Thirrjet në Mision
Kapitulli 11: Ndihmojini Njerëzit të Marrin dhe Mbajnë Zotime


“Kapitulli 11: Ndihmojini Njerëzit të Marrin dhe Mbajnë Zotime”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 11”, Predikoni Ungjillin Tim

I Shall Not Want [Asgjë Nuk do të Më Mungojë], nga Yongsung Kim

Kapitulli 11

Ndihmojini Njerëzit të Marrin dhe Mbajnë Zotime

Merreni Parasysh Këtë

  • Si lidhet mbajtja e zotimeve me kthimin në besim?

  • Si lidhet mbajtja e zotimeve me mbajtjen e besëlidhjeve?

  • Si mund të bëj ftesa për t’i ndihmuar njerëzit të rriten shpirtërisht dhe ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti?

  • Pse është e rëndësishme të tregohet një dëshmi e çiltër?

  • Çfarë bekimesh mund të premtoj?

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit që t’i mbajnë zotimet?

Pendimi, Zotimi dhe Kthimi në Besim

Si një misionar dhe dishepull i Jezu Krishtit, ju dëshironi shpëtimin e shpirtrave (shihni te Mosia 28:3). Shpëtimtari është “i fuqishëm [t’i] shpëtojë” ata që i mbajnë besëlidhjet që bëjnë përmes marrjes së ordinancave thelbësore të priftërisë, duke filluar me pagëzimin (shihni te 2 Nefi 31:19). Bërja e ftesave dhe ndihma ndaj njerëzve për të mbajtur zotimet do t’i përgatitin ata për pagëzim.

Njerëzit shpëtohen me kushtin e pendimit (shihni te Helamani 5:11). Pendimi është një kthesë e plotë dhe e çiltër te Jezu Krishti. Zotimi është pjesë thelbësore e pendimit. Kur i ftoni njerëzit të bëjnë zotime si pjesë e mësimdhënies suaj, ju po i ftoni ata të pendohen.

Të zotohesh do të thotë të zgjedhësh një drejtim veprimi dhe ta ndjekësh atë zgjedhje. Të vepruarit në mënyrë të vazhdueshme sipas të vërtetave të ungjillit çon te kthimi në besim.

Kthimi në besim është një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e një personi për të pranuar dhe ndjekur vullnetin e Perëndisë. Është një vendim i ndërgjegjshëm për t’u bërë dishepull i Krishtit. Kthimi në besim ndodh kur njerëzit ushtrojnë besim te Krishti, pendohen për mëkatet e tyre, pagëzohen, marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe durojnë deri në fund. Zoti dhe profetët e Tij i referohen këtij ndryshimi si një rilindje shpirtërore (shihni te Gjoni 3:3–5; Mosia 27:25–26).

Shlyerja e Shpëtimtarit bën të mundur kthimin në besim dhe Fryma e Shenjtë sjell këtë ndryshim të fuqishëm të zemrës (shihni te Mosia 5:2; Alma 5:12–14).

Kthimi në besim është një proces, jo një ngjarje. Të ndihmoni njerëzit të kthehen në besim te Jezu Krishti është thelbësore për qëllimin tuaj misionar. Siç udhëhiqeni nga Shpirti, ju i ftoni njerëzit të bëjnë zotime që do t’i ndihmojnë ata të rriten shpirtërisht dhe të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre. Më pas, ju i përkrahni njerëzit në mbajtjen e zotimeve që kanë bërë. Ju i ndihmoni që të veprojnë me besim drejt një ndryshimi afatgjatë (shihni te Mosia 6:3).

Njerëzit që i mbajnë zotimet përpara pagëzimit, kanë më shumë gjasa të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta më pas. Kur u mësoni njerëzve që t’i mbajnë zotimet, ju po u mësoni atyre të mbajnë besëlidhjet. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve është një pjesë thelbësore e ungjillit të Jezu Krishtit dhe e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij.

