“Kapitulli 3: Mësimi 2 – Plani i Atit Qiellor për Shpëtimin”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Kapitulli 3: Mësimi 2”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 3: Mësimi 2
Plani i Atit Qiellor për Shpëtimin
Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na ndihmon t’u japim përgjigje pyetjeve të rëndësishme të shpirtit. Nëpërmjet ungjillit, ne mësojmë rreth identitetit tonë hyjnor dhe potencialit tonë të përjetshëm si fëmijë të Perëndisë. Ungjilli na jep shpresë dhe na ndihmon të gjejmë paqe, lumturi dhe kuptim. Të jetuarit e ungjillit na ndihmon të rritemi dhe të gjejmë forcë ndërsa përballemi me sfidat e jetës.
Perëndia do më të mirën për fëmijët e Tij dhe dëshiron të na japë bekimet e Tij më të mëdha, të cilat janë pavdekësia dhe jeta e përjetshme (shihni te Moisiu 1:39; Doktrina e Besëlidhje 14:7). Për shkak se Ai na do, Ai ka siguruar një plan për ne që t’i marrim këto bekime. Në shkrimet e shenjta, ky plan quhet plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë dhe plani i shëlbimit (shihni tek Alma 42:5, 8, 11, 13, 15, 16, 31).
Në planin e Perëndisë, secili prej nesh bën një rrugëtim nëpër jetën para lindjes, lindjen, jetën në vdekshmëri, vdekjen dhe jetën pas vdekjes. Perëndia na ka siguruar atë që na nevojitet gjatë këtij rrugëtimi në mënyrë që pasi të vdesim, ne përfundimisht të mund të kthehemi në praninë e Tij dhe të marrim një plotësi të gëzimit.
Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezusi e bëri të mundur që secili prej nesh të marrë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.
Gjatë jetës sonë në tokë, ne nuk e mbajmë mend jetën tonë para lindjes. As nuk e kuptojmë plotësisht jetën pas vdekjes. Sidoqoftë, Perëndia ka zbuluar shumë të vërteta rreth këtyre pjesëve të rrugëtimit tonë të përjetshëm. Këto të vërteta na sigurojnë njohuri të mjaftueshme që ta kuptojmë qëllimin e jetës, të përjetojmë gëzim dhe të kemi shpresë për gjërat e mirë që do të vijnë. Kjo njohuri është një thesar i shenjtë për të na udhërrëfyer ndërkohë që jemi në tokë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Kjo pjesë siguron një shembull përvijimi për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim. Ajo përfshin edhe shembuj pyetjesh dhe ftesash që mund t’i përdorni.
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh me lutje situatën dhe nevojat shpirtërore të çdo personi. Vendosni se çfarë do të jetë më e dobishme që të jepni mësim. Përgatituni të përkufizoni terma që njerëzit mund të mos i kuptojnë. Planifikoni sipas sasisë së kohës që keni, duke mbajtur mend që mësimet të jenë të shkurtra.
Përzgjidhni shkrimet e shenjta që do t’i përdorni ndërsa jepni mësim. Pjesa e mësimit “Themeli Doktrinor” përfshin shumë shkrime të shenjta të dobishme.
Merreni parasysh se cilat pyetje të bëni ndërsa jepni mësim. Planifikoni ftesa për t’i bërë që do ta nxitin çdo person të veprojë.
Theksojini bekimet e premtuara nga Perëndia dhe jepni dëshminë tuaj për atë që jepni mësim.
Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 15–25 Minutash
Përzgjidhni një ose më shumë nga parimet vijuese rreth planit të shpëtimit për t’i dhënë mësim. Themeli doktrinor për çdo parim jepet pas këtij përvijimi.
Jeta Para Lindjes: Qëllimi dhe Plani i Perëndisë për Ne
-
Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Vet.
-
Ne jetuam me Perëndinë përpara se të lindeshim në tokë. Ne jemi pjesëtarë të familjes së Tij. Ai e njeh dhe e do çdonjërin prej nesh.
-
Perëndia ka siguruar një plan për lumturinë dhe përparimin tonë në këtë jetë dhe në përjetësi.
-
Në jetën tonë para lindjes, ne zgjodhëm të ndjekim planin e Perëndisë. Kjo nënkuptonte ardhjen në tokë në mënyrë që të mund të hidhnim hapin e radhës drejt përparimit tonë të përjetshëm.
-
Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Ai e bën të mundur që ne të kemi pavdekësi dhe jetë të përjetshme.
Krijimi
-
Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën.
