“Kapitulli 6: Kërkoni Cilësi si të Krishtit”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Kapitulli 6”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 6
Kërkoni Cilësi si të Krishtit
Parathënia
Në fillim të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi eci përgjatë bregdetit të Detit të Galilesë dhe thirri dy peshkatarë, Pjetrin dhe Andrean. “Ndiqmëni”, – tha Ai, – “dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19; shihni edhe te Marku 1:17).
Zoti ju ka thirrur edhe ju në punën e Tij dhe gjithashtu ju fton ta ndiqni Atë. “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” – pyeti Ai. “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).
Disa kapituj te manuali “Predikoni Ungjillin Tim” përqendrohen në gjërat që keni nevojë të bëni si misionar, të tilla se si të studioni, si të jepni mësim dhe si të caktoni synime. Po aq jetike sa ajo që bëni, është kush jeni dhe kush po bëheni. Këtu përqendrohet ky kapitull.
Shkrimet e shenjta përshkruajnë ato cilësi si të Krishtit që janë thelbësore për ju, që t’i kërkoni si misionar dhe gjatë gjithë jetës suaj. Një cilësi si e Krishtit është një veçori ose tipar i natyrës dhe karakterit të Shpëtimtarit. Ky kapitull përshkruan disa prej atyre cilësive. Studiojini këto dhe shkrimet e shenjta që lidhen me to. Kërkoni cilësi të tjera si të Krishtit teksa studioni fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta.
“Kërkoni Këtë Jezus”
Profeti Moroni na këshilloi: “Unë do të doja t’ju këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt” (Ethëri 12:41). Një mënyrë e rëndësishme se si ta kërkojmë Jezusin, është të bëjmë një përpjekje të zellshme për të mësuar rreth Tij dhe për t’u bërë më shumë si Ai. Misioni juaj është një kohë ideale që të përqendroheni te kjo gjë.
Teksa përpiqeni të bëheni më shumë si Krishti, ju do ta arrini më mirë qëllimin tuaj si misionar. Ju do të përjetoni gëzim, paqe dhe rritje shpirtërore ndërkohë që cilësitë e Tij bëhen pjesë e karakterit tuaj. Ju gjithashtu do të vendosni një themel që të vazhdoni ta ndiqni Atë gjatë gjithë jetës suaj.
Dhuratat nga Perëndia
Cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia. Si të gjitha gjërat e mira, këto dhurata vijnë nëpërmjet “hiri[t të] Perëndisë, Atit dhe gjithashtu [të] Zotit Jezu Krisht dhe [të] Frymës së Shenjtë” (Ethëri 12:41).
Përqendrohuni te Krishti teksa përpiqeni të kultivoni cilësitë e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:36). Këto cilësi nuk janë zëra në një listë kontrolli. Nuk janë teknika që i zhvilloni në një program për përmirësimin e vetvetes. Ato nuk fitohen vetëm nëpërmjet vendosmërisë vetjake. Përkundrazi, ju mund t’i merrni teksa përpiqeni fort që të bëheni dishepull më i përkushtuar i Jezu Krishtit.
Lutuni që Perëndia t’ju bekojë me këto cilësi. Me përulësi pranojeni dobësinë tuaj dhe nevojën tuaj për fuqinë e Tij në jetën tuaj. Kur e bëni këtë gjë, Ai do të “bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në [ju]” (Ethëri 12:27).
Një Proces i Përshkallëzuar
Bërja më shumë si Shpëtimtari është një proces gradual gjatë gjithë jetës. Me një dëshirë për ta kënaqur Perëndinë, përmirësojini vendimet një e nga një.
Jini të duruar me veten tuaj. Perëndia e di se ndryshimi dhe rritja kërkojnë kohë. Ai kënaqet me dëshirat tuaja të çiltra dhe do t’ju bekojë për çdo përpjekje që bëni.
Teksa përpiqeni të bëheni më shumë si Krishti, dëshirat, mendimet dhe veprimet tuaja do të ndryshojnë. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë, vetë natyra juaj do të përpunohet (shihni te Mosia 3:19).
Fryma e Shenjtë i zgjeron dhe i shton aftësitë tona. Ai “frymëzon virtyt, shpirtmirësi, mirësi, zemërbutësi, dhembshuri dhe dashuri hyjnore. … Shkurt, është, ashtu siç ka qenë, palcë për kockën, gëzim për zemrën, dritë për sytë, muzikë për veshët dhe jetë për të gjithë qenien” (Parley P. Pratt, Key to the Science of Theology [1855], f. 98–99).
