Thirrjet në Mision
Kapitulli 5: Përdoreni Fuqinë e Librit të Mormonit


“Kapitulli 5: Përdoreni Fuqinë e Librit të Mormonit”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 5”, Predikoni Ungjillin Tim

Jesus Teaching in the Western Hemisphere (Jesus Christ Visits the Americas) [Jezusi duke Dhënë Mësim në Hemisferën Perëndimore (Jezu Krishti Viziton Kontinentin Amerikan)], nga John Scott

Kapitulli 5

Përdoreni Fuqinë e Librit të Mormonit

Merreni Parasysh Këtë

  • Në ç’mënyrë Libri i Mormonit është guri kyç i besimit tonë?

  • Përse Libri i Mormonit është kaq i fuqishëm në procesin e kthimit në besim?

  • Çfarë na mëson Libri i Mormonit për Jezu Krishtin?

  • Si mund ta përdor Librin e Mormonit për të ndihmuar veten time dhe të tjerët që t’i afrohen më shumë Perëndisë?

  • Si i trajton Libri i Mormonit çështjet e shpirtit?

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit ta lexojnë Librin e Mormonit dhe të fitojnë dëshmi për të?

Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin, është burimi juaj më i fuqishëm në procesin e kthimit në besim. Ky libër është një anal i lashtë, i shenjtë, i shkruar për t’i bindur të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti (shihni te faqja e titullit të Librit të Mormonit). Siç e thotë nëntitulli i tij, Libri i Mormonit është “një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit”. Ai është gjithashtu provë bindëse se Perëndia e thirri Jozef Smithin si profet dhe e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet tij.

hark dere me gurin kyç

Libri i Mormonit Është Guri Kyç i Besimit Tonë

Profeti Jozef Smith dha mësim se Libri i Mormonit është “gur[i kyç] i besimit tonë” (parathënia e Librit të Mormonit). Në një rast tjetër ai tha: “Hiqni Librin e Mormonit e zbulesat dhe ku është besimi ynë? Ne nuk kemi asgjë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 205).

Një hark është një strukturë e fortë arkitekturale, e bërë nga disa pjesë në formë pyke që mbështeten te njëra‑tjetra. Pjesa në mes, ose guri kyç, është zakonisht më i madh sesa pykat e tjera dhe i mban ato në vend.

Presidenti Ezra Taft Benson tha se Libri i Mormonit është guri kyç i besimit tonë në të paktën tri mënyra:

Dëshmia për Krishtin. “Libri i Mormonit është gur[i kyç] në dëshminë tonë për Jezu Krishtin, i cili është Vetë guri i qoshes së çdo gjëje që bëjmë. Ai [libër] dëshmon për realitetin e Tij me fuqi dhe qartësi.”

Plotësia e doktrinës. “Zoti Vetë ka thënë se Libri i Mormonit përmban ‘plotësi[në e] ungjillit të Jezu Krishtit’ [Doktrina e Besëlidhje 20:9; 27:5]. … Në Librin e Mormonit ne vërtet do të gjejmë plotësinë e [doktrinës] që kërkohe[t] për shpëtimin tonë. Dhe [ajo] na mësohe[t] thjesht dhe qartë, me qëllim që edhe fëmijët të mund t’i mësojnë udhët e shpëtimit dhe të ekzaltimit.”

Burim dëshmie. “Ashtu si harku shkatërrohet nëse i hiqet gur[i kyç], po kështu e gjithë Kisha qëndron ose bie me vërtetësinë e Librit të Mormonit. … Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë … atëherë një njeri duhet t’i pranojë pretendimet [për] Rivendosje[n].” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 136, 138135–136.)

Duke fituar dëshmi se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, ne mund të dimë se Jozef Smithi ishte një profet. Nëpërmjet tij, autoriteti i priftërisë së Perëndisë u rivendos nga lajmëtarë qiellorë. Perëndia gjithashtu e autorizoi Jozefin që të organizonte Kishën e Jezu Krishtit. Zbulesa vazhdon sot nëpërmjet profetëve të gjallë.

