“Kapitulli 13: Bashkohuni me Udhëheqësit dhe Anëtarët për të Vendosur Kishën”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Kapitulli 13”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 13
Bashkohuni me Udhëheqësit dhe Anëtarët për të Vendosur Kishën
Misionarët punojnë me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë për të gjetur njerëz që t’iu japin mësim dhe për t’i udhëhequr ata drejt Shpëtimtarit. Ju bashkoheni nga dashuria për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Ai do t’i lartësojë përpjekjet tuaja në atë shkallë që ju të punoni në unitet me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë. Bëjeni të punuarit me ta një pjesë të rëndësishme të synimeve dhe planeve tuaja.
Teksa arrini t’i njihni dhe t’i doni udhëheqësit dhe anëtarët vendorë, do të shihni mënyra se si mund t’i përkrahni në thirrjet dhe përpjekjet e tyre misionare. Ofrojini dhuntitë dhe talentet tuaja në mënyra që i lartësojnë dhe i forcojnë ata.
Ky kapitull shpjegon se si mund të punoni me anëtarët për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet. Për më shumë informacion, shihni kapitullin 23 te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm].
Ndërtoni Marrëdhënie me Udhëheqësit dhe Anëtarët Vendorë
Udhëheqësit dhe anëtarët vendorë të Kishës janë partnerët tuaj në veprën e Perëndisë. Ndërtoni marrëdhënie që ju ndihmojnë të punoni së bashku për t’u sjellë ungjillin e rivendosur fëmijëve të Atit Qiellor. Këto marrëdhënie mund t’ju bekojnë për pjesën tjetër të jetës suaj.
Ndërtoni mirëbesim dhe miqësi të vërteta me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë. Vizitojini ata dhe mësoni rreth familjeve, prejardhjes, interesave dhe përvojës së tyre në Kishë. Jini vërtet të interesuar për jetën e tyre.
Kur u bëni vizitë, bëjeni këtë me një qëllim. Tregoni se jeni të angazhuar me zell në punën e gjetjes së njerëzve dhe të mësimdhënies. Respektojeni kohën dhe programin e tyre.
Kur takoheni ose e jepni mësim ungjillin në shtëpitë e tyre, përpiquni t’i ndihmoni që ta forcojnë besimin e tyre. Kërkoni plot lutje që ta keni Shpirtin me vete. Tregoni përvoja që keni me punën misionare në zonën tuaj.
Përkrahini Udhëheqësit Vendorë në Rolet e Tyre
Disa thirrje udhëheqëse kanë përgjegjësi për punën misionare. Të kuptuarit e këtyre përgjegjësive ju ndihmon që t’i përkrahni këta udhëheqës. Përshkrimet vijuese janë nga kapitulli 23 te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm].
Presidenti i kunjit: Mban çelësat e priftërisë në kunj për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ai dhe këshilltarët e tij japin drejtimin e përgjithshëm për këto përpjekje.
Peshkopata: Bashkërendon me presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës ndërsa ata udhëheqin përpjekjet e lagjes për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet.
Presidencat e Kuorumit të Pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës: Udhëheqin përpjekjet ditë pas dite të lagjes për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ata punojnë së bashku për t’i udhëhequr këto përpjekje me këshillin e lagjes, nën bashkërendimin e peshkopit. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 8.2.3 dhe 9.2.3.
Udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse është thirrur): Bashkërendon punën e anëtarëve dhe udhëheqësve të lagjes, misionarëve të lagjes dhe misionarëve kohëplotë. Nëse nuk është thirrur një udhëheqës i misionit të lagjes, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol. Shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.5.3.
Pyeteni veten tuaj rregullisht: “A jam një bekim për udhëheqësit vendorë?” Kultivoni një qëndrim të tillë: “Si mund të ndihmoj?”
Mbledhjet e Përjavshme të Bashkërendimit
Bashkërendimi me udhëheqësit vendorë, përfshirë udhëheqësit e të rinjve, është thelbësor për të qenë të bashkuar në përpjekjet tuaja misionare. Nëse thirret një udhëheqës misioni i lagjes, ai drejton mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit. Përndryshe, drejton anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol.
Në këto mbledhje të shkurtra jozyrtare, ju dhe udhëheqësit vendorë bashkërendoni përpjekjet për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe që kthehen në aktivitet (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.4). Mbledhjet mund të zhvillohen me prani fizike ose në largësi. Bashkërendimi duhet të ndodhë edhe në mënyra të tjera gjatë gjithë javës, përfshirë telefonatat, mesazhet me celular dhe me postë elektronike.
