“Kapitulli 2: Hulumtojini Shkrimet e Shenjta dhe Vishni Armatimin e Perëndisë”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Hulumtojini Shkrimet e Shenjta dhe Vishni Armatimin e Perëndisë”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 2
Hulumtojini Shkrimet e Shenjta dhe Vishni Armatimin e Perëndisë
Hulumtojini Shkrimet e Shenjta
Jezu Krishti “është jeta dhe drita e botës. V[ini] re, ai është fjala e vërtetësisë dhe e drejtësisë” (Alma 38:9; shihni edhe te Gjoni 1). Studimi i fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta do të sjellë bollëk në jetën tuaj (shihni te Gjoni 10:10). Fjalët e Tij do t’ju mbushin ju, dhe ata të cilëve u jepni mësim, me dritë dhe të vërtetë. Do t’ju ndihmojnë ju, dhe ata të cilëve u jepni mësim, që të jetoni me drejtësi dhe të merrni mbrojtje dhe forcë hyjnore. Do t’ju ndihmojnë të arrini ta njihni Atë dhe ta shijoni dashurinë e Tij, e cila është e ëmbël mbi gjithçka që është e ëmbël. Fjalët e Tij do ta mbushin shpirtin tuaj me gëzim (1 Nefi 8:11–12; shihni vargjet 1–34).
Shkrimet e shenjta janë një dhuratë qiellore. Një nga bekimet e mëdha të misionit tuaj është që keni një kohë të programuar për t’i studiuar ato çdo ditë.
Studimi i ungjillit është njëri nga llojet më shpërblyese të punës shpirtërore që mund të bëni. Është gjallërues si mendërisht ashtu edhe shpirtërisht. Siç dha mësim Alma, kur e “mbill[ni]” fjalën e Perëndisë në zemrën tuaj, ajo do ta “ndriçojë kuptimin” tuaj dhe do të bëhet e shijshme për ju (Alma 32:28; shihni edhe tek Enosi 1:3–4). Teksa vazhdoni të studioni dhe ta vini në zbatim fjalën e Perëndisë, ajo do të “lëshojë rrënjë; dhe … do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” (Alma 32:41; shihni edhe vargjet 42–43). Njohuria dhe dëshmia juaj për ungjillin do të rriten. Gjithashtu do të rriten dëshira dhe aftësia juaj për ta shpërndarë ungjillin.
Të mësuarit nga një mësues i mirë është i rëndësishëm, por gjithashtu është e rëndësishme që ju të keni përvoja kuptimplota të të mësuarit nga studimi juaj vetjak i shkrimeve të shenjta. Kjo është e vërtetë edhe për njerëzit të cilëve u jepni mësim.
Të kuptuarit e shkrimeve të shenjta mund të jetë sfidues fillimisht. Gjithsesi, teksa këmbëngulni me durim në studimin e fjalës së Perëndisë, kuptueshmëria juaj do të rritet. Ju do të arrini ta çmoni kohën që kaloni me shkrimet e shenjta. Do ta prisni plot dëshirë atë që do të mësoni dhe përjetoni.
Arritja që t’i dini dhe pëlqeni shumë shkrimet e shenjta, mund të jetë një bekim i madh jetëgjatë për shërbimin tuaj misionar. Teksa përjetoni bekimet e studimit të shkrimeve të shenjta gjatë misionit tuaj, ju do të dëshironi ta vazhdoni këtë gjë për gjithë pjesën tjetër të jetës suaj.
“Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti – besim që Ata ekzistojnë; besim tek plani i Atit për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme; besim tek Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit, që i jep jetë këtij plani të lumturisë; besim që ta bëjmë ungjillin e Jezu Krishtit mënyrë jetese; dhe besim që të arrijmë të njohim ‘të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai ka] dërguar’ (Gjoni 17:3)” (D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 34).
Kërkoni Shpirtin
Të mësuarit e ungjillit është më shumë sesa marrja e informacionit. Ai është gjithashtu një proces shpirtëror i zbatimit të së vërtetës së përjetshme nën udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë (shihni te Jakobi [LiM] 4:8; Doktrina e Besëlidhje 50:19–25). Kërkojeni Shpirtin dhe mirëbesojini Atij që t’ju mësojë teksa studioni shkrimet e shenjta. Kjo do të ndodhë deri në shkallën që ju i zbatoni shkrimet e shenjta për veten tuaj me qëllimin e vërtetë për të vepruar sipas asaj që mësoni (shihni te 1 Nefi 19:23; Moroni 10:4; Joseph Smith – Historia 1:18).