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Libri i Mormonit Është Thelbësor për Kthimin Vetjak në Besim

Një pjesë thelbësore e kthimit në besim është marrja e një dëshmie nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Kur e lexoni dhe e studioni atë me sinqeritet, ju do ta ndieni që fjalët e tij do t’jua zmadhojnë shpirtin. Fjalët e tij do ta ndriçojnë kuptueshmërinë tuaj për jetën, për planin e Perëndisë dhe për Jezu Krishtin (shihni tek Alma 32:28). Lutuni për librin me qëllim të vërtetë dhe besim te Krishti. Kur e bëni këtë gjë, ju do të merrni dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë se ai është fjala e Perëndisë (shihni te Moroni 10:4–5).

Dëshmia juaj vetjake për Librin e Mormonit mund të çojë në një besim të thellë dhe të qëndrueshëm lidhur me fuqinë e tij për t’i ndihmuar të tjerët të kthehen në besim. Ndihmojini njerëzit të cilëve u jepni mësim, që ta dallojnë ndriçimin që ndiejnë kur e lexojnë atë me sinqeritet. Theksoni dëshminë e tij të fuqishme për Jezu Krishtin. Nxitini ata të luten që të marrin vetë dëshminë e tyre se libri është i vërtetë.

Nxitja e njerëzve që të kërkojnë dëshmi nga Fryma e Shenjtë rreth Librit të Mormonit duhet të jetë fokusi qendror i mësimdhënies suaj. Libri i Mormonit mund ta ndryshojë jetën e tyre përgjithmonë.

Përdoreni Librin e Mormonit që të Jepni Mësim Ungjillin e Jezu Krishtit

Profeti Jozef Smith tha: “Libri i Mormonit [është] më i sakti nga [cilido] libër mbi tokë” (parathënia e Librit të Mormonit). Ai dëshmon për Krishtin dhe na e mëson me qartësi doktrinën e Tij (shihni te 2 Nefi 31; 32:1–6; 3 Nefi 11:31–39; 27:13–22). Ai na mëson për plotësinë e ungjillit të Tij. Parimet dhe ordinancat e para të ungjillit, siç jepen mësim në Librin e Mormonit, janë udha drejt një jete të begatë.

Përdoreni Librin e Mormonit si burimin tuaj kryesor për të dhënë mësim ungjillin e rivendosur. Tabela vijuese rendit disa prej të vërtetave në Librin e Mormonit që ju do të jepni mësim.

Mësimi i Misionarëve në Kapitullin 3

Doktrina

Referencat

Mësimi i Misionarëve në Kapitullin 3

Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit

Doktrina

Natyra e Perëndisë, shërbesa dhe Shlyerja e Shpëtimtarit, një largim nga ungjilli, Rivendosja, Jozef Smithi, autoriteti i priftërisë

Referencat

1 Nefi 12–14

2 Nefi 3; 26–29

Mosia 2–5

Mësimi i Misionarëve në Kapitullin 3

Plani i Atit Qiellor për Shpëtimin

Doktrina

“Plani [i] madh [i] Perëndisë së Amshuar”, përfshirë Rënien e Adamit dhe të Evës, Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ringjalljen dhe Gjykimin

Referencat

2 Nefi 29

Mosia 3; 15–16

Alma 12; 34:9; 40–42

Mësimi i Misionarëve në Kapitullin 3

Ungjilli i Jezu Krishtit

Doktrina

Besimi te Krishti, pendimi, pagëzimi, dhurata e Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund

Referencat

2 Nefi 31–32

3 Nefi 11; 27:13–22

Mësimi i Misionarëve në Kapitullin 3

Bërja Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën

Doktrina

Ordinanca të tilla si pagëzimi, shugurimi në priftëri dhe sakramenti

Referencat

3 Nefi 11:22–2818

Moroni 2–6

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë thotë Shpëtimtari rreth Librit të Mormonit?

