Thirrjet në Mision
Kapitulli 4: Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai


“Kapitulli 4: Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 4: Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai”, Predikoni Ungjillin Tim

Liahona, nga Arnold Friberg

Kapitulli 4

Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai

Merreni Parasysh Këtë

  • Çfarë mund të bëj që të kem fuqinë e Frymës së Shenjtë në jetën time dhe në shërbimin tim misionar?

  • Cili është roli i Frymës së Shenjtë në kthimin në besim?

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit të cilëve u japim mësim, që ta ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë?

  • Si mund t’i bëj më kuptimplota lutjet e mia?

  • Si mund të mësoj që t’i dalloj nxitjet e Frymës së Shenjtë?

Kërkoni Udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë

Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij. Është jetike në punën tuaj si misionar. Ju keni nevojë për fuqinë udhërrëfyese dhe zbuluese të Frymës së Shenjtë teksa i ndihmoni njerëzit të pagëzohen, konfirmohen dhe kthehen në besim.

Që të keni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj, kërkohet punë shpirtërore. Kjo punë përfshin lutje të zellshme dhe studim të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta. Gjithashtu përfshin mbajtjen e besëlidhjeve tuaja dhe zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë (shihni te Mosia 18:8–10, 13). Përfshin marrjen me denjësi të sakramentit çdo javë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).

Ju përballeni me nevoja dhe rrethana të ndryshme çdo ditë. Nxitjet nga Shpirti do t’ju ndihmojnë të dini se çfarë të bëni e të thoni. Kur i kërkoni dhe veproni sipas këtyre nxitjeve, Fryma e Shenjtë do t’i shumëfishojë aftësitë tuaja dhe shërbimin tuaj që ta tejkalojë atë që mund të bëni vetë. Ai do t’ju ndihmojë në çdo aspekt të shërbimit tuaj misionar dhe të jetës suaj vetjake. (Shihni te 2 Nefi 32:2–5; Alma 17:3; Helamani 5:17–19; Doktrina e Besëlidhje 43:15–16; 84:85.)

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96).

Light and Truth [Drita dhe e Vërteta], nga Simon Dewey

Drita e Krishtit

Drita e Krishtit “i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja” (Moroni 7:16; shihni vargjet 14–19; shihni edhe te Gjoni 1:9). Drita e Krishtit është ndriçim, njohuri dhe ndikim që jepen nëpërmjet Jezu Krishtit. Ky ndikim është paraprak për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ai do t’i udhërrëfejë ata që janë pranues, për të mësuar e jetuar ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Fryma e Shenjtë

Personazhi i Frymës së Shenjtë

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi. Ai është një qenie e shpirtit dhe nuk ka një trup prej mishi e kockash (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:22). Ai është Ngushëlluesi, për të cilin Shpëtimtari premtoi se do t’u mësonte ndjekësve të Tij të gjitha gjërat dhe do t’u sillte në kujtesë ato që Jezusi ua kishte mësuar (shihni te Gjoni 14:26).

Fuqia e Frymës së Shenjtë

Dëshmia që u vjen kërkuesve të sinqertë të së vërtetës përpara pagëzimit, vjen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Gjithë njerëzit mund të marrin dëshmi për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, [ne] mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Dhurata e Frymës së Shenjtë është e drejta që të kemi shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë kur jemi të denjë. Ne e marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë pasi pagëzohemi me ujë. Ajo jepet nëpërmjet ordinancës së konfirmimit.

Profeti Jozef Smith tha: “Ka ndryshim midis Frymës së Shenjtë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Korneli e mori Frymën e Shenjtë përpara se të pagëzohej, që ishte fuqia bindëse e Perëndisë mbi të për vërtetësinë e Ungjillit, por ai nuk mund të merrte dhuratën e Frymës së Shenjtë deri pasi u pagëzua” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 101).

Është nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne shenjtërohemi, bëhemi më të shenjtë, më të plotë, më tërësorë, më shumë si Perëndia. Është nëpërmjet shëlbimit të Krishtit dhe fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë që ne mund të lindim përsëri shpirtërisht kur i mbajmë besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë (shihni te Mosia 27:25–26).

