“Kapitulli 3: Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 3
Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar
Themeli Doktrinor
Ne të gjithë jemi fëmijë të Atit Qiellor. Ne kemi ardhur në tokë për të pasur mundësinë të mësojmë, të rritemi dhe të bëhemi më shumë si Ai në mënyrë që të mund të kthehemi në praninë e Tij (shihni te Moisiu 1:39). Ne nuk mund të bëhemi si Ai ose të kthehemi tek Ai pa ndihmë hyjnore. Ati ynë Qiellor dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të shlyente për ne dhe të zgjidhte rripat e vdekjes (shihni te 3 Nefi 27:13–22).
Ne mund të kemi qasje në fuqinë shëlbuese të Krishtit duke ushtruar besim tek Ai deri në pendim, duke u pagëzuar, duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet konfirmimit dhe duke duruar deri në fund. Mbajtja e besëlidhjes së pagëzimit është hapi i parë drejt lidhjes së vetes sonë me Perëndinë në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta pastrojë, forcojë dhe ndryshojë natyrën tonë për më mirë. Përjetimi i këtij ndikimi shenjtërues quhet rilindje shpirtërore. (Shihni te 2 Nefi 31:7, 13–14, 20–21; Mosia 5:1–7; 18; 27:24; 3 Nefi 27:20; Gjoni 3:5.)
Rilindja shpirtërore fillon kur pagëzohemi me ujë dhe me Shpirtin. Pagëzimi është një ordinancë e gëzueshme dhe shpresëdhënëse. Kur pagëzohemi me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, ne e nisim jetën nga e para me fuqinë mbështetëse të Perëndisë. Pasi të pagëzohemi dhe konfirmohemi, mund të vazhdojmë të forcohemi duke e marrë sakramentin me denjësi. (Shihni te 2 Nefi 31:13; Mosia 18:7–16; Moroni 6:2; Doktrina e Besëlidhje 20:37.)
Bërja e Ftesës
Si të ndieheni të udhërrëfyer nga Shpirti, ftoni njerëz që të pagëzohen dhe konfirmohen. Kjo mund të ndodhë gjatë cilitdo mësimi.
Jepeni mësim doktrinën e pagëzimit dhe ndihmojini njerëzit ta kuptojnë doktrinën e Krishtit (shihni te mësimi 3). Jepni mësim rreth rëndësisë dhe gëzimit të besëlidhjes së pagëzimit, rreth marrjes së një heqjeje të mëkateve dhe rreth marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë nëpërmjet konfirmimit.
Përgatitini njerëzit për ftesën për pagëzim duke u siguruar që ata e kuptojnë atë që u keni dhënë mësim, dhe besëlidhjen që do të bëjnë. Besëlidhja e pagëzimit është sikurse vijon:
-
Të jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit.
-
T’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.
-
T’i shërbejmë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë.
-
Të durojmë deri në fund. (Shihni te mësimi 4.)
Mund të thoni sa vijon:
“Kur pagëzohemi, ne japim ‘dëshmi para [Perëndisë] që [ne] ke[mi] hyrë në një besëlidhje me të, se [ne] do t’i shërbe[jmë] atij dhe do [t’i] zbato[jmë] urdhërimet e tij’. Teksa e bëjmë këtë besëlidhje, Ai premton se do të ‘derdhë mbi [ne] Shpirtin e tij më me shumicë’ (Mosia 18:10).”
Ftesa juaj për t’u pagëzuar duhet të jetë specifike dhe e drejtpërdrejtë. Mund të thoni:
“A do ta ndiqni shembullin e Jezu Krishtit duke u pagëzuar nga dikush që është shuguruar për ta kryer këtë ordinancë? Ne do t’ju ndihmojmë të përgatiteni për pagëzimin. Ne besojmë se ju mund të jeni gati më [data]. A do të përgatiteni për t’u pagëzuar në atë datë?”
Si me çdo ftesë që bëni, premtoni bekimet e mëdha që do të marrin njerëzit ndërsa e pranojnë ftesën për t’u pagëzuar dhe për të mbajtur besëlidhjet e lidhura me të. Jepni dëshminë tuaj për këto bekime.
Jepni mësim se pagëzimi dhe konfirmimi nuk janë një vendmbërritje përfundimtare. Përkundrazi, ata janë një pikë përgjatë shtegut të kthimit në besim që sjell shpresë, gëzim dhe fuqinë e Perëndisë më plotësisht në jetën e një personi (shihni te Mosia 27:25–26). Pasi njerëzit pagëzohen dhe konfirmohen, ata mund të presin me padurim të shenjtërohen me anë të Shpirtit teksa përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjes.
Nëse është e mundur, ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të jenë të pranishëm në një shërbesë pagëzimi dhe në një mbledhje sakramenti gjatë së cilës dikush konfirmohet.