Libri i Mormonit Dëshmon për Krishtin

Qëllimi kryesor i Librit të Mormonit është të dëshmojë për Jezu Krishtin. Ai pohon realitetin e jetës, misionit, ringjalljes dhe fuqisë së Tij. Ai jep mësim doktrinën e vërtetë rreth Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.

Shumë profetë, shkrimet e të cilëve janë ruajtur në Librin e Mormonit, e panë Krishtin personalisht. Vëllai i Jaredit, Nefi dhe Jakobi e panë Krishtin përpara ardhjes së Tij në tokë. Turma njerëzish ishin të pranishëm gjatë shërbesës së Shpëtimtarit mes nefitëve (shihni te 3 Nefi 11–28). Më vonë Mormoni dhe Moroni e panë Krishtin e ringjallur (shihni te Mormoni 1:15; Ethëri 12:39).

Kur njerëzit e lexojnë Librin e Mormonit dhe luten rreth tij, ata do të arrijnë ta njohin Shpëtimtarin më mirë dhe do të përjetojnë dashurinë e Tij. Ata do ta rritin dëshminë e tyre për Të. Do të dinë se si të vijnë tek Ai dhe të shpëtohen. (Shihni te 1 Nefi 15:14–15.)

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend. Ai na mëson se çfarë do të thotë vërtet të lindesh sërish. … Ne e dimë arsyen përse jemi këtu në tokë. Këto dhe të vërteta të tjera janë dhënë mësim në mënyrën më të fuqishme dhe bindëse në Librin e Mormonit sesa në ndonjë libër tjetër. Fuqia e plotë e ungjillit të Jezu Krishtit përmbahet në Librin e Mormonit” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62).

Studimi Vetjak

Gjatë gjithë misionit tuaj, shkruajini përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit:

  • Çfarë keni mësuar rreth Jezu Krishtit nga studimi juaj i Librit të Mormonit?

  • Si ka ndikuar studimi juaj i Librit të Mormonit në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?

  • Si mund ta përdorni Librin e Mormonit për t’i ndihmuar njerëzit që t’i forcojnë dëshmitë e tyre?

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë arsyesh dhanë profetët e Librit të Mormonit për shkrimin e analeve të tyre?

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Libri i Mormonit është shkruar “për bindjen e [të gjithë njerëzve] se Jezusi është Krishti” (faqja e titullit të Librit të Mormonit). Tabela vijuese rendit disa kapituj të Librit të Mormonit që dëshmojnë për jetën, mësimet dhe shërbesën e Jezu Krishtit. Përzgjidhni fragmente për t’i studiuar gjatë gjithë misionit tuaj.

Përveç këtyre, mendoni për nevojat e njerëzve të cilëve po u jepni mësim. Bëni plane që t’i lexoni disa prej këtyre fragmenteve me ta për ta forcuar njohurinë dhe dëshminë e tyre për Shpëtimtarin.

Faqja e titullit dhe parathënia

Bëjnë të qartë qëllimin e librit.

1 Nefi 10–11

Lehi dhe Nefi dëshmojnë për Shpëtimtarin.

2 Nefi 29

Lehi dhe Jakobi dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

2 Nefi 31–33

Nefi jep mësim doktrinën e Krishtit.

Mosia 2–5

Mbreti Beniamin dëshmon për Krishtin.

Alma 57

Alma dëshmon për Shpëtimtarin.

Alma 36

Alma përjeton fuqinë shlyese të Krishtit.

3 Nefi 9–10

Shpëtimtari i fton njerëzit që të vijnë tek Ai.

3 Nefi 11–18

Shpëtimtari u mëson nefitëve për Atin dhe doktrinën e Tij.

3 Nefi 27

Shpëtimtari jep mësim ungjillin e Tij.

Ethëri 12

Ethëri dhe Moroni japin mësim se besimi te Jezu Krishti është një parim veprimi dhe fuqie.

Moroni 7–8

Mormoni jep mësim për dashurinë e pastër të Krishtit dhe për Shlyerjen e Tij.

Moroni 10

Moroni i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të përsosen në Të.