Ky kapitull përfshin orientime për bërjen e ftesave, premtimin e bekimeve, dhënien e dëshmisë suaj dhe ndihmën ndaj njerëzve që t’i mbajnë zotimet e tyre që të mund të vijnë te Shpëtimtari dhe të shpëtohen.

misionaret duke i dhënë mësim një gruaje

Bërja e Ftesave

Si përfaqësues i Jezu Krishtit, ju i ftoni njerëzit ta ndjekin Atë dhe të marrin gëzimin e ungjillit të Tij. Ju u bëni atyre ftesa specifike që të bëjnë gjëra të cilat do të ndërtojnë besimin e tyre te Krishti. Më pas ju i përkrahni ata në mbajtjen e zotimeve të tyre.

Ftesat dhe zotimet janë jetike për arsyet vijuese:

  • Ato i ndihmojnë njerëzit të jetojnë parimet që mësojnë, në mënyrë që të ndiejnë dëshminë pohuese të Shpirtit.

  • Mbajtja e zotimeve është një mënyrë se si njerëzit tregojnë pendim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:37).

  • Pendimi i ndihmon njerëzit të përjetojnë paqen dhe gëzimin e faljes së Perëndisë. Ata gjithashtu do të kenë ndihmë të shtuar nga Perëndia për sfidat e tyre.

  • Mbajtja e zotimeve i përgatit njerëzit të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta.

  • Ju mund ta tregoni dashurinë tuaj për njerëzit dhe besimin tuaj te premtimet e Perëndisë duke i ndihmuar njerëzit të mbajnë zotimet e tyre.

Ftoni siç Udhëhiqeni nga Shpirti

Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit se cilat ftesa duhet të bëni dhe kur t’i bëni ato. Merreni në shqyrtim se cili mësim apo cila doktrinë, e kuptuar saktë, do ta ndihmojë një person që ta pranojë ftesën tuaj. Ftesa e duhur në kohën e duhur mund t’i nxitë njerëzit të bëjnë gjëra që do ta ndërtojnë besimin e tyre. Këto veprime mund të çojnë në një ndryshim të madh të zemrës (shihni te Mosia 5:2; Alma 5:12–14).

Ftesat që bëni mund të jenë të vogla, të tilla si leximi i një kapitulli të shkrimit të shenjtë ose ardhja në mbledhjen e sakramentit. Ose mund të jenë po aq kulmore sa pagëzimi. Ftesat duhet të jenë të përshtatshme për pikën ku është një person në udhëtimin e tij apo të saj shpirtëror.

Ftesat e udhëhequra nga Shpirti ndërtojnë mbi njëra‑tjetrën për ta ndihmuar personin që të përparojë shpirtërisht (shihni te 2 Nefi 28:30; Doktrina e Besëlidhje 93:12–13). Pyeteni veten: “Çfarë zotimesh po mban personi? Çfarë duhet të bëjë ai ose ajo më pas për të përparuar?”

Dëgjojini ata me të cilët po flisni apo që po u jepni mësim. Nga ajo që dëgjoni dhe ndieni, kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit rreth asaj se cilat ftesa do ta ndihmojnë secilin person të përparojë drejt bërjes së besëlidhjeve të shenjta.

Parimet për Bërjen e Ftesave

Bërja e ftesave kërkon besim te Krishti. Kini besim se Ai do t’i bekojë njerëzit kur ata t’i pranojnë dhe t’i zbatojnë ftesat tuaja.

Njerëzit kanë më shumë gjasa të ndryshojnë kur i ftoni të veprojnë sipas një të vërtete të ungjillit dhe i ndihmoni të shohin se si do t’i bekojë ndryshimi. Ata do të ndryshojnë në atë masë sa e ndiejnë Shpirtin dhe sa e përjetojnë gëzimin e të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.

Sa herë që përfshiheni me njerëz, me prani fizike ose në internet, merrni parasysh se cila ftesë mund t’i ndihmojë ata që ta forcojnë besimin e tyre te Krishti dhe të ndiejnë Shpirtin. Ndonjëherë kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa të takohen me ju përsëri ose të vijnë në një aktivitet të Kishës.