Shpirti i Shenjtë i Premtimit

Frymës së Shenjtë gjithashtu i referohemi si Shpirti i Shenjtë i Premtimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:3). Me këtë cilësi, Fryma e Shenjtë pohon se ordinancat e priftërisë që i marrim dhe besëlidhjet që bëjmë, janë të pranueshme nga Perëndia. Ata që vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, do të marrin gjithçka që ka Ati (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:51–60; Efesianëve 1:13–14; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”).

Të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet duhet të vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit që të jenë të vlefshme pas kësaj jete (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:7, 18–19, 26). Ajo vulosje varet nga besnikëria jonë e vazhdueshme.

Dhuratat e Shpirtit

Zoti na jep dhurata të Shpirtit për të na bekuar dhe për t’i përdorur për bekimin e të tjerëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8–9, 26). Për shembull, misionarët që mësojnë një gjuhë të re, mund të marrin dhuratën e gjuhëve për t’u dhënë ndihmë hyjnore që t’i mësojnë të tjerët në gjuhën e tyre amtare.

Disa dhurata të Shpirtit përshkruhen te Moroni 10:8–18, Doktrina e Besëlidhje 46:11–33 dhe 1 Korintasve 12:1–12. Këto janë vetëm disa prej dhuratave të shumta të Shpirtit. Zoti mund të na bekojë me dhurata të tjera në varësi të besnikërisë sonë, nevojave tona dhe nevojave të të tjerëve.

Shpëtimtari na fton t’i kërkojmë me zell dhuratat shpirtërore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8; 1 Korintasve 14:1, 12). Këto dhurata vijnë me anë të lutjes, besimit dhe përpjekjes – dhe sipas vullnetit të Perëndisë.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta lexoni zërat “Frymë e Shenjtë”, “Dritë, Dritë e Krishtit” dhe “Shpirt, i Shenjtë”. Shkruani një përshkrim për natyrën dhe rolin e Frymës së Shenjtë.

Lexoni te Veprat e Apostujve 4:1–33.

  • Si i kërkuan Pjetri dhe Gjoni dhuratat shpirtërore?

  • Si iu përgjigj Perëndia lutjeve të tyre?

  • Çfarë mund të mësoni nga kjo përvojë rreth vetë punës suaj?

grup duke u lutur

Fuqia e Shpirtit për Kthimin në Besim

Kthimi në besim ndodh nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Roli juaj është që të ndihmoni për ta sjellë fuqinë e Shpirtit në jetën e një personi. Më poshtë sugjerohen disa mënyra se si mund ta bëni këtë gjë.

  • Kërkoni të keni Shpirtin me vete nëpërmjet lutjes, hulumtimit të shkrimeve të shenjta dhe mbajtjes së besëlidhjeve tuaja.

  • Jepni mësim me anë të Shpirtit rreth Shpëtimtarit dhe mesazhit të Rivendosjes. Ndiqni udhërrëfimin e Shpirtit për t’ua përshtatur mesazhin tuaj nevojave të çdo njeriu.

  • Dëshmoni se ju e dini nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se ajo që jepni mësim, është e vërtetë. Kur dëshmoni, Fryma e Shenjtë mund t’u japë dëshmi të tjerëve.

  • Ftojini njerëzit të veprojnë dhe përkrahini në mbajtjen e zotimeve të tyre. Kur njerëzit i mbajnë zotimet, ata do ta ndiejnë fuqinë e Frymës së Shenjtë më fuqishëm. Shihni kapitullin 11.

  • Ndiqeni ecurinë duke i pyetur njerëzit rreth përvojave të tyre teksa vepruan sipas një ftese. Besimi i tyre do të rritet kur pendohen, u binden urdhërimeve dhe i mbajnë zotimet e tyre. Ndihmojini ta dallojnë Shpirtin që po punon me ta.

Presidenti M. Rasëll Ballard

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Kthimi i vërtetë në besim vjen nëpërmjet fuqisë së Shpirtit. Kur Shpirti e prek zemrën, zemrat ndryshohen. Kur individët … e ndiejnë Shpirtin që vepron me ta ose kur shohin provë të dashurisë dhe mëshirës së Zotit në jetën e tyre, ata lartësohen e forcohen shpirtërisht dhe rritet besimi i tyre në Të. Këto përvoja me Shpirtin vijnë natyrshëm kur një njeri është i gatshëm të eksperimentojë me fjalën [shihni tek Alma 32:27]. Kjo është mënyra se si arrijmë ta ndiejmë që ungjilli është i vërtetë” (“Now Is the Time”, Ensign, nëntor 2000, f. 75).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë ju mësojnë shkrimet e shenjta vijuese rreth fuqisë së Shpirtit në punën tuaj?