Besimi te Jezu Krishti
Që besimi t’ju çojë drejt shpëtimit, ju duhet ta përqendroni atë te Jezu Krishti (shihni te Veprat e Apostujve 4:10–12; Mosia 3:17; Moroni 7:24–26). Kur keni besim te Krishti, ju mirëbesoni tek Ai si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë. Jeni vetëbesues se kur pendoheni, ju do të faleni për mëkatet tuaja nëpërmjet flijimit të Tij shlyes dhe do të shenjtëroheni nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shihni te 3 Nefi 27:16, 20).
Besim nuk është që të keni një njohuri të përsosur. Përkundrazi, ai është një siguri nga Shpirti, për gjërat që nuk i shihni, por që janë të vërteta. (Shihni tek Alma 32:21.)
Ju e shprehni besimin tuaj nëpërmjet veprimit. Këto veprime përfshijnë ndjekjen e mësimeve dhe shembullit të Shpëtimtarit. Ato përfshijnë shërbimin dhe ndihmën ndaj të tjerëve që ata të zgjedhin ta ndjekin Krishtin. Ju gjithashtu e shprehni besimin tuaj nëpërmjet zellit, pendimit dhe dashurisë.
Besimi është një parim fuqie. Kur ushtroni besim te Jezu Krishti, ju do të bekoheni me fuqinë e Tij të përshtatur ndaj rrethanës suaj. Ju do të jeni në gjendje të përjetoni mrekulli sipas vullnetit të Zotit. (Shihni te Jakobi [LiM] 4:4–7; Moroni 7:33; 10:7.)
Besimi juaj te Jezu Krishti do të rritet teksa i njihni më mirë Atë dhe mësimet e Tij. Do të rritet kur hulumtoni shkrimet e shenjta, luteni sinqerisht dhe u bindeni urdhërimeve. Dyshimi dhe mëkati e gërryejnë besimin.
“Besimi nuk është vetëm një ndjenjë; është një vendim. Me lutje, studim, bindje dhe besëlidhje, ne e ndërtojmë dhe e forcojmë besimin tonë. Bindja jonë ndaj Shpëtimtarit dhe veprës së Tij në ditët e mëvonshme bëhet thjerra e fuqishme me anë të së cilës e gjykojmë çdo gjë tjetër. Më pas, kur gjendemi përpara sprovave të vështira të jetës, ne kemi forcën për të marrë drejtimin e duhur” (Nil L. Andersen, “Është i Vërtetë, Apo jo? Atëherë, Çfarë Tjetër Ka Rëndësi?” Liahona, maj 2007, f. 74 [Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 88]).
Shpresa
Shpresa nuk është thjesht të mendojmë plot dëshirë. Përkundrazi, ajo është një vetëbesim i palëkundur, i ngulitur në besimin tuaj te Krishti, se Perëndia do t’i përmbushë premtimet e Tij ndaj jush (shihni te Moroni 7:42). Është pritshmëria e “të mirave që do të vijnë” nëpërmjet Krishtit (Hebrenjve 9:11).
Burimi juaj përfundimtar i shpresës është Jezu Krishti. Profeti Mormoni pyeti: “Dhe për çfarë duhet të keni shpresë?” Më pas ai u përgjigj: “Duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit” (Moroni 7:41; shihni vargjet 40–43).
Kur e përqendroni shpresën tuaj te Krishti, ju keni sigurinë se të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj (shihni te Doktrina e Besëlidhje 90:24). Kjo siguri ju ndihmon të këmbëngulni me besim kur përballeni me sprova. Gjithashtu mund t’ju ndihmojë të rriteni prej sprovave dhe të zhvilloni qëndrueshmëri dhe forcë shpirtërore. Shpresa te Krishti ju jep një spirancë për shpirtin tuaj (shihni tek Ethëri 12:4).
Shpresa ju jep vetëbesimin se Perëndia do t’i lartësojë përpjekjet tuaja të zellshme dhe të drejta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 123:17).
Një mënyrë për ta rritur shpresën është nëpërmjet pendimit. Pastrimi [shpirtëror] dhe falja nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit bëjnë që të lindë dhe të ngjallet shpresa (shihni tek Alma 22:16).
Nefi këshilloi: “Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” (2 Nefi 31:20). Ndërkohë që e jetoni ungjillin, ju do të rriteni në aftësinë tuaj për të pasur “mbushulli në shpresë” (Romakëve 15:13).
“Në kohë dëshpërimi, ne mund të mbahemi fort te shpresa që gjërat ‘do të punojnë së bashku për të mirën [tonë]’ ndërsa e ndjekim këshillën e profetëve të Perëndisë. Kjo lloj shprese te Perëndia, te mirësia e Tij dhe te fuqia e Tij na gjallëron me kurajë gjatë sfidave të vështira dhe u jep forcë atyre që ndihen të kërcënuar nga muret bllokues të frikës, dyshimit dhe dëshpërimit” (Diter F. Uhtdorf, “Fuqia e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 23).