Rënia e Adamit dhe Evës
-
Adami dhe Eva qenë fëmijët e parë shpirtërorë të Perëndisë që erdhën në tokë. Perëndia i krijoi trupat e tyre dhe i vuri në Kopshtin e Edenit.
-
Adami dhe Eva bënë shkelje, u dëbuan nga kopshti dhe u ndanë nga prania e Perëndisë. Kjo ngjarje quhet Rënie.
-
Pas Rënies, Adami dhe Eva u bënë të vdekshëm. Si të vdekshëm, ata qenë në gjendje të mësonin, të përparonin dhe të kishin fëmijë. Ata gjithashtu përjetuan hidhërim, mëkat dhe vdekje.
-
Rënia ishte një hap përpara për njerëzimin. Rënia na e bëri të mundur që ne të lindeshim në tokë dhe të përparonim në planin e Atit Qiellor.
Jeta Jonë në Tokë
-
Në planin e Perëndisë, ne kishim nevojë të vinim në tokë për të marrë trupa fizikë, për të mësuar dhe për t’u rritur.
-
Në tokë, mësojmë të ecim me anë të besimit. Sidoqoftë, Ati Qiellor nuk na ka lënë vetëm. Ai ka siguruar shumë dhurata dhe udhërrëfyes për të na ndihmuar të kthehemi në praninë e Tij.
Shlyerja e Jezu Krishtit
-
Secili prej nesh mëkaton dhe secili prej nesh do të vdesë. Për shkak se Perëndia na do, Ai dërgoi në tokë Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.
-
Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të falemi e të pastrohemi nga mëkatet tona. Zemrat tona mund të ndryshohen për mirë teksa pendohemi. Kjo bën të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit.
-
Për shkak të Ringjalljes së Jezusit, ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe të gjithë ne do të jetojmë përgjithmonë në një trup të përsosur, të ringjallur.
-
Jezu Krishti ofron ngushëllim, shpresë dhe shërim. Flijimi i Tij shlyes është shprehja më e lartë e dashurisë së Tij. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Bota e Shpirtrave
-
Kur trupi ynë fizik vdes, shpirti ynë vazhdon të jetojë në botën e shpirtrave. Kjo është një gjendje e përkohshme e të mësuarit dhe përgatitjes përpara Ringjalljes.
-
Ungjilli i Jezu Krishtit jepet mësim në botën e shpirtrave dhe ne mund të vazhdojnë të rritemi dhe të përparojmë.
Ringjallja, Shpëtimi dhe Ekzaltimi
-
Pas kohës sonë në botën e shpirtrave, Ringjallja është hapi i radhës në rrugëtimin tonë të përjetshëm.
-
Ringjallja është bashkimi i shpirtit dhe trupit tonë. Secili prej nesh do të ringjallet dhe do të ketë një trup të përsosur fizik. Ne do të jetojmë përgjithmonë. Kjo bëhet e mundur me anë të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit.
Gjykimi dhe Mbretëritë e Lavdisë
-
Kur të ringjallemi, Jezu Krishti do të jetë gjykatësi ynë. Me shumë pak përjashtime, të gjithë fëmijët e Perëndisë do të marrin një vend në një mbretëri lavdie.
-
Ndonëse të gjithë ne do të ringjallemi, nuk do të marrim të njëjtën lavdi të përjetshme. Jezusi do të na gjykojë sipas besimit, veprave dhe pendimit tonë në vdekshmëri dhe në botën e shpirtrave. Ne mund të kthehemi të jetojmë në praninë e Perëndisë nëse jemi besnikë.
Pyetjet që Mund t’u Bëni Njerëzve
Pyetjet vijuese janë shembuj se çfarë mund t’i pyetni njerëzit. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të bëni bashkëbisedime kuptimplota dhe të kuptoni nevojat dhe këndvështrimin e një personi.
-
Cili ndieni se është qëllimi i jetës?
-
Çfarë ju sjell lumturi?
-
Për cilat sfida keni nevojë që t’ju ndihmojë Perëndia?
-
Çfarë keni fituar ju nga sfidat me të cilat jeni përballur?
-
Çfarë dini rreth Jezu Krishtit? Si ka ndikuar në jetën tuaj jeta dhe misioni i Tij?
Ftesat që Mund të Bëni
-
A do t’i kërkoni Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të dini se ajo që ju kemi mësuar, është e vërtetë? (Shihni tek “Ide për Mësimdhënie: Lutja” në pjesën e fundit të mësimit 1.)
-
A do ta frekuentoni kishën me ne këtë të diel për të mësuar më shumë rreth asaj që kemi dhënë mësim?