Çfarë mund të bëni për të pasur fuqinë e Shpirtit në punën tuaj?

misionarë duke u lutur

Lutuni me Besim te Jezu Krishti

Që t’i ndihmoni të tjerët të bëhen të kthyer në besim, ju duhet të jepni mësim me anë të fuqisë së Shpirtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:13–14, 17–22). Zoti thotë: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim” (Doktrina e Besëlidhje 42:14).

Kur luteni për ndihmë në mësimdhënien tuaj, fuqia e Frymës së Shenjtë do t’i çojë mësimet tuaja “në zemrat e fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 33:1). Kur jepni mësim me anë të Shpirtit dhe të tjerët e pranojnë me anë të Shpirtit, ju do ta “kupto[ni] njëri‑tjetrin” dhe do të “lartësohen[i] e gëzohen[i] së bashku” (Doktrina e Besëlidhje 50:22).

Si të Luteni

Jezusi na mësoi si të lutemi (shihni te Mateu 6:9–13; 3 Nefi 18:19). Lutuni me sinqeritet dhe me qëllim të vërtetë për të vepruar sipas nxitjeve që merrni nga Fryma e Shenjtë. Lutja e efektshme kërkon përpjekje të përulur, të pandërprerë (shihni te Moroni 10:3–4; Doktrina e Besëlidhje 8:10).

Përdorni gjuhë që përçon një marrëdhënie me Perëndinë plot dashuri dhe adhurim.

Gjithmonë shprehni mirënjohje. Një përpjekje e ndërgjegjshme për të qenë mirënjohës do t’ju ndihmojë të dalloni se sa i mëshirshëm ka qenë Perëndia në jetën tuaj. Ajo do ta hapë zemrën dhe mendjen tuaj ndaj frymëzimit.

Lutuni “me gjithë fuqinë e zemrës” që dashuria hyjnore t’ju jepet (Moroni 7:48). Lutuni për të tjerët me emër. Lutuni për ata të cilëve u jepni mësim. Kërkoni frymëzim për mënyrën se si do t’i ftoni dhe ndihmoni ata të vijnë te Krishti.

Studimi Vetjak

Studiojeni lutjen e Zotit te Mateu 6:9–13. Bëjini vetes pyetjet vijuese dhe mbajini shënim mbresat në ditarin tuaj të studimit.

  • Si ndikon te lutjet tuaja përgjegjësia juaj e tanishme si misionar?

  • Në çfarë mënyrash po përpiqen lutjet tuaja që ta bekojnë jetën e të tjerëve?

  • Si po luteni që të jeni në gjendje ta kapërceni tundimin?

  • Si luteni për ndihmë që t’i përmbushni nevojat tuaja shpirtërore dhe materiale?

  • Si i jepni lavdi Perëndisë kur luteni?

Kur të Luteni

Kur duhet të luteni? Zoti tha: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 90:24).

Alma tha: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bjer për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falënderime ndaj Perëndisë” (Alma 37:37; shihni edhe 34:17–27).

Zoti ju fton të rezervoni një kohë të qetë vetjake për t’u lutur: “Hyr në dhomëzën tënde dhe … lutju Atit tënd” (3 Nefi 13:6; shihni edhe vargjet 7–13).

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Çdo mëngjes … , misionarët duhet të bien në gjunjë dhe t’i përgjërohen Zotit për t’ua liruar gojët dhe për të folur nëpërmjet tyre për bekimin e atyre të cilëve do t’u japin mësim. Nëse do ta bëjnë këtë gjë, një dritë e re do të vijë në jetën e tyre. Do të ketë entuziazëm më të madh për punën. Do të arrijnë të dinë se në një kuptim të vërtetë, ata janë shërbëtorë të Zotit duke folur në emër të Tij” (“Missionary Service”, Mbledhja e Parë Mbarëbotërore për Trajnimin e Udhëheqjes, 11 janar 2003, f. 20).