Dashuria Hyjnore dhe Dashuria
Dikush njëherë e pyeti Jezusin: “‘Cili është urdhërimi i madh i ligjit?’ Dhe Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Mateu 22:36–39).
Dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Ajo përfshin dashurinë e përjetshme të Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.
Profeti Mormoni dha mësim: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri” (Moroni 7:48). Kur luteni që të keni dashuri hyjnore për ta mbushur zemrën tuaj, ju do të shijoni dashurinë e Perëndisë. Dashuria juaj për njerëzit do të rritet dhe ju do të arrini të ndieni një interesim të çiltër për lumturinë e tyre të përjetshme. Ju do t’i shihni ata si fëmijë të Perëndisë me potencialin e bërjes si Ai dhe ju do të punoni në interes të tyre.
Teksa luteni për dhuratën e dashurisë hyjnore, ju do të keni më pak prirje që të jetoni me ndjenjat negative, të tilla si zemërimi ose zilia. Do të ketë më pak të ngjarë që t’i gjykoni ose kritikoni të tjerët. Do të keni më shumë dëshirë të përpiqeni për t’i kuptuar ata dhe pikëpamjet e tyre. Do të bëheni më të duruar dhe do të përpiqeni t’i ndihmoni njerëzit kur janë të munduar ose të shkurajuar. (Shihni te Moroni 7:45.)
Dashuria hyjnore, sikurse besimi, çon drejt veprimit. Ju e forconi atë kur u shërbeni të tjerëve dhe jepni nga vetja juaj.
Dashuria hyjnore është shndërruese. Ati Qiellor ua jep “të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; … që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, … që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër” (Moroni 7:48).
Virtyti
“Ne besojmë në qenien … të virtytshëm” – thuhet te Nenet e Besimit (1:13). Virtyti është një formë mendimi dhe sjelljeje bazuar në standarde të larta morale. Është besnikëri ndaj Perëndisë dhe të tjerëve. Një pjesë thelbësore e virtytit është të përpiqeni fort që të jeni të pastër dhe të pastruar shpirtërisht e fizikisht.
Virtyti buron nga mendimet dhe dëshirat tuaja. “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim”, – tha Zoti (Doktrina e Besëlidhje 121:45). Përqendrohuni te mendime të drejta, lartësuese. Largojini nga mendja juaj mendimet e padenja në vend që të qëndroni me to.
Mendja juaj është si një skenë në një teatër. Nëse lejoni që mendime të pashëndetshme të sorollaten në skenën e mendjes suaj, ka më shumë të ngjarë që të mëkatoni. Nëse e mbushni aktivisht mendjen tuaj me gjëra të shëndetshme, ka më shumë të ngjarë që të përqafoni atë që është e virtytshme dhe të dëboni atë që është e ligë. Jini të mençur rreth asaj që lejoni të hyjë dhe të qëndrojë në skenën e mendjes suaj.
Teksa përpiqeni të jetoni me virtytshmëri, “do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe … Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm” (Doktrina e Besëlidhje 121:45–46).
Integriteti Moral
Integriteti moral rrjedh nga urdhërimi i parë i madh për të dashur Perëndinë (shihni te Mateu 22:37). Ngaqë e doni Perëndinë, ju jeni të vërtetë ndaj Tij në të gjithë kohët. Si bijtë e Helamanit, ju “ecni… drejtësisht para tij” (Alma 53:21).
Kur keni integritet moral, ju e kuptoni se ka të drejtë e të gabuar dhe se ka të vërtetë absolute që është e vërteta e Perëndisë. Ju e përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes në përputhje me të vërtetën e Perëndisë dhe pendoheni me të shpejtë kur nuk e përdorni atë. Çfarë zgjidhni të mendoni – dhe çfarë bëni kur besoni se nuk ju sheh askush – është një masë e fortë e integritetit tuaj moral.
Integriteti moral do të thotë që ju nuk i ulni standardet ose sjelljen tuaj që të mund t’u bëni përshtypje të tjerëve ose të pranoheni prej tyre. Ju bëni atë që është e drejtë edhe kur të tjerët tallen me dëshirën tuaj për të qenë të vërtetë ndaj Perëndisë (shihni te 1 Nefi 8:24–28). Jetoni me nder në të gjitha mjediset, përfshirë mënyrën se si e paraqitni veten tuaj në internet.
Kur keni integritet moral, ju i mbani besëlidhjet tuaja me Perëndinë si edhe zotimet tuaja të drejta ndaj të tjerëve.