Studimi me lutje i shkrimeve të shenjta do të hapë një dritare zbulese për Shpirtin që t’i flasë mendjes dhe zemrës suaj. Ai do t’ju bekojë me udhërrëfim, frymëzim dhe përgjigje ndaj pyetjeve tuaja. Nëpërmjet studimit tuaj të shkrimeve të shenjta, Fryma e Shenjtë do t’ju forcojë e ngushëllojë. Ai do t’ju japë njohuri dhe bindje të cilat do ta bekojnë jetën tuaj dhe do t’ju aftësojnë për t’i bekuar të tjerët përjetësisht.
Kërkoni Përgjigje për Pyetjet
Si misionar do të dëgjoni shumë pyetje. Gjithashtu do të keni edhe vetë pyetjet tuaja. Hulumtimi i shkrimeve të shenjta dhe burimeve të tjera të miratuara për përgjigje ndaj këtyre pyetjeve është një mënyrë e fuqishme për të studiuar. Në ditarin tuaj të studimit mbajini shënim pyetjet dhe atë që mësoni dhe ndieni.
Përdorni burime të sakta dhe të besueshme gjatë studimit tuaj – kryesisht shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë dhe manualin Predikoni Ungjillin Tim. Përdorni burimet te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], të tilla si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe esetë mbi Temat e Ungjillit. Mësoni se cilat burime janë në dispozicion në gjuhët e njerëzve të cilëve u jepni mësim.
“Diçka që e kam mësuar në jetë, është se sa shpesh Zoti u përgjigjet lutjeve tona dhe na jep këshillë nëpërmjet shkrimeve të shenjta. … Le të shkojmë atëherë te Zoti në lutje, duke u përgjëruar për ndihmë ose përgjigje; dhe ato përgjigje do të vijnë kur i hapim shkrimet e shenjta dhe fillojmë t’i studiojmë ato. Nganjëherë është sikur një fragment qindra ose mijëravjeçar u diktua veçanërisht për t’iu përgjigjur pyetjes sonë” (M. Russell Ballard, “Be Strong in the Lord, and in the Power of His Might” [mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 3 mars 2002], f. 5, speeches.byu.edu).
Jetojeni Atë që Mësoni
Teksa e ndieni gëzimin që vjen nga rritja në kuptueshmëri për ungjillin, ju do të doni ta vini në zbatim atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me atë që mësoni. Duke e bërë këtë gjë, ju do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj. Të vepruarit sipas asaj që mësoni, do të sjellë një kuptim më të madh dhe më të qëndrueshëm. (Shihni te Gjoni 7:17.)
“Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, i ndryshon qëndrimet dhe sjelljen. Studimi i [doktrinës së] ungjillit do ta përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do ta përmirësojë sjelljen” (Boyd K. Packer, “Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).
Përdorni Programin Kompjutetik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] është një burim në internet që mund ta përmirësojë shumë studimin dhe mësimdhënien tuaj. Familjarizohuni me veçoritë e tij të shumta. Disa përfitime nga përdorimi i programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] si pjesë të studimit dhe mësimdhënies suaj, renditen më poshtë.
-
Ju jep mundësi përdorimi të shkrimeve të shenjta, të fjalëve të profetëve të gjallë dhe përmbajtjes tjetër të Kishës në shumë gjuhë në formate teksti, zanore dhe pamore.
-
Në qoftë se e mbani shënim në Gospel Library [Bibliotekën e Ungjillit] atë që mësoni dhe mbresat që keni marrë, ju mund të vazhdoni ta përdorni atë informacion dhe të forcoheni nga ai informacion edhe pas misionit tuaj.
-
Ju lejon që të shpërndani me lehtësi shkrime të shenjta, citime nga profetët e gjallë dhe materiale filmike tek ata të cilëve po u jepni mësim.
-
Shumica e njerëzve të cilëve u jepni mësim dhe i pagëzoni, do ta përdorin programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të pasur qasje te burimet e Kishës. Familjarizohuni me veçoritë e programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] me qëllim që të mund t’i ndihmoni ata për të mësuar se si ta përdorin atë.
Përdoreni Siç Duhet Teknologjinë
Zoti dhe profetët e Tij ju kanë mirëbesuar me teknologji për të ndihmuar në përmbushjen e veprës së Tij. Teknologjia mund ta përmirësojë studimin tuaj për shkrimet e shenjta dhe manualin “Predikoni Ungjillin Tim”. Burimet digjitale gjithashtu mund t’ju ndihmojnë të planifikoni. Ato mund t’ju ndihmojnë në mësimdhënien tuaj dhe në përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz për t’iu dhënë mësim.
