Thirrjet në Mision
Kapitulli 1: Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar


“Kapitulli 1: Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 1”, Predikoni Ungjillin Tim

Den Xhonsi duke predikuar

Den Xhonsi, njëri nga misionarët më të mëdhenj në këtë periudhë ungjillore, predikon ungjillin në Uells.

© 1993 Clark Kelley Price. Nuk lejohet kopjimi.

Kapitulli 1

Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar

Qëllimi Juaj: Ftojini të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ta pranojnë ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, me anë të pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund.

Merreni Parasysh Këtë

  • Cili është qëllimi im si misionar?

  • Çfarë autoriteti dhe fuqie vijnë bashkë me thirrjen time?

  • Si të mbështetem te Shpirti, ta dalloj Atë dhe të jap mësim me anë të Shpirtit?

  • Çfarë është ungjilli i Jezu Krishtit?

  • Cili është mesazhi i Rivendosjes? Përse është kaq i rëndësishëm?

  • Cila është përgjegjësia ime për ta vendosur dhe ngritur Kishën e Jezu Krishtit?

  • Si do ta di nëse jam apo jo një misionar i suksesshëm?

Mandati Juaj për ta Dhënë Mësim Ungjillin e Rivendosur të Jezu Krishtit

Jeni të rrethuar nga njerëz. I ndeshni ata rrugës dhe udhëtoni mes tyre. I vizitoni në shtëpitë e tyre dhe lidheni me ta në internet. Ata janë të gjithë fëmijë të Perëndisë – vëllezërit dhe motrat tuaja. Perëndia i do ata po ashtu siç ju do ju.

Shumë nga këta njerëz po kërkojnë qëllimin në jetë. Ata shqetësohen për të ardhmen e tyre dhe familjet e tyre. Kanë nevojë për ndjesinë e përkatësisë që vjen nga njohuria se janë fëmijë të Perëndisë dhe pjesëtarë të familjes së Tij të përjetshme. Kanë dëshirë të ndihen të sigurt në një botë me vlera që ndryshojnë. Ata dëshirojnë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (Doktrina e Besëlidhje 59:23).

Shumë njerëz “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (Doktrina e Besëlidhje 123:12). Ungjilli i Jezu Krishtit, siç është rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith, siguron të vërtetën e përjetshme. Kjo e vërtetë trajton nevojat shpirtërore të njerëzve dhe i ndihmon të përmbushin dëshirat e tyre më të thella.

Si përfaqësues i autorizuar i Jezu Krishtit, ju jepni mësim se “shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:6). Ju i ftoni njerëzit që të vijnë te Krishti për t’u bërë të kthyer në besimin tek Ai dhe tek ungjilli i Tij i rivendosur. Kur ata e pranojnë ftesën tuaj, do të kenë lumturi, shpresë, paqe dhe qëllim më të madh.

Që të vijnë te Shpëtimtari, njerëzve u nevojitet të kenë besim tek Ai. Ju mund t’i ndihmoni ata ta zhvillojnë këtë besim teksa:

  • U jepni mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe dëshmoni për të vërtetën e tij.

  • I ftoni të zotohen që të jetojnë sipas mësimeve të tij.

  • Ndiqni ecurinë dhe i ndihmoni të veprojnë sipas zotimeve që bëjnë.

  • I ndihmoni të kenë përvoja në të cilat të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë (shihni te 1 Nefi 10:17–19).

Besimi te Jezu Krishti do t’i bëjë njerëzit të pendohen. Duke shlyer për mëkatet tona, Jezusi e bën të mundur pendimin. Kur njerëzit pendohen, ata do të pastrohen nga mëkati dhe do të vijnë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ata do të përjetojnë gëzimin dhe paqen e marrjes së faljes.

Pendimi i përgatit njerëzit për besëlidhjen e pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. “Ejani tek unë”, tha Shpëtimtari, “dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20).

Ndërkohë që rriten të kuptuarit dhe dëshmia juaj për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, do të shtohet dëshira juaj për ta shpërndarë ungjillin. Do të ndieni, sikurse ndjeu Lehi, “rëndësi[në e madhe] që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës” (2 Nefi 2:8).

vegimi i Pemës së Jetës

The Tree of Life [Pema e Jetës], nga Damir Krivenko.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Shqyrtojeni figurën shoqëruese teksa studioni vegimin e pemës së jetës te 1 Nefi 8 dhe 11.

  • Çfarë simbolizon pema e jetës në këtë vegim? (Shihni te 1 Nefi 11:21–23.)

  • Çfarë dëshiroi Lehi pasi e hëngri frutën? (Shihni te 1 Nefi 8:10–18.)

  • Në këtë vegim, çfarë iu nevojit të bënin njerëzve për ta marrë frutën? Çfarë na nevojitet të bëjmë për t’i marrë të gjitha bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit? Në çfarë mënyrash na ndihmojnë zotimet dhe besëlidhjet që t’i marrim këto bekime?

  • Si mund t’i ndihmoni të tjerët që t’i marrin frytet e ungjillit?

