Thirrjet në Mision
Kapitulli 12: Ndihmojini Njerëzit të Përgatiten për Pagëzimin dhe Konfirmimin


“Kapitulli 12: Ndihmojini Njerëzit të Përgatiten për Pagëzimin dhe Konfirmimin”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 12”, Predikoni Ungjillin Tim

John the Baptist Baptizing Jesus [Gjon Pagëzori Duke Pagëzuar Jezusin], nga Greg K. Olsen

Kapitulli 12

Ndihmojini Njerëzit të Përgatiten për Pagëzimin dhe Konfirmimin

Merreni Parasysh Këtë

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit të përgatiten për pagëzimin dhe konfirmimin?

  • Si të drejtoj një intervistë për pagëzim?

  • Si planifikohet dhe drejtohet një shërbesë pagëzimi lartësuese?

  • Pse është e rëndësishme të plotësohet dhe dorëzohet Formulari i Pagëzimit dhe Konfirmimit?

  • Si mund t’i përkrah anëtarët e rinj?

Pagëzimi është një ordinancë e gëzueshme shprese që sjell fuqinë e Perëndisë në jetën e një personi. Ajo fuqi vjen nëpërmjet marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ajo do të vazhdojë ndërsa një person duron deri në fund në mbajtjen e besëlidhjes së pagëzimit.

Qëllimi i mësimdhënies suaj është që t’i ndihmoni të tjerët të zhvillojnë besimin e tyre te Jezu Krishti, të pendohen për mëkatet e tyre dhe të pagëzohen me një dëshirë të çiltër për ta ndjekur Krishtin. Siç dha mësim Moroni: “Dhe fryti i parë i pendimit është pagëzimi” (Moroni 8:25). Ndërsa njerëzit të cilëve u jepni mësim, i mbajnë zotimet që ju i ftoni të bëjnë, ata do të përgatiten të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje me Perëndinë dhe të gëzojnë bekimet e premtuara.

Pagëzimi dhe konfirmimi nuk janë pikësynimi përfundimtar. Përkundrazi, këto ordinanca janë porta përmes së cilës fëmijët e Perëndisë hyjnë në shtegun e besëlidhjeve. Ky shteg çon drejt ordinancave, besëlidhjeve dhe bekimeve të gëzueshme të tempullit – dhe përfundimisht drejt jetës së përjetshme (shihni te 3 Nefi 11:20–40).

Kualifikimet për Pagëzimin dhe Konfirmimin

Perëndia i fton të gjithë fëmijët e Tij të vijnë tek Ai nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit (shihni te 2 Nefi 26:33; 3 Nefi 27:20). Kualifikimet për pagëzim janë njëlloj për të gjithë.

Nga Doktrina e Besëlidhje 20:37:

  • Përuleni veten përpara Perëndisë.

  • Kini dëshirën të pagëzoheni.

  • Ejani me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar.

  • Pendohuni për të gjitha mëkatet tuaja dhe lutuni për falje.

  • Jini të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit.

  • Kini vendosmërinë për t’i shërbyer Krishtit deri në fund.

  • Tregojeni me veprat tuaja se e keni marrë Shpirtin e Krishtit për heqjen e mëkateve tuaja.

Nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve:

  • Përgjigjuni në mënyrë të përshtatshme pyetjeve të intervistës së pagëzimit.

  • Bëjini të gjitha mësimet e misionarëve.

  • Takohuni me presidentin e kuorumit të pleqve, presidenten e Shoqatës së Ndihmës dhe peshkopin.

  • Frekuentoni disa mbledhje sakramenti.

Këto kualifikime janë tregues të procesit shpirtëror të kthimit në besim. Kur njerëzit i plotësojnë këto kualifikime, ata janë gati për ordinancat e shenjta të pagëzimit dhe konfirmimit.

Kur një person ka caktuar një datë për pagëzimin:

  • Rishikojeni me kujdes dokumentin e tij ose të saj në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për t’u siguruar që i keni dhënë mësim doktrinën dhe urdhërimet e nevojshme.

  • Krijoni një program për ngjarjet që nevojiten për t’u përgatitur për pagëzimin dhe konfirmimin. Rishikojeni këtë program me personin.