“Një përpjekje dhe përqendrim i bashkuar, ku planifikimi misionar dhe vendosja e synimeve përputhen me planifikimin dhe përcaktimin e synimeve të lagjes ose degës, mund të jenë shumë të dobishme për përmbushjen e veprës së mbledhjes së Izraelit” (Quentin L. Cook, “Purpose and Planning”, seminar për udhëheqjen e misionit, 25 qershor 2019).
Përgatituni për Mbledhjet e Përjavshme të Bashkërendimit
Përkrahini udhëheqësit e lagjeve duke ardhur të përgatitur për të marrë pjesë në mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit. Përpara mbledhjes, gjeni kohë gjatë studimit si dyshe misionare për të diskutuar se si mund të merrni pjesë në mënyrë të efektshme.
Mbajini të dhënat tuaja të përditësuara në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] në mënyrë që udhëheqësit të kenë informacion aktual për ata me të cilët po punoni. Përgatituni të raportoni për detyrat nga mbledhjet e mëparshme.
Merrni Pjesë në Mbledhjet e Përjavshme të Bashkërendimit
Mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit kanë për qëllim që të përqendrohen te nevojat e individëve. Gjatë mbledhjes, ofroni mënyra se si mund t’i përkrahni anëtarët e lagjes, përfshirë rininë, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të individëve.
Një mbledhje e përjavshme e bashkërendimit zakonisht trajton katër temat vijuese:
Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të cilëve po u jepet mësim? Pika të mundshme për diskutim:
-
Cilët anëtarë mund të marrin pjesë në mësime këtë javë që vjen? Kush do t’i ftojë ata që të marrin pjesë?
-
Cilat janë sfidat e njerëzve që po u jepet mësim? Si mund të ndihmojnë anëtarët?
-
Cilat janë nevojat e njerëzve që kanë një datë pagëzimi të programuar? A është planifikuar pagëzimi? (Shihni pjesën “Shërbesa e Pagëzimit” te kapitulli 12.)
Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të cilët u pagëzuan kohët e fundit? Pika të mundshme për diskutim:
-
Cilët anëtarë të rinj në vitin e tyre të parë të anëtarësimit po e frekuentojnë mbledhjen e sakramentit? Si mund ta ndihmojmë cilindo që nuk po e frekuenton atë?
-
Cilët anëtarë të rinj kanë miq në lagje? Si mund të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat shërbestare? Si mund të ndihmojnë kuorumet dhe klasat e të rinjve dhe të rejave?
-
Cilët anëtarë të rinj kanë një detyrë ose thirrje?
-
Si mund t’i ndihmojmë anëtarët e rinj të fillojnë të hulumtojnë për paraardhësit e tyre të vdekur në mënyrë që të mund të kryhen ordinancat e tempullit për ta? A kanë anëtarët e rinj një rekomandim tempulli? Nëse një tempull është afër, si mund t’i ndihmojmë ata të shkojnë në tempull për të kryer pagëzime për këta paraardhës?
-
Cili mësim nga kapitulli 3 ka nevojë të përsëritet? Si mund të marrin pjesë anëtarët?
-
Shqyrtoni përparimin te broshura My Covenant Path [Shtegu Im i Besëlidhjeve] për çdo anëtar të ri.
Si mund t’i ndihmojmë anëtarët që kthehen në aktivitet? Pika të mundshme për diskutim:
-
Cilat familje që janë pjesërisht anëtare, mund të vizitohen nga misionarët dhe t’u jepet mësim?
-
Cilët anëtarë të kthyer në aktivitet mund të vizitohen nga misionarët dhe t’u jepet mësim?
-
Cilët anëtarë të kthyer në aktivitet kanë miq në lagje dhe mundësi të përshtatshme për të shërbyer?
-
Si mund t’i ndihmojmë këta anëtarë?
Si mund të gjejmë më shumë njerëz për t’u dhënë mësim? Pika të mundshme për diskutim:
-
Si mund t’i ndihmojmë individët, përfshirë rininë dhe familjet, që të zbatojnë parimet për të dhënë dashuri, për të treguar dhe për të ftuar? (Shihni pjesën “Bashkohuni me Anëtarët” te kapitulli 9.)
-
Si mund t’i ndihmojmë anëtarët, përfshirë udhëheqëset e Fillores, që të ftojnë miq në aktivitetet e lagjes?
