Thirrjet në Mision
Kapitulli 9: Gjeni Njerëz për t’iu Dhënë Mësim


“Kapitulli 9: Gjeni Njerëz për t’iu Dhënë Mësim”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 9”, Predikoni Ungjillin Tim

The Good Shepherd [Bariu i Mirë], nga Del Parson

Kapitulli 9

Gjeni Njerëz për t’iu Dhënë Mësim

Merreni Parasysh Këtë

  • Si mund të ushtroj besim te Krishti për të gjetur njerëz që t’iu jap mësim?

  • Si mund ta zgjerojmë largpamësinë tonë dhe t’i përmirësojmë planet tona për të gjetur njerëz që t’u japim mësim?

  • Si mund të rritem në aftësinë dhe vetëbesimin tim për të folur me njerëz që i takoj çdo ditë?

  • Si mund të bashkohemi me anëtarët për shpërndarjen e ungjillit?

  • Çfarë duhet të bëjmë kur marrim referime?

  • Cilat janë disa ide të cilat nuk i kemi provuar ende, për të gjetur njerëz që t’u japim mësim?

Shpëtimtari i ringjallur u tha dishepujve të Tij: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19; shihni edhe te Marku 16:15). Zoti e përsëriti këtë mandat në kohën tonë, duke thënë: “Shkoni ju në të tërë botën [dhe] predikoni ungjillin” (Doktrina e Besëlidhje 68:8; shihni edhe te 50:14).

Punë misionare do të thotë të gjesh njerëz, t’u japësh mësim atyre dhe t’i ndihmosh ata të përgatiten për pagëzim. Ju do ta përmbushni mandatin e Zotit për të dhënë mësim ungjillin e Tij dhe për të pagëzuar të kthyer në besim teksa i “gjeni ata që do t’ju pranojnë” (Doktrina e Besëlidhje 42:8). Asgjë nuk ndodh në punën misionare derisa të gjeni dikë për ta mësuar. Mbajini sytë hapur gjatë gjithë kohës për mundësi që të paraqitni ungjillin. Mësoni të përdorni mënyrat që janë të efektshme në zonën tuaj.

Është veçanërisht e rëndësishme të punoni me anëtarë për të gjetur njerëz. Punoni fort për të fituar mirëbesimin e tyre. Kur anëtarët u mirëbesojnë misionarëve, ata kanë më shumë gjasa t’i ftojnë miqtë dhe pjesëtarët e tyre të familjes që të takohen me ju. Këta njerëz kanë më shumë gjasa të kthehen në besim te Zoti, të pagëzohen dhe të përparojnë në shtegun e ungjillit.

Gjetja e njerëzve do të ndodhë sipas gatishmërisë së një individi për ta dëgjuar ungjillin. Koha e duhur do të jetë e ndryshme për secilin individ. Gjetja e njerëzve mund të jetë rrjedhojë e një ndërveprimi që me herën e parë ose e shumë ndërveprimeve për një kohë më të gjatë. Shumë njerëz kanë disa ndërveprime me misionarët ose anëtarët e Kishës përpara se të fillojnë një studim serioz të ungjillit. Mos ngurroni të viheni sërish në kontakt me ta.

Përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz mund të japin fryt pasi të jeni transferuar ose madje pasi ta keni mbaruar misionin. Pavarësisht nga koha apo rezultati, Zoti është mirënjohës për përpjekjet tuaja.

Ky kapitull përvijon parime dhe ide për t’ju ndihmuar që të gjeni njerëz. Këto parime janë universale. Sidoqoftë, misionarët dhe udhëheqësit e misionit mund të kenë nevojë për t’i përshtatur ato sipas rrethanave të tyre.

Ushtroni Besim që të Gjeni Njerëz për t’iu Dhënë Mësim

Kudo ku shërbeni, Zoti ju ka thirrur të punoni “për shpëtimin e shpirtrave” (Doktrina e Besëlidhje 100:4). Për ta bërë këtë, ju keni nevojë të ushtroni besim te Krishti që të gjeni njerëz për ti’u dhënë mësim, që ata të mund të zgjedhin ta ndjekin Atë dhe të pagëzohen.

Besimi është një parim veprimi dhe fuqie. Kini besim se Zoti po përgatit njerëz për ta pranuar ungjillin e rivendosur. Kini vetëbesim të duruar se Ai do t’ju udhëheqë drejt tyre ose ata drejt jush. Veproni sipas besimit tuaj duke vendosur synime, duke bërë plane dhe duke i zbatuar planet tuaja që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim (shihni te kapitulli 8).

misionare duke u lutur

Lutuni me besim teksa kërkoni ndihmën e Perëndisë që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim. Kur Alma udhëhoqi një mision te zoramitët, ai u lut: “O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë ata përsëri te ti, në Krisht. Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm … , prandaj, na jep, O Zot, fuqi dhe urtësi që të mund t’i sjellim këta, vëllezërit tanë, përsëri tek ti” (Alma 31:34–35).

Njerëzit që takoni, shpesh mund të mos e kuptojnë se janë duke e kërkuar ungjillin e rivendosur derisa ta gjejnë atë. Për shembull, një i kthyer në besim tha: “Kur e dëgjova ungjillin, ai mbushi një boshllëk në zemrën time që nuk e dija se e kisha”. Një tjetër tha: “E kam mbaruar hulumtimin që nuk e dija se po e bëja”. Të tjerë janë duke e kërkuar në mënyrë aktive të vërtetën, por nuk dinë ku ta gjejnë atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 123:12).

Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit teksa kërkoni njerëz për t’u dhënë mësim. Gjetja e njerëzve me anë të Shpirtit është po aq e rëndësishme sa mësimdhënia me anë të Shpirtit. Kini besim se do ta dini se si t’i gjeni ata që do t’ju pranojnë.

Studimi në Dyshe Misionare

Mund të ketë anëtarë në zonën tuaj që janë të kthyer në besim në Kishë. Pyetini se si u vunë në kontakt me Kishën. Përgjigjet e tyre mund t’ju japin ide se si të gjeni njerëz. Pyetini se si arritën ta dinin se misionarët po u mësonin atyre të vërtetën. Përmblidhini përvojat e tyre në ditarin tuaj të studimit.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Si përgatiten dhe udhëhiqen fëmijët e Perëndisë drejt ungjillit të rivendosur?

Zgjerojeni Vizionin Tuaj të Planifikimit për të Gjetur Njerëz

Teksa përpiqeni që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim, jini të vetëdijshëm për ndryshimin mes programimit dhe planifikimit. Programim do të thotë të mbushësh planifikuesin dhe ditën tuaj. Planifikim do të thotë të bësh një përpjekje plot lutje e të qëllimshme për t’u përqendruar te njerëzit dhe mënyrat më të mira për t’i gjetur ata.

Veprimtaria e duhur, në kohën e duhur dhe në vendndodhjen e duhur, mund t’ju ndihmojë të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim. Bëjini vetes pyetjet vijuese:

  • Ku mund të takojmë njerëz që Zoti mund të jetë duke i përgatitur?

  • Cilat janë vendet dhe llojet më të mira të veprimtarive për të gjetur njerëz në kohë të veçanta të ditës ose javës?

  • Si mund të tregojmë dashuri, t’u shërbejmë atyre apo të sjellim vlerë në jetën e tyre pikërisht tani?

  • Si mund t’i përdorim pikat e forta, aftësitë dhe talentet vetjake për t’i lartësuar ata?

  • Cilat janë planet tona rezervë nëse diçka nuk funksionon?

Përpiquni t’i dalloni mënyrat se si Zoti po i përgatit njerëzit. A janë ata të gatshëm të flasin me ju? A po kërkojnë ata ndihmë ose ngushëllim?

Mendoni rreth përpjekjeve për të gjetur njerëz, që kanë qenë të suksesshme. Ku ishte ndërveprimi i parë? A përfshinë përpjekjet anëtarë vendorë? A u përdor teknologjia?

Fillojeni planifikimin tuaj duke u përqendruar te mënyra se si mund t’i bekoni njerëzit dhe më pas programimi juaj do të marrë formë.