  • Nëse është e mundur, ftojeni personin të marrë pjesë në një shërbesë pagëzimi përpara pagëzimit të tij ose të saj.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Studioni shkrimet e shenjta vijuese: Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që të përgatiten për pagëzimin dhe konfirmimin? Shënojeni atë që po mësoni nga studimi juaj.

Gentle Healer [Shëruesi i Dhembshur], nga Greg K. Olsen

Ndihmojini Njerëzit të Përgatiten për Intervistën e Tyre të Pagëzimit

Intervista e pagëzimit është një hap i rëndësishëm për t’u siguruar që një person i plotëson kualifikimet e Zotit për pagëzim. Planifikoni një intervistë pagëzimi vetëm kur një person të jetë gati.

Ndihmojini njerëzit të përgatiten për këtë intervistë në mënyrë që të ndihen rehat për të. Shpjegoni se si do të jetë. Tregojuni se ata do të takohen me një misionar tjetër si ju.

Shpjegoni qëllimin e intervistës. Kjo është një mundësi që ata të dëshmojnë se “janë penduar … për gjithë mëkatet e tyre [dhe] manifestojnë me anë të veprave të tyre, se ata … kanë marrë prej Shpirtit të Krishtit për heqjen e mëkateve të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 20:37).

Tregojini pyetjet që intervistuesi do të bëjë (shihni më poshtë). Kjo e ndihmon personin që të përgatitet për t’iu përgjigjur atyre.

Sigurohuni që personi të kuptojë atë që keni dhënë mësim dhe besëlidhjen që ai ose ajo do të bëjë në pagëzim. Kjo besëlidhje do të thotë:

  • Të jetë i/e gatshme/me të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit.

  • T’i zbatojë urdhërimet e Perëndisë.

  • T’i shërbejë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë.

  • Të durojë deri në fund. (Shihni te mësimi 4.)

Jepni dëshmi rreth bekimeve të mëdha që vijnë nga të qenët i pagëzuar dhe konfirmuar dhe mbajtja e besëlidhjes së pagëzimit. Këto bekime përfshijnë heqjen e mëkateve dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Drejtimi i Intervistës së Pagëzimit

Çdo person që ka dëshirën të pagëzohet, intervistohet nga një udhëheqës i autorizuar i priftërisë. Në një mision, ky person është udhëheqësi i distriktit ose i zonës. Ai drejton intervistat për:

  • Persona të moshës 9 vjeç e lart të cilët kurrë nuk janë pagëzuar dhe konfirmuar.

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç e lart prindërit e të cilëve nuk janë anëtarë të Kishës.

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç e lart të cilët kanë një prind që gjithashtu po pagëzohet dhe konfirmohet.

Orientimet për intervistuesin janë dhënë më poshtë.

  • Zhvillojeni intervistën në një vend të rehatshëm, në privatësi, ku mund të ndihet Shpirti.

  • Kur intervistoni një fëmijë, të ri/të re ose grua, shoqëruesi i intervistuesit duhet të jetë aty pranë në një dhomë, korridor ose sallë ngjitur. Nëse personi dëshiron, një person tjetër në moshë madhore mund të ftohet që të marrë pjesë në intervistë. Misionarët duhet t’i shmangin të gjitha rrethanat që mund të keqkuptohen.

  • Filloni me lutje.

  • Ndihmojeni personin të ndihet rehat.

  • Bëjeni intervistën një përvojë shpirtërisht lartësuese.

  • Sigurohuni që personi ta kuptojë qëllimin e intervistës.

  • Bëni pyetjet për intervistën e pagëzimit që janë renditur më poshtë. Përshtatini pyetjet sipas moshës, pjekurisë dhe rrethanave të personit.

  • Përgjigjuni pyetjeve të personit.

  • Rishkojeni informacionin te Formulari i Pagëzimit dhe Konfirmimit për saktësi. Nëse personi është i mitur, një prind ose kujdestar ka nevojë që ta firmosë formularin përpara pagëzimit (shihni pjesën “Pagëzimi dhe Konfirmimi: Pyetje dhe Përgjigje” në këtë kapitull).