Autoriteti dhe Fuqia e Thirrjes Suaj

Ju thirreni dhe veçoheni për të “shpallur lajmet e mira të gëzimit të madh, madje ungjillin e përjetshëm” (Doktrina e Besëlidhje 79:1). Ashtu si bijtë e Mosias, ju mund të jepni mësim me autoritetin dhe fuqinë e Perëndisë (shihni tek Alma 17:2–3).

Nën drejtimin e Krishtit, autoriteti për të predikuar ungjillin u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kur u veçuat si misionar, ju e morët këtë autoritet. Me këtë autoritet vjen e drejta, privilegji dhe përgjegjësia për të përfaqësuar Zotin dhe për ta dhënë mësim ungjillin e Tij.

Ky autoritet përfshin një përgjegjësi për të jetuar i denjë për thirrjen tuaj. Merreni seriozisht veçimin tuaj si misionar. Qëndroni larg mëkatit dhe nga çdo gjë që është e vrazhdë ose vulgare. Qëndroni larg nga mënyrat dhe të menduarit si bota. Ndiqni standardet te materiali Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit. Si përfaqësuesi i Zotit, jini një “shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12). Nderojeni emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet veprimeve dhe fjalëve tuaja.

Përveç autoritetit, ju nevojitet fuqi shpirtërore që ta përmbushni thirrjen tuaj. Perëndia jep fuqi shpirtërore ndërkohë që punoni vazhdimisht për ta forcuar dëshminë tuaj për Të, për Jezu Krishtin dhe për të vërtetat e ungjillit që jepni mësim. Ai dhuron fuqi shpirtërore kur ju luteni, i studioni shkrimet e shenjta dhe kërkoni të përmbushni qëllimin tuaj si misionar. Ai jep fuqi shpirtërore ndërkohë që përpiqeni t’i zbatoni urdhërimet e Tij dhe t’i mbani besëlidhjet që bëtë kur morët ordinancat e shpëtimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 35:24).

Fuqia shpirtërore mund të shfaqet kur ju:

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Në ç’mënyrë e merrni dhe e forconi një dëshmi?

Në ç’mënyrë merrni fuqi shpirtërore?

Studimi Vetjak

Shqyrtojini dhe përsiatini besëlidhjet vijuese që keni bërë me Perëndinë. Studiojini bekimet që Perëndia ua ka premtuar atyre që i mbajnë këto besëlidhje. Reflektoni mbi bekimet që keni marrë kur i mbani ato. Mbajini shënim mbresat tuaja në ditarin tuaj të studimit.

Pagëzimi dhe Konfirmimi

Shugurimi në Priftëri (për pleqtë)

Dhurimi në Tempull

  • Jetojeni ligjin e bindjes.

  • Bindjuni ligjit të sakrificës.

  • Bindjuni ligjit të ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Zbatojeni ligjin e dëlirësisë.

  • Zbatojeni ligjin e përkushtimit.

  • (Shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 27.2.)

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Lexoni te Gjoni 15:1–16. Në çfarë mënyre Krishti është hardhia? Si jeni ju një shermend i asaj hardhie? Si lidhet veçimi juaj me këtë marrëdhënie?

Lexoni certifikatën tuaj të shërbesës. Mbajini shënim ndjenjat dhe mendimet tuaja rreth asaj që lexoni. Sa herë që e studioni këtë kapitull, merreni parasysh ta përsëritni këtë proces. Vëreni se si ndjenjat tuaja ndryshojnë me kalimin e kohës.

Studimi Vetjak

Studiojini vargjet te Doktrina e Besëlidhje 109:13–15, 21–30, 38–39, 55–57. Këto vargje janë fragmente të shkëputura nga lutja e frymëzuar përkushtuese e Profetit Jozef Smith për Tempullin e Kirtlandit.

Shkruani një listë të bekimeve që i kërkoi Jozef Smithi për besimtarët që e kishin marrë dhurimin në shtëpinë e shenjtë të Zotit. Cilat janë ndjenjat tuaja rreth këtyre bekimeve?

Përpiquni ta Keni Frymën e Shenjtë me Vete

Ju morët dhuratën e Frymës së Shenjtë kur u konfirmuat anëtar i Kishës. Si misionar dhe gjatë gjithë jetës suaj, një nga nevojat tuaja më të mëdha do të jetë që të keni Frymën e Shenjtë me vete (shihni te 1 Nefi 10:17; 3 Nefi 19:9). Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi.

Fryma e Shenjtë ju udhërrëfen, mëson e ngushëllon. Ai ju pastron e shenjtëron. Ai dëshmon për të vërtetën dhe jep dëshmi për Atin dhe Birin. Ai bën të ndodhë kthimi juaj në besim dhe kthimi në besim i atyre të cilëve u jepni mësim. (Shihni te 3 Nefi 27:20; 28:11; Ethëri 12:41; Moroni 8:26; 10:5; Gjoni 15:26.)

Fryma e Shenjtë “do t’ju tregojë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:5). Ai do t’i shumëfishojë aftësitë tuaja dhe shërbimin tuaj përtej asaj që mund të bëni vetë.

Përpjekja për të pasur Frymën e Shenjtë me vete, duhet të jetë njëra nga dëshirat tuaja më të sinqerta. Ju do ta ndieni shoqërimin e Tij kur:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96).

