Thirrjet në Mision
Kapitulli 8: Përmbusheni Punën Nëpërmjet Synimeve dhe Planeve


“Kapitulli 8: Përmbusheni Punën Nëpërmjet Synimeve dhe Planeve”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 8”, Predikoni Ungjillin Tim

Go Ye Therefore (Go Ye Therefore, and Teach All Nations) [Shkoni Pra (Shkoni Pra dhe Jepuni Mësim Gjithë Kombeve)], nga Harry Anderson

Kapitulli 8

Përmbusheni Punën Nëpërmjet Synimeve dhe Planeve

Merreni Parasysh Këtë

  • Përse më nevojitet të caktoj synime?

  • Si mund të më ndihmojnë treguesit kyç për kthimin në besim që të përqendrohem në përparimin shpirtëror të individëve?

  • Si të caktoj synime, si të bëj plane për t’i përmbushur ato dhe për t’i kryer planet e mia?

  • Si t’i kryej sesionet e planifikimit të përjavshëm dhe të përditshëm?

  • Si mund ta përdor programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të më ndihmuar që të përmbush punën?

  • Cili është parimi i përgjegjshmërisë? Si do t’i bekojë ai parim përpjekjet e mia?

Jeni caktuar që të ndihmoni në punën e Zotit në një zonë të caktuar. Ai dëshiron që ju t’i bekoni individët me dashurinë dhe të vërtetën e Tij. Ai dëshiron që ju t’i ftoni dhe t’i ndihmoni njerëzit që të vijnë tek Ai.

Zoti dëshiron që ju “të përfshihen[i] me zell në [këtë] kauzë të mirë”. Ai kërkon që ju t’i “bë[ni] shumë gjëra me vullnetin [tuaj] të lirë e të shkakto[ni] shumë drejtësi” (Doktrina e Besëlidhje 58:27; shihni vargjet 26–29). Bëni gjithçka mundeni që ta lini çdo lagje ose degë ku shërbeni, më të fortë sesa kur mbërritët.

Ky kapitull do t’ju ndihmojë të mësoni se si të caktoni synime, si të bëni plane për t’i përmbushur ato dhe për t’i kryer me zell planet tuaja. Ai përshkruan treguesit kyç për kthimin në besim, të cilët ju udhëzojnë ndërsa përpiqeni për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë që të përparojnë shpirtërisht. Më pas ai paraqet një proces të thjeshtë të caktimit të synimeve që mund t’i përdorni në të gjitha aspektet e punës misionare, përfshirë synimet tuaja vetjake dhe si dyshe misionare. Gjithashtu përvijon mënyrën se si të kryeni sesione të përjavshme dhe të përditshme planifikimi me shoqëruesin tuaj misionar.

Të mësuarit për të caktuar synime dhe për të bërë plane mund t’ju bekojë gjatë gjithë jetës suaj. Mund t’ju ndihmojë që të bëni e mbani besëlidhje me Perëndinë, të shërbeni besnikërisht në Kishë, të vazhdoni arsimimin, të keni rritje gjatë punësimit tuaj dhe të ngrini një familje të fortë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë mund të mësoni nga shkrimet e shenjta vijuese rreth planifikimit për të ndihmuar në përmbushjen e veprës së Perëndisë?

He Healed Many of Diverse Diseases [Ai Shëroi Shumë Njerëz nga Sëmundje të Ndryshme], nga J. Kirk Richards

Ndihmojini të Tjerët që të Bëhen të Kthyer në Besimin te Shpëtimtari

Përqendrohuni te Qëllimi Juaj Misionar

Ndoshta keni pyetur veten se cilat prej detyrave tuaja të shumta si misionar janë më të rëndësishmet. Kjo është një pyetje e mirë për ta marrë parasysh teksa caktoni synime dhe planifikoni çdo javë dhe çdo ditë. Për t’i dhënë përgjigje kësaj, mendoni rreth qëllimit tuaj si misionar:

“Ftojini të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ta pranojnë ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”.

Lejojeni qëllimin tuaj misionar që të udhërrëfejë synimet dhe planet tuaja. Përqendrohuni te mënyra se si mund t’i ndihmoni individët që të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes për t’u bërë të kthyer në besimin te Shpëtimtari dhe për ta pranuar ungjillin e Tij.

Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit dhe këshillohuni me shoqëruesin tuaj misionar ndërkohë që caktoni synime dhe bëni plane. Më pas ndiqni ecurinë e planeve tuaja deri në fund dhe përdoreni kohën tuaj me efektshmëri.

Presidenti Dallin H. Ouks

“Ne nuk predikojmë dhe japim mësim që ‘t’i sjellim njerëzit në Kishë’ ose që të shtojmë anëtarësinë e Kishës. Ne nuk predikojmë dhe japim mësim thjesht që t’i bindim njerëzit për të jetuar jetë më të mirë. … Ne i ftojmë të gjithë të vijnë te Krishti nëpërmjet pendimit, pagëzimit dhe konfirmimit me qëllim që të hapen dyert e mbretërisë çelestiale për bijtë dhe bijat e Perëndisë. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë” (Dallin H. Oaks, “The Purpose of Missionary Work”, transmetim satelitor për misionarët, prill 1995).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Si i plotësuan këta misionarë dhe profetë planet e tyre me ndihmën e Zotit?

Jini në Përputhje me Treguesit Kyç për Kthimin në Besim

Udhëheqësit e Kishës kanë përcaktuar gjashtë tregues kyç për kthimin në besim. Treguesit kyç ndihmojnë që ju të përqendroheni te përparimi shpirtëror i fëmijëve të Perëndisë. Ata kanë për synim që t’ju ndihmojnë t’i përputhni përpjekjet tuaja të përditshme me qëllimin tuaj misionar.