  • Ftojeni personin të japë dëshmi ose të shprehë ndjenjat e tij ose të saj.

  • Shprehni vlerësimin për mundësinë që keni për t’u takuar me personin.

Pyetjet e Intervistës së Pagëzimit

Pyetjet e intervistës së pagëzimit janë si vijojnë:

  1. A besoni se Perëndia është Ati ynë i Përjetshëm? A besoni se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari e Shëlbuesi i botës?

  2. A besoni se Kisha dhe ungjilli i Jezu Krishtit janë rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith? A besoni se [Presidenti i tanishëm i Kishës] është një profet i Perëndisë? Ç’kuptim ka kjo për ju?

  3. Çfarë do të thotë për ju të pendoheni? A ndieni se jeni penduar për mëkatet tuaja të mëparshme?

  4. Juve ju është mësuar se anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përfshin të jetuarit e standardeve të ungjillit. Çfarë kuptoni rreth standardeve vijuese? A jeni i/e gatshëm/me t’u bindeni atyre?

    • Ligji i dëlirësisë, që ndalon çfarëdo marrëdhënie seksuale jashtë lidhjeve të një martese të ligjshme midis një burri dhe një gruaje

    • Ligji i së dhjetës

    • Fjala e Urtësisë

    • Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë, përfshirë marrjen e sakramentit çdo javë dhe dhënien e shërbimit ndaj të tjerëve

  5. A keni kryer ndonjëherë një krim të rëndë? Nëse po, a jeni ju tani në kohën e provës apo në liri me kusht?

  6. A keni marrë pjesë ndonjëherë në një abort? (Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 38.6.1.)

  7. Kur pagëzoheni, ju besëlidhni me Perëndinë se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, t’u shërbeni të tjerëve, të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohët dhe t’i zbatoni urdhërimet e Tij gjatë gjithë jetës suaj. A jeni i gatshëm ta bëni këtë besëlidhje dhe të përpiqeni fort të jeni besnik ndaj saj?

(Për udhëzime nëse personi përgjigjet pozitivisht për pyetjen 5 ose 6, shihni te Manuali i Përgjithshëm:, 38.2.8.7 dhe 38.2.8.8.)

Njihuni me rregulloret dhe orientimet që lidhen me pagëzimin dhe konfirmimin te Manuali i Përgjithshëm, 38.2.8. Disa nga këto rregullore përfshijnë rrethana të veçanta që mund të hasni.

Pas intervistës, misionari dhe kandidati ribashkohen me misionarët e tjerë. Nëse personi është gati për pagëzim, misionarët shpjegojnë se çfarë do të ndodhë në shërbesën e pagëzimit. Ata shpjegojnë gjithashtu se konfirmimi zakonisht ndodh në një mbledhje sakramenti të lagjes ku jeton personi.

Kur një Pagëzim ka Nevojë të Shtyhet

Ndonjëherë një pagëzim ka nevojë të shtyhet për shkak të sfidave me dëshminë apo denjësinë. Kur ndodh kjo, trajtojeni situatën në mënyrë të ndjeshme dhe në privatësi. Ndihmojeni personin të kuptojë se si të përgatitet për pagëzimin në një datë të ardhshme.

Jepini zemër personit dhe ofroni shpresë te Krishti dhe Shlyerja e Tij. Kërkojuni anëtarëve të lagjes të ofrojnë shoqërim. Vazhdoni të jepni mësim parimet bazë të ungjillit derisa personi të jetë gati për t’u pagëzuar e konfirmuar. Prisni deri në atë kohë për të programuar një datë të re pagëzimi.

Pagëzimi dhe Konfirmimi: Pyetje dhe Përgjigje

A kam nevojë për leje për të pagëzuar një të mitur? Kisha është e shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve dhe harmoninë në mjedisin e tyre shtëpiak. Një fëmijë i mitur, siç përcaktohet nga ligjet vendore, mund të pagëzohet kur plotësohen që të dyja kushtet vijuese:

  1. Prindi/ërit kujdestar/ë ose kujdestari/ja apo kujdestarët/et ligjorë/e japin leje me shkrim. Ata duhet të kenë një kuptim të përgjithshëm të doktrinës që do t’i mësohet fëmijës së tyre si anëtar i Kishës. Ata gjithashtu duhet të jenë të gatshëm ta përkrahin fëmijën në bërjen dhe zbatimin e besëlidhjes së pagëzimit.