Mirëbesimi ndaj Perëndisë Kur Lutemi

Të pasurit besim te Perëndia do të thotë të mirëbesojmë tek Ai. Kjo përfshin mirëbesimin te vullneti i Tij dhe koha e Tij për t’iu përgjigjur lutjeve tuaja (shihni tek Isaia 55:8–9). Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:

“Pavarësisht se sa i fortë është besimi ynë, ai nuk mund të prodhojë një rezultat në kundërshtim me vullnetin e Atij tek i cili kemi besim. Mbajeni mend atë kur lutjet tuaja nuk duket se marrin përgjigje në mënyrën ose në kohën që dëshironi. Ushtrimi i besimit në Zotin Jezu Krisht i nënshtrohet përherë rendit të qiellit, mirësisë dhe vullnetit e urtësisë së Zotit dhe kohës së caktuar nga Ai. Kur kemi atë lloj besimi dhe i mirëbesojmë Zotit, ne kemi siguri dhe qetësi të vërtetë në jetën tonë” (“The Atonement and Faith”, Ensign, prill 2010, f. 30).

Lidhur me lutjet që mund të duken se nuk marrin përgjigje, Presidenti Rasëll M. Nelson tha:

“Unë e njoh atë ndjesi! E njoh frikësimin dhe lotët e çasteve të tilla. Por, di gjithashtu se lutjet tona kurrë nuk kalojnë pa u vënë re. Besimi ynë nuk është kurrë i pavlerësuar. Unë e di se [këndvështrimi i] një Ati Qiellor të gjithëdijshëm është shumë më [i] gjerë se [këndvështrimi ynë]. Ndërsa ne [i] dimë problemet dhe dhimbjet tona të vdekshmërisë, Ai di për përparimin dhe mundësinë tonë të pavdekshmërisë. Në rast se lutemi që të dimë vullnetin e Tij e ia nënshtrojmë veten atij vullneti, me durim e me guxim, shërimi qiellor [mund të] ndodh[ë] në mënyrën dhe në kohën e Tij” (“Jezu Krishti – Mësuesi Shëruesi”, Liahona, nëntor 2005, f. 86; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 166–117).

Road to Emmaus [Rrugës për në Emaus], nga Greg Olsen

Mësoni të Dalloni Nxitjet e Shpirtit

Është e rëndësishme për ju dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim, që të mësoni t’i dalloni komunikimet nga Shpirti. Shpirti zakonisht komunikon qetësisht, nëpërmjet ndjenjave tuaja, mendjes dhe zemrës suaj. Profeti Elia zbuloi se zëri i Zotit nuk ishte në erë, në tërmet apo në zjarr, por ishte si “një shushuritje e ëmbël” (1 Mbretërve 19:12). Nuk është “një zë bubullime”, por përkundrazi “një zë i qetë i një butësie të përsosur, sikur të ishte një pëshpëritje” dhe prapëseprapë mund të “depërto[jë] deri në thellësinë e shpirtit” (Helamani 5:30).

Komunikimet nga Shpirti mund të ndihen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Pavarësisht se si ndihen këto komunikime, shkrimet e shenjta na mësojnë se si t’i dallojmë ato. Për shembull, Shpirti do t’ju lartësojë dhe udhëheqë që të bëni mirë. Ai do ta ndriçojë mendjen tuaj. Ai do t’ju udhëheqë që të ecni me përulësi dhe të gjykoni me drejtësi. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 11:12–14 dhe kutinë “Studimi Vetjak” më vonë në këtë pjesë.)

Në përgjigje të pyetjes “Si i dallojmë nxitjet e Shpirtit?”, Presidenti Gordon B. Hinkli lexoi vargjet te Moroni 7:13, 16–17. Më pas ai tha:

“Kjo është prova, pasi gjithçka tjetër ka përfunduar. A e shtyn ajo dikë të bëjë mirë, të ngrihet shpirtërisht, të qëndrojë lart, të bëjë atë që është e drejtë, të jetë dashamirës, të jetë bujar? Atëherë ajo vjen nga Shpirti i Perëndisë. …

… Nëse nxit për të bërë mirë është nga Perëndia. Nëse nxit për të bërë keq, është nga djalli. … Dhe nëse ju bëni atë që është e drejtë dhe nëse jetoni sipas udhës së drejtë, ju do ta kuptoni në zemrën tuaj se çfarë po ju thotë Shpirti.