Treguesit kyç për kthimin në besim shfaqen më poshtë.

misionarë duke i dhënë dorën një burri

Njerëz të Rinj që po Marrin Mësime. Çdo person (i papagëzuar) i cili ka marrë një mësim në një javë të caktuar (por të cilit nuk iu dha mësim në tre muajt e kaluar) dhe e pranoi një datë të caktuar për t’u ritakuar. Një mësim zakonisht përfshin lutjen (kur është e përshtatshme), mësimdhënien e të paktën një parimi të ungjillit dhe bërjen e një ftese.

misionarë duke dhënë mësim

Mësimet me një Anëtar Pjesëmarrës. Numri i mësimeve në një javë të dhënë, në të cilat një personi (të papagëzuar) iu dha mësim dhe një anëtar mori pjesë.

familje në kishë

Njerëz të Cilëve u Jepen Mësime dhe të Cilët Frekuentojnë Mbledhjen e Sakramentit. Çdo person (i papagëzuar) të cilit po i jepni mësim dhe i cili frekuentoi mbledhjen e sakramentit në një javë të dhënë.

familje duke u lutur

Njerëz me një Datë Pagëzimi. Çdo person që ka rënë dakord të pagëzohet dhe konfirmohet në një datë të caktuar.

pagëzimi

Njerëz të Cilët Pagëzohen dhe Konfirmohen. Secili anëtar i ri që i ka marrë ordinancat e pagëzimit dhe të konfirmimit dhe për të cilin formulari u dorëzua elektronikisht në një javë të dhënë. (Shihni te kapitulli 12 për përkufizimin e një pagëzimi të një të kthyeri në besim dhe për informacionin mbi krijimin e dokumenteve.)

gra në kishë

Anëtarë të Rinj që Frekuentojnë Mbledhjen e Sakramentit. Çdo anëtar i ri të cilit iu dorëzua Formulari i Pagëzimit dhe Konfirmimit brenda 12 muajve të shkuar, i cili e frekuentoi mbledhjen e sakramentit në një javë të dhënë.

Si përmbledhje, jepini përparësi të ndihmuarit të njerëzve që të zgjedhin për të marrë pjesë në këto përvoja. Përqendrojini përpjekjet tuaja në veprimtaritë vijuese:

  • Ato që ju ndihmojnë të gjeni njerëz të rinj për t’u dhënë mësim

  • Ato që mund t’i ndihmojnë njerëzit për të përparuar drejt bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve

  • Ato që i ndihmojnë njerëzit të cilët janë pagëzuar dhe konfirmuar në vitin e kaluar

Nëse nuk mund ta kuptoni se si përpjekjet tuaja mund ta ndihmojnë një person që të përparojë në një mënyrë që pasqyrohet në treguesit tuaj kyç, vlerësoni nëse veprimtaria është një përdorim i mirë i kohës suaj.

Për njerëzit me të cilët ju kaloni më pak kohë, vazhdoni ta ushqeni shpirtërisht interesimin e tyre për ungjillin. Mund të ftoni anëtarët që të takohen me ta. Gjithashtu mund të përdorni teknologjinë që t’i inkurajoni dhe të vazhdoni t’u jepni shërbesë atyre. Shihni “Përdorni Teknologjinë” në kapitullin 9 për ide shtesë.

Plaku Kuentin L. Kuk

“Objektivi përfundimtar i planifikimit dhe caktimit të synimeve është të bëjmë dishepuj – që është, të kemi të kthyer në besim të përkushtuar të cilët bëjnë dhe mbajnë besëlidhje të shenjta, duke filluar me një besëlidhje pagëzimi që çon drejt besëlidhjeve në tempull” (Quentin L. Cook, “Purpose and Planning”, seminar për udhëheqësit e misioneve, 25 qershor 2019).

Caktoni Synime për Treguesit Kyç dhe Bëni Plane

Gjatë planifikimit të përjavshëm, ju dhe shoqëruesi juaj misionar caktoni synime për të gjithë treguesit kyç. Synimet tuaja për treguesit kyç duhet të pasqyrojnë dëshirën tuaj për të ndihmuar më shumë njerëz që të përjetojnë bekimet e kthimit në besim.

Caktoni synime dhe bëni plane për të bërë gjërat nën kontrollin tuaj që mund të ndikojnë te rezultatet e treguesve kyç. Për shembull:

  • Ju mund të caktoni një synim për treguesit kyç që të filloni t’u jepni mësim një numri të caktuar njerëzish të rinj gjatë javës. Nëse e arrini atë synim apo jo, varet nga liria e zgjedhjes së njerëzve të tjerë. Por bëni atë që është nën kontrollin tuaj për ta përmbushur synimin. Një mënyrë është që të caktoni një synim për të folur me një numër të caktuar njerëzish të rinj çdo ditë. Më pas planifikoni se si do ta bëni këtë. Shihni idetë te Shtojca 2 në këtë kapitull dhe te kapitulli 9.

  • Ju mund të caktoni synime për treguesit kyç që të keni një numër të caktuar të anëtarëve të rinj dhe njerëzve që po u jepni mësim, të cilët do të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit. Nëse ata vijnë apo jo varet nga liria e tyre e zgjedhjes. Por bëni atë që është nën kontrollin tuaj për të ndikuar te rezultatet e këtyre treguesve kyç. Planifikoni kur t’i ftoni dhe se si ta ndiqni ecurinë.

  • Ju mund të caktoni një synim për një tregues kyç që t’i bëni anëtarët të marrin pjesë në një numër të caktuar mësimesh gjatë javës. Nëse e arrini atë synim apo jo, varet nga anëtarët dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim. Por bëni atë që mundeni për të ndikuar në rezultatin e këtij treguesi kyç. Caktoni një synim që të punoni me udhëheqësit e lagjes që të keni anëtarë të pranishëm. Më pas planifikoni se si do ta bashkërendoni pjesëmarrjen e tyre.