Mësoni ta Dalloni Shpirtin

Ju do ta përmbushni më mirë qëllimin tuaj si misionar teksa mësoni ta dalloni dhe ndiqni udhërrëfimin nga Fryma e Shenjtë. Shpirti zakonisht komunikon qetësisht, nëpërmjet ndjenjave dhe mendimeve tuaja. Përkushtojuni kërkimit, dallimit dhe ndjekjes së këtyre nxitjeve delikate. Ato vijnë në shumë mënyra (shihni te kapitulli 4; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 11:12–14; Galatasve 5:22–23).

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Ungjilli i Jezu Krishtit është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Për atë arsye, mesazhi i Rivendosjes së ungjillit nevojitet të jepet mësim me anë të fuqisë hyjnore – fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Zoti tha: “Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim” (Doktrina e Besëlidhje 42:14; shihni edhe te 50:13–14, 17–22). Kur jepni mësim me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, Ai do:

  • T’ju mësojë të vërtetën dhe do t’jua sjellë në kujtesë doktrinën që keni studiuar (shihni te Gjoni 14:26).

  • T’ju japë fjalë që t’i flisni kur t’ju nevojiten (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:85).

  • Ta çojë mesazhin tuaj në zemrat e tyre të cilëve u jepni mësim (shihni te 2 Nefi 33:1).

  • T’ju ndihmojë ju dhe ata të cilët pranojnë me anë të Shpirtit, që ta kuptoni njëri‑tjetrin dhe të lartësoheni e gëzoheni së bashku (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:17–22).

  • Të dëshmojë për vërtetësinë e mesazhit tuaj dhe do t’ua pohojë fjalët tuaja atyre që ju pranojnë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 100:5–8).

Zoti do t’ju bekojë me bollëk teksa e kërkoni Frymën e Shenjtë, mbështeteni te Fryma e Shenjtë dhe jepni mësim me anë të Frymës së Shenjtë (shihni te kapitujt 4 dhe 10).

One by One [Një nga Një], nga Walter Rane

Ungjilli i Krishtit dhe Doktrina e Krishtit

Ungjilli i Jezu Krishtit përcakton si mesazhin tuaj ashtu edhe qëllimin tuaj. Ai jep edhe se cili është shërbimi juaj misionar edhe arsyet e atij shërbimi. Ungjilli i Tij përfshin të gjithë doktrinën, parimet, ligjet, urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e domosdoshme për shpëtim dhe ekzaltim.

Mesazhi i ungjillit është që ne mund të përdorim fuqinë shpëtuese, shëlbuese të Jezu Krishtit nëpërmjet ushtrimit të besimit tek Ai, nëpërmjet pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund (shihni te 3 Nefi 27:13–22).

Kjo njihet edhe si doktrina e Krishtit. Të jetuarit e kësaj doktrine është mënyra se si vijmë te Krishti dhe shpëtohemi (shihni te 1 Nefi 15:14). Kjo jepet mësim fuqishëm në Librin e Mormonit (shihni te 2 Nefi 31; 32:1–6; 3 Nefi 11:31–40). Qëllimi juaj është t’i ndihmoni njerëzit të vijnë te Krishti duke i ndihmuar që ta jetojnë doktrinën e Tij.

Hajrëm Smithi

“Predikoni parimet e para të ungjillit – predikojini ato vazhdimisht; ju do të shikoni se nga dita në ditë do t’ju zbulohen ide të reja dhe një ndriçim më i madh në lidhje me këto gjëra. Ju mund t’i shtjelloni më tej ato në mënyrë që t’i kuptoni qartë. Atëherë do të jeni të aftë t’i bëni ato më të qarta për t’u kuptuar prej atyre të cilëve u jepni mësim” (Hyrum Smith, në History, 1838–1856, vëllimi E-1 [1 korrik 1843–30 prill 1844], 1994, josephsmithpapers.org).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë japin mësim shkrimet e shenjta dhe proklamata vijuese rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe doktrinës së Krishtit? Bëni shënime në ditarin tuaj të studimit për t’ju ndihmuar që të kuptoni e të mbani mend.

The Converting Power of the Book of Mormon [Fuqia Kthyese në Besim e Librit të Mormonit], nga Ben Sowards

Besimi te Jezu Krishti

Besimi është themeli për të gjitha parimet e tjera të ungjillit. Ai është një parim veprimi dhe fuqie.

Besimi ynë duhet të përqendrohet te Jezu Krishti që të na çojë drejt shpëtimit. Shpëtimtari dha mësim: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Besimi te Jezu Krishti përfshin të besuarit se Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë. Është të mirëbesuarit tek Ai si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë (shihni te Mosia 3:17; 4:6–10; Alma 5:7–15). Është të kesh vetëbesim të plotë tek Ai dhe fjalët, mësimet dhe premtimet e Tij. Besimi ynë te Krishti rritet kur i ndjekim mësimet dhe shembullin e Tij me qëllim të plotë të zemrës (shihni te 2 Nefi 31:6–13; 3 Nefi 27:21–22).