Integriteti moral përfshin të qenit të ndershëm me Perëndinë, vetveten, udhëheqësit tuaj dhe njerëz të tjerë. Ju nuk gënjeni, vidhni, bëni hile ose mashtroni. Kur bëni diçka gabim, ju pranoni përgjegjësi dhe pendoheni në vend që të përpiqeni ta justifikoni ose arsyetoni atë.
Ndërkohë që jetoni me integritet moral, do të keni paqe të brendshme dhe respekt për veten. Zoti dhe njerëzit e tjerë do t’ju mirëbesojnë.
Njohuria
Zoti këshilloi: “Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Gjatë misionit tuaj dhe gjatë gjithë jetës suaj, kërkoni njohuri, veçanërisht njohuri shpirtërore.
Studiojini shkrimet e shenjta çdo ditë, si edhe fjalët e profetëve të gjallë. Nëpërmjet studimit dhe lutjes, kërkoni ndihmë për pyetje, sfida dhe mundësi të veçanta. Kërkoni fragmente të shkrimeve të shenjta që mund t’i përdorni në mësimdhënien tuaj dhe në përgjigjen ndaj pyetjeve rreth ungjillit.
Kur studioni me zell dhe plot lutje, Fryma e Shenjtë do ta ndriçojë mendjen tuaj. Ai do t’ju mësojë dhe do t’ju japë kuptueshmëri. Ai do t’ju ndihmojë që t’i zbatoni mësimet e shkrimeve të shenjta dhe të profetëve të ditëve të mëvonshme në jetën tuaj. Si Nefi, ju mund të thoni:
“Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i mediton ato. … Vini re, shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar” (2 Nefi 4:15–16).
Durimi
Durimi është kapaciteti për t’i mirëbesuar Perëndisë kur përballeni me vonesë, kundërshtim ose vuajtje. Nëpërmjet besimit tuaj, ju i mirëbesoni kohës së Perëndisë për t’i përmbushur bekimet e premtuara prej Tij.
Kur jeni të duruar, ju e shihni jetën nga një këndvështrim i përjetshëm. Ju nuk prisni bekime ose rezultate të menjëhershme. Dëshirat tuaja të drejta zakonisht do të realizohen “rresht pas rreshti, … pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Disa dëshira të drejta mund të mos realizohen deri pas kësaj jete.
Durimi nuk është një plogështi ose dorëzim pasiv. Është “të bë[ni] me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë” tuaj ndërkohë që i shërbeni Perëndisë (Doktrina e Besëlidhje 123:17). Ju e mbillni, e ujitni dhe e ushqeni farën dhe Perëndia e jep rritjen “ca nga ca” (Alma 32:42; shihni edhe te 1 Korintasve 3:6–8). Ju punoni bashkërisht me Perëndinë, duke mirëbesuar se kur e keni bërë pjesën tuaj, Ai do ta përmbushë veprën e Tij në kohën e Tij dhe në përputhje me lirinë e zgjedhjes individuale.
Durimi gjithashtu do të thotë që kur diçka nuk mund të ndryshohet, ju arrini ta pranoni atë me kurajë, hir e besim.
Zhvilloni durim me të tjerët, përfshirë shoqëruesin tuaj misionar dhe njerëzit të cilëve u shërbeni. Jini i duruar edhe me veten tuaj. Përpiquni fort të bëni gjithçka mundeni brenda vetes suaj ndërkohë që e kuptoni se do të rriteni hap pas hapi.
Si me cilësi të tjera si të Krishtit, rritja në durim është një proces që zgjat gjithë jetën. Ushtrimi i durimit mund të ketë ndikim shërues mbi shpirtin tuaj dhe mbi njerëzit përreth jush.
“Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrës sonë vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!” (Diter F. Uhtdorf, “Vazhdoni me Durim”, Liahona, maj 2010, f. 57).
Përulësia
Përulësia është gatishmëria për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Është gatishmëria për t’i dhënë Atij nderin për atë që përmbushet. Është të jesh i mësueshëm (shihni te Doktrina e Besëlidhje 136:32). Përulësia përfshin mirënjohje për bekimet e Perëndisë dhe pranimin e nevojës suaj të vazhdueshme për ndihmën e Tij. Ai i ndihmon ata që janë të përulur.
Përulësia është një shenjë e forcës shpirtërore, jo e dobësisë. Përulësia është nxitëse jetike për rritjen shpirtërore (shihni tek Ethëri 12:27).
Kur i mirëbesoni përulësisht Zotit, ju mund të keni sigurinë se urdhërimet e Tij janë për të mirën tuaj. Ju keni vetëbesim se mund të bëni çfarëdo që Ai kërkon prej jush nëse mbështeteni tek Ai. Ju gjithashtu jeni të gatshëm t’u mirëbesoni shërbëtorëve të Tij dhe të ndiqni këshillën e tyre. Përulësia do t’ju ndihmojë të jeni të bindur, të punoni shumë dhe të shërbeni.