Përkraheni Planin e Lagjes për Shpërndarjen e Ungjillit
Këshilli i lagjes krijon një plan të thjeshtë për shpërndarjen e ungjillit (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.5.6). Njihuni me këtë plan. Në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit, kërkoni mënyra për t’i ndihmuar udhëheqësit të punojnë drejt synimeve të tyre. Mbajini të informuar udhëheqësit për atë që po bëni për t’i përkrahur anëtarët në shpërndarjen e ungjillit.
Nëse jeni të ftuar të merrni pjesë në një mbledhje të këshillit të lagjes, përgatituni të jepni një përditësim të shkurtër mbi përparimin e atyre të cilëve po u jepni mësim, dhe çdo detyre që keni marrë (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 29.2.5). Shiheni këtë mundësi si një kohë për të ndërtuar vetëbesimin dhe mirëbesimin e udhëheqësve të lagjes.
Përshtatuni me Nevojat e Zonës Vendore
Çdo lagje ose degë ka nevoja të pashoqe me të cilat ju duhet të përshtateni. Ju mund të shërbeni në një degë të vogël ose në një lagje për të rinjtë në moshë madhore beqarë, ose mund t’u shërbeni shumë lagjeve. Disa udhëheqës do të kenë më shumë përvojë dhe disa më pak. Disa udhëheqës do të kenë më shumë kohë në dispozicion se të tjerët.
Kërkoni mënyra për t’i ndihmuar udhëheqësit vendorë. Ata mund t’ju kërkojnë që t’i përkrahni anëtarët në detyrat e tyre të dhënies së shërbesës. Ata mund t’ju kërkojnë që t’i nxitni anëtarët e rinj për t’i ftuar miqtë e tyre të frekuentojnë kishën. Ju mund të jepni ide të çmuara rreth punës misionare ndërsa udhëheqësit dhe anëtarët mësojnë mënyra për ta shpërndarë ungjillin.
Aty ku Kisha është relativisht e re, udhëheqësit e degës mund t’ju kërkojnë që t’i ndihmoni anëtarët e rinj të kuptojnë se si Zoti e ka organizuar Kishën e Tij.
Puna juaj me udhëheqësit mund të jetë e ndryshme në fusha të ndryshme, por të gjitha këto veprimtari janë thelbësore për bekimin e individëve dhe vendosjen e Kishës së Zotit.
Ndihmojini Anëtarët dhe Udhëheqësit që të Japin Dashuri, të Tregojnë dhe të Ftojnë
Nxitini anëtarët që ta shpërndajnë ungjillin në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme. Manuali i Përgjithshëm ofron udhëzime dhe materiale filmike për t’i ndihmuar anëtarët dhe udhëheqësit që ta bëjnë këtë duke jetuar parimet për të dhënë dashuri, për të treguar dhe për të ftuar (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 23.1.1, 23.1.2 dhe 23.1.3). Mbajini parasysh këto parime ndërsa punoni me udhëheqësit.
Ju do të jeni një bekim për udhëheqësit ndërsa i përkrahni përpjekjet e tyre në këtë vepër. Në këmbim, shembulli i tyre do t’i ndihmojë anëtarët të përfshihen më shumë në shpërndarjen e ungjillit dhe në forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet.
Shihni pjesën “Bashkohuni me Anëtarët” te kapitulli 9 për ide rreth përkrahjes së anëtarëve në përpjekjet e tyre për ta shpërndarë ungjillin.
Përkrahini Udhëheqësit Vendorë në Forcimin e Anëtarëve të Rinj
Kur njerëzit pagëzohen dhe konfirmohen, ata bëhen “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19; shihni edhe te 1 Korintasve 12:12–27). Punoni me udhëheqësit vendorë për t’i ndihmuar anëtarët e rinj që të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, … duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit” (Moroni 6:4).
“Të kthyerit e rinj në besim vijnë në Kishë me entuziazëm për atë që kanë gjetur. Dhe ne duhet të ndërtojmë menjëherë mbi atë entuziazëm. … Misionarët mund të ndihmojnë që njerëzit të cilëve u japin mësim, dhe të kthyerit e rinj në besim të njihen dhe të lidhen me anëtarët besnikë, të cilët do t’u zgjatin një dorë atyre, do t’i dëgjojnë, do t’i udhërrëfejnë dhe do t’i mirëpresin në kishë madje para se të pagëzohen. … Ndërsa [u japim shërbesë] atyre që hyjnë në ujërat e pagëzimit, ne do të shohim shumë më tepër fëmijë të Perëndisë të durojnë deri në fund dhe të marrin jetën e përjetshme” (Ulisses S. Soares, “Convert Retention”, seminar për udhëheqjen e misionit, 25 qershor 2018).