Studimi në Dyshe Misionare

Me shoqëruesin tuaj misionar, përdorni tabelën më poshtë për të vlerësuar përpjekjet tuaja për gjetjen e njerëzve që t’u jepni mësim. Planifikoni që të provoni disa prej ideve që janë të reja për ju.

Përpjekjet për të Gjetur Njerëz

Ndonjëherë

Shpesh

Pothuajse Gjithmonë

Ne arrijmë t’i njohim anëtarët dhe t’i përkrahim ata në përpjekjet e tyre për ta shpërndarë ungjillin, duke përfshirë anëtarët e rinj, rininë, ata që po përgatiten të shërbejnë në misione, misionarët që kthehen, familjet pjesërisht anëtare dhe pleqtë [eldërat] e ardhshëm.

Ne punojmë për të fituar mirëbesimin e anëtarëve që ata të ndihen rehat për t’i ftuar pjesëtarët e tyre të familjes dhe miqtë e tyre të takohen me ne.

Ne punojmë me udhëheqësit e lagjes në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit për të përkrahur përpjekjet tona për të gjetur njerëz dhe për të mësuar nëse ka njerëz me të cilët mund të vihemi në kontakt.

Ne punojmë me njerëzit që aktualisht po marrin mësimet, njerëzit të cilëve u është dhënë mësim më parë, dhe njerëzit që janë referuar nga media shoqërore për t’i gjetur.

Ne flasim me sa më shumë njerëz që mundemi çdo ditë.

Ne përgatitemi shpirtërisht dhe lutemi për ndihmën e Perëndisë teksa planifikojmë të gjejmë njerëz për t’iu dhënë mësim.

Ne besojmë se Zoti po përgatit njerëz që të marrin mësime nga ne.

Ne marrim në shqyrtim mënyrën se si t’i ndihmojmë ata të cilët i takojmë, që ta ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Ne caktojmë synime specifike të përjavshme dhe të përditshme për të gjetur njerëz (shihni te kapitulli 8).

Jemi vazhdimisht duke kërkuar për njerëz që t’u japim mësim.

Ne jemi krijues dhe përdorim një larmi mënyrash për të gjetur njerëz. Ne provojmë mënyra të reja dhe shmangim ngecjen në rutinë.

Ne planifikojmë konkretisht për të gjetur njerëz. Ne planifikojmë kohën, vendin dhe mënyrën se si do të përqendrohemi.

Ne marrim parasysh se cilat mund të jenë vendndodhjet dhe koha më e mirë për të gjetur njerëz që t’iu japim mësim.

Ne marrim parasysh se cilat veprimtari për gjetjen e njerëzve kanë qenë të efektshme në të kaluarën.

Ne i përshtatim planet tona për të gjetur njerëz sipas nevojës dhe kemi plane rezervë kur ngjarje të programuara nuk realizohen.

Ne e përdorim programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të gjetur njerëz, për të vendosur synime, për të bërë plane dhe për të shqyrtuar e përditësuar çdo ditë dokumentet tona.

Ne i përdorim talentet dhe pikat tona të forta vetjake për të ndihmuar që të gjejmë njerëz.

Ne planifikojmë kohën dhe mënyrën se si do ta përdorim median shoqërore dhe teknologji të tjera që të gjejmë njerëz për t’iu dhënë mësim.

Ne përdorim fushatat mediatike dhe veprimtari vendore që plotësojnë interesat dhe nevojat e njerëzve në zonën tonë.

Ne përgjigjemi shpejt ndaj kërkesave dhe mesazheve në internet nga njerëz që mund të jenë të interesuar.

Ne i planifikojmë paraprakisht afishimet tona në mediat shoqërore dhe punojmë me anëtarët për të gjetur njerëz në internet.

Jini të Zellshëm në Gjetjen e Njerëzve

Bëjeni Gjetjen e Njerëzve një Përpjekje të Vazhdueshme

Në ditët e hershme të Kishës së rivendosur, Zoti në mënyrë të përsëritur e udhëzoi një grup vëllezërish që ta jepnin mësim ungjillin e Tij “gjatë udhës” teksa udhëtonin. Ai donte që ata të përdornin çdo mundësi për ta shpërndarë ungjillin. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:9–10, 22–23, 25–27.)

Vëreni në zbatim këtë udhëzim për të gjetur njerëz. Bëni një përpjekje të zellshme për të gjetur njerëz gjatë gjithë ditës. Planifikojini përpjekjet tuaj për të gjetur njerëz dhe gjithashtu kërkoni mundësi të paplanifikuara. Gjetja e njerëzve të rinj për t’u dhënë mësim, është një nevojë e vazhdueshme.

Kërkoni frymëzim dhe jini të gatshëm të përdorni një larmi mënyrash. Përqendrohuni te mënyrat që janë më të efektshme në zonën tuaj.

Christ Calling Peter and Andrew [Krishti Duke Thirrur Pjetrin dhe Andrean], nga James T. Harwood

Mbajini Fijet e Peshkimit në Ujë

Lidhur me punën e misionarëve, Presidenti Dallin H. Ouks tha:

“Askush prej nesh nuk duhet të jetë si peshkatari që mendon se ka peshkuar gjatë gjithë ditës, kur në realitet e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke u futur dhe duke dalë nga uji, duke ngrënë drekë dhe duke u marrë me pajisjet e veta. Suksesi i peshkimit lidhet me sa kohë e mbani në ujë fijen tuaj të peshkimit, jo me sa kohë jeni larg apartamentit. Disa peshkatarë largohen nga shtëpia për dymbëdhjetë orë dhe e mbajnë në ujë fijen e tyre të peshkimit për dhjetë orë. Peshkatarë të tjerë largohen nga shtëpia për dymbëdhjetë orë dhe e mbajnë në ujë fijen e tyre të peshkimit vetëm për dy orë. Këta lloj peshkatarësh mund të çuditen pse nuk kanë të njëjtin sukses si të tjerët.

I njëjti parim gjen zbatim për misionarët, të cilët Mësuesi i thirri ‘peshkatarë njerëzish’ [Mateu 4:19]. Fija e peshkimit të një misionari/je duhet të hidhet në ujë për peshkim në çastin që ai ose ajo largohet nga apartamenti” (seminar për presidentët e rinj të misioneve, 20 qershor 2000).

shumë kallama peshkimi

Plaku Kuentin L. Kuk e zgjeroi këtë krahasim. Përveçse ta mbani “në ujë fijen [tuaj] të peshkimit” për periudha më të gjata kohe, ai dha mësim se misionarët që gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim, “mbajnë vazhdimisht në ujë shumë fije peshkimi. …

Ata i identifikojnë dhe vihen në kontakt me familjet që janë pjesërisht anëtare.

Ata kërkojnë te [programi kompjuterik Preach My Gospel (Predikoni Ungjillin Tim)] për njerëz të cilëve u është dhënë mësim në të kaluarën, që t’i kontaktojnë me anë të telefonit dhe mesazheve me celular.

Ata u ofrojnë shërbim anëtarëve, njerëzve që u është dhënë mësim në të kaluarën, njerëzve që aktualisht po u japin mësim, dhe komunitetit në përgjithësi. …

Ata i ndihmojnë anëtarët që të krijojnë mesazhe për ungjillin që t’i shpërndajnë në platformat e veta … në median shoqërore.

Ata marrin referime nga njerëz të cilët i vizitojnë dhe u japin mësim” (“Be Spiritual Pathfinders and Influencers”, takim shpirtëror për misionarët, 10 shtator 2020, theksimi i shtuar).

Studimi në Dyshe Misionare

Diskutoni pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta mbani “në ujë fijen [tuaj] të peshkimit” më shumë gjatë gjithë ditës?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të mbani në ujë shumë fije peshkimi ndërsa gjeni njerëz që t’iu jepni mësim?

  • Cilat veçori në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] mund t’ju ndihmojnë?

  • Si mund ta përdorni teknologjinë që t’ju ndihmojë të mbani në ujë shumë fije peshkimi?

Bisedoni me Çdokënd

Kultivoni një dëshirë të thellë për të sjellë shpirtra te Krishti (shihni te Mosia 28:3). Kur e ndieni këtë dëshirë, dashuria dhe shqetësimi juaj do të pasqyrohen në përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz. Dashuria juaj do të pasqyrohet gjithashtu në bashkëbisedimet tuaja.

