Thirrjet në Mision
Kapitulli 3: Mësimi 1 – Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit


“Kapitulli 3: Mësimi 1 – Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 3: Mësimi 1”, Predikoni Ungjillin Tim

Kapitulli 3: Mësimi 1

Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit

Pamja
Vegimi i Parë

Njerëzit Mund të Pyesin Veten

  • A ekziston Perëndia?

  • Si mund të ndihem më pranë Perëndisë?

  • Si mund ta mësoj të vërtetën në botën pështjelluese të sotme?

  • Si mund të më ndihmojë feja?

  • Pse ka kaq shumë kisha?

  • Pse kam kaq shumë sfida?

  • Si mund të gjej paqe në kohë trazirash?

  • Si mund të jem më i lumtur?

  • Si mund ta ndihmojë një profet botën sot?

Nga fillimi i botës, Perëndia ua ka zbuluar ungjillin fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve të Tij. Ai e ka bërë këtë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit. Në lashtësi, Jezusi ua zbuloi ungjillin profetëve të tillë si Adami, Noeu, Abrahami dhe Moisiu. Por shumë njerëz e refuzuan atë.

Dy mijë vjet më parë, Vetë Jezu Krishti e dha mësim ungjillin e Tij dhe themeloi Kishën e Tij. Njerëzit e refuzuan edhe Jezusin. Shpejt pas vdekjes së Tij, pati një largim të përhapur gjerësisht nga e vërteta dhe Kisha e Zotit. Plotësia e ungjillit dhe autoriteti i priftërisë nuk qenë më në tokë.

Shekuj më vonë, Perëndia thirri një profet tjetër, Jozef Smithin. Perëndia rivendosi plotësinë e ungjillit nëpërmjet tij dhe e autorizoi të organizonte Kishën e Jezu Krishtit përsëri.

Pasja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit në tokë është një nga bekimet e mëdha të kohës sonë. Ungjilli na ndihmon t’u përgjigjemi pyetjeve më hulumtuese të jetës. Profetët e gjallë na udhërrëfejnë përgjatë kohëve sfiduese. Autoriteti i priftërisë së Perëndisë është edhe një herë në tokë për t’i bekuar fëmijët e Tij.

Pamja
misionare duke i dhënë mësim një familjeje

Sugjerime për Mësimdhënien

Kjo pjesë siguron një shembull përvijimi për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim. Ajo përfshin edhe shembuj pyetjesh dhe ftesash që mund t’i përdorni.

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh me lutje situatën dhe nevojat shpirtërore të çdo personi. Vendosni se çfarë do të jetë më e dobishme që të jepni mësim. Përgatituni të përkufizoni terma që njerëzit mund të mos i kuptojnë. Planifikoni sipas sasisë së kohës që keni, duke mbajtur mend që mësimet të jenë të shkurtra.

Përzgjidhni shkrimet e shenjta që do t’i përdorni ndërsa jepni mësim. Pjesa “Themeli Doktrinor” e mësimit përfshin shumë shkrime të shenjta të dobishme.

Merreni parasysh se cilat pyetje të bëni ndërsa jepni mësim. Planifikoni ftesa për t’i bërë që do ta nxitin çdo person të veprojë.

Theksojini bekimet e premtuara nga Perëndia dhe jepni dëshminë tuaj për atë që jepni mësim.

Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 15–25 Minutash

Përzgjidhni një ose më shumë nga parimet vijuese që t’i jepni mësim. Themeli doktrinor për çdo parim jepet pas këtij përvijimi.

Perëndia Është Ati Ynë i Dashur Qiellor

  • Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij. Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij.

  • Perëndia na njeh ne personalisht dhe na do.

  • Ai ka një trup të përlëvduar dhe të përsosur prej mishi e kockash.

  • Perëndia do të na bekojë me paqe dhe një plotësi të gëzimit që do të zgjatë në përjetësi.

  • Për shkak se Perëndia na do, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.

Perëndia e Zbulon Ungjillin nëpërmjet Profetëve në Çdo Periudhë Ungjillore

  • Perëndia thërret profetë që të jenë përfaqësuesit e Tij në tokë.

  • Në lashtësi, Perëndia thirri profetë të tillë si Adami, Noeu, Abrahami dhe Moisiu.

  • Një profet i gjallë merr zbulesë nga Perëndia për të na dhënë mësim dhe për të na udhëhequr sot.

