“Kapitulli 7: Mësojeni Gjuhën e Misionit Tuaj”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)
“Kapitulli 7”, Predikoni Ungjillin Tim
Kapitulli 7
Mësojeni Gjuhën e Misionit Tuaj
Përgatituni Shpirtërisht
Zoti shpalli: “Çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij, nëpërmjet atyre që shugurohen në këtë fuqi” (Doktrina e Besëlidhje 90:11).
Të renditura më poshtë janë disa mënyra se si mund ta forconi besimin tuaj që Zoti do t’ju ndihmojë për të dhënë mësim dhe dëshmuar në gjuhën e misionit tuaj:
-
Besoni se jeni thirrur nga Perëndia me anë të një profeti.
-
Kërkoni ndihmën e Perëndisë nëpërmjet lutjes së sinqertë.
-
Punoni me zell duke e studiuar, ushtruar dhe përdorur çdo ditë gjuhën e misionit tuaj.
-
Jini të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë duke i zbatuar urdhërimet dhe duke i jetuar standardet misionare.
-
Jini të çiltër në synimet tuaja duke e dashur Perëndinë, duke i dashur fëmijët e Tij dhe duke dëshiruar që t’i bekoni ata.
Jini të Përkushtuar dhe të Zellshëm
Të mësuarit për të dhënë mësim me efektshmëri në gjuhën e misionit tuaj kërkon përpjekje të zellshme dhe dhuratat e Shpirtit. Mos u habitni nëse detyra duket e vështirë. Duhet kohë. Jini të duruar me veten tuaj. Kur i përkushtoheni të mësuarit të gjuhës, ju do të fitoni aftësitë e nevojshme për të përmbushur qëllimin tuaj si misionar.
Nuk jeni të vetëm në të mësuarit e gjuhës së misionit tuaj. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’ju ndihmojnë teksa kërkoni ndihmën e Tyre. Jini të hapur dhe kërkoni ndihmë nga shoqëruesi juaj misionar, anëtarët, njerëzit të cilëve u jepni mësim, misionarë të tjerë dhe njerëz të tjerë.
Dëgjoni me kujdes dhe fliteni gjuhën në çdo rast. Mos kini frikë se bëni gabime. Gjithkush që mëson një gjuhë të re, bën gabime. Njerëzit do të kuptojnë dhe do t’i vlerësojnë përpjekjet tuaja për të mësuar gjuhën e tyre.
Vazhdoni t’i përmirësoni aftësitë tuaja për gjuhën deri në fund të misionit tuaj. Teksa rritet aftësia juaj për ta folur gjuhën, njerëzit do të dëgjojnë më shumë për atë që thoni sesa për mënyrën se si e thoni. Do të shqetësoheni më pak rreth mënyrës se si të komunikoni dhe do të jeni më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të të tjerëve.
“Ne do të … shpresojmë që çdo misionar që po mëson një gjuhë … të re, do ta zotërojë atë në çdo mënyrë që është e mundur. … Dhe teksa e bëni këtë, do të përmirësohen [mësimdhënia] juaj dhe aftësitë tuaja dëshmuese. Ju do të pranoheni më mirë nga [njerëzit të cilëve u jepni mësim,] dhe do t’iu lini më shumë mbresa shpirtërore atyre. …
Mos u kënaqni me atë që ne e quajmë vetëm një fjalor misionar. Zgjerojeni njohurinë e gjuhës dhe ju do t’i prekni më shumë zemrat e njerëzve” (Jeffrey R. Holland, transmetimi satelitor për misionarët, gusht 1998).
Vazhdoni ta përdorni gjuhën e misionit tuaj pas kthimit në shtëpi. Zoti ka investuar shumë tek ju dhe Ai mund të ketë nevojë për aftësitë tuaja gjuhësore më vonë në jetën tuaj.
Mësoni Gjuhën Angleze
Nëse nuk flisni anglisht, ju duhet ta studioni atë si misionar. Kjo do t’ju bekojë gjatë misionit tuaj dhe gjatë gjithë jetës suaj. Mësimi i gjuhës angleze do ta bekojë edhe familjen tuaj.
Për më shumë ndihmë për mësimin e gjuhës angleze, shihni te EnglishConnect për Misionarët.
Parimet e të Mësuarit të një Gjuhe
Merrni Përgjegjësi
Caktoni synime për përmirësimin e aftësisë suaj me gjuhën dhe përshtatini ato rregullisht. Krijoni një plan studimi për gjuhën. Përdoreni gjuhën në çdo rast.
Bëjeni Studimin Tuaj Domethënës
Zbatojeni atë që studioni, në situatat e jetës reale dhe në veprimtaritë tuaja të përditshme. Përqendrohuni te gjuha që do t’ju ndihmojë të thoni atë që keni nevojë të thoni.