Ndërsa përgatiteni për të dhënë një mësim, merrini parasysh nevojat dhe përparimin e secilit person. Sigurohuni që plani juaj i mësimit të përfshijë një ose më shumë ftesa që do ta ndihmojnë personin të përparojë.

Kini kujdes të mos bëni shumë ftesa në të njëjtën kohë. Një person ka nevojë për kohë për të vepruar, për t’u rritur dhe për të mësuar nga çdo ftesë.

Jini të guximshëm, por jo imponues ndërsa i ftoni njerëzit të marrin zotime (shihni tek Alma 38:12). Respektojeni lirinë e zgjedhjes së njerëzve.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Përse zotimet janë të rëndësishme?

Ftoni me një Gjuhë Dashamirëse dhe të Qartë

Një ftesë shpesh merr formën e një pyetjeje “a do të”, e cila kërkon një përgjigje me po ose jo. Bëni ftesa dashamirëse, konkrete dhe të qarta. Ato duhet t’i ftojnë ose t’i udhëheqin njerëzit të marrin një zotim për të vepruar me besim te Jezu Krishti.

Megjithëse ftesat tuaja do të jenë unike për çdo person, merrini parasysh shembujt vijues:

  • Frekuentimi i Kishës ofron një kohë dhe vend që ju të adhuroni Perëndinë dhe të ndieni Shpirtin e Tij. Mund t’ju ndihmojë gjithashtu të bëheni pjesë e një komuniteti përkrahës ndërsa bëni ndryshime për t’iu afruar më pranë Shpëtimtarit. A do të vini me ne në mbledhjen e sakramentit këtë të diel?

  • Tani që kemi diskutuar për rëndësinë e studimit të shkrimeve të shenjta, a do të lexoni [një fragment specifik të shkrimit të shenjtë]? A do të shkruani ndonjë përshtypje apo pyetje që mund të keni? Mund të diskutojmë për mendimet tuaja herën tjetër që do të takohemi.

  • Kemi diskutuar për jetën e Shpëtimtarit dhe urdhërimet e Tij. A do ta ndiqni shembullin e Tij duke u pagëzuar në Kishën e Tij dhe duke bërë premtime me Të? (Shihni te “Ftesa për t’u Pagëzuar e Konfirmuar” në kapitullin 3.)

  • Ju shprehët interes për t’u lidhur më shumë me Perëndinë në jetën tuaj. A do të luteni me besim gjatë ditëve të ardhshme që të mund të përjetoni bekimet e lutjes?

  • Ne kemi një material filmik që mendojmë se do ta gjeni të dobishëm. A mund t’jua tregojmë apo t’ju dërgojmë një hallkë lidhëse? A do ta shikoni atë? A mund të takohemi nesër me ju për të parë se çfarë mendoni?

Kërkoni nxitjet e Frymës së Shenjtë ndërsa shqyrtoni mënyra të natyrshme për të bërë ftesa dashamirëse, konkrete dhe të qarta.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Në ditarin tuaj të studimit, shkruani një ftesë që është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe e qartë për çdo zotim në një mësim. Nëse e keni bërë këtë veprimtari më parë, përsëriteni atë dhe krahasojini ftesat tuaja të reja me ato të mëparshmet.

Rishikojini ftesat që keni shkruar, me shoqëruesin tuaj misionar. Më pas diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë bekimet e premtuara të Zotit që lidhen me këtë ftesë?

  • Pse është e rëndësishme kjo ftesë për mua personalisht?

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë për ta ndërsa i bëj ftesat?

  • Si mund të përmirësohem që t’i ndihmoj të tjerët të veprojnë ndaj ftesave që kam bërë?

Mendoni për dikë të cilit po i jepni mësim. Ushtrohuni që t’i bëni këto ftesa sikur t’i drejtoheshit atij personi. Rishikojini ftesat tuaja sipas nevojës.