-
A do ta lexoni Librin e Mormonit dhe të luteni për të ditur që ai është fjala e Perëndisë? (Ju mund të sugjeroni kapituj ose vargje të caktuara.)
-
A do ta ndiqni shembullin e Jezusit dhe të pagëzoheni? (Shihni te “Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar”, e cila gjendet pikërisht përpara mësimit 1.)
-
A mund të lëmë një orar për vizitën tonë të radhës?
Themeli Doktrinor
Kjo pjesë siguron doktrinën dhe shkrime të shenjta që ju t’i studioni për të forcuar njohurinë dhe dëshminë tuaj për ungjillin dhe për t’ju ndihmuar të jepni mësim.
Jeta Para Lindjes: Qëllimi dhe Plani i Perëndisë për Ne
Ne Jemi të Gjithë Fëmijë të Perëndisë dhe Ne Jetuam me Të përpara Lindjes Sonë
Perëndia është Ati i shpirtrave tanë. Ne jemi mirëfilli fëmijët e Tij, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Secili prej nesh ka një natyrë hyjnore ngaqë secili është një fëmijë i Perëndisë. Kjo njohuri mund të na ndihmojë gjatë kohëve të vështira dhe mund të na frymëzojë të bëhemi vetja jonë më e mirë.
Ne jetuam me Perëndinë si fëmijë shpirtërorë të Tij përpara se të lindeshim në tokë. Ne jemi pjesëtarë të familjes së Tij.
“Ka një identitet të rëndësishëm që të gjithë e kemi të përbashkët tani e përgjithmonë, një identitet të cilin nuk duhet ta humbim kurrë nga sytë dhe një identitet për të cilin duhet të jemi mirënjohës. Kjo është ajo që jeni dhe keni qenë gjithmonë një bir ose bijë e Perëndisë me rrënjë shpirtërore në përjetësi.
… Ta kuptosh këtë të vërtetë, ta kuptosh dhe ta pranosh me të vërtetë atë, është jetëndryshuese. Ju jep një identitet të jashtëzakonshëm që askush nuk mund t’ua heqë. Por për më tepër, duhet t’ju japë një ndjesi të jashtëzakonshme vlere dhe një ndjesi vlere të pafundme. Më së fundi, ai ju jep një qëllim hyjnor, fisnik dhe të denjë në jetë” (M. Russell Ballard, “Children of Heavenly Father” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 3 mars 2020], f. 2, speeches.byu.edu).
Ne Zgjodhëm të Vinim në Tokë
Ati Ynë Qiellor na do dhe dëshiron që të bëhemi si Ai. Ai është një qenie e ekzaltuar me një trup të përlëvduar fizik.
Në jetën tonë para lindjes, ne mësuam se Perëndia ka një plan për ne që të bëhemi si Ai. Një pjesë e planit të Tij ishte që do të largoheshim nga shtëpia jonë qiellore dhe do të vinim në tokë për të marrë trupa fizikë. Ne gjithashtu kishim nevojë të merrnim përvojë dhe të zhvillonim besim gjatë një kohe larg nga prania e Perëndisë. Ne nuk do ta mbanim mend pjesën e të jetuarit me Perëndinë. Sidoqoftë, Ai do të siguronte atë që na nevojitej në mënyrë që të mund të ktheheshim për të jetuar me Të.
Liria e zgjedhjes, ose liria dhe aftësia për të zgjedhur, është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për ne. Në jetën tonë para lindjes, secili prej nesh zgjodhi të ndiqte planin e Perëndisë dhe të vinte në tokë në mënyrë që ne të mund të hedhim hapin e radhës drejt përparimit tonë të përjetshëm. Ne e kuptuam që ndërkohë që do të ishim këtu, do të kishim shumë mundësi të reja për t’u rritur dhe për të përjetuar gëzim. Ne gjithashtu e kuptuam se do të përballeshim me kundërshtim. Do të përjetonim tundim, sprova, hidhërim dhe vdekje.
Kur zgjodhëm të vinim në tokë, mirëbesuam te dashuria dhe ndihma e Perëndisë. Ne mirëbesuam te plani i Tij për shpëtimin tonë.
Ati Qiellor Zgjodhi Jezu Krishtin për të na Shëlbuar
Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Përpara ardhjes në tokë, ne e dinim se nuk mund të ktheheshim në praninë e Perëndisë të vetëm. Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin, Birin e Tij të parëlindur, që të na e bëjë të mundur të kthehemi tek Ai dhe të kemi jetë të përjetshme.