Si dyshe misionare ju caktoni synimet për treguesit kyç për vetë zonën tuaj. Bazojini ato te: 1) përparimi i njerëzve që po u jepni mësim, dhe 2) nevoja për të gjetur njerëz të rinj për t’u dhënë mësim. Gjetja e njerëzve të rinj për t’u dhënë mësim, është një nevojë e vazhdueshme.

Synimet e mbarë misionit për treguesit kyç bazohen mbi synimet e caktuara nga secila dyshe misionare.

Programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] do t’ju ndihmojë të qëndroni të përqendruar te njerëzit ndërkohë që caktoni synimet për treguesit kyç. Ky program kompjuterik gjithashtu do t’ju ndihmojë që të mësoni nga synimet e mëparshme dhe do t’ju tregojë përparimin tuaj drejt synimeve të tanishme.

Synimet dhe rezultatet për treguesit kyç u raportohen automatikisht udhëheqësve të misionit tuaj dhe udhëheqësve misionarë në moshë të re nëpërmjet programit kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim].

Jini i kujdesshëm që të mos e theksoni njërin synim për treguesin kyç më shumë se synimet e tjera. Një përqendrim i vazhdueshëm te të gjithë treguesit kyç do t’ju ndihmojë që t’i ftoni vazhdimisht të tjerët që të vijnë te Krishti dhe të bëjnë besëlidhje.

Presidenti Tomas S. Monson

“Kur rendimenti matet, ai përmirësohet. Kur rendimenti matet dhe raportohet, ritmi i përmirësimit përshpejtohet” (cituar nga Thomas S. Monson, “Thou Art a Teacher Come from God”, Improvement Era, dhjetor 1970, f. 101).

Punoni me Zell

Zoti dëshiron që ju të “vepro[ni] … gjithë zell” në shërbimin tuaj misionar (Doktrina e Besëlidhje 107:99). Zelli është një përpjekje e vazhdueshme, e guximshme.

Punoni me zell lidhur me synimet tuaja për treguesit kyç. Ftojini njerëzit që të bëjnë zotime të cilat çojnë te kthimi në besim. Përpjekjet tuaja të zellshme mund t’i frymëzojnë të ndërmarrin veprime që do t’i ndihmojnë të vijnë te Krishti (shihni te 2 Nefi 2:14–16).

Jepeni mësim ungjillin në mënyra që i plotësojnë nevojat e njerëzve. Doktrina, kur kuptohet me anë të Shpirtit, ka më shumë të ngjarë se çfarëdo gjëje tjetër që t’i frymëzojë ata të veprojnë.

Në të njëjtën kohë kuptojeni se synimet për treguesit kyç varen nga liria e zgjedhjes së të tjerëve. Gjithmonë respektojeni lirinë e zgjedhjes së njerëzve.

Mbani mend se treguesit kyç nuk janë synimi përfundimtar. Përkundrazi, ata përfaqësojnë një përparim të mundshëm shpirtëror të një personi drejt pagëzimit, konfirmimit dhe kthimit të durueshëm në besim. Përparimi aktual i njerëzve do të varet nga zgjedhjet e tyre. Ju e përkrahni përparimin e tyre duke ushtruar besim te Krishti në emër të tyre teksa caktoni synime, planifikoni, veproni me zell dhe u jepni shërbesë atyre në një mënyrë të frymëzuar.

Si të Caktoni Synime dhe të Bëni Plane që t’i Përmbushni Ato

Caktimi i synimeve dhe planifikimi janë veprime besimi. Synimet pasqyrojnë dëshirat e zemrës suaj dhe vizionin tuaj për të ndihmuar veten tuaj dhe të tjerët që të vijnë te Shpëtimtari.

Synimet dhe planet e marra parasysh me kujdes do t’ju japin drejtim të qartë. Ato mund t’ju ndihmojnë të gjeni më shumë njerëz për t’u dhënë mësim. Mund t’ju udhërrëfejnë që t’i ndihmoni njerëzit të cilëve u jepni mësim, që ta forcojnë besimin e tyre dhe të përparojnë drejt kthimit në besim.

Bëjeni caktimin e synimeve dhe planifikimin tuaj një përvojë frymëzuese. Lutuni me zell, ushtroni besim, këshillohuni me shoqëruesin tuaj misionar dhe ndiqni nxitjet e Shpirtit. Kur planifikoni në këtë mënyrë, ju do ta ndieni Zotin duke vepruar nëpërmjet jush për t’i bekuar të tjerët.

Presidenti M. Rasëll Ballard

“Një synim është një vendmbërritje apo një përfundim, ndërkohë që një plan është rruga me anë të së cilës ti mbërrin atje. … Të vendosësh synime, në thelb, do të thotë të fillosh duke pasur fundin në mendje. Dhe planifikim do të thotë të hartosh një mënyrë që të mbërrish në atë fund” (M. Rasëll Ballard, “Të Kthehemi dhe të Marrim”, Liahona, maj 2017, f. 62–63).

Parimet e Caktimit dhe Përmbushjes së Synimeve

Procesi vijues do t’ju ndihmojë të caktoni dhe të përmbushni synime.

tabela e caktimit të synimeve
  1. Me lutje caktoni synime dhe bëni plane. Caktoni synime që janë realiste, por që do t’ju forcojnë dhe që kërkojnë besim. Shmangeni caktimin e synimeve që janë tepër të larta ose tepër të ulëta. Planifikoni se si do t’i përmbushni ato.

  2. Mbani shënim dhe planifikoni. Mbajini shënim synimet dhe planet tuaja në një program të hollësishëm.

  3. Veproni sipas planeve tuaja. Punoni me zell për t’i përmbushur synimet tuaja. Ushtroni besim te Zoti që t’ju ndihmojë.

  4. Rishikoni dhe ndiqni ecurinë. Vlerësojeni përparimin dhe mbajini shënim rregullisht përpjekjet tuaja. Vendosni se çfarë të bëni ndryshe dhe se si të përmirësoheni. Përshtatini planet sipas nevojës.