E kundërta e përulësisë është krenaria. Të jesh krenar do të thotë të vendosësh mirëbesim më të madh te vetja sesa te Perëndia. Gjithashtu do të thotë t’i vësh gjërat e botës mbi gjërat e Perëndisë. Krenaria është konkurruese; ata që janë krenarë përpiqen të kenë më shumë dhe hamendësojnë që janë më të mirë se të tjerët. Krenaria është një pengesë e madhe.
Zelli
Zelli është përpjekja e vazhdueshme, plot dëshirë. Në punën misionare, zelli është një shprehje e dashurisë suaj për Zotin. Kur jeni të zellshëm, ju gjeni gëzim dhe kënaqësi në punën e Zotit (shihni tek Alma 26:16).
Zelli përfshin bërjen e shumë gjërave të mira me vetë vullnetin tuaj të lirë, në vend që të prisni që udhëheqësit t’ju thonë se çfarë të bëni (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:27–29).
Vazhdoni të bëni mirë edhe kur është e vështirë ose kur jeni të lodhur. Sidoqoftë, dalloni nevojën për baraspeshim dhe çlodhje, që të mos “vrapo[ni] më shpejt sesa [keni] fuqi” (Mosia 4:27).
Përqendrojini zemrën tuaj dhe interesat tuaja te Zoti dhe vepra e Tij. Shmangini gjërat që jua largojnë vëmendjen nga përparësitë tuaja. Përqendrojini kohën dhe përpjekjet tuaja te veprimtaritë që do të jenë më të efektshme në zonën tuaj dhe më të dobishme për njerëzit të cilëve u jepni mësim.
“Kjo është Kisha e Zotit. Ai na thirri dhe na besoi edhe pse kemi dobësi, që Ai e dinte që i kemi. Ai i dinte sprovat me të cilat do të përballeshim. Me shërbim besnik dhe përmes Shlyerjes së Tij, ne mund të mësojmë të duam gjërat që Ai do dhe të bëhemi njerëzit e duhur për të bekuar ata të cilëve u shërbejmë në emër të Tij. Ndërsa i shërbejmë Atij për një kohë të mjaftueshme dhe me zell, ne do të ndryshojmë. Ne [mund] të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai” (Henri B. Ajring, “Veproni Gjithë Zell”, Liahona, maj 2010, f. 62–63).
Bindja
Shërbimi juaj si misionar është një shtrirje e besëlidhjeve që i bëtë me Perëndinë në pagëzim dhe në tempull. Kur i pranuat ordinancat e pagëzimit dhe të dhurimit në tempull, ju besëlidhët se do t’i zbatonit urdhërimet e Tij.
Mbreti Beniamin dha mësim: “Unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41).
Bindja ndaj urdhërimeve është një shprehje e dashurisë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin (shihni te Gjoni 14:15). Jezusi tha: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10).
Ndiqni orientimet te manuali “Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit”. Gjithashtu ndiqni këshillën e presidentit tuaj të misionit dhe bashkëshortes së tij teksa ju këshillojnë me drejtësi.
“Bindja është zgjedhja jonë. Shpëtimtari e bëri këtë gjë të qartë. Siç thuhet në Përkthimin prej Joseph Smith-it të vargut te Lluka 14:28, Jezusi udhëzoi: ‘Prandaj, nguliteni këtë në zemrën tuaj, që ju do t’i bëni gjërat që do t’ju mësoj dhe urdhëroj’. Është kaq e thjeshtë. … Kur e bëjmë këtë gjë, qëndrueshmëria jonë shpirtërore do të shtohet shumë. Ne do ta shmangim çuarjen dëm të burimeve të dhëna nga Perëndia dhe bërjen e devijimeve të padobishme dhe shkatërruese në jetën tonë” (Dale G. Renlund, “Constructing Spiritual Stability” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 16 shtator 2014], f. 2, speeches.byu.edu).
Një Model për t’u Bërë më Shumë si Krishti
Modeli vijues mund t’ju ndihmojë të zhvilloni dhe merrni cilësitë e përshkruara në këtë kapitull dhe cilësi të tjera të përshkruara në shkrimet e shenjta:
-
Përcaktoni cilësinë që dëshironi të kërkoni.
-
Shkruani një përshkrim të kësaj cilësie.
-
Renditni dhe studioni fragmentet e shkrimit të shenjtë që tregojnë shembuj të cilësisë ose që japin mësim për të.