Shërbesa Tokësore dhe Shlyerja e Jezu Krishtit

  • Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

  • Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi e dha mësim ungjillin e Tij dhe themeloi Kishën e Tij.

  • Jezusi thirri dymbëdhjetë Apostuj dhe u dha autoritetin e priftërisë për ta udhëhequr Kishën e Tij.

  • Në fund të jetës së Tij, Jezusi shleu për mëkatet tona duke vuajtur në Kopshtin e Gjetsemanit dhe gjatë Kryqëzimit. Pas vdekjes së Jezusit, Ai u ringjall.

  • Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të falemi e të pastrohemi nga mëkatet tona kur pendohemi. Kjo na sjell paqe dhe bën të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit.

  • Për shkak të Ringjalljes së Jezusit, ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo njeriu do të ribashkohen dhe jetojnë përgjithmonë.

Largimi nga Ungjilli

  • Pasi Apostujt e Jezusit vdiqën, pati një largim të përhapur gjerësisht nga ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit.

  • Gjatë kësaj kohe, njerëzit i ndryshuan shumë mësime të ungjillit. Njerëzit i ndryshuan edhe ordinancat e priftërisë, të tilla si pagëzimi. Autoriteti i priftërisë dhe Kisha që Jezusi kishte themeluar, nuk qenë më në tokë.

Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet Jozef Smithit

  • Jozef Smithi kërkonte të dinte se cila kishë ishte Kisha e vërtetë e Perëndisë në mënyrë që t’i bashkohej asaj. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij në vitin 1820. Kjo ngjarje quhet Vegimi i Parë.

  • Perëndia e thirri Jozef Smithin që të ishte profet, ashtu sikurse kishte thirrur profetë në kohë më të hershme.

  • Ungjilli i Jezu Krishtit u rivendos nëpërmjet Jozef Smithit.

  • Lajmëtarë të tjerë qiellorë rivendosën priftërinë dhe Jozefi u autorizua të organizonte Kishën e Jezu Krishtit.

  • Jezu Krishti vazhdon ta udhëheqë Kishën e Tij sot nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë.

Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

  • Libri i Mormonit është një vëllim shkrimesh të shenjta i shkruar në kohët e lashta nga profetë në kontinentin amerikan. Jozef Smithi e përktheu atë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

  • Me Biblën, Libri i Mormonit jep një dëshmi për shërbesën, mësimet dhe misionin e Jezusit si Shpëtimtari ynë.

  • Ne mund t’i shkojmë më afër Perëndisë duke lexuar Librin e Mormonit dhe duke iu bindur parimeve të tij.

  • Ne mund ta dimë se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë duke e lexuar, duke e përsiatur dhe duke u lutur rreth tij. Ky proces do të na ndihmojë gjithashtu të arrijmë të dimë se Jozef Smithi ishte një profet.

Lutuni që ta Dini të Vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë

  • Lutja është një komunikim i ndërsjellë mes Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.

  • Nëpërmjet lutjes së sinqertë, ne mund të dimë se mesazhi i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit është i vërtetë.

  • Teksa lutemi, Fryma e Shenjtë na e mëson dhe na e pohon të vërtetën.

Pamja
misionarë duke u dhënë mësim të rinjve

Pyetjet që Mund t’u Bëni Njerëzve

Pyetjet vijuese janë shembuj se çfarë mund t’i pyetni njerëzit. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të bëni bashkëbisedime kuptimplota dhe të kuptoni nevojat dhe këndvështrimin e një personi.

  • Çfarë besoni rreth Perëndisë?

  • Si do t’ju ndihmonte të ndierit më pranë Perëndisë?

  • Çfarë dini rreth Jezu Krishtit? Si ka ndikuar te ju jeta dhe mësimet e Tij?

  • Si gjeni përgjigje të besueshme në botën e sotme pështjelluese?

  • Si do t’ju ndihmonte të dinit se ka një profet të gjallë në tokë sot?

  • A keni dëgjuar për Librin e Mormonit? A mund të tregojmë ne pse është i rëndësishëm ai?

  • A do të na i tregoni bindjet tuaja për lutjen? A mund t’jua tregojmë bindjet tona për lutjen?

Ftesat që Mund të Bëni

  • A do t’i kërkoni Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të dini se ajo që ju kemi mësuar, është e vërtetë? (Shihni tek “Ide për Mësimdhënie: Lutja” në pjesën e fundit të këtij mësimi.)