Kur e përdorni këtë proces të caktimit të synimeve, Zoti do t’i lartësojë përpjekjet tuaja. Ju do të rriteni në aftësinë tuaj si një mjet në duart e Tij. Ju do të bëni të ndodhë shumë mirësi në bekimin e fëmijëve të Atit Qiellor.

Caktoni Synime dhe Bëni Plane në të Gjitha Fushat e Punës

Me lutje kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit ndërkohë që e zbatoni procesin e caktimit të synimeve ndaj të gjitha aspekteve të punës misionare. Disa nga këto synime përfshijnë:

  • Të ndihmuarit e njerëzve të cilëve u jepni mësim, që të përparojnë (shihni te Shtojca 1 në këtë kapitull).

  • Gjetjen e njerëzve të rinj për t’u dhënë mësim (shihni te Shtojca 2 në këtë kapitull).

  • Të punuarit me anëtarët dhe shërbimin ndaj njerëzve në komunitet dhe lagje (shihni kapitujt 9 dhe 13).

  • Të punuarit në unitet me shoqëruesin tuaj misionar (shihni zërin 6 te “Sesioni i Përjavshëm i Planifikimit”).

  • Forcimin e besimit tuaj te Jezu Krishti.

  • Përmirësimin e njohurisë dhe aftësive tuaja, përfshirë të mësuarit e gjuhës (shihni kapitullin 7).

Vendosni Synime të Përshtatshme

Shmangeni caktimin e synimeve për treguesit kyç për misionarët e tjerë. Gjithsesi, ju mund t’i udhërrëfeni dhe nxitni që t’i zbatojnë parimet e caktimit të synimeve teksa caktojnë synimet e tyre vetjake.

Jini të kujdesshëm që të mos bëni krahasime me të tjerët.

Mos e përdorni arritjen e synimeve si një kuotë, për vlerësim publik apo për ta korrigjuar ose turpëruar dikë haptazi.

Presidenti Spenser W. Kimball

“Ne vërtet besojmë në caktimin e synimeve. Ne jetojmë sipas synimeve. … [Një] synim i rëndësishëm është ta sjellim ungjillin tek të gjithë njerëzit. … Synimi ynë është të arrijmë jetë të përjetshme. Ai është synimi më i madhërishëm në botë” (Spencer W. Kimball, seminar me përfaqësuesit rajonalë, 3 prill 1975, f. 6).

Kryeni Sesione të Përjavshme dhe të Përditshme Planifikimi

Planifikimi i përjavshëm ju ndihmon të shihni pamjen më të gjerë dhe të përqendroheni te njerëzit. Gjithashtu ju ndihmon të përqendroheni te veprimtaritë që janë më të rëndësishmet. Planifikimi i përditshëm ju ndihmon që të përshtateni dhe të përgatiteni për të ndërmarrë veprime të veçanta çdo ditë. Ju dëshironi që të jeni frytdhënës, jo thjesht të zënë me punë.

Gjatë sesioneve të planifikimit bëjini vetes pyetje bazë rreth asaj që ndieni se Zoti do të donte që ju të bëni. Kërkoni frymëzim ndaj përgjigjeve të këtyre pyetjeve në mënyra që janë të përshtatshme për secilën situatë dhe secilin njeri. Përgjigjet më pas duhet të marrin formë në planet tuaja.

Sesioni i Përjavshëm i Planifikimit

Mbani një sesion të përjavshëm planifikimi me shoqëruesin tuaj misionar në një ditë dhe një kohë të caktuar nga presidenti juaj i misionit. Ndiqni hapat më poshtë.

  1. Lutuni dhe kërkoni frymëzim. Kërkojini Atit Qiellor që t’ju udhërrëfejë në bërjen e planeve që do të ndihmojnë për t’i përmbushur qëllimet e Tij. Kërkojini Atij që t’i bekojë përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar njerëzit që të përparojnë dhe të vijnë te Krishti.

  2. Caktoni synime dhe bëni plane për të gjithë treguesit kyç duke përdorur programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]. Përdoreni procesin e caktimit të synimeve të përshkruar më përpara në këtë kapitull. Fillojeni me:

    • Njerëzit që u pagëzuan dhe konfirmuan brenda vitit të kaluar.

    • Njerëzit që kanë një datë pagëzimi.

    • Njerëzit të cilëve u jepni mësim, që po e frekuentojnë mbledhjen e sakramentit.

    • Njerëzit e rinj të cilëve po u jepet mësim.

    • Anëtarët e kthyer në aktivitet, familjet pjesërisht anëtare dhe pleqtë e ardhshëm.

    • Njerëzit të cilëve po u jepej mësim më parë.

    Shihni te Shtojca 1 në këtë kapitull për idetë rreth përdorimit të procesit të caktimit të synimeve në punën me njerëzit të cilëve po u jepni mësim.

  3. Përdoreni procesin e caktimit të synimeve për të gjetur njerëz që t’iu jepni mësim (shihni te Shtojca 2 në këtë kapitull dhe te kapitulli 9 për t’ju ndihmuar me gjetjen).

  4. Përdoreni procesin e caktimit të synimeve që të ndërtoni marrëdhënie me udhëheqësit dhe anëtarët e lagjes. Caktoni synime dhe bëni plane për mënyrën se si do t’i përkrahni ata në përpjekjet e tyre për ta përhapur ungjillin (shihni idetë te kapitujt 9 dhe 13). Përgatituni për mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit të lagjes (shihni kapitullin 13).

  5. Rishikoni planet dhe synimet tuaja në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]. Konfirmojini takimet dhe mbledhjet tuaja.

  6. Mbani një këshill të dysheve shoqëruese. Kjo zakonisht përfshin elementet vijuese:

    • Nëse dëshironi, tregoni për synimet e duhura vetjake dhe kërkojini shoqëruesit tuaj misionar për ndihmë në përmbushjen e tyre.