Jezusi pranoi me gatishmëri. Ai ra dakord të vinte në tokë dhe të na shëlbonte nëpërmjet flijimit të Tij shlyes. Shlyerja dhe Ringjallja e Tij do të mundësonte që qëllimet e Perëndisë për ne të përmbusheshin.
Krijimi
Plani i Atit Qiellor siguroi krijimin e tokës, ku fëmijët e Tij shpirtërorë do të merrnin trupa fizikë dhe do të merrnin përvojë. Jeta jonë në tokë është e domosdoshme që ne të përparojmë dhe të bëhemi si Perëndia.
Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën dhe të gjitha gjërat e gjalla. Ati Qiellor më tej i krijoi burrin dhe gruan sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij. Krijimi është një shprehje e dashurisë së Perëndisë dhe e dëshirës së Tij që ne të kemi mundësi të rritemi.
Rënia e Adamit dhe Evës
Para Rënies
Adami dhe Eva qenë fëmijët e parë shpirtërorë të Atit Qiellor që erdhën në tokë. Perëndia i krijoi trupat e tyre fizikë sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij dhe i vendosi në Kopshtin e Edenit. Në kopsht ata qenë të pafajshëm dhe Perëndia ua siguronte nevojat e tyre.
Ndërkohë që Adami dhe Eva ishin në kopsht, Perëndia i urdhëroi që të mos e hanin frutën e pemës të njohjes të së mirës dhe të së keqes. Po t’i bindeshin këtij urdhërimi, ata mund të qëndronin në kopsht. Sidoqoftë, ata nuk do të kishin qenë në gjendje të përparonin duke mësuar nga kundërshtimi dhe sfidat e vdekshmërisë. Ata nuk do të ishin në gjendje ta njihnin gëzimin sepse nuk mund të përjetonin hidhërim e dhembje.
Satani i tundoi Adamin dhe Evën që ta hanin frutën e ndaluar dhe ata zgjodhën ta bënin këtë gjë. Për shkak të kësaj zgjedhjeje, ata u dëbuan nga kopshti dhe u ndanë nga prania e Perëndisë. Kjo ngjarje quhet Rënie.
Pas Rënies
Pas Rënies, Adami dhe Eva u bënë të vdekshëm. Duke mos qenë më në gjendje pafajësie, ata e kuptonin dhe e përjetonin edhe të mirën, edhe të keqen. Ata mund ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të zgjedhur mes tyre. Për shkak se Adami dhe Eva u përballën me kundërshtim dhe sfida, ata qenë në gjendje të mësonin dhe të përparonin. Për shkak se përjetuan hidhërim, ata mund të përjetonin edhe gëzim. (Shihni te 2 Nefi 2:22–25.)
Pavarësisht nga mundimet e tyre, Adami dhe Eva ndien se të qenit të vdekshëm ishte një bekim i madh. Një bekim ishte që ata mund të kishin fëmijë. Kjo siguroi mënyrën në të cilën fëmijët e tjerë shpirtërorë të Perëndisë mund të vinin në tokë dhe të merrnin trupa fizikë.
Në lidhje me bekimet nga Rënia, edhe Adami, edhe Eva u gëzuan. Eva tha: “Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur [fëmijë] dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve” (Moisiu 5:11; shihni edhe vargun 10).
Jeta Jonë në Tokë
Shumë njerëz vrasin mendjen: “Përse jam këtu në tokë?” Jeta jonë në tokë është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për përparimin tonë të përjetshëm. Qëllimi ynë përfundimtar është të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit. Të përvijuara më poshtë janë disa nga mënyrat se si jeta në tokë na përgatit për këtë.
Të Marrim një Trup Fizik
Një qëllim i ardhjes në tokë është të marrim një trup fizik ku mund të banojë shpirti ynë. Trupat tanë janë të shenjtë, krijime të mrekullueshme të Perëndisë. Me trupat fizikë, ne mund të bëjmë, të mësojmë dhe të përjetojmë shumë gjëra që shpirtrat tanë nuk mund t’i bënin. Ne mund të përparojmë në mënyra që nuk mund të përparonim si shpirtra.
Për shkak se trupat tanë janë të vdekshëm, ne përjetojmë dhembje, sëmundje dhe sprova të tjera. Këto përvoja mund të na ndihmojnë të mësojmë durimin, dhembshurinë dhe cilësi të tjera hyjnore. Ato mund të jenë pjesë e shtegut tonë drejt gëzimit. Zgjedhja e së drejtës kur është e vështirë ta bëjmë, është shpesh mënyra se si besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore bëhen pjesë të karakterit tonë.