  • A do ta frekuentoni kishën këtë të diel për të mësuar më shumë rreth asaj që kemi dhënë mësim?

  • A do ta lexoni Librin e Mormonit dhe të luteni për të ditur që ai është fjala e Perëndisë? (Ju mund të sugjeroni kapituj ose vargje të caktuara.)

  • A do ta ndiqni shembullin e Jezusit dhe të pagëzoheni? (Shihni te “Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar”, e cila gjendet pikërisht përpara këtij mësimi.)

  • A mund të lëmë një orar për vizitën tonë të radhës?

Themeli Doktrinor

Kjo pjesë siguron doktrinën dhe shkrime të shenjta që ju t’i studioni për të forcuar njohurinë dhe dëshminë tuaj për ungjillin dhe për t’ju ndihmuar të jepni mësim.

Pamja
familje

Perëndia Është Ati Ynë i Dashur Qiellor

Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij. Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ai ka një trup të përlëvduar dhe të përsosur “prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu” (Doktrina e Besëlidhje 130:22.)

Perëndia na njeh personalisht dhe na do më tepër nga sa mund ta kuptojmë. Ai i kupton sprovat, hidhërimet dhe dobësitë tona dhe ofrohet të na përkrahë gjatë tyre. Ai gëzohet nga përparimi ynë dhe do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të drejta. Ai dëshiron të komunikojë me ne dhe ne mund të komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes.

Perëndia na e ka dhënë këtë përvojë në tokë në mënyrë që të mund të mësojmë, të rritemi dhe të bëhemi më shumë si Ai. Me dashuri të përsosur, Ai dëshiron që ne të kthehemi tek Ai pasi të vdesim. Sidoqoftë, ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm. Për shkak se Perëndia na do, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, të na shëlbojë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, … që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16–17).

Perëndia do të na bekojë me paqe dhe një plotësi të gëzimit që do të zgjatë në përjetësi. Ai ka siguruar një plan që na jep mundësinë t’i marrim këto bekime. Ky plan quhet plani i shpëtimit (shihni te mësimi 2).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Pamja
Moses and the Tablets [Moisiu dhe Pllakat], nga Jerry Harston

Perëndia e Zbulon Ungjillin nëpërmjet Profetëve në Çdo Periudhë Ungjillore

Profetët Janë Përfaqësuesit e Perëndisë në Tokë

Një mënyrë e rëndësishme se si Perëndia e tregon dashurinë e Tij për ne, është duke thirrur profetë, duke u dhënë atyre autoritetin e priftërisë dhe duke i frymëzuar të flasin për Të. Profetët Janë përfaqësuesit e Perëndisë në tokë. Profeti i Dhiatës së Vjetër, Amosi, shpalli se “Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7). Disa nga bekimet që marrim nga profetët e gjallë, përvijohen më poshtë.

Dëshmitarë të Jezu Krishtit. Profetët janë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit që dëshmojnë për Të si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Mësimet. Profetët marrin drejtim nga Perëndia për të na ndihmuar ta dallojmë të vërtetën nga e gabuara. Ata na mësojnë t’iu bindemi urdhërimeve të Perëndisë dhe të pendohemi kur nuk e bëjmë. Ata e dënojnë mëkatin dhe paralajmërojnë për pasojat e tij.

Mësimet e profetëve na ngrenë drejt Perëndisë dhe na ndihmojnë të marrim bekimet që Ai dëshiron për ne. Siguria jonë më e madhe gjendet te ndjekja e fjalës së Zotit që jepet nëpërmjet profetëve të Tij.

Autoriteti i Priftërisë. Profeti ynë i tanishëm është mbajtësi kryesues i priftërisë në tokë. Priftëria është autoriteti dhe fuqia e Perëndisë. Profeti ka autoritetin të flasë dhe veprojë në emrin e Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

Drejtimi për Kishën. Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi themelin e profetëve dhe apostujve (shihni tek Efesianëve 2:19–20; 4:11–14).

Profetët në Kohët e Lashta

Adami qe profeti i parë në tokë. Perëndia i zbuloi ungjillin e Jezu Krishtit dhe i dha autoritetin e priftërisë. Adami dhe Eva ua mësuan fëmijëve të tyre këto të vërteta dhe i nxitën ata të zhvillonin besimin dhe ta jetonin ungjillin.