Përpiquni të Komunikoni
Fliteni gjuhën me shoqëruesin tuaj misionar sa më shumë që mundeni. Përfitoni nga çdo rast për të mësuar dhe për ta ushtruar gjuhën. Për shembull, ju mund t’i kërkoni një anëtari të kthyer në aktivitet ose dikujt që po i jepni mësim, që t’ju ndihmojë për gjuhën. Nuk e zëvendëson asgjë bashkëbisedimin me folësit që e kanë gjuhën amtare.
Mos Krahasoni
Mos i krahasoni aftësitë tuaja gjuhësore me ato të shoqëruesit tuaj apo misionarëve të tjerë. Krahasimi çon drejt krenarisë ose shkurajimit.
Mësojini Tërësisht Konceptet e Reja
Përsëriteni rregullisht atë që keni studiuar dhe ushtrojeni në situata të reja. Kjo do t’ju ndihmojë të kujtoni dhe të zbatoni atë që po mësoni.
Krijoni një Plan për Studimin e Gjuhës
Një plan për studimin e gjuhës ndihmon si misionarët e rinj ashtu edhe misionarët me përvojë, që të përqendrohen në atë që mund të bëjnë çdo ditë për ta përmirësuar aftësinë e tyre për ta folur gjuhën e misionit të tyre. Plani juaj do të përfshijë atë që do të bëni gjatë kohës së studimit tuaj të gjuhës dhe gjatë gjithë ditës.
Hapat vijues tregojnë se si ju mund të krijoni një plan për studimin e gjuhës duke përdorur procesin e caktimit të synimeve nga kapitulli 8. Përshtateni këtë proces sipas nevojës.
-
Me lutje caktoni synime dhe bëni plane. Caktoni synime të përjavshme dhe të përditshme për ta përmirësuar aftësinë tuaj të përgjithshme për të komunikuar dhe për ta dhënë mësim ungjillin. Përfshini gjëra që doni t’i mësoni përmendsh, të tilla si fjalë, fraza, shkrime të shenjta dhe fragmente.
-
Mbani shënim dhe planifikoni. Vendosni se cilat mjete gjuhësore do t’ju ndihmojnë t’i arrini qëllimet tuaja. Mjetet gjuhësore mund të përfshijnë shkrimet e shenjta, fjalorët, librat gramatikorë, programin kompjuterik “TALL Embark” dhe burime të tjera. Caktoni orare kur ju do të studioni dhe përdorni gjuhën formalisht. Për shembull, mund të caktoni një orar për të lexuar me zë të lartë nga Libri i Mormonit për 15 minuta çdo ditë gjatë drekës.
-
Veproni sipas planeve tuaja. Zotit i pëlqen shumë përpjekja, prandaj punoni me zell për t’i përmbushur synimet tuaja. Mbrojeni kohën tuaj për studimin e gjuhës dhe ricaktojeni orarin për më vonë nëse ka ndonjë përplasje.
-
Rishikoni dhe ndiqni ecurinë. Rishikojeni shpesh planin tuaj të studimit për të vlerësuar se sa mirë po funksionon. Ftojeni shoqëruesin tuaj misionar, udhëheqësit tuaj të misionit, anëtarët dhe të tjerë në zonën tuaj që të sugjerojnë mënyra se si mund të përmirësoheni. Merrni pjesë në vlerësime të gjuhës në orare të rregullta për ta gjurmuar përparimin tuaj dhe për të përcaktuar mënyra se si të përmirësoheni.
Baraspeshojeni studimin tuaj të gjuhës midis synimeve afatgjata për krijimin e një themeli gjuhësor dhe synimeve afatshkurtra për veprimtari të veçanta dhe për njerëzit të cilëve po u jepni mësim.
Gjatë kohës suaj të studimit formal të gjuhës, baraspeshoni synimet dhe planet tuaja ndërmjet fushave bazë të gjuhës që tregohen më poshtë. Vendosni se çfarë do të mësoni gjatë gjithë ditës.
aftësitë e dëgjimit |
aftësitë e leximit |
gramatika |
aftësitë e të folurit |
aftësitë e të shkruarit |
fjalori |
Mësoni me Shoqëruesit Tuaj Misionarë
Ndihmojini shoqëruesit tuaj misionarë që të përjetojnë sukses dhe të fitojnë vetëbesim në mësimin e gjuhës së misionit ose në mësimin e gjuhës angleze. Sinqerisht dhe shpesh i përgëzoni shoqëruesit tuaj misionarë dhe misionarët e tjerë për përparimin e tyre.