  2. Personi që e drejton intervistën, dallon se fëmija e kupton besëlidhjen e pagëzimit. Ai duhet të ndihet i sigurt se fëmija do të përpiqet fort që ta mbajë këtë besëlidhje duke iu bindur urdhërimeve, përfshirë frekuentimin e mbledhjeve të Kishës.

A kam nevojë për pëlqimin e bashkëshortit/es për të pagëzuar një bashkëshorte ose bashkëshort? Po. Një person i martuar duhet të ketë pëlqimin e bashkëshortes/it së/të vet përpara se të pagëzohet.

Nëse një prind në një familje nuk është gati për pagëzim, a duhet t’i pagëzoj pjesëtarët e tjerë të familjes apo të pres derisa prindi të jetë gati? Parapëlqehet që pjesëtarët e familjes të pagëzohen së bashku. Sidoqoftë, nëse disa nuk janë gati, pjesëtarët individualë të familjes mund të pagëzohen për sa kohë që jepet çdo pëlqim i nevojshëm.

A duhet që pagëzimet e pjesëtarëve të familjes të shtyhen derisa babai të mund të marrë Priftërinë Aarone dhe t’i kryejë vetë pagëzimet? Jo. Vëllezërit e sapopagëzuar nuk e marrin Priftërinë Aarone ditën që pagëzohen. Fillimisht ata kanë nevojë të intervistohen nga peshkopi dhe të mbështeten nga anëtarët e lagjes.

A mund t’i jap mësim dhe ta pagëzoj një person që dha dorëheqjen nga anëtarësia në Kishë ose anëtarësia e të cilit u tërhoq? Njerëzit që dhanë dorëheqjen nga anëtarësia në Kishë ose anëtarësia e të cilëve u tërhoq, mund të ripranohen me anë të pagëzimit dhe konfirmimit. Nëse ata dëshirojnë që t’u jepet mësim, këshillohuni me udhëheqësit vendorë të priftërisë dhe presidentin tuaj të misionit për çdo rol që mund të keni.

Në një kunj, ripranimi me anë të pagëzimit është nën drejtimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit. Në një mision, ripranimi është nën drejtimin e presidentit të misionit. Këta udhëheqës do të marrin udhërrëfim nga Presidenca e Parë sipas nevojës. Misionarët nuk i kryejnë këto intervista pagëzimi as nuk e plotësojnë Formularin e Pagëzimit dhe Konfirmimit. Sidoqoftë, një misionar mund të ftohet për të kryer pagëzimin.

Ish‑anëtarët e Kishës që ribashkohen, nuk janë të kthyer në besim. Megjithatë, misionarët ndonjëherë mund të kenë një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar ata të gëzojnë përsëri bekimet e anëtarësimit në Kishë.

Po sikur një person të ketë një datë të programuar pagëzimi, por nuk po i mban të gjitha zotimet? Prisni që të programoni një intervistë për pagëzim derisa personi t’i mbajë zotimet dhe të përmbushë kualifikimet për pagëzim. Shihni te “Kur një Pagëzim ka Nevojë të Shtyhet” në këtë kapitull.

Po sikur një çift do të pagëzohet, por jetojnë së bashku? Një çift që bashkëjeton pa qenë në një martesë të ligjshme midis një burri dhe një gruaje, nuk lejohet të pagëzohet derisa të jetojë ligjin e dëlirësisë. Kjo do të thotë që ata të mos bashkëjetojnë më, qoftë si çift heteroseksual apo çift i së njëjtës gjini ose, për një burrë dhe një grua, do të thotë që të martohen. Ajo përfshin gjithashtu ushtrimin e besimit deri në pendim siç përshkruhet te Doktrina e Besëlidhje 20:37. Martesa midis një burri dhe një gruaje është pjesë thelbësore e planit të Perëndisë.

