Problemi me Festën
Autorja jeton në Korrientes të Argjentinës.
Një pjesë e Luzit thjesht donte të shkonte në festë. Por prapë kishte siklet.
“Studio[je] atë tërësisht në mendjen tënde; më pas … më pye[t] nëse është e drejtë” (Doktrina e Besëlidhje 9:8). Kjo ngjarje zhvillohet në Korrientes të Argjentinës.
Luzi u ndie e lumtur. Viti shkollor po mbaronte dhe kaq shumë gjëra emocionuese po ndodhnin. Shpejt ajo do të diplomohej nga klasa e gjashtë. Vitin pasues, ajo do të hynte në gjimnaz!
U befasua që ishte rritur kaq shumë! Ajo ishte më e gjatë dhe nuk ishte më fëmijë. Ato ndryshime ishin emocionuese, por ajo gjithashtu ndihej pak në ankth.
Vendosi të bisedonte për këtë me prindërit e saj.
“Kjo është një kohë e mrekullueshme në jetën tënde, Luzi”, tha babi. “Është koha që ti të mësosh, të bësh më të mirën tënde dhe të arrish synimet që do të të ndihmojnë të bëhesh personi që Perëndia e di që mund të bëhesh.”
“Por jeta vjen ditë pas dite”, tha mami. “Ti do të rritesh dhe do të bëhesh ai person me çdo zgjedhje të vogël e të mirë që bën.”
Kjo e ndihmoi Luzin të ndihej më mirë. U lumturua që nuk kishte pse të rritej menjëherë.
Një ditë në shkollë, shoqet e Luzit i thanë se do të bënin një festë diplomimi. Ato ishin shumë të emocionuara. Do të hanin darkë, do të kishte muzikë, drita, madje dhe një vallëzim!
Por teksa Luzi i dëgjoi shoqet e saj të flisnin për festën, ajo filloi të mos ndihej rehat. Nuk dukej si lloji i festës ku ajo do të mund të ndiente Frymën e Shenjtë.
“Do të vish, Luzi, apo jo?” e pyeti një nga shoqet e saj.
“Ti duhet të vish!” tha një shoqe tjetër. “Do t’u them prindërve të mi që të flasin me prindërit e tu. Pastaj ata do të të lejojnë që të vish.”
“Ndoshta.” Luzit filloi t’i pështjellohej stomaku. “Do … t’ju them.”
Luzi e kaloi pjesën e mbetur të fundjavës duke menduar për festën. Mendonte për të ndërkohë që ushtrohej në piano. Mendonte për të ndërkohë që luante me vëllanë e saj foshnjë. Pavarësisht nga ajo që bënte, nuk mund ta largonte nga mendja.
Një pjesë e saj thjesht donte të shkonte në festë. Por prapë kishte siklet. Ndjesia e ankthit në stomak nuk largohej.
“A je mirë, hija?” e pyeti mami të dielën pasdite. Ajo po rregullonte me gishtat e saj flokët e gjatë dhe të errët të Luzit.
“Epo …”, tha Luzi.
“A je duke menduar ende për festën?”
“Nuk di çfarë të bëj”, tha Luzi. “Dua të shkoj. Por e di se nuk do të kem një ndjesi të mirë.”
Mami buzëqeshi. “E di që do të bësh një zgjedhje të mirë”, tha ajo. “Mendo për të, bëj zgjedhjen tënde dhe tregoji Atit Qiellor atë që ke vendosur. Ai do të të ndihmojë të dish nëse është e drejtë. Do ta ndiesh në zemrën tënde.”
Luzi tundi kokën. Mori frymë thellë dhe shkoi në dhomën e saj për t’u lutur.
“Atë Qiellor”, pëshpëriti Luzi. “Shoqet e mia më ftuan në festë, por nuk ndihem mirë për këtë. Do t’ju them se nuk mund të vij. A është kjo gjëja e duhur për të bërë?”
Një valë ngrohtësie e pushtoi Luzin. Ajo nuk u ndie më e pështjelluar. Ndjeu sikur ishte plot dritë! Ajo e dinte se po bënte zgjedhjen e duhur.
Kur Luzi doli nga dhoma, ajo i dha mamit një përqafim të fortë.
“Vendosa të mos shkoj”, i tha Luzi asaj.
“Jam krenare për ty”, tha mami.
Edhe babi i dha një përqafim Luzit. “Kam një ide”, tha ai. “Le të organizojmë vetë festën tonë të diplomimit. Mund të hamë akullore dhe të festojmë si familje!”
Luzi buzëqeshi. Asaj i pëlqente shumë akullorja! Dhe i pëlqente shumë të dinte se mund të bënte gjënë e duhur, edhe kur ishte e vështirë. Me çdo zgjedhje të vogël, të mirë që bënte, ajo mund të rritej duke u bërë personi që Perëndia e dinte se mund të bëhej. ●