Ndihmojini Anëtarët e Rinj ta Frekuentojnë Mbledhjen e Sakramentit
Ju keni një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar anëtarët e rinj që ta frekuentojnë kishën. Punoni me udhëheqësit për t’u siguruar që ju ose anëtarët e lagjes i ndihmoni ata që ta frekuentojnë atë. Treguesi kyç që tregon frekuentimin mbledhjes së sakramentit nga një anëtar/e i/e ri/re, mund t’ju ndihmojë ju dhe udhëheqësit e lagjes të shihni se kur ai ose ajo mund të ketë nevojë për një inkurajim më shumë.
Anëtarët e rinj kanë shumë më tepër gjasa ta vazhdojnë frekuentimin e mbledhjes së sakramentit dhe marrjen e sakramentit kur kanë miq në lagje. Ndihmojini të kenë një ndjesi përkatësie, veçanërisht gjatë vitit të tyre të parë të të jetuarit të ungjillit. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:106, 108.)
Jepini Përsëri Mësimet te Kapitulli 3
Ndihmojini anëtarët e rinj që të vazhdojnë ta forcojnë besimin e tyre te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe ungjilli i Tij. Të vërtetat dhe parimet e ungjillit zënë rrënjë më thellë teksa anëtarët e rinj vazhdojnë të mësojnë me anë të Shpirtit.
Pas konfirmimit, jepini përsëri mësimet e misionarëve. Merreni ju drejtimin e mësimdhënies. Sidoqoftë, bashkërendoni me udhëheqësit e lagjes në mënyrë që misionarët e lagjes ose anëtarë të tjerë të marrin pjesë. Përsëritja e mësimeve te kapitulli 3 është një mënyrë e rëndësishme për t’i ndihmuar anëtarët e rinj të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4). Ndërsa jepni mësim, nxitini anëtarët e rinj që të mbajnë të gjitha zotimet në mësime.
Lexojini shkrimet e shenjta me anëtarët e rinj, veçanërisht Librin e Mormonit dhe jepni mësim parimet e ungjillit. Ndihmojini ta shpërndajnë ungjillin me miqtë dhe familjen e tyre. Çdo anëtar/e i/e ri/re ka nevoja specifike dhe ju mund ta ndihmoni atë të ndiejë se e duan dhe është i/e mirëpritur.
Raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve dhe My Covenant Path [Shtegu Im i Besëlidhjeve]
Udhëheqësit vendorë kanë burime për përpjekjet e tyre misionare ashtu siç keni edhe ju. Njëri prej këtyre është raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve, që gjendet te programi Mjetet e Anëtarit ose Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit. Ky raport u lejon udhëheqësve vendorë të shohin përvojat e rëndësishme që i nevojiten një personi që të vazhdojë të përparojë në shtegun e besëlidhjeve përpara dhe pas pagëzimit.
My Covenant Path [Shtegu Im i Besëlidhjeve] është një burim që i ndihmon anëtarët e rinj që të “qëndrojnë të ankoruar te besimi [i tyre] te Jezu Krishti dhe të ndihen në Kishë si në shtëpi” (My Covenant Path, f. iv). Ai i njeh anëtarët e rinj me veprimtari dhe mundësi, të tilla si historia familjare dhe ndihma ndaj paraardhësve të vdekur për të marrë ordinancat e shenjta në tempull. Nxitini anëtarët vendorë që t’i udhëheqin anëtarët e rinj përmes këtyre përvojave. Jepni përkrahje siç kërkohet.
Përkrahini Udhëheqësit Vendorë në Forcimin e Anëtarëve që Kthehen në Aktivitet
Disa anëtarë zgjedhin të ndalojnë së marri pjesë në Kishë. Udhëheqësit vendorë dhe anëtarët e tjerë përpiqen fort të ndërtojnë marrëdhënie të forta me ta dhe t’i ndihmojnë. Shpëtimtari tha:
“Të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre” (3 Nefi 18:32).