Përdorimi i teknologjisë me urtësi dhe siç duhet mund t’ju ndihmojë të përmbushni synimin tuaj si misionar dhe ta përdorni kohën me efektshmëri. Gjithashtu mund t’ju ndihmojë që t’i shmangni materialet e papërshtatshme.
Ndiqni Shpirtin lidhur me kohën dhe mënyrën si ta përdorni teknologjinë në mënyra që do të ndihmojnë për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti dhe besimin e atyre të cilëve u shërbeni dhe jepni mësim.
Ndiqni Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë
Katër masat mbrojtëse të përvijuara më poshtë do t’ju ndihmojnë që ta përdorni teknologjinë në mënyrën e duhur. Ndjekja e këtyre masave mbrojtëse është një mënyrë e rëndësishme për ju që të “vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit” (Efesianëve 6:11).
Jini në Harmoni me Nxitjet Shpirtërore
Nefi premtoi: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni” (2 Nefi 32:5). Ati juaj Qiellor ju ka dhënë dy dhurata të fuqishme që do t’ju ndihmojnë: lirinë morale të zgjedhjes dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ju keni fuqinë për të zgjedhur që ta ndiqni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Udhërrëfimi i Tij është jetik për t’ju ndihmuar që të bëni mirë ndërkohë që përdorni teknologjinë. Gjithashtu ndihmon që t’ju mbrojë nga ligësia.
Jini të Përqendruar në Qëllimin Tuaj si Misionar
Zoti tha: “Nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka” (Doktrina e Besëlidhje 88:67). Ta keni syrin të drejtuar te lavdia e Perëndisë do të thotë që ta keni përqendrimin tuaj tërësisht te qëllimi i Perëndisë, i cili është edhe qëllimi juaj si misionar.
Përdorimi juaj i teknologjisë duhet të përqendrohet te qëllimi juaj. Hapeni aparatin tuaj elektronik vetëm pasi të keni përcaktuar qëllimin misionar për të cilin do ta përdorni. Më pas mbylleni kur ai qëllim të jetë plotësuar.
Ka më shumë të ngjarë që të hasni përmbajtje të papërshtatshme në internet kur jeni duke lundruar rastësisht në internet, pa një qëllim të caktuar në mendje.
Jini të Disiplinuar
Mormoni shkroi: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Unë u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij mes popullit të tij, që ata të mund të kenë jetë të përjetshme” (3 Nefi 5:13). Ashtu si Mormoni, ju jeni një dishepull i Krishtit. Shërbimi si misionar kohëplotë është një mundësi e veçantë për ta thelluar dishepullimin tuaj.
Fjalët dishepull dhe disiplinë vijnë nga e njëjta rrënjë fjalësh që do të thotë “nxënës”. Të jeni një dishepull i Krishtit do të thotë që të përpiqeni ta ndiqni Atë dhe t’i zbatoni urdhërimet e Tij. Do të thotë që ju vazhdimisht të mësoni dhe jepni mësim për Krishtin.
Jini të disiplinuar dhe bëni zgjedhje të drejta për mënyrën se si ta përdorni teknologjinë. Zgjidhni që t’i ndiqni masat mbrojtëse. Kur flisni ballë për ballë me njerëzit, mos kontrolloni mesazhet apo t’u përgjigjeni telefonatave. Vihuni në kontroll të mënyrës se si i përdorni këto aparate. Mos lejoni që ato t’ju kontrollojnë.
Zoti shpalli: “Ai që e pranon ligjin tim dhe e bën atë, ai është dishepulli im; dhe ai që thotë se e pranon atë dhe nuk e bën atë, ai nuk është dishepulli im” (Doktrina e Besëlidhje 41:5). Ndërkohë që askush nuk është i përsosur, Zoti pret përpjekje të vazhdueshme, këmbëngulëse për ta ndjekur Atë.
Bukuria e ungjillit është që ne mund të falemi kur pendohemi – dhe Zoti dëshiron që ne të pendohemi pa vonesë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:21). Nëse bëni një gabim, përfshirë përdorimin e papërshtatshëm të teknologjisë, pendohuni në çast dhe vazhdoni të përpiqeni që ta jetoni ligjin e Tij. Kjo është pjesë e të qenit dishepull i Krishtit.
Jini Një
Zoti tha: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë” (Doktrina e Besëlidhje 38:27). Ndihmojeni misionin tuaj që të zhvillojë një kulturë uniteti, mirëbesimi, përgjegjshmërie e dhembshurie që ju të mund ta forconi dhe përkrahni njëri‑tjetrin.