Me mirësjellje jepni përshtypje të thjeshta dhe të volitshme. Jepuni atyre shumë mundësi për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar në mënyrë të suksesshme. Vini re se si një misionar më me përvojë e ndihmoi shoqëruesin e tij misionar në ngjarjen e vërtetë vijuese.
“Sapo kisha arritur në zonën time të dytë kur shoqëruesi im misionar më tha se ishte radha ime për të dhënë mendimin shpirtëror në një takim për darkë. Shoqëruesi im i parë misionar gjithmonë kishte qenë i lumtur që të bënte mësimdhënien dhe isha mësuar që të jepja pjesën time të vogël të mësimit dhe më pas të dëgjoja.
U përpoqa ta bindja shoqëruesin tim misionar se ai duhej të jepte mendimin shpirtëror, por ai më nxiti që ta bëja pjesën e caktuar. E ushtrova me ndihmën e tij.
Kur erdhi çasti, i hapa shkrimet e mia të shenjta dhe lexova nga 3 Nefi 5 dhe 7. Hasa vështirësi por ia dola mbanë të shpjegoja përse ndieja se fragmentet e zgjedhura nga unë ishin domethënëse dhe u ndjeva i lehtësuar kur mbarova. Kur u bë një pyetje, hodha vështrimin nga shoqëruesi im misionar për përgjigje, por ai nuk e hapi gojën. Ai qe çasti kur më habiti vetja duke dhënë përgjigje me një frëngjishte të kuptueshme. U habita edhe më shumë që anëtari nuk dukej se po kuptonte që isha i pasigurt për aftësitë e mia komunikuese. Fitova vetëbesim dhe e kuptova se frëngjishtja ime ishte më e mirë nga çfarë ma merrte mendja.
Javët kaluan dhe shoqëruesi im misionar vazhdoi të më lejonte të jepja mësim edhe kur nuk mendoja se mund ta bëja këtë gjë dhe madje edhe kur ai pyeste veten nëse mund ta bëja atë. Ndjeva se isha bërë një mjet për Atin tonë në Qiell në vend që thjesht të isha një shoqërues i heshtur misionar.”
Të Mësuarit e Kulturës dhe Gjuhës
Kultura dhe gjuha janë të lidhura ngushtë. Të kuptuarit e kulturës së njerëzve do të ndihmojë që të shpjegohet mënyra se si përdoret gjuha. Kjo kuptueshmëri do t’ju ndihmojë gjithashtu të komunikoni aspektet e pashoqe të mesazhit të Rivendosjes në një mënyrë që do të jetë e qartë për njerëzit.
Një nga gjërat më të mëdha që mund të bëni për të fituar mirëbesimin dhe dashurinë e njerëzve, është të respektoni dhe përqafoni kulturën e tyre në mënyrat e duhura. Shumë misionarë të shkëlqyer e kanë bërë këtë gjë (shihni te 1 Korintasve 9:20–23).
Dhurata e Gjuhëve
Dhuratat e Shpirtit janë të vërteta. Dhurata e gjuhëve dhe interpretimit të gjuhëve shfaqet në shumë mënyra. Disa prej këtyre përfshijnë të folurit, të kuptuarit dhe interpretimin e gjuhëve. Sot dhurata e gjuhëve më së shpeshti shfaqet në të mësuarit dhe studiuarit e lartësuar nga Shpirti për t’i ndihmuar misionarët që të mësojnë gjuhën në misionin e tyre.
Fryma e Shenjtë mund ta manifestojë të vërtetën e dëshmisë suaj edhe pse një pengesë gjuhësore mund të ekzistojë midis jush dhe atyre të cilëve u jepni mësim. Në mënyrë të ngjashme, Fryma e Shenjtë mund të sjellë fjalë dhe fraza në kujtesën tuaj dhe t’ju ndihmojë që të kuptoni atë që njerëzit po e thonë nga zemra e tyre.
Për pjesën më të madhe, ju nuk do t’i fitoni këto dhurata pa përpjekje. Keni nevojë t’i kërkoni ato aktivisht për të bekuar të tjerët (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8–9, 26). Pjesë e kërkimit të dhuratës së gjuhëve është të punoni dhe të bëni gjithçka mundeni për ta mësuar gjuhën. Jini të duruar teksa e studioni dhe ushtroni me lutje gjuhën. Mirëbesoni se Shpirti do t’ju ndihmojë teksa bëni një përpjekje të zellshme. Kini besim se mund ta keni dhuratën e gjuhëve për t’ju ndihmuar ju dhe ata të cilëve u jepni mësim.
