parimeve dhe të vërtetave të tjera bazë. Ky proces paraqitet si të kuptuarit e kontekstit dhe të përmbajtjes.
-
Të dallojnë doktrinën dhe parimet:E reja, e cila kërkon gurë të çmuar në rërë, simbolizon procesin e dallimit të doktrinës dhe parimeve në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Njëlloj si disa gurë të çmuar që ndodheshin pranë sipërfaqes dhe të tjerë që gjendeshin më thellë në rërë, disa të vërteta të përjetshme në shkrimet e shenjta përcaktohen lehtë, ndërkohë që të tjerat kërkojnë më shumë mund për t’u zbuluar.
-
Të kuptojnë doktrinën dhe parimet:E reja që këqyr me kujdes çdo gur të çmuar, përfaqëson një nxënës/e që studion me zell me qëllim që ta kuptojë doktrinën dhe parimet më thellësisht.
-
Të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe parimeve:E reja, e cila ndjen vlerësim për veçantinë dhe domethënien e secilit gur të çmuar, mund të krahasohet me një nxënës/e që ndien të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe të parimeve që gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve.
-
Të zbatojnë doktrinën dhe parimet:Ashtu sikurse mendimet e së resë u kthyen në mënyra konkrete se si të mund ta përdorte çdo gur të çmuar, ashtu dhe nxënësit duhet të marrin në shqyrtim se si ta përvetësojnë dhe ta zbatojnë doktrinën dhe parimet, teksa Shpirti u jep drejtim vetjak mendjes dhe zemrës së tyre.
Zbatimi i Modelit të të Nxënit në Studimin e Ungjillit
Thëniet vijuese janë shembuj të mënyrës se si ky model i të nxënit po i ndihmon studentët e tanishëm që t’i përdorin shkrimet e shenjta për t’i zbuluar, kuptuar dhe zbatuar të vërtetat e ungjillit në jetën e tyre:
-
“I kuptoj shkrimet e shenjta shumë më mirë. Unë di si të bëj pyetje dhe si të gjej përgjigje. Tanimë unë lexoj që të gjej të vërtetën e për një kuptim më të mirë mbi mënyrën se si duhet të sillem.”
-
“Kurrë nuk isha ulur i/e vetëm/me që të lexoja shkrimet e shenjta, por tani çdo natë kjo gjë po më kthehet në zakon. Ndihesh shkëlqyeshëm kur i gjen dhe i kupton të vërtetat që të prekin dhe që shkojnë menjëherë drejt e në zemrën tënde.”
-
“Nuk isha mësuar që t’i lexoja shkrimet e shenjta shumë shpesh sepse nuk i kuptoja. Por tani e di që ato janë përplot me parime dhe se unë mund të kërkoj tek to për përgjigje. Këtë vit kam vepruar kësisoj më shumë nga ç’kam bërë në gjithë jetën time.”
-
“Gjëja kryesore për të cilën më ka ndihmuar seminari pothuaj më shumë se çdo gjë tjetër, është rritja e dashurisë dhe e kuptimit ndaj shkrimeve të shenjta. Unë kam marrë shumë përgjigje të lutjeve. Kam forcuar gjithashtu edhe marrëdhënien time me Shpëtimtarin tim dhe jam kaq mirënjohës/e për këtë. E si mund të kërkoj më tepër?”
-
“Unë kam mësuar vërtet se si të studioj më mirë nga shkrimet e shenjta dhe tani nuk më duken më të mërzitshme. Faktikisht dua t’i studioj ato dhe të përsiat për mënyrën se si duhet ta jetoj jetën për t’u kthyer tek Ati im në Qiell.”
-
“Nganjëherë gjatë leximit duket sikur unë jo vetëm që ndihem i/e tejmbushur me dashuri dhe përzemërsi, por fletët dhe lidhjet [e librit] pothuajse të gllabërojnë me njohuri.”
Përmbledhja dhe Zbatimi
Parime për t’u Mbajtur Mend
-
Si mësues në seminare dhe institute juve ju është vënë detyra që t’u mësoni studentëve doktrinën dhe parimet e ungjillit siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve.
-
Mësuesit dhe nxënësit duhet të mësojnë se si ta çojnë ungjillin nga fletët e shkrimeve të shenjta dhe nga fjalët e profetëve thellë në zemrën e tyre.
-
Seminaret dhe Institutet e Fesë theksojnë një model bazë të të nxënit që i fton mësuesit dhe studentët t’i zbulojnë, t’i kuptojnë e t’i zbatojnë të vërtetat e ungjillit në jetën e tyre.
-
Sa më shumë t’i kuptoni dhe t’i përdorni parimet bazë të modelit të të nxënit në studimin tuaj vetjak të ungjillit, aq më tepër do të jeni në gjendje për t’i ndihmuar studentët që t’i zbatojnë ato po ashtu.
“Ndryshe nga rregullat e botës, të cilat na mësojnë që të dimë diçka, ungjilli i Jezu Krishtit na sfidon që të bëhemi diçka” (Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32).
“Pastaj, Çfarë?”
Për ta përfunduar këtë përvojë të të nxënit, hidhini në letër disa gjëra që do të bëni bazuar te parimet që keni mësuar sot.