Libri i Mormonit na Ndihmon t’i Afrohemi më Shumë Perëndisë

Lidhur me Librin e Mormonit, Profeti Jozef Smith tha se “një njeri [burrë apo grua] do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga [cilido] libër tjetër” (parathënia e Librit të Mormonit). Duke i mësuar dhe duke i ftuar vazhdimisht njerëzit që t’i jetojnë parimet në Librin e Mormonit, ju i ndihmoni të zhvillojnë besim te Jezu Krishti dhe t’i afrohen më shumë Perëndisë.

Libri i Mormonit ndërton dëshmi dhe fton zbulesë vetjake. Përdoreni Librin e Mormonit që t’i ndihmojë njerëzit të kenë përvoja shpirtërore, veçanërisht një dëshmi nga Fryma e Shenjtë se libri vetë është fjala e Perëndisë.

Jepuni përparësi fragmenteve të Librit të Mormonit kur jepni mësim. Ato kanë fuqi për të kthyer në besim nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Kur e jepni mësim ungjillin duke përdorur Librin e Mormonit, mësimdhënia juaj do të jehojë me fuqi e qartësi në zemër dhe në mendje.

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim se “ata që e kanë lexuar [Librin e Mormonit] plot lutje, qofshin ata të pasur apo të varfër, të arsimuar ose jo, janë rritur nën fuqinë e tij”. Më tej ai dha mësim:

“Unë ju premtoj pa asnjë rezervë se, nëse ju do ta lexoni me lutje Librin e Mormonit, pavarësisht se sa herë e keni lexuar atë më parë, në zemrat tuaja do të vijë një masë e shtuar e Shpirtit të Zotit. Do të vijë një vendosmëri e përforcuar për të ecur me bindje ndaj urdhërimeve të tij dhe do të vijë një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë” (“The Power of the Book of Mormon”, Ensign, qershor 1988, f. 6).

misionarë duke lexuar shkrimet e shenjta

Libri i Mormonit Trajton Pyetjet e Shpirtit

Leximi i Librit të Mormonit me udhërrëfimin e Shpirtit mund t’i ndihmojë njerëzit që të gjejnë përgjigje ose ide për pyetjet e tyre vetjake, ose pyetjet e shpirtit. Ndihmojini njerëzit të kuptojnë se si mësimet në Librin e Mormonit i trajtojnë pyetjet e jetës.

Disa nga këto pyetje renditen më poshtë, së bashku me referencat nga Libri i Mormonit që i trajtojnë ato.

Libri i Mormonit gjithashtu jep udhërrëfim rreth pyetjeve të tjera të rëndësishme, të tilla si:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Misionarët duhet të dinë se si ta përdorin Librin e Mormonit për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre vetjake, që të mund ta përdorin atë me efektshmëri për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë që të bëjnë të njëjtën gjë. … Ata duhet ta përvetësojnë fuqinë e Librit të Mormonit në mësimdhënien e ungjillit të rivendosur, fillimisht duke e zbatuar atë në vetë jetën e tyre dhe më pas duke e shpërndarë atë te njerëzit të cilëve u japin mësim” (Dallin H. Oaks, “Counsel for Mission Leaders”, seminar për udhëheqësit e rinj të misioneve, 25 qershor 2022).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Renditini pyetjet e shpirtit që keni ju vetë ose që i keni dëgjuar nga të tjerët. Gjeni vargje në Librin e Mormonit që ndihmojnë për t’i trajtuar këto pyetje. Shkruajini idetë dhe referencat nga Libri i Mormonit në ditarin tuaj të studimit. Përdorini ato ndërkohë që jepni mësim.

Libri i Mormonit dhe Bibla e Përkrahin Njëri-Tjetrin

Zoti tha që të jepen “mës[im] parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit” (Doktrina e Besëlidhje 42:12). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e “besoj[n]ë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi” (Nenet e Besimit 1:8; shihni edhe te 1 Nefi 13:29). Bibla është një shkrim i shenjtë. Libri i Mormonit është një shkrim i shenjtë shoqërues, i cili përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.