Si misionar, ndihmojini njerëzit që të bëjnë e të mbajnë zotime të cilat e ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Këto zotime i përgatitin ata që të marrin ordinanca dhe të bëjnë e t’i mbajnë besëlidhjet e shenjta me Perëndinë.

Pendimi

Besimi te Jezu Krishti na bën të pendohemi (shihni te Helamani 14:13). Pendimi është procesi i drejtimit te Perëndia dhe i largimit prej mëkatit. Ndërsa pendohemi, veprimet, dëshirat dhe mendimet tona ndryshojnë për të qenë më tepër në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari pagoi çmimin për mëkatet tona (shihni te Mosia 15:9; Alma 34:15–17). Kur pendohemi, ne mund të falemi për shkak të Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij, sepse Ai kërkon të drejtat e Tij për mëshirë ndaj të penduarit (shihni te Moroni 7:27–28). Në fjalët e profetit Lehi, “shëlbimi [ynë] vjen … nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:6, 8).

Pendimi është më shumë se ushtrimi i vullnetit për ta ndryshuar një sjellje ose për ta kapërcyer një dobësi. Pendimi është kthimi me sinqeritet drejt Krishtit, i cili na jep fuqinë për të përjetuar një “ndryshim [të] madh” në zemrat tona (shihni tek Alma 5:12–14). Ai përfshin bindjen me përulësi ndaj Shpirtit dhe nënshtrimin ndaj vullnetit të Perëndisë. Kur pendohemi, ne e rritim zotimin tonë për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij. Ne lindemi përsëri shpirtërisht në Krishtin.

Pendimi është një parim pozitiv që sjell gëzim dhe paqe. Ai na sjell “në fuqinë e Shëlbuesit, në shpëtimin e shpirtrave … t[anë]” (Helamani 5:11).

Jini të guximshëm dhe plot dashuri që t’i ndihmoni njerëzit të kuptojnë se përse duhet të pendohen. Duke i ftuar njerëzit të cilëve u jepni mësim, të bëjnë zotime, ju i ftoni të pendohen dhe u ofroni atyre shpresë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë mund të mësoni nga shkrimet e shenjta vijuese rreth shpalljes së pendimit?

Pagëzimi

Besimi te Jezu Krishti dhe pendimi na përgatitin për ordinancën e pagëzimit. “Fryti i parë i pendimit është pagëzimi” (Moroni 8:25). Ne hyjmë në portën e jetës së përjetshme kur pagëzohemi nëpërmjet zhytjes nga dikush që ka autoritet nga Perëndia.

Kur pagëzohemi, ne bëjmë një besëlidhje me Perëndinë. Kur e mbajmë këtë besëlidhje, Perëndia premton të na japë shoqërimin e Frymës së Shenjtë, të na i falë mëkatet tona dhe të na japë anëtarësi në Kishën e Jezu Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79; Moroni 6:4). Ne mblidhemi te Zoti dhe rilindemi shpirtërisht nëpërmjet kësaj ordinance të gëzueshme dhe plot shpresë.

Pagëzimi dhe konfirmimi i njerëzve të cilëve u jepni mësim, janë thelbësorë për qëllimin tuaj. Ndihmojini ata të kuptojnë se që të kualifikohen për pagëzim, ata kanë nevojë të përmbushin kushtet te Doktrina e Besëlidhjet 20:37.

Studimi në Dyshe Misionare

Hulumtojini shkrimet e shenjta vijuese:

Bazuar në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta më lart, bëni dy lista me shkrim:

  1. Kualifikimet për pagëzim

  2. Besëlidhjet e bëra në pagëzim

Diskutoni me shoqëruesin tuaj misionar se si t’ua mësoni këtë gjë të tjerëve.

Konfirmimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë

Pagëzimi bëhet në dy pjesë: pagëzimi me ujë dhe pagëzimi prej Shpirtit. Pasi pagëzohemi me ujë, pagëzimi plotësohet kur konfirmohemi me anë të vënies së duarve nga dikush që ka autoritet nga Perëndia. Nëpërmjet konfirmimit ne mund të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe një heqje të mëkateve tona.

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi [prej] Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Alma dha mësim: “[Të] gjithë njerëzi[t] … duhet të lindin rishtas; po, të lindin nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij; Dhe kështu ata bëhen krijesa të reja” (Mosia 27:25–26).

Për njeriun e penduar, pagëzimi me ujë dhe prej Shpirtit është rilindje shpirtërore.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Cilat janë disa nga bekimet e pasjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë?

Përse duhet ta dëshirojmë dhuratën e Frymës së Shenjtë?

Durimi deri në Fund

Ndjekja e Jezu Krishtit është një zotim për gjithë jetën. Ne durojmë deri në fund kur vazhdojmë gjatë gjithë jetës sonë të ushtrojmë besim te Krishti, pendohemi çdo ditë, i marrim të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit, i mbajmë ato besëlidhje dhe kemi shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Kjo përfshin ripërtëritjen e besëlidhjeve që kemi bërë nëpërmjet marrjes së sakramentit.

The Lord Is My Shepherd [Zoti Është Bariu Im], nga Yongsung Kim

The Lord Is My Shepherd [Zoti Është Bariu Im], nga Yongsung Kim. Figura me mirësinë e Havenlight.