Të Mësojmë ta Përdorim Lirinë e Zgjedhjes me Urtësi
Një qëllim tjetër i vdekshmërisë është të mësojmë ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes me urtësi, të zgjedhim atë që është e drejtë. Të mësuarit se si ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes me urtësi është thelbësore për t’u bërë si Perëndia.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na mësojnë se çfarë është e drejtë dhe na japin urdhërime për të na udhërrëfyer drejt lumturisë. Satani na tundon të gabojmë, duke dashur që ne të jemi aq të mjerë sa ai. Ne përballemi me kundërshtimin mes së mirës dhe së keqes, i cili është i domosdoshëm për të mësuar të përdorim lirinë tonë të zgjedhjes (shihni te 2 Nefi 2:11).
Ndërsa i bindemi Perëndisë, ne rritemi dhe marrim bekimet e premtuara prej Tij. Kur nuk bindemi, ne e largojmë veten prej Tij dhe marrim pasojat e mëkatit. Ndonëse nganjëherë duket ndryshe, mëkati përfundimisht çon në palumturi. Shpesh bekimet e bindjes – dhe rrjedhojat e mëkatit – nuk janë menjëherë të dallueshme ose të dukshme së jashtmi. Por ato janë të sigurta pasi Perëndia është i drejtë.
Madje edhe kur bëjmë më të mirën, ne të gjithë mëkatojmë dhe “priv[ohemi] nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Duke e ditur këtë, Ati Qiellor na siguroi një mënyrë që të pendohemi në mënyrë që të kthehemi tek Ai.
Pendimi sjell fuqinë e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, në jetën tonë (shihni te Helamani 5:11). Teksa pendohemi, ne pastrohemi nga mëkati nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë (shihni te 3 Nefi 27:16–20). Nëpërmjet pendimit, ne përjetojmë gëzim. Udha e kthimit për tek Ati Qiellor është e hapur për ne, sepse Ai është i mëshirshëm. (Shihni te “Pendimi” në mësimin 3.)
Të Mësojmë të Ecim me anë të Besimit
Një qëllim tjetër i kësaj jete është të marrim përvojë që mund të vijë vetëm nëpërmjet ndarjes nga Ati Qiellor. Për shkak se nuk e shohim Atë, kemi nevojë të mësojmë të ecim me anë të besimit (shihni te 2 Korintasve 5:6–7).
Perëndia nuk na la vetëm në këtë rrugëtim. Ai ka siguruar Frymën e Shenjtë për të na udhërrëfyer, për të na forcuar dhe për të na shenjtëruar. Ai ka siguruar edhe shkrimet e shenjta, profetët, lutjen dhe ungjillin e Jezu Krishtit.
Çdo pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri, gëzimet dhe hidhërimet, sukseset dhe pengesat, mund të na ndihmojnë të rritemi ndërsa përgatitemi për t’u kthyer te Perëndia.
Shlyerja e Jezu Krishtit
Për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, ne të gjithë i nënshtrohemi mëkatit dhe vdekjes. Ne nuk mund t’i kapërcejmë rrjedhojat e mëkatit dhe vdekjes vetëm. Në planin e Atit tonë Qiellor për shpëtimin, Ai siguroi një mënyrë për t’i kapërcyer rrjedhojat e Rënies në mënyrë që të mund të kthehemi tek Ai. Përpara se të krijohej bota, Ai zgjodhi Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.
Vetëm Jezu Krishti mund të na shëlbojë nga mëkati dhe vdekja. Ai është mirëfilli Biri i Perëndisë. Ai jetoi një jetë të pamëkatë, tërësisht i bindur ndaj Atit të Tij. Ai qe i përgatitur dhe i gatshëm të bënte vullnetin e Atit Qiellor.
Shlyerja e Shpëtimtarit përfshiu vuajtjen e Tij në Gjetseman, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij. Ai vuajti përtej aftësisë për ta kuptuar, aq shumë sa Atij i doli gjak nga çdo por (shihni te Doktrina e Besëlidhje 19:18).
Shlyerja e Jezu Krishtit është ngjarja më e lavdishme në gjithë historinë njerëzore. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Jezusi e bëri funksional planin e Atit. Ne do të ishim të pashpresë pa Shlyerjen e Jezu Krishtit për shkak se nuk mund ta shpëtojmë veten nga mëkati dhe vdekja (shihni tek Alma 22:12–15).
Flijimi i Shpëtimtarit tonë ishte një shprehje e lartë e dashurisë për Atin e Tij dhe për ne. “Gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia” e dashurisë së Krishtit e tejkalojnë kuptueshmërinë tonë (Efesianëve 3:18; shihni edhe vargun 19).