Flisni me sa më shumë njerëz që të mundeni çdo ditë. Flisni me ta kudo ku shkoni. Atje ku është e përshtatshme, shkoni nga shtëpia në shtëpi. Zoti i udhëzoi disa pleq të hershëm të Kishës: “Hap[ni] gojën për të shpallur ungjillin tim”. Më pas Ai premtoi se gojët e tyre do të “mbushe[shin]” me atë që duhet të jepnin mësim (Doktrina e Besëlidhje 30:5; shihni edhe 33:7–10).

Në mënyrë të ngjashme, Zoti iu tha Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit: “Ia ngrini zërat tuaj këtij populli; flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja”. Më pas, Ai premtoi: “Do t’ju jepet …, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni” (Doktrina e Besëlidhje 100:5–6).

Teksa takoni njerëz, shpesh ju do ta ndieni Shpirtin t’ju ndihmojë të dini se çfarë të thoni. Sidoqoftë, nëse nuk ndieni një nxitje, thjesht filloni diku, ndoshta duke bërë një pyetje dhe duke dëgjuar përgjigjen e tyre (shihni te “Gjejini Njerëzit Atje Ku Janë” në këtë kapitull). Ose ndoshta flisni për Zotin Jezu Krisht apo për thirrjen e Jozef Smithit që të ishte një profet i Perëndisë.

Idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë teksa flisni me ata që takoheni:

  • Jini të ngrohtë, të vërtetë dhe miqësorë. Kërkoni mënyra për t’u lidhur me personin dhe filloni një bashkëbisedim.

  • Dëgjojeni me çiltërsi atë që njerëzit kanë për të thënë. Përpiquni të kuptoni nevojat dhe interesat e personit. Ofroni ndihmë vetjake si të jetë e përshtatshme.

  • Merrni parasysh se si mund të ndihmojë ungjilli për të plotësuar nevojat e tyre. Më pas, mësojuni një të vërtetë bazë të ungjillit dhe ftojini të mësojnë më shumë. Tregoni se si ungjilli i rivendosur mund të sjellë shpresë dhe kuptim më të madh në jetën e tyre.

  • Pyetini rreth familjeve të tyre. Ndihmojini të shohin se si mund t’i bekojë ungjilli i rivendosur familjet e tyre. Ofroni që t’i ndihmoni për të gjetur emrat e paraardhësve të tyre të vdekur.

  • Ftojini që të vijnë në mbledhjen e sakramentit.

  • Ofroni pamflete ose materiale të tjera të Kishës, si të shtypura ashtu edhe digjitale.

  • Tregojuni atyre qëllimin tuaj si misionar dhe arsyen përse vendosët të shërbeni në një mision.

Këto parime gjejnë zbatim edhe në ndërveprimet tuaja me anëtarët.

Është e natyrshme që të mos jeni të qetë kur flisni me njerëz. Lutuni për besim dhe kurajë që të jepni mësim ungjillin e rivendosur. Gjithsecili që ju takoni, është vëllai ose motra juaj në familjen e Perëndisë. Mbani mend që Ai “nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Lexoni rrëfimin nga Viktor Manuel Kabrera te “Thirsting for the Living Water”, Ensign, gusht 2001, f. 60–61 Teksa e bëni, kërkoni për mënyrën se si u përgatit ai për t’i pranuar misionarët dhe se si misionarët përdorën një mundësi të paplanifikuar për t’ia mësuar atij ungjillin.

  • Si ishte përgatitur burri për ungjillin e rivendosur?

  • Çfarë do të kishte ndodhur nëse pleqtë nuk do ta kishin shpërndarë mesazhin e ungjillit?

  • Rishikojeni atë që bëtë dje. A folët me aq njerëz sa mundët? Nëse jo, vendosni synime dhe bëni plane të flisni me më shumë njerëz sot.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë mund të mësoni nga ndjekja e shkrimeve të shenjta vijuese rreth gjetjes së njerëzve për t’u dhënë mësim? Çfarë mund të mësoni nga këto shkrime të shenjta rreth asaj që duhet të jepni mësim? Çfarë premton Zoti?

Bashkohuni me Anëtarët

“Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin është pjesë e veprës së shpëtimit dhe ekzaltimit” (General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.0). Punoni me anëtarët e Kishës që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim. Kur anëtarët ju referojnë dikë dhe më pas marrin pjesë në mësime, njerëzit kanë më shumë gjasë që të pagëzohen dhe të mbeten aktivë në Kishë.

Ndërtoni Marrëdhënie të Forta me Udhëheqësit Vendorë

Ndërtoni marrëdhënie të forta me peshkopatën dhe udhëheqës të tjerë të lagjes. Udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse është thirrur dikush) dhe presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës janë pikat tuaja kryesore të kontaktit. Kërkoni udhërrëfimin e tyre dhe përkrahini në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit (shihni te kapitulli 13).

Gjatë mbledhjeve të përjavshme të bashkërendimit, punoni me ndihmësin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e klasës së Të Rejave për klasën e vajzave që ka grupmoshën më të madhe. Këta të rinj dhe të reja kanë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e ungjillit. Ndihmojini që t’i nxitin anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që ta shpërndajnë ungjillin. Një mënyrë është që të rinjtë e të rejat t’i ftojnë miqtë në aktivitete.

Pyeteni veten tuaj rregullisht: “A jam një bekim për udhëheqësit vendorë?” Kultivoni një qëndrim të tillë: “Si mund të ndihmoj?” Ashtu si Amoni në Librin e Mormonit, qasjuni udhëheqësve vendorë me një qëndrim për të shërbyer (shihni tek Alma 17:23–25).

Udhëheqësve të misioneve, Presidenti Rasëll M. Nelson u dha mësim: “Shpresoj se do të mësoni t’i doni udhëheqësit dhe anëtarët vendorë. Lartësojini ata dhe frymëzojini ata. Aftësia juaj për ta lidhur entuziazmin e misionarëve me përpjekjet e qëndrueshme dhe dashamirëse të anëtarëve vlen aq sa nuk shprehet dot me fjalë. Suksesi juaj do të shumëfishohet në mënyrë të ndjeshme” (“Hopes of My Heart”, seminar për udhëheqësit e rinj të misioneve, 23 qershor 2019).

misionarë duke iu dhënë mësim dy personave

Përkrahini Anëtarët në Përpjekjet e Tyre për ta Shpërndarë Ungjillin

Ka shumë mënyra për t’i përkrahur dhe nxitur anëtarët që ta shpërndajnë ungjillin. Ndihmojini që të reflektojnë mbi atë se si e ka bekuar ungjilli jetën e tyre. Nxitini që ta “mba[jnë] lart dritën [e] t[yre] që të ndriçojë tërë botën” (3 Nefi 18:24).

Ndihmojini anëtarët të vënë në zbatim parimet për të dhënë dashuri, për të treguar dhe për të ftuar. Jepni shembuj të mënyrave të zakonshme e të natyrshme se si mund t’i vëmë në zbatim këto parime.

Jepni Dashuri. Një mënyrë se si të tregoni dashuri për Perëndinë është duke i dashur dhe duke u shërbyer fëmijëve të Tij. Nxitini anëtarët që t’ua shtrijnë dorën me dashuri pjesëtarëve të familjes, miqve, fqinjëve dhe të tjerëve. Çdo përpjekje për të shprehur dashuri është një mënyrë e rëndësishme për t’i mbajtur besëlidhjet që kanë bërë me Perëndinë (shihni te Mosia 18:9–10).

Tregoni. Për shkak të dashurisë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij, natyrshëm anëtarët duan të tregojnë për bekimet që Ai u ka dhënë atyre (shihni te Gjoni 13:34–35). Nxitini anëtarët që t’u tregojnë të tjerëve rreth mënyrës se si ungjilli e bekon jetën e tyre. Nxitini që të flasin për Shpëtimtarin dhe ndikimin e Tij. Ndihmojini të ndiejnë gëzimin e shfaqjes së dashurisë, dhënies së kohës dhe tregimit të ngjarjeve të jetës. Ndihmojini të mësojnë se si ta shpërndajnë atë në mënyra të zakonshme e të natyrshme, thjesht si pjesë të asaj që po bëjnë tashmë në jetën e tyre.