Ju i dalloni nxitjet e Shpirtit nëpërmjet fryteve të Shpirtit – ajo që ndriçon, ajo që ndërton, ajo që është pozitive, pohuese dhe lartësuese dhe që na drejton drejt mendimeve, fjalëve dhe veprave më të mira, vjen nga Shpirti i Perëndisë” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 260–261).

Kur e kërkoni dhe e ndiqni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, aftësia juaj për t’i dalluar dhe kuptuar nxitjet e Tij do të zhvillohet me kalimin e kohës (shihni te 2 Nefi 28:30). Në njëfarë mënyre, të harmonizohemi më shumë me gjuhën e Shpirtit është sikur të mësojmë një gjuhë tjetër. Është një proces i përshkallëzuar që kërkon përpjekje të zellshme, të durueshme.

Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë me qëllim të plotë të zemrës. Nëse jeni të merakosur me gjëra të tjera, mund të mos i ndieni pëshpëritjet e buta të Shpirtit. Ose Ai mund të presë për të komunikuar derisa ta kërkoni ndikimin e Tij me një gatishmëri të përulur për të vepruar sipas nxitjeve të Tij.

Zërat në botë konkurrojnë për vëmendjen tuaj. Me lehtësi ato mund t’i mbingarkojnë mbresat tona shpirtërore, në qoftë se nuk i bëjmë vend Shpirtit në zemrën tonë. Mbani mend këtë këshillë nga Zoti: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 101:16).

Plaku Dejvid A. Bednar

“Perëndia përdor një larmi modelesh për t’ua përçuar zbulesat bijve dhe bijave të Tij, të tilla si mendime për mendjen dhe ndjenja për zemrën, ëndrra … dhe frymëzim. Disa zbulesa merren përnjëherësh dhe ngjeshur; disa dallohen shkallë-shkallë dhe hollë-hollë. Marrja, dallimi dhe përgjigjja ndaj zbulesave nga Perëndia janë dhurata shpirtërore për të cilat ne duhet të kemi dëshirë dhe t’i kërkojmë siç duhet” (David A. Bednar, “The Spirit of Revelation in the Work”, seminar për udhëheqjet e misioneve 2018).

Studimi Vetjak

Studiojini shkrimet e shenjta në tabelën vijuese. Mendoni për raste kur keni përjetuar ndonjë nga ndjenjat, mendimet ose mbresat e përshkruara në këto vargje. Teksa studioni dhe fitoni përvojë, shtoni shkrime të tjera në këtë listë. Mendoni se si ju mund t’i përdorni këto parime për t’i ndihmuar njerëzit e tjerë që ta ndiejnë dhe dallojnë Shpirtin.

Doktrina e Besëlidhje 6:23; 11:12–14; 88:3; Gjoni 14:26–27; Romakëve 15:13; Galatasve 5:22–23

Jep ndjenja dashurie, gëzimi, paqeje, ngushëllimi, durimi, mirëdashjeje, mirësie, besimi dhe shprese.

Alma 32:28; Doktrina e Besëlidhje 6:14–15; 8:2–3; 1 Korintasve 2:9–11

Ndriçon mendjen, jep ide në mendje dhe ndjenja në zemër.

Joseph Smith – Historia 1:11–12

Ndihmon që shkrimet e shenjta të kenë ndikim të fortë.

Alma 19:6

E zëvendëson errësirën me dritë.

Mosia 5:2–5

Forcon dëshirën për ta shmangur ligësinë dhe për t’iu bindur urdhërimeve.

Moroni 10:5; Doktrina e Besëlidhje 21:9; 100:8; Gjoni 14:26; 15:26; 16:13

Jep mësim të vërtetën dhe na e sjell atë në kujtesë.

Doktrina e Besëlidhje 45:57

Na udhërrëfen dhe na mbron prej mashtrimit.

2 Nefi 31:18; Doktrina e Besëlidhje 20:27; Gjoni 16:13–14

Përlëvdon dhe jep dëshmim për Perëndinë Atin dhe Jezu Krishtin.

Doktrina e Besëlidhje 42:16; 84:85; 100:5–8; Lluka 12:11–12

Udhërrëfen fjalët e mësuesve të përulur.

Moroni 10:8–17; Doktrina e Besëlidhje 46:8–26; 1 Korintasve 12

Jep dhurata të Shpirtit.