Jezu Krishti e Mposhti Vdekjen për të Gjithë
Kur Jezu Krishti vdiq në kryq, shpirti i Tij u nda nga trupi i Tij. Ditën e tretë, shpirti i Tij dhe trupi i Tij u ribashkuan, për të mos u ndarë më kurrë. Ai iu shfaq shumë njerëzve, duke iu treguar që Ai kishte një trup të pavdekshëm prej mishi e kockash. Ky ribashkim i shpirtit dhe i trupit quhet Ringjallje.
Si [qenie] të vdekshme, çdonjëri prej nesh do të vdesë. Sidoqoftë, për shkak se Jezusi ngadhënjeu mbi vdekjen, çdo person i lindur në tokë do të ringjallet. Ringjallja është një dhuratë hyjnore për të gjithë, që jepet nëpërmjet mëshirës dhe hirit shëlbues të Shpëtimtarit. Shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe secili prej nesh do të jetojë përgjithmonë një trup të përsosur, të ringjallur. Po të mos ishte për Jezu Krishtin, vdekja do t’i kishte dhënë fund çdo shprese për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor (shihni te 2 Nefi 9:8–12).
Jezusi na e Bën të Mundur që të Pastrohemi nga Mëkatet Tona
Për ta kuptuar shpresën që mund të marrim nëpërmjet Krishtit, nevojitet të kuptojmë ligjin e drejtësisë. Ky është ligji i pandryshueshëm që sjell pasoja për veprimet tona. Bindja ndaj Perëndisë sjell pasoja pozitive dhe mosbindja sjell pasoja negative. (Shihni tek Alma 42:14–18.) Kur mëkatojmë, ne bëhemi shpirtërisht të papastër dhe asgjë e papastër nuk mund të jetojë në praninë e Perëndisë (shihni te 3 Nefi 27:19).
Gjatë flijimit shlyes të Jezu Krishtit, Ai qëndroi në vendin tonë, vuajti dhe pagoi haraçin për mëkatet tona (shihni te 3 Nefi 27:16–20). Plani i Perëndisë i jep Jezu Krishtit fuqi për të bërë ndërmjetësim në emrin tonë, për të qëndruar mes nesh dhe drejtësisë (shihni te Mosia 15:9). Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, Ai mund të pretendojë të drejtat e Tij të mëshirës në emrin tonë teksa ushtrojmë besim deri në pendim (shihni te Moroni 7:27; Doktrina e Besëlidhje 45:3–5). “Kështu mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe [na] rrethon me krahët e sigurisë” (Alma 34:16).
Vetëm nëpërmjet dhuratës së Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe pendimit tonë mund të kthehemi për të jetuar me Perëndinë. Kur pendohemi, ne marrim falje dhe pastrohemi shpirtërisht. Ne çlirohemi nga barra e fajit për mëkatet tona. Shpirtrat tanë të plagosur shërohen. Ne mbushemi me gëzim (shihni tek Alma 36:24).
Ndonëse jemi të papërsosur dhe mund të mos ia dalim përsëri, ka më tepër hir, dashuri dhe mëshirë te Jezu Krishti sesa ka dështim, cen apo mëkat te ne. Perëndia është gjithnjë gati dhe i paduruar për të na përqafuar ndërsa kthehemi tek Ai dhe pendohemi (shihni te Lluka 15:11–32). Asgjë dhe askush “nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:39).
Jezusi Mori mbi Veten e Tij Dhembjet, Mundimet dhe Dobësitë Tona
Në flijimin e Tij shlyes, Jezu Krishti mori mbi Vete dhembjet, mundimet dhe dobësitë tona. Për shkak të kësaj, Ai e di “sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12; shihni edhe vargun 11). Ai fton: “Ejani tek unë” dhe ndërsa e bëjmë, Ai na jep çlodhje, shpresë, perspektivë dhe shërim (Mateu 11:28; shihni edhe vargjet 29–30).
Ndërsa mbështetemi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, Ai mund të na ndihmojë t’i durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Bota e Shpirtrave
Shumë njerëz pyesin veten: “Çfarë do të ndodhë pasi të vdes?” Plani i shpëtimit jep disa përgjigje të rëndësishme për këtë pyetje.
Vdekja është pjesë e “plani[t të] mëshirshëm” të Perëndisë për ne (2 Nefi 9:6). Në vend që të jetë fundi i ekzistencës sonë, vdekja është hapi i radhës drejt përparimit tonë të përjetshëm. Për t’u bërë si Perëndia, ne duhet të përjetojmë vdekjen dhe më vonë të marrim trupa të përsosur, të ringjallur.