Premtojuni Bekime Njerëzve

Perëndia premton të na bekojë kur i zbatojmë urdhërimet e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21). Njerëzit që i zbatojnë urdhërimet dhe mbeten besnikë, “janë të bekuar në të gjitha gjërat” dhe do të “jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41).

Ndërsa i ftoni njerëzit të marrin zotime, premtojuni atyre bekime për mbajtjen e zotimeve të tyre. Ju mund t’i përcaktoni shumë prej këtyre bekimeve duke studiuar shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme dhe mësimet te kapitulli 3. Mendoni gjithashtu për bekimet në vetë jetën tuaj. Vendosni me lutje se çfarë bekimesh do t’i premtoni çdo personi ndërsa i bëni ftesat.

Kur e ftoni një person të jetojë një urdhërim, jepni mësim sa vijon:

  • Bindja ndaj urdhërimeve tregon dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin (shihni te Gjoni 14:15).

  • Bindja ndaj urdhërimeve i tregon Perëndisë se ne i mirëbesojmë Atij (shihni te Fjalët e Urta 3:5–6).

  • Bekimet e Perëndisë janë si shpirtërore ashtu dhe materiale (shihni te Mosia 2:41).

  • Bekimi më i madh i Perëndisë është jeta e përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 14:7).

  • Ndërsa lutemi me çiltërsi dhe veprojmë me besim, Perëndia do të na ndihmojë që të plotësojmë gjërat që Ai na i ka urdhëruar të bëjmë (shihni te 1 Nefi 3:7).

  • Perëndia i përmbush premtimet e Tij për të na bekuar sipas mënyrës dhe kohës së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:68).

Njerëzit shpesh përballen me kundërshtime në zbatimin e urdhërimeve. Përkrahini ata të cilëve u jepni mësim, dhe sigurojini se Perëndia do t’i bekojë ndërsa përpiqen fort të bëjnë vullnetin e Tij. Ndihmojini të kuptojnë se kundërshtimi është një mundësi për t’u rritur duke zgjedhur të ndjekin Krishtin edhe kur është e vështirë (shihni te 2 Nefi 2:11, 13–16).

Ashtu siç dha mësim Plaku Xhefri R. Holland: “Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë” (“An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta vijuese rreth dëshirës së Zotit për të na bekuar?

Studimi Vetjak

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 82:10 dhe 130:20–21. Më pas studioni shkrimet e shenjta vijuese. Bëni dy kolona në ditarin tuaj të studimit. Në njërën anë, shkruani urdhërimin që gjeni në secilin fragment. Në anën tjetër, shkruani premtimin për mbajtjen e urdhërimit.

Jepni Dëshminë Tuaj

Jepeni dëshminë tuaj sa herë që bëni një ftesë dhe premtoni bekime. Tregoni se si jeni bekuar ndërsa keni jetuar parimin që po jepni mësim. Jepni dëshminë tuaj se parimi do ta bekojë jetën e personit ndërsa ai ose ajo e jeton atë.

Dëshmia juaj e çiltër do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi që njerëzit ta ndiejnë Frymën e Shenjtë ta pohojë të vërtetën. Kjo do t’i nxitë ata t’i pranojnë ftesat që do të bëni.

Për më shumë informacion, shihni te “Jepni Dëshminë Tuaj” te kapitulli 10.

grup duke u lutur

Ndihmojini Njerëzit t’i Mbajnë Zotimet e Tyre

Kur njerëzit i pranojnë ftesat tuaja për të bërë diçka, ndiqni ecurinë për t’i ndihmuar që t’i mbajnë zotimet e tyre. Ju po i ndihmoni njerëzit të zhvillojnë besim te Krishti. Roli juaj është t’i ndihmoni ata që ta forcojnë besimin dhe vendosmërinë e tyre për të përparuar drejt kthimit të plotë në besim. Mos i ftoni njerëzit vetëm të ndryshojnë; përkrahini ata për ta bërë atë.