-
Mbajini shënim ndjenjat dhe mbresat tuaja.
-
Caktoni synime dhe bëni plane për të përparuar në atë cilësi.
-
Lutuni që Perëndia t’ju ndihmojë ta zhvilloni dhe ta merrni atë cilësi.
-
Vlerësojeni herë pas here përparimin tuaj.
“Zoti i bekon ata që dëshirojnë të përmirësohen, që e pranojnë nevojën për urdhërime dhe përpiqen t’i zbatojnë ato, që i vlerësojnë virtytet e ngjashme me ato të Krishtit dhe përpiqen fort me gjithçka munden, që t’i fitojnë ato. Nëse ju pengoheni në atë përpjekje, po ashtu pengohet gjithkush; Shpëtimtari është atje që t’ju ndihmojë të vazhdoni. … Shumë shpejt do ta keni suksesin që kërkoni” (Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 126).
Ide për Studim dhe Zbatim
Studimi Vetjak
-
Në mënyrë periodike plotësoni pjesën “Veprimtaria për Cilësinë” në fund të këtij kapitulli.
-
Përcaktoni një cilësi në këtë kapitull. Pyeteni veten:
-
Si mund të mësoj më shumë rreth kësaj cilësie?
-
Si do të më ndihmojë kërkimi i kësaj cilësie që të bëhem një shërbestar/e më i/e mirë i/e ungjillit të Jezu Krishtit?
-
-
Gjeni shembuj të cilësive si të Krishtit në jetën e burrave dhe grave në shkrimet e shenjta. Mbajini shënim mbresat tuaja në ditarin tuaj të studimit.
-
Gjeni shembuj të cilësive si të Krishtit në muzikën e shenjtë të Kishës. Teksa kërkoni një cilësi, mësoni përmendsh fjalë të himneve ose këngëve për të gjetur forcë dhe fuqi. Përsëritini ose këndojini vetë fjalët për frymëzim dhe që të ftoni ndikimin e Shpirtit.
Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare
-
Studioni referenca të cilësive si të Krishtit në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose në burime të tjera të miratuara. Diskutoni se si ta vini në zbatim atë që mësoni. Gjithashtu mund të diskutoni se çfarë keni mësuar në përpjekjet tuaja vetjake për t’u bërë si Krishti.
Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit
-
Disa ditë përpara këshillit ose konferencës, kërkojini secilit misionar që të përgatitë një bisedë pesëminutëshe për një cilësi si të Krishtit. Lejoni kohë në mbledhje për disa misionarë që t’i japin bisedat e tyre.
-
Ndajini misionarët në katër grupe dhe jepuni detyrat vijuese:
Grupi 1: Lexoni te 1 Nefi 17:7–16 dhe jepuni përgjigje pyetjeve vijuese:
-
Si e ushtroi Nefi besimin e tij?
-
Çfarë bëri Nefi që ishte një cilësi si e Krishtit?
-
Çfarë premtimesh i bëri Zoti Nefit?
-
Si gjen zbatim ky rrëfim te puna misionare?
Grupi 2: Lexoni te Marku 5:24–34 dhe jepuni përgjigje pyetjeve vijuese:
-
Si e ushtroi kjo grua besimin te Jezu Krishti?
-
Përse u shërua ajo?
-
Si mund ta ndjekim shembullin e saj në përpjekjet tona misionare?
Grupi 3: Lexoni te Jakobi [LiM] 7:1–15 dhe jepuni përgjigje pyetjeve vijuese:
-
Përse ishte besimi i Jakobit mjaft i fortë sa t’i bënte ballë sulmit të Sheremit?
-
Si ushtroi besim Jakobi kur foli me Sheremin?
-
Si ishin veprimet e Jakobit të ngjashme me veprimet e Krishtit?
Grupi 4: Lexoni te Joseph Smith – Historia 1:8–18 dhe jepuni përgjigje pyetjeve vijuese:
-
Në çfarë mënyrash ushtroi Jozef Smithi besim te Jezu Krishti?
-
Si u vu në provë besimi i tij?
-
Çfarë bëri ai që ishte e ngjashme me atë që bëri Krishti?
-
Si mund ta ndjekim shembullin e Jozef Smithit?
Pasi të mbarojnë grupet, mblidhini së bashku misionarët dhe kërkojuni të tregojnë atë që diskutuan.
-
Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit
-
Kërkojuni misionarëve të lexojnë njërin nga katër Ungjijtë në Dhiatën e Re ose kapitujt te 3 Nefi 11–28. Bëjini të nënvizojnë atë që bëri Shpëtimtari, të cilën mund ta bëjnë edhe ata.