Kur trupi ynë fizik vdes, shpirti ynë vazhdon të jetojë në botën e shpirtrave. Kjo është një gjendje e përkohshme e të mësuarit dhe përgatitjes përpara Ringjalljes dhe Gjykimit Përfundimtar. Njohuria jonë nga jeta në vdekshmëri mbetet me ne.
Në botën e shpirtrave, njerëzit që e pranuan dhe jetuan ungjillin e Jezu Krishtit, “pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë” (Alma 40:12). Fëmijët e vegjël merren gjithashtu në parajsë kur vdesin.
Shpirtrat në parajsë do të jenë në paqe dhe nuk do të kenë më telashe dhe hidhërime. Ata do ta vazhdojnë rritjen e tyre shpirtërore, duke bërë punën e Perëndisë dhe duke u dhënë shërbesë të tjerëve. Ata do t’ua mësojnë ungjillin atyre që nuk e morën atë gjatë jetës së tyre në vdekshmëri (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:32–37, 57–59).
Në botën e shpirtrave, njerëzit që nuk qenë në gjendje ta pranonin ungjillin në tokë, ose që zgjodhën të mos i zbatonin urdhërimet, do të përjetojnë disa kufizime (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:6–37; Alma 40:6–14). Sidoqoftë, ngaqë Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm, ata do të kenë një mundësi që t’iu mësohet ungjilli i Jezu Krishtit. Nëse e pranojnë dhe pendohen, ata do të shëlbohen nga mëkatet e tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:58; shihni edhe 138:31–35; 128:22). Ata do të mirëpriten në paqen e parajsës. Ata përfundimisht do të marrin një vend në mbretërinë e lavdisë në bazë të zgjedhjeve që bënë në vdekshmëri dhe në botën e shpirtrave.
Ne mbetemi në botën e shpirtrave derisa të ringjallemi.
Ringjallja, Shpëtimi dhe Ekzaltimi
Ringjallja
Plani i Perëndisë e bën të mundur që ne të rritemi dhe të marrim jetën e përjetshme. Pas kohës sonë në botën e shpirtrave, Ringjallja është hapi ynë i radhës në atë rritje.
Ringjallja është bashkimi i trupit dhe shpirtit tonë. Secili prej nesh do të ringjallet. Kjo bëhet e mundur me anë të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit. (Shihni tek Alma 11:42–44.)
Kur të ringjallemi, secili prej nesh do të ketë një trup të përsosur fizik, të çliruar nga dhembja dhe sëmundja. Ne do të jemi të pavdekshëm, të gjallë përgjithmonë.
Shpëtimi
Për shkak se të gjithë do të ringjallemi, ne të gjithë do të shpëtohemi, ose do të marrim shpëtim, nga vdekja fizike. Kjo dhuratë na jepet nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.
Ne gjithashtu mund të shpëtohemi, ose të marrim shpëtim, nga pasojat që ligji i drejtësisë kërkon për mëkatet tona. Kjo dhuratë bëhet gjithashtu e mundur nëpërmjet meritave dhe mëshirës së Jezu Krishtit ndërsa pendohemi. (Shihni tek Alma 42:13–15, 21–25.)
Ekzaltimi
Ekzaltimi, ose jeta e përjetshme, është gjendja më e lartë e lumturisë dhe e lavdisë në mbretërinë çelestiale. Ekzaltimi është një dhuratë e kushtëzuar. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ato kushte cilësuese përfshijnë besimin te Zoti, pendimin, pagëzimin, marrjen e Frymës së Shenjtë dhe qëndrimin besnik ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit” (“Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 9).
Ekzaltim do të thotë të jetojmë me Perëndinë përgjithmonë në familje të përjetshme. Ai është të njohim Perëndinë dhe Jezu Krishtin, të bëhemi si Ata dhe të përjetojmë jetën që Ata gëzojnë.
Gjykimi dhe Mbretëritë e Lavdisë
Shënim: Kur të jepni mësim për herë të parë rreth mbretërive të lavdisë, jepni mësim në një nivel të thjeshtë sipas nevojave dhe kuptueshmërisë së personit.
Kur të ringjallemi, Jezu Krishti do të jetë gjykatësi ynë i drejtë dhe i mëshirshëm. Me shumë pak përjashtime, secili prej nesh do të marrë një vend në mbretërinë e lavdisë. Ndonëse të gjithë ne do të ringjallemi, nuk do të marrim të njëjtën lavdi të përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:22–24, 29–34; 130:20–21; 132:5).