Ungjilli – Shtegu i Atit Tonë Qiellor për t’u Kthyer tek Ai

Ungjilli i Jezu Krishtit mund të ndryshojë mënyrën se si jetojmë dhe se cilët bëhemi. Parimet e tij nuk janë thjesht hapa që i përjetojmë një herë në jetën tonë. Kur i përsëritim gjatë gjithë jetës, ato na sjellin më pranë Perëndisë dhe bëhen një model gjithnjë e më shpërblyes i të jetuarit. Ato sjellin paqe, shërim dhe falje. Gjithashtu përcaktojnë shtegun që Ati ynë Qiellor e ka dhënë për ne që të kemi jetë të përjetshme me Të.

Ungjilli i Jezu Krishtit ju udhërrëfen se si të punoni si misionar. Ai gjithashtu i përqendron përpjekjet tuaja. Ndihmojini njerëzit të fitojnë besim te Jezu Krishti deri në pendim (shihni tek Alma 34:15–17). Jepni mësim dhe dëshmoni se plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit dhe autoriteti i priftërisë janë rivendosur. Ftojini njerëzit të pagëzohen dhe të jetojnë sipas mësimeve të Shpëtimtarit.

Ungjilli i Jezu Krishtit i Bekon të Gjithë Fëmijët e Perëndisë

Ungjilli i Jezu Krishtit është për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se “të gjithë janë njësoj” para Perëndisë. Ai i fton “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33).

Ungjilli na bekon gjatë gjithë jetës sonë në vdekshmëri dhe gjatë gjithë përjetësisë. Ka më tepër gjasë që ne të jemi të lumtur, edhe si individë edhe si familje, kur jetojmë sipas mësimeve të Jezu Krishtit (shihni te Mosia 2:41; “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Të jetuarit e ungjillit i thellon gëzimet tona, i frymëzon veprimet tona dhe i pasuron marrëdhëniet tona.

Një nga mesazhet e madhërishme të ungjillit të rivendosur është se ne jemi të gjithë pjesë e familjes së Perëndisë. Ne jemi bijtë dhe bijat e Tija të dashura. Pavarësisht nga situata jonë familjare në tokë, secili prej nesh është pjesëtar i familjes së Perëndisë.

Një pjesë tjetër e mrekullueshme e mesazhit tonë është që familjet mund të bashkohen për përjetësinë. Familja shugurohet nga Perëndia. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim:

“Plani hyjnor i [Atit Qiellor për] lumturi[n]ë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”).

Shumë njerëz kanë mundësi të kufizuara për martesë ose për marrëdhënie familjare plot dashuri. Shumë kanë përjetuar shkurorëzim dhe rrethana të tjera të vështira familjare. Gjithsesi, ungjilli na bekon individualisht pavarësisht nga rrethanat tona familjare. Kur jemi besnikë, Perëndia do të sigurojë një mënyrë për ne që të kemi bekimet e familjeve të dashura, qoftë në këtë jetë apo në jetën që vjen (shihni te Mosia 2:41).

Mesazhi i Rivendosjes: Themeli i Besimit

Pavarësisht se ku shërbeni apo kujt i jepni mësim, përqendrojeni mësimdhënien tuaj te Jezu Krishti dhe Rivendosja e ungjillit të Tij. Teksa studioni doktrinën në mësimet e misionarëve, ju do të shihni se ne kemi një mesazh: Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Nëpërmjet një profeti bashkëkohor, Ati Qiellor ka rivendosur njohurinë rreth planit të Tij për shpëtimin tonë. Ky plan përqendrohet te Jezu Krishti. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari bën të mundur për ne të gjithë që të shpëtohemi nga mëkati e vdekja dhe të kthehemi tek Ati Qiellor.

Ndihmojini njerëzit të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë sa vijon:

  • Perëndia është Ati ynë i vërtetë në Qiell. Ai na do përsosurisht. Çdo njeri në tokë është një fëmijë i Perëndisë dhe pjesëtar i familjes së Tij.

  • Ati Qiellor siguroi një plan për ne që të marrim pavdekësinë dhe jetën e përjetshme, të cilat janë bekimet e Tij më të mëdha (shihni te Moisiu 1:39). Ne kemi ardhur në tokë për të mësuar, për t’u rritur dhe përgatitur për plotësinë e bekimeve të Tij.

  • Si pjesë e planit të Tij, Ati Qiellor ka dhënë urdhërime për të na udhërrëfyer gjatë kësaj jete dhe na ndihmon të kthehemi tek Ai (shihni, për shembull, tek Eksodi 20:3–17).

  • Në këtë jetë, ne të gjithë mëkatojmë dhe ne të gjithë vdesim. Për shkak të dashurisë së Atit Qiellor për ne, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.

  • Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të pastrohemi nga mëkatet tona kur pendohemi, pagëzohemi dhe konfirmohemi. Kjo na sjell paqe dhe bën të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit.

  • Për shkak të Ringjalljes së Jezusit, ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo njeriu do të ribashkohen dhe jetojnë përgjithmonë.