Udhëheqësit vendorë mund t’ju kërkojnë që t’i ndihmoni anëtarët e kthyer në aktivitet të ndërtojnë besimin e tyre. Shpesh këto detyra do të jenë te familje që janë pjesërisht anëtarë. Merrni parasysh plot lutje se si mund ta ftoni Shpirtin në shtëpitë e anëtarëve që kthehen në aktivitet, ndërsa u mësoni atyre parimet e ungjillit dhe i ftoni të veprojnë. Tregoni empati dhe dhembshuri për shqetësimet e tyre.
Siç ta lejojnë rrethanat, mësojuani ungjillin njerëzve në familje që nuk janë pagëzuar ende. Dashuria dhe përkrahja juaj mund t’i ndihmojë ata që ta thellojnë besimin e tyre te Krishti dhe ta shtojnë dëshirën e tyre për të bërë dhe mbajtur besëlidhje.
Bashkërendoni me udhëheqësit vendorë kur punoni me anëtarët që kthehen në aktivitet. Këto përpjekje mund të kenë një ndikim afatgjatë te individët dhe bashkësia vendore.
Ide për Studim dhe Zbatim
Studimi Vetjak
-
Përdorni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] që të bëni plane për të folur me anëtarët e rinj dhe ata që janë kthyer në aktivitet kohët e fundit, të cilët po e ndryshojnë jetën e tyre dhe po e frekuentojnë kishën. Çfarë i ka ndihmuar ata më shumë? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani mendimet tuaja rreth përvojave të tyre. Çfarë keni mësuar që do t’ju ndihmojë të punoni me njerëzit të cilëve po u jepni aktualisht mësim?
-
Studioni te 2 Nefi 31:18–20, Alma 26:1–7, Alma 32:32–43 dhe Moroni 6. Shkruajeni atë që mësoni nga këto vargje rreth forcimit të anëtarëve të rinj.
Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare
-
Lexoni dhe diskutoni për kapitullin 23 te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm]. Si mund t’i përkrahni drejtuesit vendorë në përgjegjësitë e tyre?
-
Gjatë mbledhjeve të përjavshme të bashkërendimit, pyetni udhëheqësit e lagjes nëse ka anëtarë të kthyer në aktivitet në zonën tuaj që do të dëshironin që ju t’i vizitoni këtë javë. Ndërsa i vizitoni, përpiquni ta ndërtoni besimin e tyre te Jezu Krishti.
-
Përcaktoni të gjithë ata që janë pagëzuar dhe konfirmuar vitin e fundit. Shqyrtojeni dokumentin e njërit prej tyre dhe diskutoni se si mund të punoni me udhëheqësit në mbledhjen vijuese të përjavshme të bashkërendimit për ta ndihmuar këtë person. Shënojini idetë dhe sugjerimet tuaja te programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]. Përsëriteni këtë për të gjithë të kthyerit në besim kohët e fundit në zonën tuaj.
Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit
-
Ftoni një peshkop ose udhëheqës tjetër të lagjes që të flasë për forcimin e anëtarëve të rinj dhe anëtarët e kthyer në aktivitet. Kërkojini këtij personi që të theksojë se si mund të ndihmojnë misionarët.
-
Diskutoni për shëmbëlltyrën e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plëngprishës (shihni te Lluka 15). Ftojini misionarët të tregojnë atë që po mësojnë, dhe se si mund ta zbatojnë atë në punën e tyre misionare.
Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit
-
Punoni me drejtuesit vendorë për t’i nxitur ata që t’i ndihmojnë anëtarët e rinj:
-
Të shugurohen në një detyrë priftërie (për meshkujt e moshës së përshtatshme).
-
Të caktohen vëllezër shërbestarë (dhe motra shërbestare për gratë).
-
Të marrin një rekomandim tempulli që të pagëzohen në tempull për paraardhësit e tyre të vdekur.
-
Të përgatitin emrin e një paraardhësi të vdekur për ta çuar në tempull.
-
Të marrin një detyrë ose thirrje për të shërbyer në lagjen ose degën e tyre.
-
-
Në bashkërendim me presidentin e kunjit, mësojuni udhëheqësve vendorë se si të zhvillojnë mbledhje të përjavshme të bashkërendimit të efektshme.
-
Herë pas here ndiqni ecurinë me anëtarët e rinj për të zbuluar se si po ecin dhe si mund të ndihmojnë misionarët dhe anëtarët.
-
Ftojini anëtarët e rinj të flasin me misionarët dhe të tregojnë për përvojat e tyre në Kishë.