Bibla dhe Libri i Mormonit e plotësojnë dhe pasurojnë njëri‑tjetrin (shihni tek Ezekiel 37:16–17; 1 Nefi 13:40; Mormoni 7:8–9). Që të dy vëllimet e shkrimeve të shenjta janë përmbledhje e mësimeve të shkruara nga profetë të lashtë. Bibla tregon për ndërveprimet e Perëndisë me njerëzit në hemisferën lindore për mijëra vjet. Libri i Mormonit tregon për ndërveprimet e Perëndisë me njerëzit në kontinentin e lashtë amerikan për më shumë se një mijë vjet.

person duke vënë theksime në shkrimet e shenjta

Më e rëndësishmja, Bibla dhe Libri i Mormonit plotësojnë njëri‑tjetrin duke dëshmuar për Jezu Krishtin. Bibla jep rrëfimin e lindjes, shërbesës në vdekshmëri dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit, përfshirë vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Libri i Mormonit përfshin profeci për lindjen dhe misionin e Shpëtimtarit, mësimet rreth Shlyerjes së Tij dhe rrëfimin e shërbesës së Tij në kontinentin amerikan. Libri i Mormonit e pohon dhe zgjeron dëshminë e Biblës se Jezusi është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës.

Si Bibla ashtu edhe Libri i Mormonit na mësojnë ligjin e dëshmitarëve: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1; shihni edhe te 2 Nefi 11:2–3). Në përputhje me këtë ligj, që të dy librat e shkrimeve të shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin (shihni te 2 Nefi 29:8).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Gjeni referenca‑kryq për temat vijuese në Librin e Mormonit dhe Bibël. Shembujt jepen në kllapa pas çdo teme. Shtoni temat dhe fragmentet tuaja vetjake.

Ndihmojini Njerëzit ta Lexojnë dhe Kuptojnë Librin e Mormonit

Njerëzit që nuk e lexojnë ose kuptojnë Librin e Mormonit, do të kenë vështirësi që të marrin dëshmi se ai është i vërtetë. Ju mund t’i ndihmoni ta kuptojnë librin duke e lexuar atë me ta. Lexoni gjatë një takimi për mësimdhënie, gjatë një vizite për ndjekjen e ecurisë ose nëpërmjet teknologjisë. Gjithashtu mund të organizoni diçka që anëtarët të lexojnë me ta. Të parit të një materiali filmik nga Libri i Mormonit dhe më pas leximi i kapitujve përkatës mund të jenë shumë të dobishëm.

Lutuni për ndihmë teksa përzgjidhni fragmente që trajtojnë shqetësimet dhe nevojat e njerëzve. Lexoni dhe diskutoni për fragmente të shkurtra, të tilla si 1 Nefi 3:7 ose Mosia 2:17. Gjithashtu lexoni dhe diskutoni fragmente më të gjata ose kapituj të plotë, të tilla si 2 Nefi 31, Alma 7 ose 3 Nefi 18. Nxitini njerëzit ta lexojnë Librin e Mormonit nga fillimi, përfshirë dëshmitë e Tre dhe Tetë Dëshmitarëve dhe dëshminë e Profetit Jozef Smith.

klasë e shkollës të së dielës

Merrini parasysh sugjerimet vijuese teksa e lexoni Librin e Mormonit me njerëzit:

  • Lutuni përpara se të lexoni. Kërkoni ndihmë që të kuptoni. Lutuni që Fryma e Shenjtë t’ju dëshmojë se është i vërtetë.

  • Lexoni me radhë. Shkoni me një ritëm me të cilin ata ndihen rehat. Shpjegoni fjalë dhe fraza të panjohura.

  • Ndaloni me raste për të diskutuar për atë që lexoni.

  • Shpjegoni sfondin historik dhe kontekstin e fragmentit, të tillë si kush po flet, çfarë lloj personi është ai dhe cila është situata. Nëse ka një material filmik të përshtatshëm nga Libri i Mormonit, merreni parasysh ta shfaqni atë.