Pyetjet 5 dhe 6 në intervistën e pagëzimit pyesin nëse një person ka kryer ndonjëherë një krim të rëndë ose ka marrë pjesë në një abort. Çfarë duhet të bëj nëse dikush i përgjigjet “po” njërës prej këtyre pyetjeve? Nëse viheni në dijeni të njërës prej këtyre situatave gjatë një interviste pagëzimi, mos pyesni për hollësitë. Mos premtoni se personi do të miratohet për pagëzim. Në vend të kësaj, shprehni dashurinë tuaj dhe shpjegoni me dashamirësi se dikush me më shumë pjekuri dhe përvojë do të flasë me personin dhe do të ndihmojë.

Dërgojini një kërkesë për intervistë pagëzimi presidentit tuaj të misionit. Ai ose një nga këshilltarët e tij do të takohet me personin. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 38.2.8.7 dhe 38.2.8.8.

Çfarë duhet të bëj nëse një dokument anëtarësie është krijuar përpara se të dorëzoj Formularin e Pagëzimit dhe Konfirmimit? Vihuni në kontakt me presidentin tuaj të misionit për udhëzime.

Studimi Vetjak

Mendoni se si mund të ndiheni nëse do të intervistoheshit ju. Merrini parasysh pyetjet vijuese dhe shënojini mbresat tuaja.

  • Në çfarë mënyre intervista mund t’ju duket e parehatshme? Çfarë mund të bëjë ose të thotë intervistuesi për t’ju qetësuar?

  • Si do të dëshironit që intervistuesi të ndërvepronte me ju?

  • Si do të dëshironit që intervistuesi të përgjigjej nëse ju do të shprehnit dyshime apo keqkuptime ose nëse do të rrëfenit mëkate të rënda?

pagëzimi

Shërbesa e Pagëzimit

Shërbesa e pagëzimit dhe konfirmimi duhet të jenë çastet kulmore shpirtërore për një anëtar të ri. Shërbesa e pagëzimit duhet të programohet sapo një person të ketë plotësuar kualifikimet për pagëzim. Shpjegoni se çfarë është planifikuar dhe pse. Diskutoni veshjen e duhur, duke përfshirë mënyrën se si personit do t’i jepen rroba të bardha për t’i veshur për pagëzimin.

Shërbesat e pagëzimit për të kthyerit në besim planifikohen nën udhëheqjen e peshkopatës. Udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse është thirrur dikush) ose anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që udhëheq punën misionare, i planifikon dhe i drejton këto shërbesa. Ai bashkërendon me misionarët kohëplotë. Shërbesat e pagëzimit duhet të jenë të thjeshta, të shkurtra dhe lartësuese nga ana shpirtërore.

Ftojeni një anëtar të peshkopatës, një anëtare të presidencës së Shoqatës së Ndihmës dhe një anëtar të presidencës së kuorumit të pleqve (nëse ai nuk po drejton) që të marrin pjesë në shërbesën e pagëzimit. Kur është e përshtatshme, ftoni udhëheqës të organizatave të tjera, udhëheqës të rinjsh e të rejash dhe vëllezër e motra shërbestare (nëse janë caktuar). Punoni me personin që po pagëzohet, për të ftuar miq dhe të afërm që të marrin pjesë në shërbesën e pagëzimit dhe të konfirmimit.

Merrni parasysh të ftoni njerëz të tjerë të cilëve po u jepni mësim. Këto përvoja do t’i ndihmojnë që të ndiejnë Shpirtin dhe të mësojnë më shumë rreth ungjillit. Pas shërbesës, ndiqeni ecurinë për të diskutuar mbi përvojën e tyre dhe ftojini që të marrin mësimet.