Kur hasni vështirësi për t’u shprehur aq qartë sa do të dëshironit, mbani mend se Shpirti është në gjendje t’u flasë zemrave të fëmijëve të Perëndisë. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:
“Ekziston një gjuhë … që është e përbashkët për çdo misionar – gjuha e Shpirtit. Ajo nuk mësohet nga tekstet e shkruara nga shkrimtarët, as nuk fitohet nëpërmjet leximit dhe të mësuarit përmendsh. Gjuha e Shpirtit vjen tek ai që kërkon me gjithë zemër ta njohë Perëndinë dhe t’i zbatojë urdhërimet e Tij hyjnore. Zotësia në këtë gjuhë e lejon individin të thyejë barrierat, të kapërcejë pengesat dhe të prekë zemrën e njeriut” (“The Spirit Giveth Life”, Ensign, qershor 1997, f. 2).
Ide për Studim dhe Zbatim
Studimi Vetjak
-
Shqyrtoni burimet gjuhësore në Portalin e Misionarëve. Përcaktoni diçka që nuk e keni provuar dhe caktoni një synim për ta provuar për disa ditë më pas.
-
Në këshillin e ardhshëm të distriktit kërkojini një misionari me përvojë, që ka aftësi të mira gjuhësore, se çfarë ka bërë për ta mësuar gjuhën.
Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare
-
Ushtroni mësimdhënien ndaj njëri‑tjetrit nëpërmjet mësimeve të misionarëve në gjuhën e misionit tuaj. Në fillim misionarët e rinj mund të japin mësim shumë thjesht, të japin dëshmi të thjeshta dhe të recitojnë shkrimet e shenjta të mësuara përmendsh. Ndërkohë që rritet vetëbesimi dhe aftësia e tyre, ata do të jenë në gjendje të marrin pjesë më tërësisht në mësimdhënie.
-
Shqyrtoni idetë në këtë kapitull dhe burimet gjuhësore në Portalin e Misionarëve. Diskutoni se cilat sugjerime mund t’i përdorni në studimin në dyshet misionare gjatë javës së ardhshme.
-
Kërkojini shoqëruesit tuaj misionar që të dëgjojë shqiptimin tuaj dhe t’ju ndihmojë të përmirësoheni. Kërkojini atij ose asaj që të vërë re situata kur ju nuk kuptoheni. Bëni një listë të fjalëve, frazave ose gramatikës që do t’ju ndihmonin. Shpjegoni dhe ushtroni se si ta përdorni në veprimtaritë e ardhshme atë që është në listë.
-
Ushtroni të dëgjuarit në mënyrë aktive. Planifikoni një kohë gjatë ditës që të dëgjoni aktivisht për të përcaktuar fjalorin dhe modelet që i keni mësuar. Kur dëgjoni një frazë të shprehur ndryshe nga mënyra se si do ta thoshit ju, shkruajeni dhe ushtrojeni atë.
-
Bëni një listë të gjërave që njerëzit mund të thonë në atë ditë. Planifikoni dhe ushtroni mënyra se si mund të përgjigjeni.
Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit
-
Ftoni njerëz që e kanë gjuhën amtare, për të frekuentuar njërën nga këto mbledhje. Organizojeni që misionarët t’u japin mësim në grupe të vogla. Kërkojuni njerëzve që e kanë gjuhën amtare, të mbajnë shënime dhe të japin përshtypje për aftësinë gjuhësore të misionarëve.
-
Caktoni një ose dy misionarë që më parë, që të tregojnë rreth sukseseve që kanë pasur në studimin e gjuhës.
-
Caktoni një misionar me përvojë që të paraqesë shkurtimisht një pjesë të gjuhës që zakonisht është e vështirë për misionarët. Bëjeni që të paraqesë shembuj për përdorimin e mirë të gjuhës dhe bëjini misionarët që t’i ushtrojnë ata shembuj.
-
Bëjini misionarët që e kanë kulturën e tyre amtare, të japin idetë e tyre.
Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit
-
Theksoni rëndësinë e studimit të vazhdueshëm të gjuhës çdo ditë.
-
Nxitini misionarët që ta përdorin gjuhën e misionit sa më shumë që munden.
-
Jepni elemente të një plani studimi për gjuhën e misionit në një program studimi sistematik. Shqyrtojeni këtë në mbledhjet e këshillit të distriktit.
-
Kërkoni mundësi që të flisni me misionarët në gjuhën që po mësojnë. Në mënyrë periodike intervistojini ata në këtë gjuhë.
-
Kërkojuni ide udhëheqësve dhe anëtarëve vendorë për mënyrën se si misionarët mund ta përmirësojnë aftësinë e tyre gjuhësore.
-
Jepni udhëzim në konferencën e zonës ose këshillin e udhëheqjes së misionit lidhur me gabimet më të zakonshme që bëhen nga misionarët të cilët po mësojnë gjuhën e misionit tuaj.
-
Mësojini misionarët rreth dhuratave shpirtërore.
-
Vëzhgojini misionarët kur japin mësim në gjuhën e misionit.