Plaku Geri E. Stivenson

“Ne të gjithë u tregojmë gjëra të tjerëve. Këtë e bëjmë shpesh. Ne tregojmë se çfarë filmash dhe ushqimi na pëlqejnë, gjërat zbavitëse që shohim, vendet që vizitojmë, artin që vlerësojmë, citimet nga të cilat frymëzohemi.

Si mundet që thjesht t’i shtojmë listës së gjërave për të cilat tashmë tregojmë, atë që na pëlqen shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit? … Duke u treguar të tjerëve për përvojat tona pozitive me ungjillin, ne marrim pjesë në përmbushjen e porosisë së madhe të Shpëtimtarit” (Geri E. Stivenson, “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 86).

Ftoni. Shpëtimtari i fton të gjithë njerëzit ta pranojnë ungjillin e Tij dhe të përgatiten për jetë të përjetshme (shihni tek Alma 5:33–34). Ashtu si me të treguarit, të ftosh thjesht do të thotë të përfshish familjen, miqtë dhe fqinjët në atë që anëtarët po bëjnë tashmë. Nxitini anëtarët që të luten rreth të ftuarit e njerëzve në mënyrat vijuese:

  • Ejani dhe shikoni. Ftojini njerëzit të “vijnë e të shohin” bekimet që mund të marrin nëpërmjet Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij.

    1:17
  • Ejani dhe shërbeni. Ftojini njerëzit të “vijnë e [t’u] shërbejnë” të tjerëve në nevojë.

  • Ejani dhe kini përkatësi. Ftojini njerëzit të “vijnë e të gjejnë përkatësi” si anëtarë të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.

Plaku Geri E. Stivenson tha: “Ka qindra ftesa që mund t’ua bëjmë të tjerëve. Ne mund t’i ftojmë të tjerët ‘të vijnë e të shohin’ një shërbesë sakramenti, një aktivitet lagjeje, një material filmik në internet që shpjegon për ungjillin e Jezu Krishtit. ‘Ejani dhe shikoni’ mund të jetë një ftesë për të lexuar Librin e Mormonit ose për të vizituar një tempull të ri gjatë shtëpisë së hapur përpara përkushtimit të tij. Ndonjëherë ftesa është diçka që e bëjmë përbrenda – një ftesë për veten, që na jep ndërgjegjësim dhe largpamësi për mundësitë që na rrethojnë, që të veprojmë” (“Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, f. 86).

Sigurohuni që t’i ndihmoni të rinjtë e të rejat që të duan, të tregojnë dhe të ftojnë. Të rinjtë e të rejat janë veçanërisht të talentuar për t’u dhënë dashuri miqve të tyre, për të treguar atë që është në zemrat e tyre, dhe për t’i ftuar ata në aktivitete.

Ndihmojini anëtarët të kuptojnë se çdo përpjekje për të jetuar parimet për të dashur, për të treguar dhe për të ftuar është pozitive, pavarësisht nëse një person takohet apo jo me misionarët, bashkohet ose jo me Kishën.

Ndihmojini anëtarët të përdorin pikat e tyre të forta për ta shpërndarë ungjillin. Disa janë të shkëlqyer në gjetjen e njerëzve për t’u dhënë mësim, dhe disa janë mësues të shkëlqyer. Disa kanë një aftësi të natyrshme për t’u lidhur me miqtë, ndërsa të tjerëve u pëlqen të luten për miqtë e tyre. Ndihmojini të kuptojnë se ka mënyra që gjithsecili të marrë pjesë.

Kur i vizitoni anëtarët, bëjeni këtë me një qëllim. Tregoni se jeni të angazhuar me zell në punën e gjetjes së njerëzve dhe të mësimdhënies. Respektojeni kohën dhe programin e tyre.

Disa anëtarë mund t’ju mirëpresin që ju të jepni një mesazh nga njëri prej mësimeve. Të vërtetat e ungjillit janë jetëndryshuese. Forcimi i të kuptuarit të ungjillit nga ana e anëtarëve do ta rritë mirëbesimin e tyre te ju dhe do të krijojë entuziazëm për ta shpërndarë atë. Ndihmojini që të dallojnë Shpirtin dhe të veprojnë sipas nxitjeve.

Kërkoni të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim nëpërmjet familjeve që janë pjesërisht anëtare, pleqve të ardhshëm, anëtarëve që kthehen në aktivitet dhe anëtarëve të rinj. Ata kanë gjasa të kenë shumë pjesëtarë të familjes dhe miq të besimeve të tjera.

Në gjithçka që bëni me anëtarët, ndiqni Shpirtin dhe kërkoni të ndërtoni besimin e tyre te Shpëtimtari, Jezu Krishti.

Për më tepër ide dhe burime se si mund t’i përkrahni anëtarët në shpërndarjen e ungjillit, shihni:

Bekime të Premtuara për Shpërndarjen e Ungjillit

Ndihmojini anëtarët të kuptojnë bekimet e jashtëzakonshme të shpërndarjes së ungjillit. Këto përfshijnë:

Studimi në Dyshe Misionare

  • Rishikojeni mbledhjen tuaj të fundit të përjavshme të bashkërendimit. Si mund ta kishit bërë atë më të efektshme? Rishikojini kërkesat nga udhëheqësit e lagjes dhe planifikoni se si dhe kur të përgjigjeni.

  • Planifikoni se si do t’i bashkërendoni përpjekjet tuaja misionare në mbledhjen e ardhshme të bashkërendimit.

  • Mësoni emrat e udhëheqësve të lagjes (burra dhe gra). Planifikoni se çfarë do të bëni gjatë muajit të ardhshëm për të zhvilluar marrëdhënie më të forta me ta dhe për t’i përkrahur në përpjekjet e tyre misionare.

Gjeni Njerëz nëpërmjet Programit Kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]

Programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] është një burim i mrekullueshëm që të gjeni njerëz për t’u dhënë mësim. Misionarët që i përdorin vazhdimisht veçoritë e këtij programi kompjuterik, kanë më shumë sukses në gjetjen e njerëzve. Për t’u njohur me këto veçori, referojuni trajnimit që ndodhet brenda në programin kompjuterik. Jini të ndjeshëm ndaj nxitjeve shpirtërore që mund të merrni teksa shqyrtoni emrat e njerëzve.

Programi kompjuterik përfshin informacion rreth njerëzve që janë referuar, kontaktuar ose u është dhënë mësim më parë. Disa prej këtyre njerëzve mund të dëshirojnë të takohen përsëri me misionarët. Ata gjithashtu mund të njohin njerëz të tjerë që mund të jenë të interesuar të mësojnë rreth ungjillit.

Kur planifikoni, përdorni hartën dhe filtrat në programin kompjuterik që t’i jepni përparësi asaj se cilët njerëz do të vizitoni. Shikojeni informacionin e tyre dhe mësoni se si janë gjetur. Shihni nëse ka të dhëna për anëtarët që i kanë ndihmuar. Përdoreni këtë informacion për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si t’i ndihmoni sërish.

misionarë duke studiuar në telefona

Përdoreni veçorinë e filtrave në programin kompjuterik që të identifikoni të gjithë ata që:

  • Kishin programuar më parë një datë pagëzimi, por nuk u pagëzuan.

  • E frekuentuan mbledhjen e sakramentit të paktën një herë, por nuk u pagëzuan.

  • Bënë më shumë se tri mësime.

  • Nuk janë kontaktuar së fundmi.

Nëse njerëzit të cilët i kontaktoni, nuk janë të interesuar të marrin mësime ose zgjedhin të ndalojnë që të pranojnë vizita nga ju, shënojeni atë informacion në programin kompjuterik. Shënoni se si do të mbani kontakt me ta dhe si do t’i ushqeni ata shpirtërisht derisa të jenë gati për të mësuar më shumë. Për shembull, merreni parasysh t’i ftoni që të regjistrohen për një seri njoftimesh në postën elektronike që të marrin mesazhe rreth Jezu Krishtit ose tema të tjera të ungjillit. Ju gjithashtu mund t’i lidhni ata me një anëtar që mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe të kultivojë interesat dhe miqësinë e tyre. Vendosni një kujtues në programin kompjuterik që të ndiqni ecurinë me ta. Pyetini nëse njohin dikë tjetër që mund të jetë i interesuar.