Si përfundim pasardhësit e Adamit dhe Evës u rebeluan dhe i kthyen shpinën ungjillit. Kjo çoi drejt një gjendjeje të quajtur braktisje, ose largim nga ungjilli. Kur ndodh braktisja e përhapur gjerësisht, Perëndia e heq autoritetin e Tij të priftërisë, i cili është i domosdoshëm për t’i dhënë mësim dhe administruar ordinancat e ungjillit.

Dhiata e Vjetër shënon shumë raste të braktisjes së përhapur gjerësisht. Për t’iu dhënë fund këtyre periudhave, Perëndia i ndihmoi fëmijët e Tij duke thirrur një profet tjetër. Ai ua zbuloi të vërtetat e ungjillit nga e para këtyre profetëve dhe u dha atyre autoritetin e priftërisë. Disa nga këta profetë ishin Noeu, Abrahami dhe Moisiu. Trishtueshëm, sipas një modeli të përsëritur me kalimin e kohës, njerëzit i hodhën poshtë profetët dhe u larguan nga besimi.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Profet

Pamja
O My Father [O Ati Im], nga Simon Dewey

Shërbesa Tokësore dhe Shlyerja e Jezu Krishtit

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Jezusi dhe Shlyerja e Tij janë qendrorë në planin e Perëndisë për ne. Shlyerja e Tij përfshiu vuajtjen e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit, vuajtjen e Tij dhe vdekjen në kryq dhe Ringjalljen e Tij.

Nga koha e Adamit dhe Evës, njerëzit e prisnin me padurim ardhjen e Jezu Krishtit si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i tyre. Ati Qiellor e dërgoi Jezusin në tokë më shumë se 2 000 vjet më parë.

Jezusi bëri një jetë të përsosur, të pamëkatë. Ai dha mësim ungjillin e Tij dhe themeloi Kishën e Tij. Ai thirri Dymbëdhjetë Apostuj dhe iu dha autoritetin e priftërisë për të dhënë mësim dhe për të kryer ordinanca të shenjta, të tilla si pagëzimi. Ai u dha autoritet për ta udhëhequr Kishën e Tij.

Në fund të jetës së Tij, Jezusi shleu për mëkatet tona nëpërmjet vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe gjatë Kryqëzimit të Tij. Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të pastrohemi nga mëkatet tona kur pendohemi. Kjo bën të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit.

Pasi Jezusi u kryqëzua, Ai u ringjall, duke korrur fitore mbi vdekjen me anë të fuqisë së Atit Qiellor. Për shkak të Ringjalljes së Jezusit, të gjithë ne do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe të gjithë ne do të jetojmë përgjithmonë në një trup të përsosur, të ringjallur. (Shihni pjesën “Shlyerja e Jezu Krishtit” në mësimin 2.)

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, [2009], f. 52).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Largimi nga Ungjilli

Pas vdekjes së Jezu Krishtit, Apostujt e Tij synuan ta mbanin doktrinën e Krishtit të pastër dhe të mbanin rregull në Kishë. Sidoqoftë, shumë anëtarë të Kishës u kthyen shpinën Apostujve dhe doktrinës që kishte dhënë mësim Jezusi.

Pasi Apostujt u vranë, pati një largim të përhapur gjerësisht nga ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit. Ky largim nga ungjilli nganjëherë quhet Braktisja e Madhe. Për shkak të saj, Perëndia e hoqi autoritetin e priftërisë nga toka. Kjo humbje përfshiu autoritetin që nevojitej për të drejtuar Kishën. Si rrjedhojë, Kisha që Jezusi kishte themeluar, nuk qe më në tokë.

Gjatë kësaj kohe, njerëzit i ndryshuan shumë mësime të ungjillit. Shumë nga njohuria rreth natyrës së vërtetë të Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë, u shtrembërua ose humbi. Njerëzit i ndryshuan edhe ordinancat e priftërisë, të tilla si pagëzimi.

Shekuj më vonë, burrat dhe gratë që kërkonin të vërtetën, u përpoqën t’i reformonin mësimet dhe praktikat që kishin ndryshuar. Ata kërkuan dritë më të madhe shpirtërore dhe disa prej tyre folën mbi nevojën për një rivendosje të së vërtetës. Përpjekjet e tyre çuan drejt organizimit të shumë kishave.

Kjo periudhë kohore rezultoi në një theks më të madh te liria fetare, e cila hapi udhën për rivendosjen e së vërtetës dhe të autoritetit nga Perëndia.