Një shërbesë pagëzimi mund të përfshijë sa vijon:

  1. Muzikën para hapjes

  2. Një mirëseardhje të shkurtër nga udhëheqësi i priftërisë që po drejton shërbesën (një anëtar i peshkopatës duhet të kryesojë nëse është e mundur)

  3. Një himn dhe lutje të hapjes

  4. Një ose dy mesazhe të shkurtra mbi tema të ungjillit, të tilla si pagëzimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë

  5. Një përzgjedhje muzikore

  6. Pagëzimin

  7. Një kohë nderimi, ndërkohë që njerëzit të cilët morën pjesë në pagëzim, të vishen me rroba të thata. (Gjatë kësaj kohe mund të luhen ose të këndohen himne apo këngë të Fillores. Ose misionarët mund të japin një paraqitje të shkurtër për ungjillin.)

  8. Dhënien e dëshmisë prej anëtarëve të rinj, nëse dëshirohet

  9. Një himn dhe lutje mbylljeje

  10. Muzikën pas mbylljes

Nëse një shërbesë është programuar të dielën, zgjidhni një orar që bie sa më pak ndesh me mbledhjet e zakonshme të së dielës.

konfirmimi

Konfirmimi

Një person e merr ordinancën e konfirmimit pasi ai ose ajo pagëzohet (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:41). Një i kthyer i ri në besim konsiderohet anëtar i Kishës pasi të dyja ordinancat e pagëzimit dhe konfirmimit përfundohen dhe shënohen siç duhet.

Konfirmimet janë nën drejtimin e peshkopit. Sidoqoftë, ai nuk drejton një intervistë të veçantë për konfirmimin.

Punoni ngushtësisht me peshkopin dhe udhëheqësin e misionit të lagjes (nëse është thirrur dikush) për t’u siguruar që të kthyerit e rinj në besim të konfirmohen. Konfirmimi duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e arsyeshme pas pagëzimit, mundësisht të dielën e ardhshme. Sidoqoftë, peshkopi mund të lejojë që konfirmimi të ndodhë në shërbesën e pagëzimit si një përjashtim (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 18.8).

Të kthyerit në besim zakonisht konfirmohen në një mbledhje sakramenti në lagjen e Kishës ku banojnë. Peshkopi zakonisht i fton pleqtë [eldërat] misionarë që shërbejnë në lagje, për të marrë pjesë në konfirmim. Nëse konfirmimi kryhet nga një misionar, atij i nevojitet miratim edhe nga presidenti i misionit (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 18.8.1). Së paku një anëtar i peshkopatës merr pjesë.

Plotësoni Formularin e Pagëzimit dhe Konfirmimit

Është jetike që të krijohet menjëherë një dokument anëtarësie pasi një person pagëzohet dhe konfirmohet. Lidhur me dokumente të tilla në kohën e tij, Moroni shkroi se anëtarët e rinj “u numëruan mes njerëzve të kishës së Krishtit; dhe emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë” (Moroni 6:4).

Ndërsa po i jepni mësim dikujt që po përgatitet të pagëzohet, filloni ta plotësoni Formularin e Pagëzimit dhe Konfirmimit në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]. Shpjegoni se ky formular do të përdoret për të krijuar një dokument anëtarësie. Ky dokument do të përmbajë informacion të rëndësishëm në lidhje me ordinancat që bën personi. Kur anëtarët e Kishës shpërngulen, dokumenti i tyre i anëtarësisë i përcillet lagjes së tyre të re, në mënyrë që udhëheqësit dhe anëtarët vendorë të mund t’i përkrahin ata.

Sapo anëtari i ri të pagëzohet dhe konfirmohet, përditësojeni formularin me informacion për secilën ordinancë, duke përfshirë edhe kush e kreu atë. Kur ta keni plotësuar formularin, shënojeni informacionin në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] dhe dorëzojani nëpunësit të lagjes në mënyrë elektronike. Sapo nëpunësi ta ketë marrë formularin, ai e rishikon atë dhe krijon një dokument anëtarësie.

Pasi krijohet dokumenti i anëtarësisë, një nëpunës përgatit një Certifikatë Pagëzimi dhe Konfirmimi. Kjo certifikatë nënshkruhet nga peshkopi dhe i jepet personit.

Emri dhe gjinia në dokumentin e anëtarësisë dhe në certifikatë duhet të përputhen me certifikatën e lindjes, regjistrin civil të lindjeve ose emrin e tanishëm zyrtar.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Studioni te Mosia 6:1–3 dhe Alma 6:1–4. Si lidhen këto fragmentet me mbajtjen e dokumenteve të sakta të pagëzimeve dhe konfirmimeve?