Doktrina e Besëlidhje 46:30; 50:29–30

Thotë se për çfarë të luteni.

2 Nefi 32:1–5; Doktrina e Besëlidhje 28:15

Thotë se çfarë të bëni.

1 Nefi 10:22; Alma 18:35

I ndihmon njerëzit e drejtë që të flasin me fuqi dhe autoritet.

2 Nefi 31:17; Alma 13:12; 3 Nefi 27:20

Shenjtëron dhe sjell heqje të mëkateve.

1 Nefi 2:16–17; 2 Nefi 33:1; Alma 24:8

E çon të vërtetën në zemrën e dëgjuesit.

1 Nefi 18:1–3; Eksodi 31:3–5

Zmadhon zotësitë dhe aftësitë.

1 Nefi 7:15; 2 Nefi 28:1; 32:7; Alma 14:11; Mormoni 3:16; Ethëri 12:2

Nxit për të shkuar përpara ose për të mbetur pas.

Doktrina e Besëlidhje 50:13–22

Lartëson si mësuesin ashtu edhe studentët.

Mbështetuni te Shpirti

Si shërbëtori i Zotit, ju duhet të bëni punën e Tij në mënyrën e Tij dhe me anë të fuqisë të Tij. Profeti Jozef Smith dha mësim se “asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 355).

Mirëbesojini Shpirtit që t’ju udhërrëfejë në çdo aspekt të punës suaj. Ai do t’ju ndriçojë e frymëzojë. Do t’ju ndihmojë të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim dhe do të sjellë fuqi në mësimdhënien tuaj. Do t’ju vijë në ndihmë ndërkohë që i ndihmoni anëtarët, anëtarët e kthyer në aktivitet dhe të kthyerit e rinj në besim për ta forcuar besimin e tyre.

Disa misionarë ndiejnë besim te vetja e tyre. Të tjerëve u mungon një vetëbesim i tillë. Me përulësi vendoseni vetëbesimin dhe besimin tuaj te Jezu Krishti, jo te vetja juaj. Mbështetuni te Shpirti në vend që të mbështeteni tek talentet dhe aftësitë tuaja vetjake. Fryma e Shenjtë do t’i shumëfishojë përpjekjet tuaja përtej asaj që mund ta bëni vetë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Studiojini shkrimet e shenjta vijuese dhe merrni parasysh se si ato u japin përgjigje këtyre pyetjeve të rëndësishme që duhet t’i bëni çdo ditë. Si mund t’i zbatoni mësimet nga këto fragmente në përpjekjet tuaja për të gjetur njerëz, për të planifikuar takime dhe në studimin tuaj vetjak dhe në dyshe misionare? Si mund t’i zbatoni këto fragmente në përpjekjet tuaja për t’u dhënë mësim njerëzve, për t’i ftuar të bëjnë zotime dhe për ta ndjekur ecurinë e zotimeve?

Ku duhet të shkoj?

Çfarë duhet të bëj?

Çfarë duhet të them?

Si duhet t’i përdor shkrimet e shenjta në mësimdhënien time?

Disa Fjalë Paralajmërimi

Pohojini Mbresat Tuaja me Burime të Besueshme

Teksa luteni për frymëzim, krahasojini mbresat tuaja shpirtërore me shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të gjallë. Mbresat nga Shpirti do të jenë në harmoni me këto burime.

Kërkoni Zbulesë brenda Detyrës që u Është Caktuar

Sigurohuni që ndjenjat që merrni, janë në përputhje me detyrën që ju është caktuar. Në qoftë se nuk thirreni nga autoriteti i duhur, mbresat nga Shpirti nuk jepen për ju që t’i këshilloni ose korrigjoni të tjerët. Për shembull, ju nuk do të merrni zbulesë që t’i thoni një peshkopi se çfarë duhet të bëjë në thirrjen e tij.

Një Dhuratë Drite

Dalloni Ndikimin e Vërtetë të Shpirtit

Presidenti Hauard W. Hanter këshilloi: “Më lejoni t’ju jap një paralajmërim. … Mendoj se nëse nuk jemi të kujdesshëm … , ne mund të fillojmë të përpiqemi të imitojmë ndikimin e vërtetë të Shpirtit të Zotit përmes mjeteve të padenja dhe manipuluese. Shqetësohem kur duket se emocioni i fortë ose rrjedhja e lotëve barazohen me praninë e Shpirtit. Pa dyshim që Shpirti i Zotit mund të sjellë ndjenja të forta emocionale, përfshirë lot, por kjo shfaqje e jashtme nuk duhet të ngatërrohet me praninë e vetë Shpirtit” (The Teachings of Howard W. Hunter [1997], f. 184).