  • Vini në dukje mesazhe ose doktrinën kyç për t’i kërkuar.

  • Jepni dëshminë tuaj dhe ide, ndjenja dhe përvoja të përshtatshme vetjake.

  • Jepni mësim drejtpërsëdrejti doktrinën nga fjalët e profetëve të Librit të Mormonit. Kjo do t’i ndihmojë njerëzit që ta ndiejnë fuqinë shpirtërore të librit.

  • Ndihmojini njerëzit që ta vënë në zbatim atë që lexojnë në jetën e tyre vetjake (shihni te 1 Nefi 19:23). Ndihmojini të shohin se si shkrimet e shenjta lidhen me ta personalisht.

Kur i vini në zbatim këto parime, ju do t’i ndihmoni njerëzit të zhvillojnë aftësinë dhe dëshirën për ta lexuar vetë Librin e Mormonit. Theksoni se leximi i librit çdo ditë është çelësi i përparimit drejt pagëzimit dhe kthimit në besim për gjithë jetën.

Mbështetuni te premtimi në vargjet te Moroni 10:3–5. Nxitini njerëzit ta lexojnë me sinqeritet Librin e Mormonit dhe të luten me qëllim të vërtetë për të ditur se është i vërtetë. Shpjegoni se fraza qëllim i vërtetë do të thotë të jeni të gatshëm të veproni sipas përgjigjes që merrni nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Çdo person që e lexon me sinqeritet dhe lutet me qëllim të vërtetë për Librin e Mormonit, mund të dijë për vërtetësinë e tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Gjithashtu duhet ta vini në zbatim këtë premtim rregullisht për ta forcuar vetë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit. Dëshmia juaj do t’ju japë vetëbesim se ata që e vënë në jetë këtë parim, do të marrin dëshmi se libri është fjala e Perëndisë.


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Lexoni te 2 Nefi 2; 9; 30; 3132. Theksoni çdo referencë për Jezu Krishtin. Bëni një listë të emrave dhe titujve të ndryshëm për Krishtin në këta kapituj. Shënojini fjalët e thëna prej Tij. Theksoni cilësitë dhe veprimet e Tij.

  • Ndërkohë që lexoni çdo ditë nga Libri i Mormonit, shënoni në ditarin tuaj të studimit fragmente që kanë domethënie të veçantë për ju. Shkruani se si do t’i zbatoni ato në jetën tuaj.

  • Shkruani në ditarin tuaj të studimit se si u ndiet kur fillimisht fituat një dëshmi shpirtërore që Libri i Mormonit është i vërtetë.

  • Shkruajini tri pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit. Gjatë gjithë misionit tuaj shtoni përgjigjet për këto pyetje.

    • Si do të ishte jeta ime pa Librin e Mormonit?

    • Çfarë nuk do të dija pa Librin e Mormonit?

    • Çfarë nuk do të kisha pa Librin e Mormonit?

  • Lexoni Predikimin në Mal te Mateu 5–7 dhe predikimin e Krishtit në tempull te 3 Nefi 12–14. Si ju ndihmon leximi i këtyre kapitujve së bashku që t’i kuptoni më mirë mësimet e Shpëtimtarit?

  • Studiojeni secilin rast në Librin e Mormonit që i referohet dikujt duke u lutur. Në ditarin tuaj të studimit, shkruajeni atë që mësoni nga Libri i Mormonit rreth lutjes.

  • Nga krerët e kapitujve te Mosia 11–16, shkruani një përmbledhje të asaj që dha mësim Abinadi. Më pas lexojini këta kapituj dhe zgjerojeni përmbledhjen tuaj.

  • Nga krerët e kapitujve te Mosia 2–5, shkruani një përmbledhje të asaj që dha mësim mbreti Beniamin. Më pas lexojini këta kapituj dhe zgjerojeni përmbledhjen tuaj.

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Lexojini së bashku fragmentet nga Libri i Mormonit. Tregojeni atë që keni mësuar dhe ndier. Diskutoni se si do t’i zbatoni ato në jetën tuaj.

