2021
Vetëm Një Taksi
Janar 2021


Vetëm Një Taksi

Autorja jeton në Karolinën e Veriut në SHBA.

“Na ndihmo të gjejmë vetëm një taksi që të mund t’ia dalim të shkojmë në kishë sot”, u lutën vajzat.

“Gjithmonë kam një ndjenjë të lumtur kur shkoj në kishë” (Children’s Songbook, f. 157).

Kjo ngjarje ndodhi në Kantabria të Spanjës.

two girls holding umbrella

“Si do t’ia dalim të shkojmë në kishë sot?”, pyeti motra e vogël e Elit, Pepa. “Po bie kaq shumë shi!”

“Mos u shqetëso”, tha Eli. “Ne jemi guximtare!”

Eli e ndihmoi Pepën që të mbërthente pallton e saj. Pastaj veshi çizmet e veta për shi.

Eli dhe Pepa dolën jashtë me mamin dhe babin. Po binte shi më shumë se kurrë. Era ia ktheu mbrapsht çadrën. Eli nuk po ndihej më kaq guximtare.

“Çfarë duhet të bëjmë?” pyeti Eli. Moti ishte shumë i stuhishëm për të shkuar tek autobusi.

“Më mirë marrim një taksi”, tha babi.

“Ide e mirë”, tha mami. “Le të shkojmë!”

Ata ecën përgjatë rrugës së përmbytur. Asnjë taksi apo makinë nuk kaloi pranë tyre. Madje dhe panadería (furra e bukës) ishte e mbyllur.

Më në fund, ata e panë vendin kur parkonin taksitë për të marrë njerëzit. Por vendparkimi i parë i taksive ishte i zbrazët.

“Oh, jo!” tha Pepa.

Está bien. S’ka gjë”, tha Eli. “Mund të ketë ndonjë. Thjesht nuk e kemi parë akoma.”

Ata u afruan më tej. Vendparkimi tjetër ishte i zbrazët gjithashtu.

“Po tani?” pyeti Pepa.

“E di unë”, tha Eli. “Le të lutemi!”

Vajzat thanë duke pëshpëritur një lutje. “Nuestro Padre Celestial, të lutemi, na ndihmo të gjejmë vetëm një taksi që të mund t’ia dalim të shkojmë në kishë sot. Po përpiqemi të zgjedhim të drejtën dhe ky shi po e bën të vështirë. En el nombre de Jesucristo, amén.” Eli ishte ende duke mësuar spanjisht, kështu që e përziente anglishten me spanjishten së bashku.

Ata ecën edhe pak. Edhe vendparkimi tjetër ishte i zbrazët.

“Ndoshta duhet të kthehemi mbrapsht dhe të shkojmë në shtëpi”, thirri babi mes erës së fortë.

“Këmbët na janë bërë qull!”, tha mami.

“Le të shkojmë edhe pak më tutje”, tha Eli. “Na nevojitet vetëm një taksi.”

Tani ata mund të shihnin vendparkimin e fundit.

Atje, me dritën e gjelbër të ndezur, ishte një taksi!

Eli dhe Pepa kërcyen pupthi brenda në taksi. Mami i ndihmoi të rregullonin flokët e lagura. “Na vjen keq që po ua lagim ndenjëset”, i tha babi shoferit.

Ata mbërritën në godinën kishtare dhe i përshëndetën miqtë e tyre me besos dhe abrazos (puthje dhe përqafime).

“Nuk mund ta besoj që gjetëm një taksi”, tha mami. “¡Que suerte!

“Nuk ishte fat”, tha Eli. “Unë dhe Pepa u lutëm që Ati Qiellor të na ndihmonte të vinim në kishë. Dhe Ai na dëgjoi!” ●

Friend Magazine, 2021/01-02 Jan/Feb

Ilustrimet nga Patricia Geis