Mos u Përpiqni t’i Detyroni Gjërat Shpirtërore

Çështjet shpirtërore nuk mund të detyrohen. Mund të kultivoni një sjellje dhe mjedis që e ftojnë Shpirtin dhe mund ta përgatitni veten, por nuk mund të diktoni se si ose kur vjen frymëzimi. Jini të durueshëm dhe mirëbesoni se do të merrni atë që ju nevojitet kur të jetë koha e duhur.

Mbajini të Shenjta Përvojat Shpirtërore

Si misionar, ju mund të jeni më të vetëdijshëm për përvojat shpirtërore sesa keni qenë më parë në jetën tuaj. Këto përvoja janë të shenjta dhe janë në përgjithësi për vetë lartësimin, udhëzimin ose korrigjimin tuaj.

Shumë prej këtyre përvojave është më e mirë të mbahen për veten tuaj. Tregojini vetëm kur Shpirti dëshmon se ju mund t’i bekoni njerëzit e tjerë duke e bërë këtë gjë (shihni tek Alma 12:9; Doktrina e Besëlidhje 63:64; 84:73).

Përdorni Gjykimin Tuaj Vetjak më të Mirë në Disa Raste

Nganjëherë dëshirojmë të udhëhiqemi nga Shpirti në të gjitha gjërat. Megjithatë, shpesh Zoti do që ne të veprojmë duke përdorur vetë gjykimin tonë më të mirë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 60:5; 61:22; 62:5). Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:

“Dëshira për t’u udhëhequr nga Zoti është forcë, por ajo duhet të shoqërohet me një kuptueshmëri se Ati ynë Qiellor i lë shumë vendime që t’i marrim sipas zgjedhjeve tona vetjake. Marrja e vendimeve vetjake është një nga burimet e rritjes që ne jemi paracaktuar ta kemi si përvojë në vdekshmëri. Njerëzit që përpiqen t’ia kalojnë gjithë marrjen e vendimeve Zotit dhe luten për zbulesë në çdo zgjedhje, shpejt do të zbulojnë rrethana në të cilat ata luten për udhërrëfim dhe nuk e marrin atë. Për shembull, kjo ka të ngjarë të ndodhë në ato rrethana të shumta në të cilat zgjedhjet janë të parëndësishme ose cilado zgjedhje është e pranueshme.

Ne duhet t’i studiojmë gjërat tërësisht në mendjen tonë, duke përdorur fuqitë arsyetuese që Krijuesi ynë ka vendosur brenda nesh. Më pas ne duhet të lutemi për udhërrëfim dhe nëse e marrim atë, të veprojmë sipas tij. Nëse nuk marrim udhërrëfim, ne duhet të veprojmë sipas gjykimit tonë më të mirë. Njerëzit të cilët ngulmojnë të kërkojnë udhërrëfim me anë të zbulesës mbi çështje për të cilat Zoti nuk ka zgjedhur të na drejtojë, mund të krijojnë një përgjigje nga fantazia ose paragjykimi i tyre, apo madje mund të marrin një përgjigje përmes mjetit të zbulesës së rreme” (“Our Strengths Can Become Our Downfall”, Ensign, tetor 1994, f. 13–14).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mbështetja te Shpirti është kaq e rëndësishme sa Zoti na paralajmëron që të mos e mohojmë ose të mos e bëjmë të heshtë Shpirtin. Çfarë mësoni nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta?


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Ndajeni një faqe në dy kolona. Emërtojeni njërën kolonë “Çfarë Bëri Zoti” dhe kolonën tjetër “Çfarë Bëri Lehi ose Nefi”. Lexoni historinë e Liahonës dhe të harkut të thyer (1 Nefi 16:9–31) ose historinë e Nefit që ndërtoi një anije (1 Nefi 17:7–16; 18:1–6). Renditni ngjarje nga historia në kolonat e duhura. Merrni parasysh atë që historia mund t’ju mësojë rreth natyrës së frymëzimit.