    • Diskutoni forcën e marrëdhënieve tuaja. Diskutoni ndonjë sfidë që ju pengon të jeni të bindur ose të punoni në unitet. Zgjidheni çfarëdo konflikti: 1) duke e lejuar çdo njeri që t’i shprehë tërësisht pikëpamjet e veta, 2) duke i kuptuar dhe pranuar shqetësimet e secilit person dhe 3) duke krijuar një zgjidhje së bashku e cila i trajton shqetësimet më të rëndësishme.

    • Flisni me shoqëruesin tuaj misionar se cilat mendoni që janë anët e tij ose të saj të forta. Kërkoni sugjerime për mënyrën se si mund të përmirësoheni.

    • Caktoni synime që do ta përmirësojnë marrëdhënien tuaj.

    Këshillimet me dyshet shoqëruese mund t’ju ndihmojnë të zhvilloni zotësi të rëndësishme që mund t’i përdorni në jetën tuaj vetjake dhe familjare, në shërbimin në Kishë, në punësim dhe në shoqërime të tjera.

  7. Përfundojeni me lutje.

Sesioni i Përditshëm i Planifikimit

Caktoni synime dhe bëni plane me shoqëruesin tuaj misionar për 30 minuta çdo mëngjes. Ndiqni hapat më poshtë.

  1. Lutuni dhe kërkoni frymëzim.

  2. Shqyrtojeni përparimin drejt synimeve tuaja të përjavshme për treguesit kyç.

  3. Rishikoni planet tuaja për t’i ndihmuar njerëzit të cilëve po u jepni mësim. Jepuni përparësi përpjekjeve tuaja për t’i ndihmuar njerëzit që po bëjnë përparimin më të madh. Përshtatini synimet dhe planet e përditshme sipas nevojës.

  4. Zotohuni ndaj veprimeve që do t’i ndërmerrni atë ditë për të gjetur njerëz të rinj që t’u jepni mësim, dhe për t’i ndihmuar njerëzit të cilëve po u jepni mësim.

  5. Planifikoni se si do të punoni me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë.

  6. Përfundojeni me lutje.

Studimi në Dyshe Misionare

Rishikoni Shtojcën 1 dhe Shtojcën 2 në fund të këtij kapitulli për ide rreth mënyrës se si ta vini në jetë procesin e caktimit të synimeve në mësimdhënien dhe gjetjen e njerëzve. Përcaktoni se si mund t’i përdorni disa prej këtyre ideve.

Përdorni Programin Kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]

Për sa u përket atyre që u pagëzuan në kohën e tij, Moroni tha: “Emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë” (Moroni 6:4). Mbajtja e dokumenteve të mira është një mënyrë se si mund ta vini në zbatim këtë parim.

Mbajini Shënim Përpjekjet Tuaja

Mbajtja shënim e dokumenteve është pjesë e të vëzhguarit plot zell mbi zonën tuaj me dashuri dhe interesim. Mbajini dokumentet tuaja të sakta dhe të përditësuara. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të mbani mend se çfarë nevojitet të bëni për t’i ndihmuar njerëzit.

Programi kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] ju lejon të bashkërendoni dhe ndani informacion të rëndësishëm me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë lidhur me përparimin e njerëzve dhe të punës.

Ndiqni të Dhënat dhe Orientimet e Privatësisë

Ndiqni ruajtjen e të dhënave dhe orientimet e privatësisë kur mbani shënim synimet dhe planet në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] dhe në mjetet e shtypura në letër. Për informacion, shihni Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit, 7.5.

Bëjini vetes pyetjet vijuese përpara se të shënoni ose shpërndani informacion në programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], me postë elektronike, në mediat shoqërore, te shënimet ose mjete të tjera komunikimi:

  • Si do të ndihej ky person rreth asaj që po mbaj shënim?

  • Si do të ndihesha nëse dikush do ta shpërndante këtë lloj informacioni rreth meje tek të tjerët?

  • A po i ndjek rregulloret e Kishës dhe ligjet e privatësisë së të dhënave për zonën time, në qoftë se e mbaj shënim ose shpërndaj këtë informacion?

misionarë duke u lutur

Përgjegjshmëria

Parimi i përgjegjshmërisë është thelbësor në planin e përjetshëm të Perëndisë (shihni tek Alma 5:15–19; Doktrina e Besëlidhje 104:13; 137:9). Ky parim ndikon te mënyra se si mendoni dhe ndiheni rreth përgjegjësisë së shenjtë që ju ka dhënë Zoti. Përgjegjshmëria gjithashtu ndikon te mënyra se si i qaseni punës suaj.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Shpëtimtari u dha detyra të caktuara dishepujve të Tij për t’i ndihmuar të rriten, zhvillohen dhe përmbushin punën e Tij. Ai gjithashtu u dha mundësi atyre për të dhënë llogari për punën që iu ishte dhënë të bënin (shihni te Lluka 9:10; 3 Nefi 23:6–13). Si misionar, ju po ashtu jepni llogari për punën që Zoti jua ka dhënë për ta bërë.

Trajtojeni caktimin e synimeve tuaja dhe planifikimin tuaj me idenë që ju do t’i jepni llogari Zotit nëpërmjet lutjes çdo ditë. Gjithashtu jini të përgjegjshëm ndaj vetes suaj dhe ndaj udhëheqësve tuaj të misionit.

Dhënia e llogarisë duhet të jetë një përvojë plot dashuri dhe pozitive, në të cilën përpjekjet tuaja vlerësohen dhe ju përcaktoni mënyra se si mund të përmirësoheni.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë do të thotë të jesh i përgjegjshëm?

Përse liria e zgjedhjes është e rëndësishme në përgjegjshmërinë?

Si duhet të punojnë së bashku një misionar dhe një udhëheqës misioni?

Çfarë u premton Zoti atyre që janë besnikë ndaj përgjegjësive të tyre?