Të gjithë misionarët duhet të ndihen rehat që të kërkojnë ndihmë kur u nevojitet. Një misionar që është i fortë në Shpirt, mund të ndihmojë një misionar tjetër që ndihet i dobët (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:106). Nëse ndiheni të tunduar, kërkojini ndihmë shoqëruesit ose udhëheqësit tuaj të misionit.
Pothuajse të gjitha sfidat që lidhen me internetin ose me pornografinë, ndodhin kur jeni veçmas. Përdorini aparatet elektronike vetëm kur mund t’i shihni ekranet e njëri‑tjetrit. Kini kurajë dhe jini të përgjegjshëm ndaj njëri‑tjetrit.
Zoti ka vetëbesim te secili misionar që Ai e ka thirrur, përfshirë ju. Ai ka siguruar shoqërues dhe udhëheqës që të ndihmojnë për t’ju mbrojtur e përkrahur. Ashtu si Alma e përkrahu shoqëruesin e tij misionar, Amulekun, përpiquni ta forconi njëri‑tjetrin (shihni tek Alma 15:18).
Çfarë Duhet të Bëni nëse Ndiheni të Cenueshëm ose të Prekshëm?
Të mësuarit për t’i ndjekur këto katër masa mbrojtëse kërkon përpjekje, disiplinë dhe ushtrim. Edhe pasi masat mbrojtëse bëhen pjesë e natyrshme e mënyrës se si mendoni e veproni, do të keni raste kur mund të ndiheni të cenueshëm ose të prekshëm. Ndoshta ju patët disa zakone jo të mira lidhur me teknologjinë përpara misionit tuaj të cilat kanë qenë të vështira për t’u kapërcyer. Disa misionarë hasën vështirësi me pornografinë përpara thirrjes së tyre dhe mund të tundohen që të bien sërish në modelet e mëparshme të sjelljes.
Parimet më poshtë do t’ju ndihmojnë që t’i jetoni masat mbrojtëse dhe ta forconi veten kundrejt tundimit:
-
Jini të vetëdijshëm për mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tuaja. Kuptoni se si ato mund t’ju bëjnë më të cenueshëm ndaj keqpërdorimit të teknologjisë.
-
Zgjidhni që të veproni. Përgjigjuni në mënyra të drejta, frytdhënëse ndaj asaj që po ndieni.
-
Mësoni, pendohuni dhe përmirësohuni. Përdorini përvojat tuaja që të vazhdoni të mësoni dhe të përmirësoheni.
Nuk ju duhet që t’i kapërceni sfidat vetëm. Mbështetuni te forca që vjen nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe besëlidhjeve që keni bërë me Të. Zoti i di sfidat me të cilat përballeni dhe Ai do t’ju ndihmojë në këtë vepër të madhe.
Të kujtuarit gjithmonë të Shpëtimtarit mund t’ju ndihmojë që ta përdorni teknologjinë siç duhet. Jini të vërtetë ndaj mirëbesimit që Ai ju ka dhënë. Vendosni që të “ecni drejtësisht para tij” (Alma 53:21; shihni edhe vargun 20). Ndjenja e mirënjohjes për gjithçka që Ai dhe Ati kanë bërë për ju, do t’ju ndihmojë të bëni zgjidhje të mira rreth mënyrës se si i përdorni burimet digjitale.
Misioni juaj është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar ta përdorni teknologjinë me urtësi. Zotimi dhe zakonet e mira që zhvilloni gjatë misionit tuaj, do t’ju sjellin dobi për tërë pjesën tjetër të jetës suaj.
Vishni Armatimin e Perëndisë
Aftësia juaj për t’i bërë ballë tundimit do të rritet kur i studioni dhe i vini në zbatim shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë, manualet Predikoni Ungjillin Tim, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit dhe masat mbrojtëse të përvijuara në këtë kapitull.
Nëpërmjet veshjes së “gjithë armatimi[t të] Perëndisë”, ju do të jeni në gjendje të dalloni të vërtetën nga e gabuara. Do t’i keni këmbët të mbathura me “ungjilli[n e] paqes”. Veshja “me parzmoren e drejtësisë” do t’ju mbrojë. Me “mburojën e besimit”, ju do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të kundërshtarit. Ju do të merrni “shpatën e Frymës [së Tij]” për ta dhënë mësim të vërtetën me fuqi dhe autoritet. Ju do të forcoheni kundër ndikimeve të botës që përndryshe do të mund t’ju bënin të paankoruar, të izoluar dhe madje të tjetërsuar. (Shihni tek Efesianëve 6:10–18; shihni edhe te 1 Nefi 8:20, 30; 15:24–25; Helamani 3:29–30; Doktrina e Besëlidhje 27:15–18; Joseph Smith – Mateu 1:37; 2 Timoteut 3:15–17.)