  • Gjatë gjithë historisë biblike Zoti e zbuloi ungjillin e Tij dhe e organizoi Kishën e Tij nëpërmjet profetëve. Në mënyrë të përsëritur, shumica e njerëzve e refuzuan atë. Një model i largimit nga ungjilli dhe nevoja për ta rivendosur atë filluan në kohët e Dhiatës së Vjetër.

  • Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, Apostujt e Tij e udhëhoqën Kishën për njëfarë kohe. Përfundimisht ata vdiqën, autoriteti i priftërisë humbi dhe pati një largim tjetër nga mësimet e Shpëtimtarit. Njerëzit i ndryshuan doktrinën dhe ordinancat.

  • Ungjilli i Jezu Krishtit u rivendos nga Ati Qiellor nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozefit në pranverën e vitit 1820. Jozef Smithi më vonë mori autoritetin e priftërisë dhe mori udhëzim që të organizonte Kishën e Jezu Krishtit përsëri në tokë.

Jepni mësim se Kisha e Jezu Krishtit nuk është thjesht një fe tjetër. As nuk është një kishë amerikane. Përkundrazi, ajo është një rivendosje e “plotësi[së së] ungjillit” të Jezu Krishtit (Doktrina e Besëlidhje 1:23). Ajo nuk do të merret më kurrë nga toka përsëri.

“Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” jep dëshmi për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij hyjnor si Shpëtimtari i botës. Ai është gjithashtu një dëshmi e fuqishme se Jezu Krishti e rivendosi ungjillin dhe Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ftojini dhe ndihmojini njerëzit ta lexojnë Librin e Mormonit dhe të luten rreth mesazhit të tij.

Mirëbesojeni premtimin mbresëlënës te Moroni 10:3–5. Nxitini njerëzit t’i kërkojnë Perëndisë me sinqeritet dhe me qëllim të vërtetë nëse Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Lutja me qëllim të vërtetë do të thotë që të jemi të gatshëm të veprojmë sipas përgjigjes që vjen nga dëshmimi i Frymës së Shenjtë. Ai dëshmim bëhet themeli i besimit të një personi se Krishti e ka rivendosur Kishën e Tij. Ndihmojini njerëzit të cilëve u jepni mësim, që ta kërkojnë atë konfirmim shpirtëror.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Si duhet ta përdorni Librin e Mormonit në punën misionare?

Studimi Vetjak

Imagjinoni sikur po shkruani një paragraf rreth mesazhit të Rivendosjes në mediat shoqërore ose për një gazetë vendore lajmesh. Në ditarin tuaj të studimit, shkruani një titull që përshkruan mesazhin qendror. Pastaj mbajini shënim mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth këtij mesazhi. Përfshini se si të kuptuarit më mirë të këtij mesazhi e ka ndryshuar mënyrën se si jetoni dhe mënyrën se si e shihni botën përreth jush.

Vendosni dhe Ngrini Kishën

Kur Jezu Krishti e rivendosi Kishën e Tij, Ai i udhëzoi Profetin Jozef Smith dhe të tjerët që ta vendosnin atë dhe ta “ngr[inin]” atë (Doktrina e Besëlidhje 31:7; 39:13). Kisha vendoset dhe ngrihet teksa njerëzit me dëshmi pagëzohen dhe konfirmohen, i mbajnë besëlidhjet e tyre, përgatiten të shkojnë në tempull dhe ndihmojnë për ta forcuar lagjen ose degën e tyre.

burrë duke u lutur

Si misionar, ju ndihmoni ta vendosni dhe ngrini Kishën e Shpëtimtarit. Ka shumë mënyra se si mund ta bëni këtë. Ju mund t’i përkrahni anëtarët teksa e shpërndajnë ungjillin nëpërmjet parimeve të dhënies së dashuritë, të treguarit dhe të ftuarit (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.1). Ju mund t’i ndihmoni njerëzit që ta pranojnë pagëzimin dhe të rriten në besimin e tyre. Mund t’i ndihmoni anëtarët e rinj që të përshtaten ndaj jetës së tyre të re dhe të vazhdojnë të rriten shpirtërisht. Gjithashtu mund t’i ndihmoni anëtarët e kthyer në aktivitet që ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Anëtarët e rinj dhe ata të kthyer në aktivitet rriten në dëshmi e besim kur kanë përvoja se si ungjilli po funksionon në jetën e tyre. Për të ndihmuar që kjo gjë të ndodhë, është e rëndësishme për ata që:

  • Të kenë miq që janë anëtarë të Kishës.

  • T’u jepet një përgjegjësi në Kishë.

  • Të ushqehen me fjalën e Perëndisë.

(Shihni te Gordon B. Hinckley, “Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 47.)

Misionarët, udhëheqësit vendorë dhe anëtarë të tjerë të Kishës duhet ta pranojnë me gëzim mundësinë për t’i ushqyer shpirtërisht dhe forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët e kthyer në aktivitet. Ky shërbim ndihmon “për t’i mbajtur në udhën e drejtë” (Moroni 6:4).