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Merrni parasysh fjalinë vijuese nga letra e thirrjes suaj: “Kur ia përkushtoni kohën dhe vëmendjen tuaj shërbimit ndaj Zotit, duke i lënë pas të gjitha çështjet e tjera vetjake, Zoti do t’ju bekojë me njohuri dhe dëshmi më të madhe për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur”. Bëjini vetes pyetjet vijuese dhe mbani shënim mbresat tuaja.

    • Si po ia dal me përkushtimin e kohës dhe vëmendjen time për shërbimin ndaj Zotit?

    • Çfarë bekimesh kam përjetuar?

    • Si është forcuar dëshmia ime?

    • Si mund të përmirësohem?

  • Përdorni disa çaste për të menduar rreth ditës suaj të fundit në fushën e misionit. Kur të vijë ajo ditë:

    • Si dëshironi që të jetë marrëdhënia juaj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

    • Çfarë njeriu do të kishit dashur të bëheshit?

    Në ditarin tuaj të studimit, shkruani një përgjigje për secilën nga këto pyetje. Përdoreni procesin e caktimit të synimeve për të planifikuar se çfarë mund të bëni tani për të punuar drejt këtyre synimeve. Mbajini shënim planet tuaja.

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Duke përdorur programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] jepuni përgjigje pyetjeve më poshtë:

    • A janë të gjitha dokumentet të përditësuara dhe të sakta?

    • A do të përfitonte një misionar që është i ri në zonë, nga dokumenti juaj i përpjekjeve tuaja për të gjetur njerëz të rinj që t’u jepni mësim?

    • Po ta shqyrtonit programin tuaj kompjuterik pikërisht tani, a do t’ju ndihmonte të dinit se ku janë njerëzit? A do t’ju ndihmonte të dinit rreth përparimit të tyre?

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Ftoni misionarë të tregojnë përvoja me synimet që kanë caktuar dhe planet që kanë bërë për t’i ndihmuar njerëzit të përparojnë. Shembujt mund të përfshijnë synime dhe plane për t’i ndihmuar njerëzit që:

    • Të zhvillojnë besim më të madh te Shpëtimtari.

    • Të pendohen dhe të bëjnë ndryshime për të ardhur më pranë Perëndisë.

    • Të pagëzohen dhe konfirmohen.

    • Të kthehen në Kishë dhe të ripërtërijnë besëlidhjen e tyre të pagëzimit.

  • Lexojuni misionarëve njërën nga situatat vijuese. Bëjini misionarët të ndahen në grupe të vogla. Bëjeni secilin grup që të përdorë hapat 1 dhe 2 në procesin e caktimit të synimeve për t’i ndihmuar njerëzit në këta shembuj që të përparojnë drejt pagëzimit dhe konfirmimit. Bëjeni secilin grup që të tregojë idetë e veta.

    • Një person të cilit po i jepni mësim, ka pranuar një ftesë për të frekuentuar kishën këtë javë.

    • Një person ka pranuar një ftesë për pagëzim dhe ka caktuar një synim me ju për t’u pagëzuar.

    • Një person e ka pranuar ftesën tuaj për të lexuar Librin e Mormonit dhe është zotuar që të lexojë kapitullin te 1 Nefi 1.

  • Ftojini misionarët ta përdorin programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për t’i ndihmuar që të caktojnë synime realiste, por që kërkojnë përpjekje duke:

    • Rishikuar ecurinë dhe përparimin e treguesve kyç të së kaluarës.

    • Caktuar synime të përditshme, të përjavshme dhe të përmuajshme.

    • Shtuar njerëz në synimet për treguesit kyç.

    Diskutoni se si këta hapa mund t’i ndihmojnë misionarët të planifikojnë më me efektshmëri teksa i ndihmojnë njerëzit të përparojnë. Kërkojuni misionarëve që të marrin parasysh sa vijon:

    • Si do ta përdorni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] në të ardhmen sipas asaj që planifikoni?

    • Në ç’mënyra të tjera keni zbuluar se si ta përdorni më me efektshmëri programin kompjuterik?

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Shqyrtoni shpesh programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për misionarët. Ftojini të tregojnë se si e përdorin për të gjurmuar synimet dhe planet e tyre dhe për t’i ndihmuar njerëzit që të përparojnë.

  • Me raste mbikëqyrni sesionet e përjavshme ose të përditshme të planifikimit të misionarëve.

Shtojca 1

Vëreni në Zbatim Procesin e Caktimit të Synimeve kur Punoni me Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim

Kjo pjesë jep shembuj se si mund ta vini në zbatim procesin e caktimit të synimeve për t’i ndihmuar njerëzit të cilëve u jepni mësim.

1. Caktoni Synime dhe Bëni Plane

Me lutje merrni parasysh nevojat shpirtërore të njerëzve të cilëve u jepni mësim. Caktoni synime dhe bëni plane për t’i ndihmuar që t’i përmbushin këto nevoja. Përdoreni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të rishikuar përparimin e secilit person. Përdorini treguesit kyç për kthimin në besim që të përcaktoni veprimet që do ta ndihmojnë secilin person për të bërë hapin e radhës në ardhjen te Krishti.

Ndërsa caktoni synime dhe bëni plane, bëjini vetes pyetje si këto:

  • Çfarë zgjedhjesh po bën personi që tregojnë një besim më të madh te Jezu Krishti?

  • Çfarë përvojash po përjeton personi me Shpirtin?

  • Me çfarë sfidash po përballet ai ose ajo?

  • Çfarë mund të mësojmë më shumë prej këtij personi për ta ndihmuar atë?

  • Çfarë nevojitet të ndodhë për ta ndihmuar këtë person që të zhvillojë besim te Jezu Krishti, të ndiejë dhe dallojë Shpirtin, të pendohet dhe të pagëzohet?

  • Si mund të përgatitemi për mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit të lagjes që të përfshijmë udhëheqësit dhe anëtarët e lagjes për ta ndihmuar këtë person? (Shihni te kapitulli 13.)

  • Cilat synime për treguesit kyç mund t’i caktojmë që pasqyrojnë besimin tonë te Zoti?