Njerëzit do të marrin një dëshmi të Shpirtit ndërsa ushtrojnë besim deri në pendim duke i mbajtur zotimet. Ajo dëshmi shpesh nuk vjen “deri pas provës së besimit [të tyre]” (Ethëri 12:6). Mos u habitni kur ka kundërshtime. Planifikoni se si do t’i ndihmoni ata gjatë sprovës në mënyrë që të marrin dëshminë e Shpirtit. Anëtarë të tjerë të Kishës gjithashtu mund të ofrojnë përkrahje.

Njerëzit shpesh ndiejnë ndikimin e Shpirtit kur jeni me ta. Theksoni rëndësinë e lutjes, të leximit të shkrimeve të shenjta dhe ndjekjes së ftesave tuaja, në mënyrë që t’i kenë këto ndjenja kur të jenë vetëm.

Mbajtja e zotimeve i përgatit njerëzit për ordinancat dhe besëlidhjet përgjatë shtegut të kthimit në besim gjatë gjithë jetës. Përpjekjet tuaja mund t’i ndihmojnë ata që të “manifestojnë me anë të veprave të tyre” dëshirën e tyre për të ndjekur Jezu Krishtin (Doktrina e Besëlidhje 20:37).

gra duke u përqafuar

Planifikoni për Kontakte të Përditshme të Shkurtra

Ndihma ndaj njerëzve për të mbajtur zotimet fillon kur i vizitoni dhe u jepni mësim për herë të parë. Kërkojuni ta shënojnë zotimin e tyre në telefon, kalendar ose diçka që ju e lini me ta.

Pyetni nëse ju ose një anëtar që ka marrë pjesë, mund të vihet shkurtimisht çdo ditë në kontakt përpos vizitave mësimore. Shpjegoni se qëllimi i këtyre kontakteve është që t’i përkrahë ata dhe përshkruani disa mënyra se si mund ta bëni këtë. Këto kontakte janë një mënyrë për të vënë në zbatim parimin te Doktrina e Besëlidhje 84:106.

Përcaktoni metodën e kontaktit që do të ishte më e efektshme, të tilla si një vizitë e shkurtër, telefonatë, mesazh me celular ose mesazh në mediat shoqërore. Teknologjia ofron shumë mundësi për kujtues dhe përkrahje shtesë.

Nxitini dhe Ndihmojini Njerëzit gjatë Kontaktit tuaj të Përditshëm

Për çdo ftesë që bëni, shkruajini shënimet në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për mënyrën se si ta ndiqni ecurinë të nesërmen. Ndërsa e planifikoni të nesërmen, kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa diskutoni se si t’i ndihmoni njerëzit të mbajnë zotimet e tyre.

Bëjini kontaktet tuaja të përditshme me njerëzit pozitive dhe nxitëse. Lutuni për ta. Tregoni dashuri e mirëkuptim ndërsa i ndihmoni të mbajnë zotimet e tyre. Përgjigjuni pyetjeve dhe ndihmojini të kapërcejnë sfidat. Nëse ka kohë, lexoni së bashku nga Libri i Mormonit. Tregojuni mediat përkatëse të Kishës, përfshirë muzikën e prodhuar nga Kisha që mund t’i lartësojë ata shpirtërisht. Jini të respektueshëm për kohën dhe dëshirat e tyre.

Njihini ata me anëtarë të tjerë të Kishës. Kur është e përshtatshme, kërkojuni anëtarëve t’i ndihmojnë njerëzit t’i mbajnë zotimet e tyre (shihni te kapitulli 10).

Përgëzojini njerëzit që po punojnë për t’i mbajtur zotimet e tyre. Ndihmojini të shohin se sa i kënaqur është Zoti me përpjekjet e tyre. Këta njerëz po ndryshojnë jetën e tyre, gjë që kërkon shumë punë e durim. Ndihmojini t’i dallojnë bekimet që po marrin. Shprehni besim se ata mund t’ia dalin mbanë.

