2021
Xhofri Kusemou
Janar 2021


Pionierë në Çdo Vend

Xhofri Kusemou

Misionari i Parë nga Benini

Xhofri e dinte që Perëndia ishte i gatshëm ta ndihmonte nëse e bënte pjesën e tij.

missionary in Benin

Xhofri doli nga klasa me shokun e tij, Teodorin. Të dy djemtë ishin 16 vjeç dhe jetonin në Benin, një shtet në Afrikë. Ata po shkonin në një shkollë të re për të mësuar mbi bujqësinë. Ishte hera e tyre e parë që jetonin larg familjeve të tyre. Ata duhej të studionin dhe të punonin me orë të gjata çdo ditë.

Xhofri hodhi çantën në shpinë. “Mendoj se mund ta lë shkollën. Këto lëndë janë kaq të vështira.”

“Jo!” tha Teodori. “Mos e lër shkollën. Ke nevojë të mbështetesh te Perëndia. Nëse e bën këtë, do t’ia dalësh mbanë.”

Fjalët e Teodorit i mbetën në mendje Xhofrit për pjesën tjetër të ditës. Xhofri ishte rritur si i krishterë, por kurrë nuk ishte përpjekur të mbështetej te Perëndia. Ai u gjunjëzua në dysheme, por s’kishte filluar ende të lutej. Ishte në ankth. Por nëse nuk merrte ndihmë nga diku, ai kurrë nuk do të ishte në gjendje t’i kalonte lëndët. Dalëngadalë Xhofri uli kokën.

“Atë në Qiell”, tha ai, “të lutem më trego se si të mbështetem tek ti. Të lutem, a do të më ndihmosh t’i kaloj lëndët? Premtoj se do të të shërbej sa më mirë që mundem për pjesën tjetër të jetës sime.”

Që prej asaj kohe, Xhofri u ndie më i guximshëm dhe më i vendosur. Lëndët ishin ende të vështira, por ai e dinte se Perëndia ishte i gatshëm ta ndihmonte nëse e bënte pjesën e vet. Xhofri e la mënjanë frikën dhe punoi fort.

Doli mirë në shkollë. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, më në fund ai ishte gati të diplomohej. Ia kishte dalë mbanë!

Pasi e mbaroi shkollën, Xhofri vazhdoi të punonte fort. Shpejt, ai kishte një fermë të vetën.

Pastaj, një ditë, ai pa një shok që ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shoku i dha atij një Libër Mormoni. Xhofri e lexoi Librin e Mormonit dhe u lut. Ndjeu ngrohtësi dhe paqe brenda vetes dhe e dinte me siguri se Kisha është e vërtetë.

Ai tashmë e dinte se çfarë duhej të bënte më pas. Punoi, u lut dhe u mbështet te Perëndia. Së pari, ai u pagëzua. Më pas, ai ua tregoi dëshminë njerëzve që ishin përreth tij. Disa prej shokëve të tij u pagëzuan gjithashtu. Ajo që filloi si një grup i vogël anëtarësh, shpejt u kthye në një degë. Ai po e ndihmonte Kishën të rritej në Benin!

Xhofri donte të shkonte në një mision. Nuk kishte mjaft para, kështu që e shiti fermën e tij. Pak muaj më vonë, ai mori një thirrje për mision në Bregun e Fildishtë. Ishte misionari i parë nga Benini që mori një thirrje për mision!

Përkushtimi i tij e ndihmoi për vite të tëra. Për shkak të besimit të tij, dhe të anëtarëve të tjerë, shumë njerëz u pagëzuan. Dega e tij u bë një lagje. Ajo lagje tani është pjesë e kunjit të parë në Benin!

Xhofri Kusemou vazhdon të punojë fort dhe të mbështetet te Perëndia. Ai e di se gjëra të mëdha mund të ndodhin me ndihmën e Perëndisë. ●

Friend Magazine, 2021/01-02 Jan/Feb

Ilustrimet nga Isabel Muñoz