Ide për Studim dhe Zbatim
Studimi Vetjak
-
Provoni disa nga sugjerimet vijuese për ta përmirësuar studimin tuaj:
-
Lexojini shkrimet e shenjta me pyetje dhe shqetësime në mendje.
-
Tregojuani atë që mësoni misionarëve të tjerë dhe atyre të cilëve u jepni mësim. Shpjegimi i një doktrine ose parimi do t’ju ndihmojë ta mbani mend atë dhe të fitoni qartësi.
-
Studioni sipas temave. Përqendrohuni tek temat që do t’ju ndihmojnë ju dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim.
-
Pyetni veten: “Çfarë po thotë autori? Cili është mesazhi kryesor? Si gjen zbatim ky mesazh për mua? Si mund ta ndihmojë ky mesazh dikë të cilit po i japim mësim?”
-
Përfytyrojeni ose vizatojeni atë që po studioni. Për shembull, imagjinoni se si ishte për Amonin që të qëndronte përpara mbretit lamanit.
-
Shkruajeni idenë kryesore të një fragmenti me një fjali ose paragraf të shkurtër.
-
Mësojini përmendsh shkrimet e shenjta që i shpjegojnë dhe i përkrahin parimet që jepni mësim.
-
-
Vlerësojeni veten tuaj për sa vijon (1=kurrë, 3=nganjëherë dhe 5=pothuaj gjithmonë).
-
Unë po rritem në besimin tim dhe po arrij t’i njoh më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Kur studioj, unë mendoj për njerëzit të cilëve u jap mësim.
-
Gjatë gjithë ditës mendoj rreth asaj që studiova në mëngjes.
-
Teksa studioj, më vijnë në mendje ide që nuk më kanë ardhur më parë.
-
Unë i mbaj shënim mbresat shpirtërore dhe idetë në një vend të përshtatshëm.
-
Unë qëndroj zgjuar ndërkohë që studioj.
-
Unë e pres me dëshirë studimin vetjak.
-
Unë e pres me dëshirë studimin në dyshe misionare.
Rishikojini përgjigjet tuaja. Çfarë po bëni siç duhet? Si mund të përmirësoheni? Caktoni një ose dy synime për ta përmirësuar cilësinë e studimit tuaj.
-
Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare
-
Lexojini së bashku disa nga fragmentet në vijim. Diskutojini bekimet që vijnë nga studimi i fjalës së Perëndisë. Cilat fragmente do t’i ndihmonin më së miri njerëzit të cilëve u jepni mësim?
Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit
-
Kërkojuni misionarëve të shkruajnë një ose dy pyetje rreth ungjillit nga një mësim në kapitullin 3. Këto pyetje mund të jenë vetjake ose nga njerëzit të cilëve u japin mësim. Ftojini misionarët t’ia tregojnë grupit pyetjet e tyre. Për secilën pyetje diskutoni sa vijon:
-
Si mund ta bekojë jetën e misionarit përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje?
-
Si mund ta bekojë ajo përgjigje jetën e njerëzve të cilëve ai ose ajo po u jep mësim?
-
Si mund ta gjejë përgjigjen një misionar?
-
-
Ndajini misionarët në grupe dhe caktojini secilit grup që të studiojë njërën prej katër masave mbrojtëse dhe shkrimeve të shenjta shoqëruese. Ftojini misionarët që të tregojnë se çfarë kanë mësuar dhe se si masat mbrojtëse i kanë ndihmuar.
Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit
-
Me raste bashkohuni me misionarët në studimin e tyre në dyshe misionare.
-
Gjatë intervistave ose bashkëbisedimeve bëni disa nga pyetjet vijuese:
-
Çfarë mbresash keni pasur kohët e fundit gjatë studimit tuaj të shkrimeve të shenjta?
-
Cili kapitull ose cila pjesë nga manuali Predikoni Ungjillin Tim ju ka ndihmuar më shumë dy javët e fundit? Si ju ka ndihmuar?
-
Çfarë po bëni në studimin tuaj vetjak që ju ndihmon të mësoni?
-
-
Gjatë intervistave merrni parasysh të rishikoni masat mbrojtëse për përdorimin e teknologjisë dhe t’i pyetni misionarët se çfarë po mësojnë teksa i vënë ato në zbatim.
-
Tregoni ide nga studimi juaj vetjak. Flisni për gjërat që shkruat në ditarin tuaj të studimit dhe dëshmitë tuaja për rëndësinë e studimit të ungjillit.