-
Përdorni caktimin e synimeve dhe planifikimin për t’i mësuar misionarët rreth zellit. Tregoni se si zelli në përqendrimin te njerëzit është shprehje e dashurisë.
-
Gjatë intervistave ose në bashkëbisedime kërkojuni misionarëve që të flasin rreth një cilësie si të Krishtit që ata po e kërkojnë.
Veprimtaria e Cilësive
Qëllimi i kësaj veprimtarie është t’ju ndihmojë të përcaktoni mundësitë për rritje shpirtërore. Lexojeni çdo pikë më poshtë. Vendosni se sa e vërtetë është ajo thënie rreth jush dhe zgjidhni përgjigjen e duhur. Shënojini përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit.
Askush nuk mund të përgjigjet “gjithmonë” për çdo pohim. Rritja shpirtërore është një proces që zgjat gjithë jetën. Kjo është një arsye përse kjo është emocionuese dhe shpërblyese, sepse ka mundësi të panumërta për t’u rritur dhe për të përjetuar bekimet e rritjes.
Ndihuni rehat që ta filloni në fazën që ndodheni. Zotohuni të bëni punën shpirtërore që është e nevojshme për t’u rritur. Kërkoni ndihmën e Perëndisë. Kur ndeshni pengesa, kini vetëbesim se Ai do t’ju ndihmojë. Ndërkohë që luteni, kërkoni udhërrëfim se tek cilat cilësi të përqendroheni në kohë të ndryshme gjatë misionit tuaj.
Kyçi i Përgjigjeve
-
1 = kurrë
-
2 = nganjëherë
-
3 = shpesh
-
4 = pothuajse gjithmonë
-
5 = gjithmonë
Besimi
-
Unë besoj te Krishti dhe e pranoj Atë si Shpëtimtarin tim. (2 Nefi 25:29)
-
Kam vetëbesim që Perëndia më do. (1 Nefi 11:17)
-
Unë i mirëbesoj Shpëtimtarit aq sa ta pranoj vullnetin e Tij dhe të bëj atë që Ai kërkon. (1 Nefi 3:7)
-
Unë besoj se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë, unë mund të falem për mëkatet e mia dhe të shenjtërohem kur pendohem. (Enosi 1:2–8)
-
Unë kam besim se Perëndia i dëgjon lutjet e mia dhe u jep përgjigje atyre. (Mosia 27:14)
-
Unë mendoj për Shpëtimtarin gjatë ditës dhe kujtoj atë që Ai ka bërë për mua. (Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79)
-
Unë kam besim se Perëndia do të bëjë të ndodhin gjëra të mira në jetën time dhe në jetën e të tjerëve kur ne ia përkushtojmë veten tonë Atij dhe Birit të Tij. (Ethëri 12:12)
-
Unë e di me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë. (Moroni 10:3–5)
-
Unë kam besim se do ta përmbush atë që Krishti dëshiron që unë të bëj. (Moroni 7:33)
Shpresa
-
Një nga dëshirat e mia më të mëdha është të trashëgoj jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale. (Moroni 7:41)
-
Unë kam vetëbesim se do të kem një mision të lumtur dhe të suksesshëm. (Doktrina e Besëlidhje 31:3–5)
-
Unë ndihem plot paqe dhe optimizëm për të ardhmen. (Doktrina e Besëlidhje 59:23)
-
Unë besoj se një ditë do të banoj me Perëndinë dhe do të bëhem si Ai. (Ethëri 12:4)
Dashuria Hyjnore dhe Dashuria
-
Unë ndiej një dëshirë të sinqertë për mirëqenien dhe lumturinë e përjetshme të njerëzve të tjerë. (Mosia 28:3)
-
Kur lutem, unë kërkoj dashuri hyjnore – dashurinë e pastër të Krishtit. (Moroni 7:47–48)
-
Unë përpiqem t’i kuptoj ndjenjat e njerëzve të tjerë dhe ta kuptoj pikëpamjen e tyre. (Judë 1:22)
-
Unë i fal të tjerët që më kanë fyer ose keqtrajtuar. (Efesianëve 4:32)
-
Unë u afrohem me dashuri për t’i ndihmuar ata që janë të vetmuar, që po hasin vështirësi ose janë të shkurajuar. (Mosia 18:9)
-
Kur është e përshtatshme, unë e shpreh dashurinë dhe kujdesin tim për të tjerët duke u dhënë shërbesë atyre nëpërmjet fjalëve dhe veprave. (Lluka 7:12–15)
-
Unë kërkoj mundësi për t’u shërbyer të tjerëve. (Mosia 2:17)
