Një Ndjenjë e Ngrohtë
Autorja jeton në Guatemalë, Guatemala.
“Unë do të të rrethoj me krahët e dashurisë sime” (Doktrina e Besëlidhje 6:20).
Ishte një mëngjes i bukur dhe i kthjellët në San‑Hose Pinula, një qytet i vogël pranë Guatemala‑Sitit. “Mezi pres!” i tha Xhoshua motrës së tij të vogël. Sot ishte dita e pagëzimit të tij!
Pasi familja mbërriti në kishë, Xhoshua dhe Papá [babi] u veshën me rroba të bardha. Në fillim, Xhoshua u ndje paksa në ankth. Por Papá ia mbajti dorën kur zbritën shkallët për në vaskë dhe ai nuk u ndje kaq në ankth. Kur Xhoshua doli nga uji, ai kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë.
Xhoshua dhe Papá veshën rroba të thata. Më pas Papá, xhaxhallarët dhe gjyshi i Xhoshuas i vendosën duart mbi kokën e Xhoshuas. Ata e konfirmuan anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Xhoshua e dëgjoi Papán të thoshte: “Merre Frymën e Shenjtë”.
“Jam shumë i lumtur!” tha ai ndërsa i dha Papás një përqafim të fortë.
“Kujto premtimet që bëre sot”, tha Papá. “Nëse e bën, Fryma e Shenjtë mund të jetë gjithmonë me ty. Ti kurrë nuk do të jesh në të vërtetë vetëm.”
Një mëngjes, pak muaj më vonë, Xhoshua u zgjua duke qarë. I dhembte shumë stomaku! “Mamá!” bërtiti Xhoshua nga shtrati i tij. “Më dhemb shumë barku!”
Stomaku vazhdoi të bëhej keq e më keq. Ai madje as nuk mund të ecte. Papá i dha Xhoshuas një bekim priftërie dhe pastaj ai dhe Mamá e çuan për t’u vizituar te mjeku.
Mjeku tha se Xhoshua kishte nevojë të bënte menjëherë një operacion. Tingëlloi e frikshme!
“Do të të çojmë te një dhomë e veçantë për operacionin”, tha mjeku. “Nuk do të ndiesh asgjë, sepse do të jesh në gjumë. Dhe prindërit e tu do të të presin jashtë.”
Xhoshua u ndie edhe më i frikësuar. Pse prindërit e tij nuk mund të qëndronin në dhomë me të? Ai nuk mund të pushonte së qari.
Mamá i foli me butësi. “Çfarë mund të bëjmë për të të ndihmuar që të ndihesh më mirë?” tha ajo.
“E di se çfarë mund të bëjmë”, tha ai. “Ju lutem, këndoni me mua ‘Fëmi’ i Per’ndis’ Jam’. Pastaj le të themi një lutje tjetër.”
Ndërsa këndonin me zë të ulët, Xhoshuas iu kujtua që e kishte kënduar atë këngë në pagëzimin e tij. Dhe kur u lutën, ai mendoi për atë që Papá i kishte thënë ditën e pagëzimit të tij: “Fryma e Shenjtë mund të jetë gjithmonë me ty. Ti kurrë nuk do të jesh në të vërtetë vetëm.”
Xhoshua ende ndihej i frikësuar kur infermieret e futën në dhomën e operacionit. Ai nuk mund t’i shihte fytyrat e mjekut dhe të infermiereve sepse ata kishin vënë maska. Por kur vështroi sytë e tyre, ai e dinte se ata ishin miqtë e tij dhe do të kujdeseshin për të.
Pas operacionit, mjekët thanë se Xhoshua kishte nevojë që të pushonte. Ai ishte ende i lodhur dhe me plagë, por dhembja në stomak ishte më mirë. Nuk i vinte më për të qarë. E dinte se do të ishte mirë.
“Ndjeva diçka në zemrën time”, i tha Xhoshua Mamás dhe Papás. “Ishte një ndjenjë e ngrohtë.”
“Kjo është një nga mënyrat se si e ndiejmë Frymën e Shenjtë”, tha Mamája.
Xhoshua pohoi me kokë. Ishte i lumtur që kishte dhuratën e Frymës së Shenjtë. Për shkak të Frymës së Shenjtë, ai kurrë nuk do të ishte në të vërtetë vetëm.