  • Lexoni së bashku tek Alma 26 dhe 29. Tregoni se si ndiheni rreth misionit tuaj. Shkruajini ndjenjat tuaja në ditarin tuaj të studimit.

  • Lexoni tek Alma 37:9 dhe diskutoni se sa të rëndësishme ishin shkrimet e shenjta për Amonin dhe shokët e tij misionarë. Gjeni referenca që përshkruajnë se si ata i përdorën shkrimet e shenjta.

  • Lexoni tek Alma 11–14, me njërin prej jush që luan rolin e Almës ose Amulekut dhe tjetri që luan rolin e kritikëve. Diskutoni se si këta misionarë iu përgjigjën pyetjeve të vështira.

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Ushtroni përdorimin e Librit të Mormonit në secilën nga mënyrat e përmendura në krerët kryesorë të këtij kapitulli.

  • Renditni pyetjet e ngritura nga njerëzit të cilëve po u jepni mësim. Shpjegojini njëri‑tjetrit se si do t’u përgjigjeshit këtyre pyetjeve duke përdorur Librin e Mormonit.

  • Lexojini së bashku fragmentet nga Libri i Mormonit. Flisni për njohurinë, ndjenjat dhe dëshminë.

  • Ushtrojeni përdorimin e Librit të Mormonit për ta pohuar mesazhin e Rivendosjes.

  • Ftojini misionarët të tregojnë përvoja në të cilat Libri i Mormonit i ka ndihmuar ata dhe njerëzit të cilëve u kanë dhënë mësim, në procesin e kthimit në besim.

  • Bëjini misionarët të tregojnë një shkrim të shenjtë të parapëlqyer nga Libri i Mormonit që ndihmon për të trajtuar një pyetje të shpirtit.

  • Ftojeni një anëtar që është i kthyer në besim, që të tregojë për rolin e Librit të Mormonit në kthimin e vet në besim.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Mësojuni misionarëve se si ta përdorin Librin e Mormonit për të pohuar vërtetësinë e mesazhit të Rivendosjes.

  • Lexoni te 1 Nefi 1 me misionarët dhe krahasojeni atë me përvojën e Jozef Smithit.

  • Jepuni misionarëve një kopje të pastër, të shtypur të Librit të Mormonit. Ftojini ta lexojnë dhe shenjojnë librin dy herë gjatë dy ose tre periudhave të ardhshme të transferimeve.

    • Gjatë leximit të parë, kërkojuni të shenjojnë gjithçka që vë në dukje ose dëshmon për Jezu Krishtin.

    • Gjatë leximit të dytë, kërkojuni t’i shenjojnë doktrinën dhe parimet e ungjillit.

    Bëjini misionarët të tregojnë atë që kanë mësuar dhe ndier. Plaku Ronald A. Rasband përshkroi se si leximi i Librit të Mormonit në këtë mënyrë ndikoi tek ai kur ishte misionar:

Plaku Ronald A. Rasband

“Leximi im ishte shumë më tepër sesa thjesht shenjimi i shkrimeve të shenjta. Me çdo lexim të Librit të Mormonit, nga fillimi deri në fund, unë u mbusha me një dashuri të thellë për Zotin. Ndjeva një dëshmi të rrënjosur thellë për të vërtetën e mësimeve të Tij dhe se si zbatohen ato në ‘këtë ditë’. Ky libër i përshtatet titullit të vet, ‘Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit’. Me atë studim dhe dëshmi shpirtërore që mora, unë u bëra një misionar i Librit të Mormonit dhe një dishepull i Jezu Krishtit” (“Këtë Ditë”, Liahona, nëntor 2022, f. 25).

  • Ftojini misionarët t’ju tregojnë shkrime të shenjta nga Libri i Mormonit që kanë qenë të rëndësishme në jetën e tyre.

  • Përcaktoni pyetje të shpirtit për njerëzit në misionin tuaj. Ftojini misionarët të gjejnë vargje në Librin e Mormonit që ndihmojnë për t’i trajtuar këto pyetje.