Ju mund të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim edhe nëpërmjet programit kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] duke përdorur filtra ose grupe për të dërguar mesazhe në grup. Kjo mund të jetë një mënyrë e mrekullueshme për t’i njoftuar njerëzit rreth ngjarjeve të tilla si aktivitetet e lagjes dhe shërbesat e pagëzimit. Ndiqeni ecurinë duke bërë ftesa vetjake për këto ngjarje.

Studimi në Dyshe Misionare

Për të parë se çfarë burimi i mrekullueshëm mund të jetë programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për gjetjen e njerëzve, provoni veprimtaritë vijuese. Teksa e bëni këtë, kushtojuni vëmendje mbresave që merrni.

  • Duke përdorur një filtër, identifikoni të gjithë njerëzit të cilëve u janë dhënë tri ose më shumë mësime. Ftojini ata individualisht që ta frekuentojnë kishën këtë të diel.

  • Krijoni një filtër dhe gjeni të gjithë ata që kanë pasur një ditë pagëzimi të programuar dhe e frekuentuan kishën të paktën dy herë.

  • Planifikoni që t’u dërgoni një mesazh njerëzve individualisht që të bashkohen në një aktivitet ose projekt shërbimi të lagjes. Me raste mund të doni të dërgoni një mesazh në grup dhe të ndiqni ecurinë e njerëzve individualisht.

  • Diskutoni me shoqëruesin tuaj misionar për njerëzit për të cilët patët një mbresë. Bëni plane që t’u bëni një vizitë ose në të kundërt vihuni në kontakt me ta shpejt.

Gjeni Njerëz nëpërmjet Shërbimit

Siguroni Mundësi që Njerëzit të Vijnë dhe të Shërbejnë

Njerëzit mund të kenë përvoja pozitive dhe të lidhen me misionarët dhe anëtarët vendorë në aktivitete shërbimi. Shumë njerëz janë të lumtur të tregojnë talentet, aftësitë ose shërbimet e tyre dhe thjesht kanë nevojë që t’i ftojnë.

Ftojini njerëzit të marrin pjesë në aktivitete shërbimi të organizuara nga lagjja. Ju mund t’i lidhni njerëzit edhe me mundësi shërbimi të tilla si ato që janë te faqja JustServe.org, atje ku është në dispozicion. Teksa shërbeni me të tjerë, ju bashkoheni në një mënyrë të fuqishme.

Ofroni Shërbim

Ashtu si Shpëtimtari, “përshko[jeni] vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38; shihni edhe “Shkoni Duke Bërë Mirë” te kapitulli 1). Lutuni që të jeni në dijeni të mundësive për të bërë mirë gjatë gjithë ditës. Ndonjëherë shërbimi juaj do të planifikohet, por shpesh do të jetë i paplanifikuar. Gjeni mënyra të thjeshta dhe të menjëhershme për t’u shërbyer njerëzve, për t’i ndihmuar dhe lartësuar ata. Kujtoni se Zoti përdori mundësi të papritura për t’iu zgjatur dorën e ndihmës dhe për t’i bekuar të tjerët.

Shërbeni me një dëshirë të çiltër për t’i ndihmuar njerëzit. Nëse shërbimi çon drejt një mundësie për mësimdhënie, jini mirënjohës. Nëse jo, atëherë jini mirënjohës që keni bërë mirë për dikë. Përgjigjuni pyetjeve nëse njerëzit jua bëjnë ato. Nëse dikush shpreh interes, përgjigjuni shkurtimisht dhe planifikoni të takoheni në një rast tjetër për të dhënë një mesazh.

Sigurohuni që të ndiqni orientimet për shërbimin te Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit, 2.7 dhe 7.2.

Gjejini Njerëzit Atje Ku Janë

T’i gjeni njerëzit ku ata janë fillon me përpjekjen për t’i parë ata siç i sheh Perëndia. Hamendësoni sikur mund të jeni udhëhequr për të folur me këtë person, ose ai apo ajo mund të jetë udhëhequr drejt jush. Përpiquni të kuptoni nevojat dhe dëshirat shpirtërore të njerëzve. Zbuloni se çfarë është më e rëndësishme për ta, veçanërisht në marrëdhëniet e tyre me familjen dhe Perëndinë. Mund të bëni pyetje si ato më poshtë dhe më pas dëgjoni me çiltërsi:

  • Çfarë vlerësoni më tepër?

  • Çfarë ju sjell gëzim?

  • Çfarë doni për vetë të ardhmen tuaj dhe për njerëzit që doni?

  • Me çfarë sfidash përballeni për arritjen e shpresave dhe ëndrrave tuaja?

  • Çfarë aspektesh në jetën tuaj doni të përmirësoni?

Kërkoni frymëzim teksa reflektoni për atë që mësoni rreth shpresave dhe dëshirave të personit. Cilat të vërteta të ungjillit lidhen natyrshëm me atë që do ai ose ajo?

Merreni parasysh qasjen tuaj nga këndvështrimi i personit. Çfarë di ai ose ajo për ju? Çfarë mund të ofroni që mund të jetë e dobishme? A e ndien personi se një ndërveprim me ju do të jetë diçka që ia vlen?

Merrni parasysh arsye të ndryshme përse njerëzit mund të duan t’ju njohin ju, anëtarët e tjerë ose Kishën. Më poshtë përvijohen disa shembuj të asaj që mund të jepni.

misionare duke i folur një gruaje

Tregoni Përvoja ose Jepni Informacion që Ata do ta Vlerësonin

Përdorni burimet e Kishës dhe vetë talentet tuaja e pikat tuaja të forta që të lidheni me interesat e dikujt. Kërkoni ndihmën e Atit Qiellor për të dhënë informacion ose përvoja që personi do t’i vlerësojë.

Jini të hapur ndaj frymëzimit dhe jini krijues teksa mendoni për lloje të ndryshme përvojash ose informacioni që mund të jepni. Më poshtë janë renditur disa ide.

  • Shpërndani një hallkë lidhëse që të çon te një burim i Kishës, i cili siguron informacion rreth diçkaje që do të ishte me interes për ta.

  • Organizoni një ngjarje si për shembull një takim shpirtëror (në prani fizike ose me transmetim të drejtpërdrejtë).

  • Ofroni diçka në një mbledhje ose ngjarje vendore (për shembull, krijoni pemë falas të historisë familjare në një treg të zonës).

  • Ofroni të jepni mësim në një klasë.

  • Organizoni një kurs për studimin e shkrimeve të shenjta ose ofroni të lexoni Biblën dhe shkrime të tjera të shenjta me ta.

  • Jepeni mësim anglishten si një gjuhë të dytë.

  • Reklamoni aktivitetet vendore të Kishës të tilla si një festë zyrtare ose kurse për mbështetjen te vetja. Përdorni fletushka ose median shoqërore.

  • Ftojini në një shërbesë pagëzimi.

  • Ofroni që t’i udhëhiqni në një vizitë të shtëpive vendore të mbledhjeve.

Një nga përvojat më të çmuara që mund t’i ndihmoni njerëzit të kenë, është frekuentimi i një shërbese në Kishë. Ftojini dhe shpjegojuani se si do të jetë. Tregojuni se si frekuentimi i një mbledhjeje sakramenti do ta bekojë jetën e tyre.

Ndërmjetësojini Marrëdhëniet e Çiltra

Shumë njerëz do të donin të takonin të tjerë në komunitetin e tyre ose t’i njihnin më mirë. Disa njerëz janë të vetmuar. Më poshtë renditen disa ide që ndihmojnë për ndërmjetësimin e marrëdhënieve të çiltra.

  • Vizitojini njerëzit që janë shpërngulur kohët e fundit në zonë, për t’i mirëpritur ata.

