Dita e Parë e Jaekanit
A ishte kjo rruga e duhur? Jaekani u ndje i pështjelluar.
“Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj” (Psalmeve 34:4). Kjo ngjarje ndodhi në Gieongi-do, në Korenë e Jugut.
Ishte vënë muzikë gazmore kur Jaekani dhe mami u ngritën nga ndenjëset e tyre në palestrën e shkollës. Tufa tullumbacesh me shkëlqim qëndronin pezull përgjatë mureve teksa fëmijë të tjerë dhe prindërit e tyre flisnin të emocionuar.
Të nesërmen ishte dita e parë e shkollës dhe në Korenë e Jugut nxënësit e rinj gjithmonë shkonin në një program të veçantë për të festuar fillimin e shkollës. Kur i dëgjoi këngët dhe folësit, Jaekani u ndje i emocionuar. Mezi po priste që të fillonte të mësonte!
Pas programit, mami dhe Jaekani kaluan nëpër korridoret e shkollës. Kur mbërritën te klasa e tij, Jaekani u takua me mësuesen e tij. Ajo dukej vërtet e mirë.
Më vonë, mami dhe Jaekani dolën jashtë në diellin e ngrohtë të pranverës. Madje edhe dielli e qielli dukeshin të lumtur që po fillonte shkolla.
Të nesërmen në mëngjes, mami e përcolli Jaekanin deri te porta e shkollës. E përqafoi fort atë. “Të dua”, i tha ajo. “Ia kalofsh bukur ditën e parë.”
“Patjetër që po”, tha Jaekani. “Edhe unë të dua.” E përshëndeti me dorë dhe u kthye që të shkonte në klasën e tij, ashtu siç e kishin praktikuar.
Ndërkohë që Jaekani po ecte në korridor, ai filloi të shqetësohej. A është kjo rruga e duhur? Jaekani u ndal dhe vështroi përreth. U kthye dhe eci në një korridor tjetër. Shpejt, gjithçka ishte bërë lëmsh.
Jaekani mori frymë thellë. Ai e dinte se kishte qenë në këtë korridor dje. Vazhdoi të ecte dhe kaloi përmes ca dyerve të mëdha.
Por Jaekani nuk e pa klasën e tij, me banka dhe shokë e shoqe dhe mësuesen e tij të mirë. Ai pa palestrën. Dhe tani atje nuk kishte as njerëz, as tullumbace. Ishte thjesht një dhomë e madhe e zbrazët.
Sytë e Jaekanit u mbushën me lot. U përpoq të mos e kapte paniku, por kishte frikë. Nuk dinte si ta gjente klasën e tij. U gjunjëzua për t’u lutur. “Atë Qiellor, kam humbur. Të lutem, ndihmoje mamin që të vijë e të më gjejë, dhe të më ndihmojë që të shkoj në klasën time.”
Jaekani u ngrit në këmbë. Mori frymë thellë edhe disa herë të tjera. Pastaj priti.
Pak minuta më vonë, mami u shfaq në cep të korridorit. “Jaekan!” Ajo vrapoi drejt tij dhe e shtrëngoi pas vetes. “Çfarë ndodhi?”
Jaekani shpërtheu në lot. U ndie shumë i lehtësuar kur e pa mamin. “Nuk munda ta gjeja klasën”, tha ai. “Kështu që u luta që ti të vije e të më gjeje.”
Mami ia fshiu lotët nga fytyra. “Jam e lumtur që bëre një lutje”, tha ajo. “Isha rrugës për në shtëpi. Por pastaj pata një ndjenjë se duhet të kthehesha dhe të sigurohesha që e kishe gjetur klasën tënde. Kur nuk të gjeta atje, të kërkova kudo. Pastaj të gjeta!”
Jaekani e kapi përdore mamin teksa ecnin në korridorin e duhur. Jaekani kishte pushuar së qari. Ai e dinte se Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes së tij dhe se gjithçka ishte mirë. Kur u futën në klasë, ai i dëgjoi fëmijët e tjerë që ishin brenda të qeshnin e të argëtoheshin.
“Jaekan!” “Jemi kaq të lumtur që të shohim”, tha mësuesja e Jaekanit kur ai hyri brenda.
“Faleminderit”, tha Jaekani duke u përkulur pak. Ai e përqafoi mamin edhe një herë tjetër. Pas së gjithash, do të ishte një ditë e parë e bukur shkolle.