  • Kërkoni në ditarin tuaj dhe gjeni raste kur jeni udhëhequr nga Shpirti ose keni përjetuar një dhuratë të Shpirtit. Mendoni se kur, ku dhe përse ndodhën këto përvoja. Si u shfaq dora e Zotit? Si u ndiet? Të kujtuarit e këtyre përvojave mund t’ju ndihmojë ta dalloni Shpirtin.

  • Studiojini vargjet tek Alma 33:1–12 dhe Alma 34:17–31. Cilat pyetjeve iu përgjigjën Alma dhe Amuleku? (Rishikojini vargjet tek Alma 33:1–2.) Si iu përgjigjën ata këtyre pyetjeve? Çfarë sigurish dhanë ata?

  • Zoti ka premtuar se Shpirti do të na udhërrëfejë në shumë mënyra të rëndësishme. Ndërsa lexoni fragmentet vijuese, përcaktoni aspekte të punës suaj që kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit. Çfarë domethënie kanë parimet në shkrimet e shenjta vijuese për studimin tuaj vetjak dhe në dyshe misionare? Për mbledhjet e këshillit të distriktit, konferencat e zonës, shërbesat e pagëzimit dhe mbledhje të tjera?

    Lutja

    Drejtimi i mbledhjeve

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Flisni për lutjet që ofroni si dyshe misionare. A udhërrëfehen ato nëpërmjet Frymës së Shenjtë? Si keni marrë përgjigje ndaj lutjeve tuaja si një dyshe misionare? Kur luteni si dyshe misionare:

    • A besoni se Perëndia do t’jua japë atë që kërkoni me drejtësi dhe sipas vullnetit të Tij?

    • A i dalloni përgjigjet dhe jepni falënderime për ato përgjigje ndaj lutjeve tuaja?

    • A luteni për njerëzit me emër dhe i merrni parasysh nevojat e tyre?

    • A luteni për njëri‑tjetrin dhe për Shpirtin që t’ju udhërrëfejë?

    • A i dalloni përgjigjet ndaj lutjeve tuaja?

    • A luteni me zotim për të vepruar sipas nxitjeve që merrni?

  • Diskutoni se si do ta kërkoni Shpirtin me më shumë zell.

  • Diskutoni mënyrat e ndryshme se si njerëzit e përshkruajnë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Mbani një anal në ditarin tuaj të studimit për komentet që kanë bërë njerëzit të cilëve u jepni mësim, rreth përvojave të tyre me Shpirtin. Si mund t’i ndihmoni të tjerët që ta dallojnë këtë ndikim të shenjtë?

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Kur është e përshtatshme, bëjini misionarët të tregojnë një histori ose përvojë që e dëgjuan në një mbledhje dëshmish, në një përvojë mësimdhënieje apo në ndonjë mjedis tjetër kohët e fundit. Historitë dhe përvojat shpirtërore që i tregojnë njerëzit e tjerë, mund t’ju ndihmojnë të zhvilloni besim dhe të dalloni se ndikimi i Shpirtit shfaqet gjerësisht dhe shpesh.

  • Kërkojuni misionarëve që të japin biseda rreth misionit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë.

  • Diskutoni se si shprehja e mirënjohjes ju ndihmon të shihni mënyrat e thjeshta, por shumë domethënëse se si Zoti ju bekon (shihni tek Ethëri 3:5; Doktrina e Besëlidhje 59:21). Diskutoni mënyra se si të shprehni mirënjohje.

  • Merrni parasysh t’i kërkoni një anëtari të ri të flasë rreth mënyrës se si ai ose ajo u ndikua nga Shpirti kur po mësonte për Kishën. Kërkojini personit të tregojë vetëm përvoja që ai ose ajo i ndien se janë të përshtatshme.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Mund t’u kërkoni misionarëve të përfshijnë përvoja të përshtatshme shpirtërore në letrën e tyre javore për ju.

  • Në intervista ose në bashkëbisedime me raste pyetini misionarët rreth lutjeve të tyre në mëngjes e mbrëmje. Nëse nevojitet, këshillohuni me ta rreth mënyrës se si t’i bëjnë lutjet e tyre më kuptimplota.

  • Pyetini misionarët se si i ndihmojnë njerëzit të cilëve u japin mësim, që ta ndiejnë dhe dallojnë Shpirtin.