Profetët dhe apostujt e kishin parashikuar largimin nga ungjilli (shihni te 2 Thesalonikasve 2:1–3). Ata kishin parashikuar edhe që ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit do të rivendoseshin në tokë (shihni Veprat e Apostujve 3:20–21). Po të mos kishte pasur një largim nga ungjilli, nuk do të kishte qenë nevoja për një rivendosje.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Braktisje

Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet Jozef Smithit

Vegimi i Parë dhe Thirrja e Jozef Smithit si Profet

Gjatë shekujve kur plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit nuk ishte në tokë, Ati Qiellor vazhdoi t’iu vinte në ndihmë fëmijëve të Tij. Me kalimin e kohës, Ai përgatiti udhën në mënyrë që mund të bekoheshin sërish me plotësinë e ungjillit të Tij. Kur rrethanat qenë të duhurat, Ai thirri Jozef Smithin si profet nëpërmjet të cilit ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit do të rivendosej.

Jozef Smithi jetoi në lindje të Shteteve të Bashkuara në një kohë entuziazmi të madh fetar. Pjesëtarët e familjes së tij i përkushtoheshin Perëndisë dhe kërkonin të vërtetën. Shumë kisha pretendonin se kishin të vërtetën dhe Jozefi dëshironte të dinte se cila ishte e duhura (shihni te Joseph Smith – Historia 1:18). Bibla na mëson se “është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm” (Efesianëve 4:5). Ndërsa Jozefi frekuentonte kisha të ndryshme, ai qe i pështjelluar rreth faktit se cilës t’i bashkohej. Më vonë ai tha:

“Por kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja midis [sekteve fetare] të ndryshme, sa ishte e pamundur për një njeri, të ri si unë … të arrija në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim. …

Në mes të kësaj lufte fjalësh dhe pështjellimi opinionesh, unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?” (Joseph Smith – Historia 1:8, 10.)

Si shumë njerëz, Jozef Smithi gjithashtu kishte pyetje rreth shpëtimit të shpirtit të tij. Ai dëshironte që t’i faleshin mëkatet dhe të ishte i pastër përpara Perëndisë. Ndërsa e kërkonte të vërtetën nëpër kisha të ndryshme, ai lexoi në Bibël: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakob [Bibël] 1:5).

Për shkak të këtij fragmenti, Jozefi vendosi të pyeste Perëndinë se çfarë duhej të bënte. Në pranverën e 1820-ës, Jozefi shkoi te një korije pemësh pranë shtëpisë së tij dhe u gjunjëzua në lutje. Ka katër rrëfime për vegimin që pasoi, të dokumentuara nga Jozef Smithi ose nga shkrues nën drejtimin e tij (shihni tek Ese mbi Temat e Ungjillit “Rrëfimet për Vegimin e Parë”). Në rrëfimin e standardizuar si shkrim i shenjtë, ai e përshkroi përvojën e tij si në vijim:

Pamja
The First Vision [Vegimi i Parë], nga Linda Christensen dhe Michael Malm

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. … Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)

Në këtë vegim, Perëndia Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit. Shpëtimtari i tha atij të mos bashkohej me asnjë nga kishat.

Në një rrëfim për këtë vegim, Jozefi tregoi se Shpëtimtari i tha atij gjithashtu: “Mëkatet e tua të janë falur. … Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme.”

Pas vegimit, Jozefi reflektoi: “Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh dhe Zoti ishte me mua” (Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, josephsmithpapers.org; germëzimi dhe pikësimi të modernizuara).

Nëpërmjet këtij vegimi, Jozef Smithi u bë një dëshmitar i Jezu Krishtit dhe mësoi të vërteta të rëndësishme rreth Kreut-Perëndi. Për shembull, ai mësoi se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë qenie të veçuara. Kur Ata e thirrën atë me emër, ai mësoi se Ata e njihnin atë personalisht. Kur Jozefit iu tha se qe falur, ai mësoi se Perëndia ishte i mëshirshëm. Kjo përvojë e mbushi me gëzim.

Siç Perëndia ka bërë me shumë profetë të mëparshëm, Ai e thirri Jozef Smithin që të ishte profet nëpërmjet të cilit plotësia e ungjillit do të rivendosej në tokë. Kjo rivendosje do t’i ndihmonte fëmijët e Perëndisë të gjejnë gëzim në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë – të gjitha nëpërmjet Jezu Krishtit.