Tregoni dashuri edhe nëse njerëzit nuk i kanë mbajtur zotimet e tyre. Ofroni t’i përkrahni ata gjatë kontaktit tuaj të përditshëm. Për shembull, nëse dikush pranoi një ftesë për të lexuar një kapitull në Librin e Mormonit, por nuk e ka bërë ende, ofroni ta lexoni së bashku. Ndihmojeni personin të zbulojë me anë të përvojës se si mund ta bekojë mbajtja e zotimeve jetën e tij apo të saj.

Mund të duhen shumë prova që njerëzit ta mbajnë një zotim dhe mund t’ju duhet të bëni disa vizita për t’i ndihmuar ata. Diskutoni se si mund t’i kapërcejnë sfidat për të mbajtur zotimet. Jini të duruar dhe përkrahës, jo kritikues apo gjykues.

Kini Ndikimin e Frymës së Shenjtë gjatë Kontaktit tuaj të Përditshëm

Kur e ndiqni ecurinë e njerëzve, kërkojuni të tregojnë përvojën e tyre me mbajtjen e zotimeve. Pyetni se çfarë kanë mësuar dhe si janë ndier. Kjo do t’i ndihmojë ata që të dallojnë ndikimin e Shpirtit në jetën e tyre dhe do t’i ndihmojë të përcaktojnë hapin tjetër.

Ndërsa i kontaktoni njerëzit çdo ditë, një pjesë e rëndësishme e qëllimit tuaj është të ftoni ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre. Ndihmojini të dallojnë se si ta ndiejnë Shpirtin kur ju nuk jeni të pranishëm. Kontakti juaj i përditshëm duhet t’i forcojë ndjenjat shpirtërore që ata ndien kur u dhatë mësim. Ata do të kthehen në besim ndërsa ndiejnë fuqinë dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Tregoni Dashuri

Procesi i kthimit në besim përqendrohet te dashuria si e Krishtit (shihni te 4 Nefi 1:15). Kërkoni dhuratën e dashurisë hyjnore. Shfaqja e dashurisë së çiltër mund t’i ndihmojë njerëzit që ta ndiejnë Shpirtin në jetën e tyre. Shprehja e dashurisë nga ana juaj mund t’i ndihmojë gjithashtu ata që t’i pranojnë ftesat dhe t’i mbajnë zotimet që çojnë drejt kthimit në besim.

Ndërsa i doni dhe u jepni mësim të tjerëve, kthimi juaj në besim te Shpëtimtari do të thellohet.

Të ndihmosh në kthimin në besim të një personi tjetër është një punë e shenjtë. Ju do të gjeni gëzim të përhershëm teksa ia përkushtoni veten tuaj kësaj vepre dhe shërbimit ndaj të tjerëve (shihni te Mateu 10:39; Mosia 2:17; Alma 27:17–18; Doktrina e Besëlidhje 18:10–16).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Shënoni në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] planet tuaja për kontakt të përditshëm me secilin person që po i jepni mësim. Planifikoni disa ditë më parë se çfarë do të bëni për të ndjekur ecurinë me secilin person.

Zgjidhni një ftesë që do ta bëni kur t’i jepni mësim secilit person. Më pas identifikoni shqetësime të ndryshme që mund ta pengojnë dikë për ta pranuar ose mbajtur atë zotim. Diskutoni dhe ushtroni se si mund t’i ndihmoni më së miri njerëzit ndërsa punojnë për të zgjidhur shqetësimet e tyre.

Zoti Dëshiron që Njerëzit të Vijnë e të Qëndrojnë

Puna misionare e ka efektin e saj më të madh kur njerëzit e bëjnë dhe e mbajnë zotimin për të jetuar ungjillin dhe për të qëndruar aktivë në Kishë gjatë gjithë jetës së tyre. Nuk mjafton që ata thjesht të vijnë në Kishë. Zoti dëshiron që ata të vijnë për të qëndruar (shihni te Gjoni 15:16). Drejtojini të gjitha mësimet dhe ftesat tuaja drejt këtij synimi. Për të marrë të gjitha bekimet që ka Ati Qiellor për ta, anëtarët duhet të vazhdojnë ta jetojnë ungjillin duke i zbatuar urdhërimet dhe besëlidhjet që kanë bërë ndërsa qëndrojnë aktivë në Kishë.