  • Njihini njerëzit në komunitet me anëtarët që kanë interesa të përbashkëta.

  • Ftojini njerëzit në mbledhje, aktivitete dhe shtëpi të hapura të lagjes.

  • Ofroni që t’i ndihmoni ata të lidhen me udhëheqësin e lagjes për tempullin dhe historinë familjare, i cili mund t’i ndihmojë të mësojnë më shumë rreth pjesëtarëve të vdekur të familjes së tyre.

  • Ofroni që t’u mësoni njerëzve se si të zhvillojnë mbrëmje të shtëpisë ose t’i lexojnë shkrimet e shenjta si familje. (Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 2.2.4, për parime të dobishme që mund të përshtaten sipas rrethanave të njerëzve.)

  • Ftoni njerëz sipas moshave të përshtatshme që të frekuentojnë seminarin, të frekuentojnë institutin ose të marrin pjesë në BYU – Pathway Worldwide.

Ka shumë mënyra fisnike për t’i gjetur ata njerëz që po përgatiten për ungjillin e rivendosur. Bëni atë që mundeni për t’u vendosur në shtegun e atyre që po përgatiten.

Studimi në Dyshe Misionare

Përcaktoni disa ide në këtë pjesë që nuk i keni provuar. Bëni plane për të provuar disa nga idetë gjatë javës së ardhshme.

Vihuni në Kontakt me Njerëzit që u Janë Referuar Juve

Njerëzit që u janë referuar juve, mund të jenë gati për të pranuar ungjillin e Jezu Krishtit. Referimet mund të vijnë nga anëtarë të Kishës, misionarë të tjerë, zyrat qendrore të Kishës dhe përpjekjet vendore në mediat shoqërore.

Vihuni në Kontakt Menjëherë

Kur një person ju referohet nëpërmjet zyrave qendrore ose mediave shoqërore vendore, rishikojeni informacionin në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] rreth interesave të tij. Përpiquni të viheni në kontakt me të sa më shpejt që të jetë e mundur.

misionarë duke trokitur në derë

Përdorni orientimet e mëposhtme kur punoni me njerëzit që iu janë referuar juve:

  • Nëse personi është referuar nga një anëtar ose nga misionarë të tjerë, vihuni në kontakt me personin që e dërgoi referimin, për të mësuar më shumë. Nëse misionarët e referuan personin, ata mund të japin mësim me ju në internet nëse udhëheqësi i tyre i misionit e miraton. Anëtarët mund t’ju bashkohen me prani fizike ose në internet për të marrë pjesë në mësimdhënie.

  • Përpiquni menjëherë të viheni në kontakt me personin nëpërmjet një vizite, telefonate, mesazhi në celular, poste elektronike ose forme tjetër komunikimi. Nëse personi nuk përgjigjet, përpiquni të viheni në kontakt me atë në një orar të ndryshëm të ditës.

  • Nëse kontakti juaj fillestar ishte me telefonatë, mesazh me celular ose postë elektronike, caktoni një orar për t’u takuar në prani fizike apo nëpërmjet teknologjisë.

  • Si dyshe misionare, rishikojeni kërkesën e personit dhe përcaktoni nevojat dhe interesat e tij ose të saj. Përcaktoni se si mund të ndihmojë ungjilli në plotësimin e atyre nevojave.

  • Kur të takoheni, sillni çdo send të kërkuar, të tillë si Libri i Mormonit. Tregoni të vërtetat e ungjillit nga mësimet e misionarëve që i plotësojnë interesat ose nevojat e personit.

Ndonjëherë njerëzit që iu referohen, mund t’ju udhëheqin drejt njerëzve të tjerë që Perëndia po i përgatit. Nëse njerëzit me të cilët viheni në kontakt, nuk janë të interesuar, pyetini nëse njohin të tjerë që mund të jenë të interesuar ose që u nevojitet shpresë në jetën e tyre. Ndoshta ju jeni udhëhequr te ky person ngaqë dikush tjetër në shtëpi apo lagje është gati për ungjillin.

Nëse një takim me dikë nuk realizohet, merrni parasysh se si mund të bëni punë tjetër misionare në atë zonë. Programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] mund t’ju ndihmojë të gjeni njerëz aty afër që janë kontaktuar ose që u është dhënë mësim më parë.

Referojini Njerëzit te Misionarët në një Zonë Tjetër

Kur takoni njerëz që janë të interesuar të mësojnë më shumë rreth ungjillit, por që jetojnë jashtë zonës suaj të caktuar, njihini ata me ungjillin. Më pas ndihmojini që të përgatiten për të takuar misionarët dhe anëtarët atje ku jetojnë.

Me miratimin e presidentit tuaj të misionit, ju mund të vazhdoni t’i përkrahni këta njerëz për t’i ndihmuar që ta pranojnë ungjillin (shihni te Standardet Misionare7.5.4).

Studimi në Dyshe Misionare

Rishikojini të gjithë njerëzit që janë referuar në zonën tuaj gjatë muajit të fundit. Identifikoni personat me të cilët nuk keni qenë në gjendje të viheni në kontakt, dhe përpiquni të viheni përsëri në kontakt me ta. Vendosni se cilët nga ata që janë kontaktuar, duhet të vizitohen përsëri. Përditësojini këto dokumente në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim].

misionare duke biseduar në telefon

Përdoreni Teknologjinë

Ka shumë mënyra se si mund ta përdorni teknologjinë që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim. Më poshtë renditen disa shembuj:

  • Përdorini mediat shoqërore që të punoni me anëtarët për të gjetur njerëz.

  • Ndërtoni marrëdhënie duke u vënë në kontakt nëpërmjet postës elektronike dhe mediave shoqërore.

  • Shpërndani shkrime të shenjta, citime dhe mesazhe lartësuese të ungjillit.

  • Ndihmojini njerëzit të përdorin faqen FamilySearch.org për të mësuar më shumë mbi pjesëtarët e vdekur të familjes së tyre.

  • Ofroni orë mësimore në internet për mësimdhënien e aftësive.

  • Bëni lidhje të përshtatshme nëpërmjet grupeve të përbashkëta të interesit në internet.

  • Krijoni një afishe që tregon rreth ngjarjeve të afërta të lagjes.

Përdorimi i teknologjinë është një mënyrë e rëndësishme për të mbajtur “në ujë shumë fije peshkimi” gjatë gjithë ditës. Përveç përpjekjeve tuaj të tjera për të gjetur njerëz, mbani në ujë shumë fije peshkimi interneti.

Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Teknologjia ofron një mori kanalesh të fuqishme nëpërmjet të cilave ne mund të shpallim ‘Jezu Krishti[n] dhe atë të kryqëzuar’ dhe ‘t’u predikoj[m]ë pendim njerëzve’ [1 Korintasve 2:2; Doktrina e Besëlidhje 44:3]. Brezi i ri është veçanërisht i përgatitur mirë për të dëgjuar dhe mësuar rreth ungjillit të rivendosur nëpërmjet këtyre mjeteve të komunikimit” (“They Should Proclaim These Things unto the World”, seminar për presidentët e rinj të misioneve, 24 qershor 2016).

Studimi në Dyshe Misionare

Zbuloni se çfarë po bën misioni juaj për t’i përdorur mediat shoqërore. Diskutoni me shokun ose shoqen tuaj se si do të krijonit afishe në mediat shoqërore që përputhen me këtë gjë. Afishet tuaja duhet të përputhen me rregulloren e Kishës për internetin (shihni “Interneti”, në pjesën 38.8 te Manuali i Përgjithshëm).

Nëse misioni juaj ka një specialist/e për mediat shoqërore, mësoni nga ekspertiza e tij ose e saj për të krijuar afishe në mediat shoqërore.

dy gra duke folur

Përdoreni Historinë Familjare

Historia familjare është një mënyrë tjetër se si mund të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim. Kudo në botë, Shpirti po ndikon te miliona njerëz për të identifikuar paraardhësit e tyre të vdekur. Shumë njerëz duan një lidhje më të fortë me rrethin e tyre familjar. Kjo mund të çojë drejt një dëshire për të gjetur një lidhje dhe identitet si pjesë e familjes së Perëndisë.