2. Mbani Shënim dhe Programoni Planet Tuaja

Përdoreni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të mbajtur shënim dhe programuar me hollësi synimet dhe planet tuaja. Ky do t’ju ndihmojë ta organizoni punën dhe të përcaktoni veprime që t’i ndërmerrni çdo ditë. Ndiqni ligjet për privatësinë e të dhënave në zonën tuaj.

Teksa i mbani shënim dhe i programoni planet tuaja, bëjini vetes pyetje si këto:

  • Çfarë gjëje të veçantë mund të bëjmë sot dhe këtë javë për ta përkrahur përparimin e këtij personi?

  • Çfarë doktrine (ose mësimi) do ta ndihmojë këtë person për të zhvilluar besim më të madh te Krishti dhe për ta jetuar ungjillin? Si mund ta japim mësim këtë doktrinë në atë mënyrë që ai ose ajo ta kuptojë atë dhe të lartësohet shpirtërisht nga Fryma e Shenjtë?

  • Si dhe kur do t’i konfirmojmë takimet?

  • Çfarë ftesash duhet të bëjmë ose cilat janë ftesat që duhet t’ua ndjekim ecurinë? Si dhe kur do ta ndjekim ecurinë?

  • Si dhe kur do ta ndihmojmë personin që të frekuentojë kishën, të lexojë shkrimet e shenjta, të lutet dhe të zbatojë zotimet që çojnë drejt bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë?

  • Si mund të marrin pjesë anëtarët?

  • Për cilat burime në internet mund t’i tregojmë personit?

  • Çfarë plani rezervë mund të bëjmë nëse diçka nuk shkon siç u planifikua?

3. Veproni sipas Planeve Tuaja

Kini një lutje në zemrën tuaj gjatë gjithë ditës teksa veproni sipas planeve tuaja. Shpirti do t’ju ndihmojë të dini se ku të shkoni, çfarë të bëni, çfarë të thoni dhe çfarë përshtatjesh të bëni.

Gjatë ditës bëjini vetes pyetje si këto:

  • Si mund të veprojmë me besim, duke mirëbesuar se Zoti do të na ndihmojë dhe do t’i lartësojë përpjekjet tona për t’u shërbyer fëmijëve të Tij?

  • Si mund të jemi krijues dhe guximtarë kur veprojmë sipas planeve tona?

  • Si mund t’i përshtatim planet tona sipas nevojave dhe rrethanave të njerëzve?

Planet nuk do të shkojnë gjithmonë siç shpresoni. Jini të aftë të përshtateni dhe bëni plane rezervë kur nevojitet.

4. Rishikoni Përparimin dhe Ndiqni Ecurinë

Me shoqëruesin tuaj misionar rishikoni përparimin drejt synimeve që keni caktuar për t’iu dhënë mësim njerëzve dhe për t’i ndihmuar që të përparojnë. Planifikoni mënyra se si të ndiqni ecurinë. Përshtatini planet tuaja sipas nevojës kur përpiqeni fort t’i arrini synimet tuaja.

Bëjini vetes pyetje si këto:

  • A po përparojnë njerëzit të cilëve u jepni mësim, drejt bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë?

  • Me çfarë sfidash po përballen? Cilat janë shqetësimet e tyre?

  • Çfarë mund të bëjmë sot, në prani fizike ose nëpërmjet teknologjisë, për t’i ndihmuar dhe nxitur ata të veprojnë?

  • A po përjetojnë përvoja ku po e ndiejnë Shpirtin?

  • A janë të lidhur me udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës dhe po ndërtojnë miqësi? Cili ose cila mund të marrë pjesë herën e ardhshme që do të japim mësim?

  • Çfarë mund të mësojmë nga pengesat?

  • Sa mirë ia dolëm mbanë në arritjen e synimeve tona? A ka ndonjë gjë që duhet ta përshtatim apo ta bëjmë ndryshe?

  • A është koha për kontakte jo aq të shpeshta?

Shihni kapitullin 11 për më shumë parime dhe ide mbi mënyrën se si ta ndiqni ecurinë dhe se si t’i ndihmoni njerëzit që të përparojnë.

Shtojca 2

Vëreni në Zbatim Procesin e Caktimit të Synimeve në Gjetjen e Njerëzve për t’u Dhënë Mësim

Kjo pjesë jep shembuj se si mund ta vini në zbatim procesin e caktimit të synimeve për të gjetur njerëz të rinj që t’u jepni mësim. Përdoreni këtë proces në planifikimin tuaj të përjavshëm dhe të përditshëm.

1. Caktoni Synime dhe Bëni Plane

Me shoqëruesin tuaj misionar, me lutje merrni parasysh atë që Ati Qiellor do të donte që ju të bëni për të gjetur më shumë njerëz që t’u jepni mësim. Bëjeni këtë gjë çdo javë dhe çdo ditë. Kini besim se Ai po përgatit njerëz për ju (shihni te Doktrina e Besëlidhje 100:3–8).

Caktoni synime për të gjetur njerëz çdo ditë. Bëni plane për veprimet nën kontrollin tuaj që ndikojnë te rezultatet e treguesve kyç. Shembujt përfshijnë:

  • Me sa njerëz të rinj do të flisni rreth ungjillit çdo ditë.

  • Sa herë do t’i pyetni anëtarët, njerëzit të cilëve po u jepni mësim, dhe njerëzit që kontaktoni, nëse ata njohin dikë që mund të jetë i interesuar për mesazhin tuaj.

  • Sa shpejt do t’iu përgjigjeni referimeve ose komenteve në afishimet në mediat shoqërore.

Shqyrtoni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] dhe bëjini vetes pyetje si këto:

  • Çfarë do të donte Ati Qiellor që ne të bënim sot dhe këtë javë për të gjetur njerëz që t’iu japim mësim?

  • Çfarë synimesh të përditshme dhe të përjavshme për treguesit kyç mund të caktojmë për të gjetur njerëz që t’iu japim mësim?