Pas Pagëzimit dhe Konfirmimit

Vazhdoni të Jepni Shërbesë

Vazhdoni të shoqëroheni dhe t’i përkrahni anëtarët e rinj pasi të pagëzohen dhe konfirmohen. Ndihmojini ta frekuentojnë kishën dhe të krijojnë marrëdhënie me anëtarët. Lexojeni Librin e Mormonit me ta dhe ndihmojini ta shpërndajnë ungjillin te pjesëtarët e familjes dhe miqtë. Njihini me broshurën My Covenant Path [Shtegu Im i Besëlidhjeve]. Vazhdoni ta përdorni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të shënuar përparimin e tyre, si për shembull frekuentimin nga ana e tyre në mbledhjen e sakramentit dhe mësimet që kanë marrë.

burra duke u përqafuar

Pas konfirmimit, jepini përsëri mësimet e misionarëve. Merreni ju drejtimin e mësimdhënies. Sidoqoftë, bashkërendoni me udhëheqësit e lagjes në mënyrë që misionarët e lagjes ose anëtarë të tjerë të marrin pjesë. Ndërsa jepni mësim, nxitini anëtarët e rinj që të mbajnë të gjitha zotimet në mësime.

Në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit, këshillohuni rreth mënyrës se si anëtarët mund t’i përkrahin të sapokthyerit në besim dhe t’i ndihmojnë ata të qëndrojnë të përfshirë në Kishë në mënyrë aktive. Planifikoni se kush do t’i njohë ata me udhëheqësit e kuorumit apo të organizatës. Bashkërendoni pjesëmarrjen e anëtarëve të tjerë ndërsa shpjegoni përsëri mësimet. Kërkoni që të caktohen vëllezër shërbestarë (dhe motra shërbestare për gratë).

Pasi një mashkull konfirmohet, ai ka të drejtë të marrë Priftërinë Aarone nëse do të jetë të paktën 12 vjeç deri në fund të vitit. Shugurimet në Priftërinë Aarone janë nën drejtimin e peshkopit (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 38.2.9.1).

Si të jetë e përshtatshme, komunikoni gjatë gjithë jetës suaj me njerëzit të cilëve u keni dhënë mësim. Përkrahini në marrjen e të gjitha bekimeve të ungjillit të Jezu Krishtit.

Plaku Gerit W. Gong

“Kur vijmë me zemra të thyera dhe shpirtra të penduar, ne mund të gjejmë zë te Jezu Krishti dhe të rrethohemi me krahët e Tij kuptues të sigurisë. Ordinancat e shenjta ofrojnë përkatësi në besëlidhje dhe ‘fuqi[në] e perëndishmërisë’ për ta shenjtëruar qëllimin e brendshëm dhe veprimin e jashtëm [Doktrina e Besëlidhje 84:20.] Me mirësinë e Tij plot dashuri dhe durimin e Tij, Kisha e Tij bëhet Hani ynë” (Gerit W. Gong, “Vend në Han”, Liahona, maj 2021, f. 27).

Ndihmojini Anëtarët e Rinj të Marrin Pjesë në Bekimet e Tempullit

Anëtarët e rinj në moshë të përshtatshme mund të marrin një rekomandim tempulli që i lejon ata të pagëzohen për pjesëtarët e tyre të vdekur të familjes (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 26.4.2). Ata e marrin këtë rekomandim nga peshkopi. Nxitini dhe ndihmojini anëtarët e rinj që të marrin një rekomandim tempulli sa më shpejt që të jetë e arsyeshme. Nëse keni afër një tempull, merrni parasysh të bëni një ftesë për një kohë të caktuar që anëtarët e rinj të kryejnë pagëzime për paraardhësit e vdekur.

Në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit, planifikoni se kush do t’i njohë anëtarët e rinj me udhëheqësin e lagjes për punën në tempull dhe historinë familjare. Ky udhëheqës mund t’i ndihmojë ata të përgatiten për të marrë bekimet e tempullit duke bërë vetë besëlidhjet e tempullit.