Rivendosja e Priftërisë dhe e Çelësave të Priftërisë

Pamja
Upon You My Fellow Servants [Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi] nga Linda Curley Christensen dhe Michael Malm

Pas shfaqjes së Atit dhe Birit, lajmëtarë të tjerë qiellorë u dërguan te Jozef Smithi dhe bashkëpunëtori i tij, Oliver Kaudëri. Gjon Pagëzori u shfaq si një qenie e ringjallur dhe u dha atyre Priftërinë Aarone dhe çelësat e saj. Priftëria Aarone përfshin autoritetin për të pagëzuar.

Pamja
The Voice of Peter, James, and John [Zëri i Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit], nga Welden C. Andersen

Shpejt paskëtaj, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, tre nga Apostujt e parë të Krishtit, u shfaqën si qenie të ringjallura dhe u dhanë Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat e saj Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Kjo priftëri është i njëjti autoritet që Krishti u dha Apostujve të Tij në lashtësi.

Pamja
Image of Moses Elias and Elijah descending into the Kirtland temple and appearing to Joseph Smith.

Në tempullin e Kirtlandit, Moisiu, Eliasi dhe Elija iu shfaqën Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit dhe iu dhanë autoritetin e mëtejshëm dhe çelësat e priftërisë të domosdoshëm për të përmbushur punën e Perëndisë në ditët e mëvonshme. Moisiu dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit. Eliasi dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit. Elija dorëzoi çelësat e fuqisë vulosëse. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16; shihni edhe te Manuali i Përgjithshëm, 3.1.)

Organizimi i Kishës

Jozef Smithin e drejtuan të organizonte Kishën e Jezu Krishtit përsëri në tokë. Nëpërmjet tij, Jezu Krishti thirri dymbëdhjetë Apostuj.

Profetët në kohët biblike iu referuan kohës në të cilën jetojmë, si ditët e fundit ose ditët e mëvonshme. Është koha pak para Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Kjo është arsyeja pse Kisha ka emrin Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 115:3–4; shihni edhe te 3 Nefi 27:3–8).

Profetët dhe Apostujt e Gjallë Sot

Ashtu sikurse Jezusi thirri Apostuj gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri për të udhëhequr Kishën e Tij, Ai ka thirrur Apostuj për ta udhëhequr atë sot. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë profetë, shikues dhe zbulues.

Vetëm Apostulli më i vjetër në detyrë quhet profet sepse ai kryeson mbi të gjithë Kishën dhe ka autoritet të pashoq për të folur për Zotin. Ai është pasuesi i autorizuar i Jozef Smithit. Autoriteti i tij dhe i Apostujve të tanishëm i ka gjurmët te Jezu Krishti në një zinxhir të pashkëputur shugurimesh që filloi kur Jozef Smithin e shuguruan duart e lajmëtarëve qiellorë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

Libri i Mormonit është një vëllim i lashtë shkrimesh të shenjta si Bibla. Bibla është një dëshmi e Jezu Krishtit dhe Libri i Mormonit është një dëshmi e dytë e shërbesës së Tij, mësimeve të Tij dhe e misionit të Tij si Shpëtimtari ynë.

Jozef Smithin e drejtoi një lajmëtar qiellor, i quajtur Moroni, te një kodër ku një dokument i lashtë qe varrosur prej shekujsh. Ky anal, i skalitur mbi fletë të arta (fletë të holla metali), përmbante shkrimet e profetëve rreth marrëdhënieve të Perëndisë me disa nga banorët e lashtë të kontinentit amerikan. Jozef Smithi e përktheu këtë anal me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Profetët në Librin e Mormonit ishin në dijeni për misionin e Jezu Krishtit dhe e dhanë mësim ungjillin e Tij. Pasi Jezusi u ringjall, Ai iu shfaq këtyre njerëzve dhe u dha shërbesë atyre personalisht. U dha mësim dhe themeloi Kishën e Tij.

Libri i Mormonit na ndihmon të afrohemi më shumë me Perëndinë ndërsa i mësojmë, i kuptojmë dhe i zbatojmë mësimet e tij. Profeti Jozef Smith tha se “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të [librit], se nga [cilido] libër tjetër” (Mësimet: Jozef Smith, f. 67).