Shkoni Duke Bërë Mirë

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri Shpëtimtari u shërbeu të tjerëve. Ai e përshkoi vendin “duke bërë mirë” dhe “duke predikuar ungjillin” (Veprat e Apostujve 10:38; Mateu 4:23). Ndërsa e ndiqni shembullin e Tij, ju do të gjeni njerëz të cilëve mund t’u shërbeni dhe të cilët do t’ju pranojnë.

Nëpërmjet shërbimit ju përmbushni dy urdhërimet e mëdha që ta doni Perëndinë dhe ta doni të afërmin tuaj (shihni te Mateu 22:36–40; 25:40; Mosia 2:17). Nëpërmjet shërbimit ju dhe të tjerët mund të bashkoheni në një mënyrë të fuqishme dhe frymëzuese.

Si misionar, ju jepni shërbim të planifikuar çdo javë (shihni te Standardet Misionare, 2.7 dhe 7.2, për informacion dhe orientime). Nën drejtimin e presidentit tuaj të misionit, ju mund të gjeni mundësi për të shërbyer në komunitet nëpërmjet programit ThjeshtShërbe (atje ku është miratuar) dhe përpjekjeve humanitare dhe përgjigjes nga ana e Kishës ndaj fatkeqësive.

Gjatë çdo dite, lutuni dhe kërkoni mundësi të paplanifikuara për të bërë mirë. Dëgjojeni Shpirtin që të dalloni raste për veprime të vogla mirësie të cilat mund t’i ofroni.

Presidenti Gordon B. Hinkli

“A dëshironi të jeni të lumtur? Harrojeni vetveten dhe humbisni në këtë kauzë të madhe. Falini përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar njerëzit. … Qëndroni më lart, ngrijini ata me gjunjë të [këputur], ngrij[ua]ni duart atyre që [iu] varen. Jetojeni ungjillin e Jezu Krishtit” (Gordon B. Hinkli, Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli [2016], f. 217, 218).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Cili ishte roli i shërbimit në jetën e Shpëtimtarit?

Cili ishte roli i shërbimit në misionet e Amonit dhe Aaronit?

Çfarë ju kërkon Zoti që të bëni?

Një Misionar i Suksesshëm

Suksesi juaj si misionar përcaktohet kryesisht nga dëshira dhe zotimi juaj për të gjetur, dhënë mësim, pagëzuar dhe konfirmuar të kthyer në besim dhe për t’i ndihmuar që të bëhen dishepuj besnikë të Krishtit dhe anëtarë të Kishës së Tij (shihni tek Alma 41:3).

Suksesi juaj nuk përcaktohet nga sa shumë njerëzve u jepni mësim ose i ndihmoni të vijnë te pagëzimi. As nuk përcaktohet nga mbajtja e pozicioneve të udhëheqjes.

Suksesi juaj nuk varet nga mënyra se si të tjerët zgjedhin që t’ju përgjigjen juve, ftesave tuaja apo veprimeve tuaja të çiltra të mirësisë. Njerëzit kanë lirinë të zgjedhin për ta pranuar ose jo mesazhin e ungjillit. Përgjegjësia juaj është të jepni mësim me qartësi dhe fuqi, me qëllim që ata të mund të bëjnë një zgjedhje të vetëdijshme e cila do t’i bekojë.

Mendoni rreth shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit për talentet te Mateu 25:14–28. I zoti, i cili përfaqëson Zotin, i lavdëroi që të dy shërbëtorët e Tij besnikë edhe pse përmasa e ofertave të tyre ishte e ndryshme (shihni te Mateu 25:21, 23). Ai gjithashtu u dha që të dyve të njëjtin shpërblim, duke i ftuar të hynin “në gëzimin e zotit t[ë tyre]”, sepse e shumëfishuan atë që u ishte dhënë.

Perëndia ju ka dhënë talente dhe dhunti për t’i përdorur në shërbimin e Tij. Talentet dhe dhuntitë tuaja janë të ndryshme nga ato të njerëzve të tjerë. Pranojeni se të gjitha këto janë të rëndësishme, përfshirë ato që janë më pak të dukshme. Kur ia përkushtoni talentet dhe dhuntitë tuaja Atij, Ai do t’i shumëfishojë ato dhe do të bëjë mrekulli me atë që ju ofroni.

Shmangiuni krahasimit të vetes suaj me misionarët e tjerë dhe matjes së rezultateve të jashtme të përpjekjeve tuaja me përpjekjet e tyre. Krahasimi zakonisht çon në rezultate negative, të tilla si shkurajim apo krenari. Shpesh krahasimi është edhe çorientues. Ajo që Zoti dëshiron, është përpjekja juaj më e mirë vetjake, që ju t’i “shërbeni atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 4:2; theksimi i shtuar).