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Renditni sfidat që mund të hasë një kandidat për pagëzim. Përse është e rëndësishme që një person të ndiejë dashurinë dhe miqësinë e anëtarëve të Kishës?

  • Studioni te Moroni 6 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:68–69. Çfarë mund të mësoni nga këto vargje rreth ndihmës ndaj njerëzve që përgatiten për pagëzim e konfirmim? Shkruajeni atë që mësoni. Shprehjani mendimet tuaja shokut ose shoqes suaj gjatë studimit tuaj si dyshe misionare.

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Presidenti Henri B. Ajring shpjegoi përse standardet e ungjillit janë të rëndësishme. Diskutoni për këshillat vijuese. Si mund t’i nxitni njerëzit të dëshirojnë që t’i plotësojnë këto standarde?

    “Zoti vendos standardet e Tij që Ai të mund të na bekojë. Mendoni për ato bekime: Ai u premton atyre që i plotësojnë standardet, ndihmën e Frymës së Shenjtë. Ai premton paqe vetjake. Ai premton mundësinë për të marrë ordinancat e shenjta në shtëpinë e Tij. Dhe Ai u premton atyre që durojnë deri në fund në të jetuarin e standardeve të Tij, se ata do të kenë jetë të përjetshme. …

    Ngaqë i duam njerëzit të cilëve u shërbejmë, të gjithë ne duam të japim më të mirën për lartësimin e fëmijëve të Atit tonë Qiellor në kuadër të besnikërisë dhe pastërtisë që u nevojiten për të pasur të gjitha bekimet e Zotit. …

    … Ju filloni duke i mbajtur standardet e Zotit qartë dhe pa kërkuar ndjesë. Dhe sa më shumë bota të devijojë prej tyre dhe të tallet me to, aq më të guximshëm duhet të jemi për ta bërë këtë” (“Standards of Worthiness”, First Worldwide Leadership Training Meeting, janar 2003, f. 10–11).

  • Shqyrtojini pyetjet e intervistës së pagëzimit. Merrni në shqyrtim se si do t’i trajtonit situata të tilla si ato që vijojnë:

    • Personi nuk ju tha se është në kohë prove për një krim.

    • Personi nuk ka marrë një përgjigje për lutjen se Jozef Smithi ishte një profet.

    • Personi ka pirë një cigare dy ditë më parë.

    • Personi nuk është i sigurt se ajo ka marrë një përgjigje për lutjet e saj.

    • Pjesëtarët e familjes ndien trysni nga miqtë dhe nuk janë të sigurt nëse janë gati për pagëzim.

  • Shqyrtoni Formularin e Pagëzimit dhe Konfirmimit. Përse informacioni që ju jepni, duhet të jetë i saktë dhe i plotë?

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Shqyrtoni rëndësinë e intervistës së pagëzimit. Diskutoni se si misionarët mund t’i ndihmojnë njerëzit të përgatiten për intervistën.

  • Diskutoni se si t’i përdorni shërbesat e pagëzimit dhe konfirmimit si mundësi për të gjetur njerëz.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Punoni me udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave vendore që të siguroheni se ata po e përdorin në mënyrë të efektshme raportin e Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve.

  • Mësojuni udhëheqësve të distriktit, udhëheqësve të zonës dhe udhëheqëseve trajnuese motra se si t’i përgatitin njerëzit për intervistën e pagëzimit. Ftojini ata që t’i trajnojnë misionarët e tjerë që t’i përgatitin njerëzit për këtë intervistë.

  • Mësojuni udhëheqësve të distriktit dhe të zonës se si të kryejnë intervista pagëzimi.

  • Mësoni se si të përgjigjeni në një intervistë pagëzimi kur një person zbulon se ai ose ajo ka kryer një mëkat të rëndë.

  • Kur është e mundur, merrni pjesë në shërbesat e pagëzimit për anëtarët e rinj. Flisni me anëtarët e rinj dhe mësoni për përvojat e tyre të kthimit në besim. Tregojani atë që mësoni, shoqëruesit tuaj misionar dhe misionarëve.