Individëve që nuk patën mundësi t’i kuptonin dhe t’iu bindeshin plotësisht ligjeve të Perëndisë gjatë jetës në vdekshmëri, do t’u jepet ajo mundësi në botën e shpirtrave. Jezusi do ta gjykojë çdo person sipas besimit, veprave, dëshirave dhe pendimit të tij ose të saj në vdekshmëri dhe në botën e shpirtrave (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:32–34, 57–59).
Shkrimet e shenjta japin mësim për mbretëritë e lavdisë, atë çelestiale, terrestriale dhe telestiale. Secila prej tyre është një shpërfaqje e dashurisë, drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë.
Ata që ushtrojnë besim te Krishti, pendohen për mëkatet e tyre, marrin ordinancat e ungjillit, mbajnë besëlidhjet e tyre, marrin Frymën e Shenjtë dhe durojnë deri në fund, do të shpëtohen në mbretërinë çelestiale. Kjo mbretëri do të përfshijë edhe njerëz që nuk patën mundësi ta pranonin ungjillin gjatë jetës së tyre në vdekshmëri, por “do ta kishin pranuar atë me gjithë zemër” dhe e bënë këtë në botën e shpirtrave (Doktrina e Besëlidhje 137:8; shihni edhe vargun 7). Fëmijët që vdiqën përpara moshës së përgjegjshmërisë (tetë vjeç), do të shpëtohen gjithashtu në mbretërinë çelestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 137:10).
Në shkrimet e shenjta, mbretëria çelestiale krahasohet me lavdinë ose shkëlqimin e diellit. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70.)
Njerëzit që bënë jetë të ndershme, “të cilët nuk morën dëshmi për Jezusin në mish, por më pas e morën atë”, do të marrin një vend në mbretërinë terrestriale (Doktrina e Besëlidhje 76:74). E njëjta gjë është e vërtetë për ata që nuk qenë të guximshëm në dëshminë e tyre për Jezusin. Kjo mbretëri krahasohet me lavdinë e hënës. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:71–80.)
Ata që vazhduan në mëkatet e tyre dhe nuk u penduan në këtë jetë ose nuk e pranuan ungjillin e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave, do të marrin shpërblimin e tyre në mbretërinë telestiale. Kjo mbretëri krahasohet me lavdinë e yjeve. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:81–86.)
Përvijim i Shkurtër deri Mesatar për Mësimin
Përvijimi vijues është një model për atë që mund t’i mësoni dikujt nëse keni vetëm një sasi të shkurtër kohe. Kur ta përdorni këtë përvijim, përzgjidhni një ose më shumë parime për t’i dhënë mësim. Themeli doktrinor për secilin parim jepet më herët në mësim.
Ndërsa jepni mësim, bëni pyetje dhe mbani vesh. Bëni ftesa që do t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë se si të vijnë më pranë Perëndisë. Një ftesë e rëndësishme është që personi të takohet me ju sërish. Kohëzgjatja e mësimit do të varet nga pyetjet që bëni dhe mbajtja vesh nga ana juaj.
Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 3–10 Minutave
-
Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Ne jemi pjesëtarë të familjes së Tij. Ai e njeh dhe e do çdonjërin prej nesh.
-
Perëndia ka siguruar një plan për lumturinë dhe përparimin tonë në këtë jetë dhe në përjetësi.
-
Në planin e Perëndisë, ne kishim nevojë të vinim në tokë për të marrë trupa fizikë, për të mësuar dhe për t’u rritur.
-
Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Ai e bën të mundur që ne të kemi jetë të përjetshme.
-
Nën drejtimin e Perëndisë, Jezusi krijoi tokën.
-
Përvojat tona në tokë kanë për qëllim të na ndihmojnë të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.
-
Secili prej nesh mëkaton dhe secili prej nesh do të vdesë. Për shkak se Perëndia na do, Ai dërgoi në tokë Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.
-
Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
-
Kur trupi ynë fizik vdes, shpirti vazhdon të jetojë. Përfundimisht ne të gjithë do të ringjallemi. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe të gjithë ne do të jetojmë përgjithmonë në një trup të përsosur, të ringjallur.
-
Kur të ringjallemi, Jezu Krishti do të jetë gjykatësi ynë. Me shumë pak përjashtime, të gjithë fëmijët e Perëndisë do të marrin një vend në një mbretëri lavdie. Ne mund të kthehemi të jetojmë në praninë e Perëndisë nëse jemi besnikë.