  • Cila veprimtari për gjetjen është më e mira për këtë kohë të ditës dhe vendndodhjen?

  • Si mund t’i frymëzojmë dhe përkrahim anëtarët e lagjes në përpjekjet e tyre për ta përhapur ungjillin nëpërmjet parimeve të dhënies së dashurisë, të treguarit dhe të ftuarit?

  • Cilët anëtarë të rinj mund të kontaktojmë për t’i ndihmuar që të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit? A kanë ndonjë mik që ata mund ta ftojnë?

  • Si mund të punojmë me këshillin e lagjes ose pjesëmarrësit në mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit të lagjes për të përcaktuar familjet që janë pjesërisht anëtare, anëtarët që po kthehen në aktivitet, dhe pleq të ardhshëm të cilët të kontaktohen?

  • Cilët njerëz që po u jepet mësim aktualisht, cilët njerëz që iu është dhënë mësim më parë, dhe cilët njerëz të referuar mund të kontaktojmë? Si do t’i kontaktojmë ata? (Në prani fizike, nëpërmjet teknologjisë, me telefon ose në mënyra të tjera)

  • Cilat janë disa mënyra të reja se si mund të gjejmë njerëz?

  • Çfarë talentesh dhe anësh të forta vetjake mund të përdorim?

  • Si mund ta përmirësojmë aftësinë tonë për të gjetur njerëz që t’iu japim mësim?

  • Si mund t’i ndihmojmë njerëzit që i kontaktojmë, që të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë?

Për shembuj rreth veprimtarive të gjetjes, shihni kapitujt 9, 10 dhe 13.

Përdoreni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] që t’ju ndihmojë për të përcaktuar veprimtaritë e gjetjes që kanë qenë të efektshme në të kaluarën. Për shembull, mund të shihni se si u gjetën të kthyerit në besim të kohëve të fundit.

Kërkoni frymëzim dhe jini të çiltër ndaj mbresave dhe ideve të reja. Shmangiuni ngecjes në një rutinë. Misionarët që gjejnë vazhdimisht njerëz të rinj për t’u dhënë mësim, shpesh përdorin një larmi mënyrash çdo javë. Ata punojnë për këtë gjë vazhdimisht.

2. Mbani Shënim dhe Programoni Planet Tuaja

Me shoqëruesin tuaj misionar, përdoreni programin kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] për të shënuar e programuar synimet dhe planet tuaja me hollësi. Mbajtja shënim dhe programimi i planeve tuaja do t’ju ndihmojë të përcaktoni cilat veprime të ndërmerrni dhe kur t’i ndërmerrni ato.

Bëjini vetes pyetje si këto:

  • Kur dhe si do t’i kontaktojmë njerëzit? Cilat janë qasjet më të mira? Cilat janë vendndodhjet më të mira? Cilat janë kohët më të mira gjatë ditës për mënyrat e ndryshme të gjetjes së njerëzve?

  • Si mund të kemi bashkëbisedime kuptimplota me njerëzit që takohemi?

  • Si dhe kur do të gjejmë njerëz në internet duke përdorur mediat shoqërore dhe teknologji të tjera?

  • Kur do t’i kontaktojmë referimet?

  • Çfarë plane rezervë do të bëjmë për raste kur disa plane nuk do të dalin siç pritej?

3. Veproni sipas Planeve Tuaja

Përpiquni fort dhe plot zell që të arrini synimet tuaja për të gjetur njerëz që t’iu jepni mësim. Kini një lutje në zemrën tuaj gjatë gjithë ditës. Jini të çiltër kur i përshëndetni dhe u flisni njerëzve që takoni. Shpirti do t’ju ndihmojë të dini se ku të shkoni, çfarë të bëni, çfarë të thoni dhe çfarë përshtatjesh të bëni.

Gjatë ditës bëjini vetes pyetje si këto:

  • Si mund të veprojmë me besim, duke mirëbesuar se Zoti do të na ndihmojë dhe do t’i lartësojë përpjekjet tona për t’u shërbyer fëmijëve të Tij?

  • Si mund të jemi krijues dhe guximtarë kur veprojmë sipas planeve tona?

  • Si mund t’i përshtatim planet tona sipas nevojave dhe rrethanave të njerëzve?

  • Si mund t’i ndihmojmë njerëzit që të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë?

Planet nuk do të shkojnë gjithmonë siç shpresoni. Jini të aftë të përshtateni dhe bëni plane rezervë kur nevojitet.

4. Rishikoni Përparimin dhe Ndiqni Ecurinë

Gjatë gjithë ditës dhe javës, me lutje rishikoni përparimin në arritjen e synimeve tuaja për të gjetur njerëz që t’iu jepni mësim. Bëjini vetes pyetje si këto:

  • Sa mirë ia dolëm mbanë në arritjen e synimeve tona dhe në ndjekjen e planeve tona?

  • Çfarë përshtatjesh duhet të bëjmë për të plotësuar synimet tona për të gjetur njerëz?

  • Si mund ta shmangim rënien në një rutinë që nuk është e efektshme për të gjetur njerëz që t’u japim mësim?

  • Çfarë është diçka e re që mund ta provojmë gjatë kësaj periudhe të ditës?

  • Cilat janë disa ide që mund t’i diskutojmë në mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit të lagjes për të na ndihmuar të gjejmë njerëz për t’iu dhënë mësim? (Shihni te kapitulli 13.)

Si dyshe misionare përdorni tabelën “Përpjekjet për të Gjetur Njerëz” te kapitulli 9 që të vlerësoni përpjekjet tuaja të përjavshme dhe të përditshme për gjetjen e njerëzve. Dalloni ato gjëra që po i bëni mirë dhe merrni parasysh se si mund të përmirësoni.

Gjatë gjithë ditës, ndaluni për pak minuta që të dalloni dorën e Perëndisë në punën tuaj.