-
Unë them gjëra pozitive rreth të tjerëve. (Doktrina e Besëlidhje 42:27)
-
Unë jam dashamirës dhe i duruar me të tjerët, edhe kur me ata nuk mund të merrem vesh kollaj. (Moroni 7:45)
-
Unë gjej gëzim në arritjet e të tjerëve. (Alma 17:2–4)
Virtyti
-
Unë jam i pastër dhe i kulluar në zemër. (Psalmeve 24:3–4)
-
Unë dëshiroj të bëj mirë. (Mosia 5:2)
-
Unë përqendrohem në mendime të drejta, lartësuese dhe i largoj nga mendja ime mendimet e padobishme. (Doktrina e Besëlidhje 121:45)
-
Unë pendohem për mëkatet e mia dhe përpiqem t’i kapërcej dobësitë e mia. (Doktrina e Besëlidhje 49:26–28; Ethëri 12:27)
-
Unë e ndiej ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën time. (Doktrina e Besëlidhje 11:12–13)
Integriteti Moral
-
Unë jam i vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha gjërat. (Mosia 18:9)
-
Unë nuk i ul standardet ose sjelljet e mia që të mund t’u bëj përshtypje të tjerëve ose të pranohem prej tyre. (1 Nefi 8:24–28)
-
Unë jam i ndershëm me Perëndinë, vetveten, udhëheqësit e mi dhe njerëz të tjerë. (Doktrina e Besëlidhje 51:9)
-
Unë jam njeri i besueshëm. (Alma 53:20)
Njohuria
-
Kam vetëbesim në të kuptuarit tim për doktrinën dhe parimet e ungjillit. (Alma 17:2–3)
-
Unë i studioj shkrimet e shenjta çdo ditë. (2 Timoteut 3:16–17)
-
Unë përpiqem të kuptoj të vërtetën dhe të gjej përgjigje për pyetjet e mia. (Doktrina e Besëlidhje 6:7)
-
Unë kërkoj njohuri dhe udhërrëfim nëpërmjet Shpirtit. (1 Nefi 4:6)
-
Unë i çmoj doktrinën dhe parimet e ungjillit. (2 Nefi 4:15)
Durimi
-
Unë pres me durim që të përmbushen bekimet dhe premtimet e Zotit. (2 Nefi 10:17)
-
Unë jam në gjendje të pres për gjërat pa u mërzitur apo nevrikosur. (Romakëve 8:25)
-
Unë jam i duruar me sfidat e të qenit misionar. (Alma 17:11)
-
Unë jam i duruar me të tjerët. (Romakëve 15:1)
-
Unë jam i duruar me veten time dhe mbështetem te Zoti, ndërkohë që punoj për t’i mposhtur dobësitë e mia. (Ethëri 12:27)
-
Unë përballem me fatkeqësinë me durim e besim. (Alma 34:40–41)
Përulësia
-
Unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra. (Mateu 11:29)
-
Unë mbështetem te Perëndia për ndihmë. (Alma 26:12)
-
Jam mirënjohës për bekimet që i kam marrë nga Perëndia. (Alma 7:23)
-
Lutjet e mia janë kuptimplota dhe të çiltra. (Enosi 1:4)
-
Unë e vlerësoj udhëzimin nga udhëheqësit ose mësuesit e mi. (2 Nefi 9:28–29)
-
Unë përpiqem fort që të jem i nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë. (Mosia 24:15)
Zelli
-
Unë punoj me efektshmëri, edhe kur nuk jam nën mbikëqyrje nga afër. (Doktrina e Besëlidhje 58:26–27)
-
Unë i përqendroj përpjekjet e mia te gjërat më të rëndësishme. (Mateu 23:23)
-
Unë bëj një lutje vetjake të paktën dy herë në ditë. (Alma 34:17–27)
-
Unë i përqendroj mendimet e mia në thirrjen time si misionar. (Doktrina e Besëlidhje 4:2, 5)
-
Unë caktoj synime dhe planifikoj rregullisht. (Doktrina e Besëlidhje 88:119)
-
Unë punoj shumë derisa të kryhet puna. (Doktrina e Besëlidhje 10:4)
-
Unë gjej gëzim dhe kënaqësi në punën time. (Alma 36:24–25)
Bindja
-
Kur lutem, unë kërkoj për forcë që t’i bëj ballë tundimit dhe të bëj atë që është e drejtë. (3 Nefi 18:15)
-
Unë jam i denjë që të kem një rekomandim tempulli. (Doktrina e Besëlidhje 97:8)
-
Unë u bindem me gatishmëri rregullave të misionit dhe e ndjek këshillën e udhëheqësve të mi. (Hebrenjve 13:17)
-
Unë përpiqem fort që të jetoj në përputhje me ligjet dhe parimet e ungjillit. (Doktrina e Besëlidhje 41:5)