Pamja
burrë duke lexuar

Për të ditur a është Libri i Mormonit fjala e Perëndisë, ne duhet ta lexojmë atë, ta përsiatim dhe të lutemi për të. Një profet i Librit të Mormonit premtoi se Perëndia do të na e zbulonte të vërtetën e librit ndërsa lutemi me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë dhe me besim te Krishti (shihni te Moroni 10:3–5). Studimi i Librit të Mormonit është thelbësor për një kthim afatgjatë në besim.

Ndërsa e lexojmë Librin e Mormonit dhe lutemi për të, do të mësojmë të vërteta rreth Jezu Krishtit që do të na e bekojnë jetën. Ne gjithashtu do të arrijmë ta dimë se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe se ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur nëpërmjet tij.

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Pamja
grua duke u lutur

Lutuni që ta Dini të Vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë

Për shkak se Perëndia është Ati ynë, Ai do të na ndihmojë ta dallojmë të vërtetën. Ne mund ta dimë se mesazhi i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit është i vërtetë teksa e lexojmë Librin e Mormonit dhe i lutemi Perëndisë. Kur lutemi me besim dhe qëllim të vërtetë, Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona dhe do ta udhërrëfejë jetën tonë.

Perëndia zakonisht u përgjigjet lutjeve tona nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Teksa lutemi, Fryma e Shenjtë na e mëson dhe pohon të vërtetën. Komunikimet nga Fryma e Shenjtë janë të fuqishme. Ato zakonisht vijnë si një siguri e qetë nëpërmjet ndjenjave, mendimeve dhe mbresave tona (shihni te 1 Mbretërve 19:11–12; Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 8:2).

Studimi i vazhdueshëm i shkrimeve të shenjta (veçanërisht i Librit të Mormonit), pjesëmarrja e përjavshme në mbledhjen e sakramentit dhe lutja e sinqertë na ndihmojnë ta ndiejmë fuqinë e Frymës së Shenjtë dhe të zbulojmë të vërtetën.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Lutje

Përvijim i Shkurtër deri Mesatar për Mësimin

Përvijimi vijues është një model për atë që mund t’i mësoni dikujt nëse keni vetëm një sasi të shkurtër kohe. Kur ta përdorni këtë përvijim, përzgjidhni një ose më shumë parime për t’i dhënë mësim. Themeli doktrinor për secilin parim jepet më herët në mësim.

Ndërsa jepni mësim, bëni pyetje dhe mbani vesh. Bëni ftesa që do t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë se si të vijnë më pranë Perëndisë. Një ftesë e rëndësishme është që personi të takohet me ju sërish. Kohëzgjatja e mësimit do të varet nga pyetjet që bëni dhe mbajtja vesh nga ana juaj.

Pamja
misionarë duke folur me një burrë

Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 3–10 Minutave

  • Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ai na njeh personalisht dhe na do. Ai do të na bekojë me paqe dhe një plotësi të gëzimit që do të zgjatë në përjetësi.

  • Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Misioni i Tij ishte të na e bënte të mundur që të pastroheshim nga mëkatet tona, ta mposhtnim vdekjen dhe të merrnim jetën e përjetshme.

  • Perëndia thërret profetë që të jenë përfaqësuesit e Tij në tokë. Në lashtësi, Ai thirri profetë të tillë si Adami, Noeu, Abrahami dhe Moisiu. Një profet i gjallë merr zbulesë nga Perëndia për të na dhënë mësim dhe për të na udhëhequr sot.

  • Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai themeloi Kishën e Tij. Pasi Apostujt e Jezusit vdiqën, pati një largim të përhapur gjerësisht nga ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit. Njerëzit i ndryshuan shumë mësime të ungjillit dhe ordinanca të priftërisë, të tilla si pagëzimi.

  • Perëndia e thirri Jozef Smithin që të ishte profet, ashtu sikurse kishte thirrur profetë në kohë më të hershme. Atij iu shfaqën Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ungjilli i Jezu Krishtit u rivendos nëpërmjet atij.

  • Libri i Mormonit është një vëllim shkrimesh të shenjta. Si Bibla, ai është një dëshmi e Jezu Krishtit dhe na ndihmon të afrohemi më shumë me Perëndinë teksa e lexojmë dhe i zbatojmë parimet e tij. Jozef Smithi e përktheu atë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

  • Nëpërmjet lutjes së sinqertë, ne mund të komunikojmë me Perëndinë. Ne mund ta dimë se mesazhi i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit është i vërtetë.

Shtyp në Letër