Ajo që ne ndonjëherë e përmendim si shpirti i Elijas, është ndikimi i Frymës së Shenjtë që po i tërheq njerëzit për t’i identifikuar, dokumentuar dhe për t’i dashur pjesëtarët e familjes së tyre – si të kaluar, edhe të tanishëm (shihni te Malakia 4:5–6).

Kur i gjeni njerëzit, ju mund t’i njihni njerëzit me faqen FamilySearch.org ose t’i ftoni ata të shkarkojnë programet kompjuterike “FamilySearch Tree” ose “FamilySearch Memory”. Ju gjithashtu mund t’u jepni një kopje të broshurës Familja Ime: Histori që na Bashkojnë. Këto burime i ndihmojnë njerëzit të zbulojnë të afërmit dhe paraardhësit dhe të mbledhin historitë e tyre.

Përcaktoni se cilat burime të historisë familjare janë në dispozicion në zonën tuaj, dhe si mund t’i ndihmojnë ato njerëzit me të cilët ju viheni në kontakt. Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe historinë familjare mund t’i ndihmojë njerëzit të identifikojnë paraardhësit e tyre të vdekur.

Ftojini njerëzit t’ju tregojnë kujtimet për njerëzit e tyre të dashur. Ndërsa e bëjnë këtë, ata mund ta ndiejnë Frymën e Shenjtë t’u dëshmojë për rëndësinë e familjeve në planin e Perëndisë. Këto çaste mund të çojnë në biseda të natyrshme rreth qëllimit të jetës, planit të Perëndisë për lumturinë dhe rolit të Shpëtimtarit në atë plan.

Kur është e përshtatshme, mësojuni njerëzve doktrinën rreth asaj se përse anëtarët e Kishës bëjnë punën për historinë familjare dhe si lidhet ajo me tempujt.

Lutuni që të jeni në dijeni të mundësive për ta përdorur historinë familjare në përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz. Jini krijues dhe familjarizohuni me burimet që janë në dispozicion.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Studioni shkrimet e shenjta vijuese për historinë familjare. Shënojeni atë që mësuat.

Fuqia e Vulosjes Rivendoset nëpërmjet Elijas

Puna për të Vdekurit

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Provoni një ose më shumë nga veprimtaritë vijuese për t’ju ndihmuar që të gjeni njerëz nëpërmjet historisë familjare.

  • Organizoni që të vizitoni me një anëtar që ka përvojë me historinë familjare. Mësoni se cilat shërbime janë në dispozicion nëpërmjet udhëheqësit të lagjes suaj për tempullin dhe historinë familjare.

  • Ushtroni se si do t’u ofroni ndihmë për historinë familjare atyre që takoni. Bëni plane për të ofruar histori familjare në përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz.

  • Lexoni dhe diskutoni për broshurën Families and Temples [Familjet dhe Tempujt] që të fitoni një kuptueshmëri më të madhe mbi punën për historinë familjare. Shkruajeni atë që mësoni, në ditarin tuaj të studimit.

  • Përdoreni broshurën Familja Ime ose burimet në FamilySearch.org teksa gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim.

  • Atje ku është e mundur, bëni një shtëpi të hapur, zhvilloni një orë mësimore për historinë familjare në një vend publik ose ofroni këshillime.

Gjeni Njerëz Kur Jepni Mësim

Gjetja e njerëzve dhe mësimdhënia janë veprimtari që lidhen me njëra‑tjetrën. Njerëzit të cilëve u jepni mësim, shpesh kanë miq ose të afërm që janë përgatitur për ta pranuar ungjillin e rivendosur. Kur njerëzit të cilëve u jepni mësim, i provojnë bekimet e ungjillit, dëshira e tyre për ta shpërndarë atë do të shtohet (shihni te 1 Nefi 8:12). Në të gjitha situatat – të tilla si gjetja, mësimdhënia dhe të punuarit me anëtarët – pyetni: “Kë njihni që do të përfitonte nga ky mesazh?”

Kur ata të cilëve u jepni mësim, po përgatiten për shërbesën e tyre të pagëzimit, pyetini për familjarët dhe miqtë që do të dëshironin t’i ftonin në pagëzimin e tyre. Bëni plane për t’i ftuar dhe nxitur që të vijnë të gjithë. Shpirti mund të ndihet fuqishëm gjatë një shërbese pagëzimi.

Studimi në Dyshe Misionare

Shqyrtoni një listë të njerëzve të cilëve po u jepni mësim. Bëni një listë të njerëzve që iu keni kërkuar referime dhe atyre që nuk iu keni kërkuar. Ushtrohuni se si do t’u bëni një ftesë referimi atyre që janë në secilin grup. Në planifikuesin, lini një shënim për ta bërë këtë ftesë në vizitat tuaja të ardhshme.

gra duke parë në telefon

Jepni Mësim Kur Gjeni Njerëz

Ndërsa takoni njerëz dhe përcaktoni interesat dhe nevojat e tyre, kultivoni zakonin që të filloni të jepni mësim dhe të shprehni dëshminë tuaj. Do të gjeni më shumë njerëz për t’u dhënë mësim ndërsa dëshmoni për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij dhe i lejoni ata që ta ndiejnë fuqinë e Frymës së Shenjtë.

Merreni parasysh të jepni mësim për tema të tilla si lumturia, fatkeqësia, qëllimi i jetës ose vdekja. Cilado qoftë qasja juaj fillestare, referojuni shpejt dhe thjesht Shpëtimtarit, ungjillit të Tij dhe thirrjes së Tij drejtuar Profetit Jozef Smith. Ky është mesazhi ynë i pashoq për botën.

Pjesët vijuese japin shembuj se si mund të jepni mësim shkurtimisht rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit dhe rëndësisë së familjes.

Jepni Mësim dhe Dëshmoni për Rivendosjen e Ungjillit të Jezu Krishtit

Dëshmoni për Jezu Krishtin dhe jepni mësim përmbledhje të shkurtra të së vërtetës së rivendosur. Për shembull, ju mund të dëshmoni për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit me vetëm dy ose tre fjali:

Shekuj pasi kishin humbur, të vërtetat u rivendosën nga një Perëndi i dashur nëpërmjet një profeti të gjallë. Ne kemi provë për këtë që mund ta mbani në duart tuaj, ta lexoni dhe ta përsiatni në zemrën tuaj. Ju ftojmë ta lexoni dhe të luteni që ta mësoni vetë të vërtetën e tij. A do të na lejoni të …

Nëse keni pak më shumë kohë, mund të thoni më shumë:

Mesazhi ynë është i thjeshtë. Perëndia është Ati ynë. Ne jemi fëmijët e Tij. Ne jemi pjesë e familjes së Tij. Ai na njeh personalisht dhe na do. Ai do që ne të përjetojmë gëzim. Që nga fillimi i botës, Ai ka ndjekur një model të shtrirjes së dorës me dashuri për të zbuluar ungjillin e Jezu Krishtit, në mënyrë që fëmijët e Tij të dinë se si të kthehen tek Ai. Ai ua ka zbuluar ungjillin profetëve të tillë si Adami, Noeu, Abrahami dhe Moisiu. Por shumë njerëz zgjodhën vazhdimisht t’i refuzonin ungjillin dhe profetët që e dhanë mësim atë. Dy mijë vjet më parë, Vetë Jezu Krishti e dha mësim ungjillin e Tij. Njerëzit e refuzuan edhe Jezusin. Pas vdekjes së Apostujve të Jezusit, njerëzit e shtrembëruan doktrinën e vërtetë, si për shembull atë për Kreun‑Perëndi. Ata ndryshuan gjithashtu ordinancat, të tilla si pagëzimi.

Ftesa jonë për ju është t’u shtoni të vërtetave që tashmë i ruani si thesar. Merreni parasysh provën se Ati ynë Qiellor ua ka shtrirë përsëri dorën e ndihmës fëmijëve të Tij me dashuri dhe ia ka zbuluar një profeti doktrinën dhe ordinancat e vërteta. Emri i këtij profeti është Jozef Smith. Prova e kësaj të vërtete gjendet në një libër, te Libri i Mormonit. Mund ta mbani në duar, ta lexoni dhe të përsiatni të vërtetën e tij në mendjen dhe zemrën tuaj. Ju ftojmë ta frekuentoni kishën për të mësuar më shumë.