Nefi dha mësim: “Pasi ju të keni hyrë në këtë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar, unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vini re, unë ju them juve, Jo; … ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, … dhe [nëse ju] duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:19–20).

Jepni përpjekjet tuaja më të mira për t’i ndihmuar njerëzit që të kualifikohen për “jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Përcaktoni një urdhërim nga mësimi 4. Gjeni dhe shënojini referencat e shkrimeve të shenjta dhe citimet nga profetët e ditëve të mëvonshme që përshkruajnë bekimet e premtuara që lidhen me këtë urdhërim. Mendoni për bekimet që keni marrë duke iu bindur këtij urdhërimi, dhe shkruajini ato në ditarin tuaj.

  • Kur komunikoni me familjen tuaj ose të tjerët, pyetini se si janë bekuar ata duke iu bindur një urdhërimi specifik (për shembull, mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë, bindjes ndaj ligjit të së dhjetës apo zbatimit të një urdhërimi që është i vështirë për dikë të cilit po i jepni mësim).

  • Përgjigjuni pyetjeve vijuese për t’ju ndihmuar të përcaktoni fushat ku mund të përmirësoheni kur bëni ftesa. Bëni plane për t’u përmirësuar.

    • A e dinë njerëzit se unë i dua ata?

    • A kam vetëbesim se ata do të bekohen duke vepruar sipas ftesave tona?

    • A ia kushtoj kohën dhe vëmendjen e duhur krijimit të kontakteve të përditshme me njerëzit për t’i ndihmuar ata që të mbajnë zotimet e tyre?

    • A përfshijnë planet tona mësimore ftesa specifike për të vepruar?

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Rishikojini ftesat në një nga mësimet e misionarëve. Për çdo ftesë, përgjigjuni për pyetjet vijuese:

    • Çfarë bekimesh u ka premtuar Zoti atyre që e mbajnë këtë zotim?

    • Si do t’i ndihmojë njerëzit bindja ndaj këtij parimi që ta shtojnë besimin dhe dëshminë e tyre?

    • Si do t’i ndihmojë ky zotim njerëzit që të pendohen dhe të jenë më të ndjeshëm ndaj Shpirtit?

  • Nga mjetet tuaja të planifikimit, bëni një listë të njerëzve që keni kontaktuar në dy ditët e fundit. Përfshini ata të cilëve po u jepni mësim, dhe anëtarët.

    • Për secilin person, shkruani ftesat që ju bëtë dhe zotimet që ata bënë.

    • Merrni parasysh se çfarë ftesash të tjera mund të kishit bërë.

    • Diskutoni pse keni mundur të merrni zotime nga disa prej këtyre njerëzve, por jo nga të tjerët.

    • Çfarë do të bëni për të ndjekur ecurinë për këto ftesa?

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Diskutoni ide të efektshme dhe krijuese për kontaktin e përditshëm me njerëzit të cilëve po u jepni mësim. Si kanë punuar misionarët me anëtarët në mënyrë të efektshme? Cilat mjete shoqërore të shtypura ose digjitale janë të dobishme? Çfarë mund të bëni kur njerëzit nuk janë në shtëpi ose janë shumë të zënë për t’ju parë?

  • Diskutoni për mënyrat se si misionarët i kanë dhënë mësim në mënyrë të efektshme urdhërimet te mësimi 4.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Kur është e mundur, shoqërojini misionarët teksa japin mësim. Ndihmojini të përqendrohen te ndihma që mund t’u japin njerëzve për t’i marrë dhe për t’i mbajtur zotimet.

  • Nxitini udhëheqësit e priftërisë së lagjes, udhëheqësit e organizatave dhe anëtarët që të vihen në kontakte të përditshme me njerëzit që po marrin mësime nga misionarët, nëse njerëzit kanë rënë dakord për t’u vënë në këtë kontakt.