Mund të trishtoheni nëse njerëzit nuk e pranojnë ende ungjillin. Nganjëherë mund të ndiheni të shkurajuar. Edhe misionarët dhe profetët e mëdhenj në shkrimet e shenjta nganjëherë kanë ndier shkurajim (shihni te 2 Nefi 4:17–19; Alma 26:27). Në kohë të tilla, ndiqni shembullin e Nefit duke u kthyer te Zoti, duke e vendosur mirëbesimin tuaj tek Ai, duke u lutur për forcë dhe duke kujtuar gjërat e mira që Ai ka bërë për ju (shihni te 2 Nefi 4:16–35).

dy misionarë duke u lutur

Kur ktheheni te Zoti në kohë të vështira, Ai ka premtuar: “Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj [ty]” (Isaia 41:10). Nëpërmjet ushtrimit të besimit te Krishti, ju mund të gjeni paqe dhe sigurim rishtas rreth përpjekjeve tuaja. Besimi do t’ju ndihmojë të shkoni përpara dhe të vazhdoni me dëshira të drejta.

Qëndroni të përqendruar në zotimin tuaj ndaj Krishtit dhe qëllimit tuaj misionar, jo në rezultatet e jashtme. Këto rezultate shpesh nuk janë të dukshme menjëherë. Në të njëjtën kohë, mbajini pritshmëritë tuaja të larta pavarësisht nga sfidat që hasni. Pritshmëritë e larta do ta rritin efektshmërinë tuaj, dëshirën tuaj dhe aftësinë tuaj për ta ndjekur Shpirtin.

Më poshtë përvijohen disa mënyra se si mund ta vlerësoni zotimin tuaj ndaj Zotit dhe përpjekjen tuaj për të qenë një misionar i suksesshëm.

Pasi të keni bënë gjithçka mundeni, ende mund të keni zhgënjime, por nuk do të jeni të zhgënjyer brenda vetes suaj. Mund të ndieni sigurinë se Zoti është i kënaqur kur e ndieni Shpirtin të veprojë nëpërmjet jush.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Si ndihen shërbëtorët e Zotit rreth punës? Si ndikojnë shërbëtorët e Zotit te njerëzit të cilëve u shërbejnë? Si ndiheni ju rreth punës?

Studimi Vetjak

  • Lexoni te Helamani 10:1–5 dhe 3 Nefi 7:17–18. Si u ndje Zoti rreth këtyre misionarëve dhe shërbimit të tyre?

  • Mendoni rreth përpjekjeve misionare të Abinadit dhe Amonit (shihni te Mosia 11–18; Alma 17–20; 23–24). Përse u pranuan që të dy misionarët nga Zoti edhe pse ishin të ndryshme rezultatet e menjëhershme të përpjekjeve të tyre?

  • Shënojeni atë që mësoni, në ditarin tuaj të studimit.


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Përzgjidhni njërin nga misionarët e mëdhenj që vijojnë dhe lexoni shkrimet e shenjta të renditura. Teksa lexoni, diskutoni se si ky misionar: 1) e kuptoi thirrjen e tij dhe u zotua ndaj asaj thirrjeje, 2) demonstroi qëndrimin dhe dëshirën e tij për punën dhe 3) i ndihmoi të tjerët që ta pranonin ungjillin.

  • Përzgjidhni dy himne rreth Rivendosjes së ungjillit. Lexojini ose këndojini himnet. Diskutoni mbi kuptimin e fjalëve.

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Ftoni dy ose tre të kthyer në besim së fundmi që të tregojnë përvojat e kthimit të tyre në besim. Si u ndien ata rreth misionarëve? Si u ndien ata rreth asaj që ua dhanë mësim misionarët? Çfarë i ndihmoi që t’i mbanin zotimet? Çfarë e ndikoi më fuqishëm kthimin e tyre në besim?

  • Disa ditë përpara takimit, caktoni disa misionarë që të përsiatin pyetjet e përzgjedhura nga pjesa “Merreni Parasysh Këtë” në fillim të kapitullit. Kërkojini secilit misionar që të përgatitë një bisedë dy ose treminutëshe për pyetjen e caktuar. Gjatë këshillit të distriktit ose konferencës së zonës, ftojini misionarët që të bëjnë bisedat e tyre. Pas bisedave diskutoni atë që mësuan dhe se si mund të përdoret ajo në punën misionare.

  • Ndajini misionarët në katër grupe. Kërkojini secilit grup të renditë sa më shumë të vërteta, besëlidhje dhe ordinanca që munden, të cilat u rivendosën dhe u zbuluan nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Bëjeni secilin grup që të tregojë listat e veta. Ftojini misionarët të tregojnë se si ndonjëra prej të vërtetave që u zbuluan nëpërmjet Rivendosjes, ka ndikuar në jetën e tyre.

  • Diskutoni se çfarë do të thotë të jeni një misionar i suksesshëm. Ftojini misionarët të japin shembuj specifikë.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Gjatë intervistave ose në bashkëbisedimet me misionarët, kërkojuni periodikisht që të shprehin:

    • Dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.

    • Dëshminë e tyre për ungjillin e rivendosur dhe misionin e Jozef Smithit.

    • Dëshminë e tyre për Librin e Mormonit.

    • Mendimet e tyre rreth qëllimit të tyre si misionar.

  • Ftojini misionarët t’i mbajnë shënim në ditarët e tyre të studimit atë që e ndiejnë se janë disa nga qëllimet e misionit të tyre. Gjatë një interviste ose në bashkëbisedimet, kërkojuni të tregojnë atë që kanë shkruar.

  • Dërgojuni një letër përgëzimi anëtarëve të rinj.