Jepni Mësim dhe Dëshmoni për Rëndësinë e Familjes

Trajtimi i rëndësisë së familjes do t’ju ndihmojë të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim, pavarësisht nëse ata kanë një prejardhje të krishterë ose jo të krishterë. Ju mund ta lidhni shpejt atë që dinë shumica e njerëzve për familjen, me planin e Atit Qiellor për shpëtimin. Ju mund të thoni diçka të tillë si:

Familja jonë mund të jetë një nga ndikimet më të rëndësishme në jetën tonë. Familja jonë na lidh me njëri‑tjetrin dhe mund të na ndihmojë të ndihemi të nevojshëm dhe se na duan.

Të kesh një familje të fortë e të lumtur është përparësia më e madhe për shumë njerëz. Të kesh një martesë të fortë dhe të rritësh fëmijë në botën e sotme mund të jetë shumë sfiduese.

Më pas mund të bëni një kalim te mesazhi i Rivendosjes:

Ju keni qenë pjesë e familjes së Perëndisë që para se të lindnit. Ai është Ati ynë. Ati Qiellor dëshiron që ne të kthehemi për të jetuar me Të. Ju jeni fëmija i Tij dhe Ai ju do. Ai ka një plan për t’ju ndihmuar që të ktheheni tek Ai.

Këto të vërteta dhe të tjera janë rivendosur në tokë nga Ati ynë i dashur Qiellor nëpërmjet një profeti të gjallë. Këto të vërteta na ndihmojnë të kuptojmë vendin tonë në familjen e Perëndisë. A mund t’ju mësojmë më shumë rreth këtyre të vërtetave? A do ta frekuentoni kishën që të mund të mësoni më shumë?

Studimi në Dyshe Misionare

Përgatitni një mesazh njëminutësh të bazuar te një nga mësimet në kapitullin 3. Ushtrohuni që t’ia tregoni atë njëri‑tjetrit. Mendoni se si mund ta jepni këtë mesazh në një situatë kur gjeni dikë. Planifikoni ta jepni atë në një situatë të përshtatshme për t’i ftuar të tjerët të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit.

Asnjë Përpjekje nuk Shkon Kot

Kur njerëzit zgjedhin të mos mësojnë më shumë rreth ungjillit të rivendosur, përpjekjet tuaja nuk shkojnë kot. Ndoshta ju keni mbjellë një farë që do të rritet në një moment tjetër. Pavarësisht nëse kjo ndodh apo jo, shërbimi juaj dhe shprehja nga ana juaj e dashurisë së vërtetë do t’ju bekojë edhe ju edhe ata.

Nëse njerëzit nuk janë gati ta pranojnë ungjillin, shikoni se çfarë tjetër mund të bëni për ta pasuruar jetën e tyre. Marrëdhëniet që zhvilloni, janë ende kuptimplote dhe të çmuara. Vazhdoni të jeni një mik/e.

Njerëzit ndonjëherë kanë nevojë për kohë për të marrë në shqyrtim ndryshimet që u kërkohen. Ndihmojini të marrin mesazhe nëpërmjet postës elektronike të Kishës apo faqeve të internetit. Këto mesazhe mund të ndihmojnë në përgatitjen e njerëzve për të pranuar ftesat e ardhshme për të mësuar më shumë.

Kur një person nuk e pranon ungjillin, është e natyrshme të zhgënjeheni. Sidoqoftë, teksa ktheheni drejt Zotit në kohë të tilla, Ai ka premtuar: “Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe [do të] të mbaj” (Isaia 41:10).

Nëpërmjet besimit te Krishti, ju mund të gjeni paqe dhe siguri për përpjekjet tuaja. Ruani një largpamësi se kush jeni dhe përse po i shërbeni Zotit si një misionar/e. Besimi do t’ju ndihmojë të shkoni përpara dhe të vazhdoni me dëshira të drejta.


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Lexoni te Gjoni 15:12, Gjoni 21:15–17, 1 Thesalonikasve 2 dhe Mosia 18:8–10. Sa mirë po e përmbushni përgjegjësinë tuaj për t’i dashur dhe për t’u shërbyer të tjerëve? Si mund të përmirësoheni? Shkruajeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit.

  • Lexoni te 3 Nefi 18:31–32, Alma 24:7–8 dhe Alma 32:41. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth të punuarit me njerëz të cilëve u është dhënë mësim më parë? Shënojeni atë që mësoni, në ditarin tuaj të studimit. Jepjani mësim shoqëruesit tuaj misionar.

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Bëni plane për t’u takuar me anëtarët e rinj në zonën tuaj. Nëse është e nevojshme, përdorni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për t’i identifikuar ata. Bëni pyetje si këto:

    • Si u përgatitët për ungjillin?

    • Kur dhe si ratë në kontakt për herë të parë me Kishën?

    • Çfarë ju shtyu të takoheshit me misionarët?

    • Si mund ta përkrahim përparimin tuaj të vazhdueshëm?

    Nga këto mbledhje, çfarë mësuat për gjetjen e njerëzve që përparojnë drejt pagëzimit? Bëni plane për ta zbatuar atë që mësuat këtë javë.

  • Shqyrtoni secilën nga temat vijuese. Duke përdorur mësimet te kapitulli 3, përgatitni një qasje të thjeshtë për të gjetur njerëz. Ushtrojeni mësimdhënien në një mjedis ku mund të gjeni njerëz.

    • Të ndierit e nevojës për më shumë drejtim dhe qëllim në jetë

    • Dëshira për t’u ndier më pranë Perëndisë

    • Nevoja për ndihmë lidhur me vendime të rëndësishme

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Lexoni dhe diskutoni për pjesën “Zgjerojeni Largpamësinë Tuaj të Planifikimit për të Gjetur Njerëz”. Secila dyshe misionare le ta përfundojë vlerësimin.

    • Diskutoni se si i kanë ndihmuar këto ide misionarët të gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim.

    • Renditni ide të tjera rreth gjetjes së njerëzve për t’u dhënë mësim. Ftojini misionarët të tregojnë idetë e tyre.

    • Ftojini misionarët të vendosin synime vetjake për përmirësimin e përpjekjeve të tyre për të gjetur njerëz.

  • Krijoni një listë të disa mundësive për të gjetur njerëz.

    • Caktojini çdo misionari një nga mundësitë. Jepini secilit misionar pesë minuta për të përgatitur mënyrën se si ai ose ajo do të jepte një pjesë mësimi në situatën e caktuar.

    • Theksoni nevojën për ta mbajtur kohëzgjatjen e mesazhit të përshtatshme për rrethanën.

    • Ftojini disa misionarë të japin mësimin që ata planifikuan në situatën e tyre të caktuar.

  • Ftojini misionarët të ushtrojnë dhënien e një mesazhi njëminutësh për ungjillin me njëri‑tjetrin. Ju mund të doni të krijoni një sërë rrethanash për të gjetur njerëz, të tilla si mësimdhënie në shtëpinë e një anëtari, mësimdhënie në pragun e derës, mësimdhënie në trotuar ose vënia në kontakt me një të referuar. Vërini misionarët ta ushtrojnë mësimdhënien në secilën prej këtyre rrethanave.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Jepni shembullin e punës anëtar‑misionar në familjen tuaj. Tregojuani përvojat tuaja misionarëve dhe anëtarëve.

  • Këshillohuni me udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave vendore rreth mënyrave më të mira se si misionarët të gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim në misionin tuaj.

  • Organizoni takime shpirtërore misionare në të cilat mund t’u flisni njerëzve që po marrin mësime në misionin tuaj. Bashkërendoni me udhëheqësit vendorë të priftërisë në mënyrë që anëtarët të mund të sjellin miqtë e tyre. Ftojini anëtarët e rinj që të shprehin dëshmitë e tyre dhe të tregojnë historitë e kthimit të tyre në besim përpara se ju të flisni.

  • Me raste, shkoni me misionarët për t’i ndihmuar ata që të gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim.