2021
Përgatitja për Pashkën
Mars 2021


Përgatitja për Pashkën

“Adhuroj[eni] Atin në emrin e tij, me zemër të kulluar dhe me duar të pastra” (2 Nefi 25:16).

mom and daughter sitting on bed as sun rises outside window

“Zgjohu, Lidia”, tha mami. “Është e Enjtja e Pastrimit!” Në Rusi, në vendin ku jetonte Lidia, e Enjtja e Pastrimit ishte një ditë e veçantë për t’u përgatitur për Pashkën.

Lidia u rrotullua dhe pa nga dritarja. Jashtë ishte ende errësirë.

“Mami, jam kaq e lodhur”, tha Lidia. “A mund të fle edhe pak dhe të punoj më vonë?”

Mami buzëqeshi dhe u ul te shtrati. “Ka një arsye përse ne zgjohemi kaq herët sot. A e di ti se çfarë është?”

Lidia u mendua thellë, por nuk e dinte.

“Ne punojmë fort për ta pastruar shtëpinë tonë sot që të na kujtojë çastin kur Jezusi u lau këmbët dishepujve të Tij. Ai i donte dhe u shërbeu të tjerëve dhe ne duam të shërbejmë në shtëpinë tonë ashtu siç bëri Jezusi. Sot është dita ta kujtojmë Jezusin!” tha mami.

Lidia donte të shërbente si Jezusi, kështu që kërceu nga shtrati. Në pjesën e mbetur të ditës, ajo punoi fort. Pastroi dyshemenë, lau rrobat dhe ndihmoi për gatimin e ushqimit. Në fund të ditës, ajo u ndje krenare. Çdo gjë shkëlqente.

Të nesërmen ishte e Premtja e Mirë. Lidia, mami dhe babi bënë vezët e Pashkës. Ata shpuan vrima të vogla në lëvozhgë dhe e kulluan të gjithë përmbajtjen e vezës. Vizatuan figura në vezë dhe e mbuluan çdo figurë me dyll. Më pas i zhytën vezët në bojë të kuqe, vjollcë dhe të gjelbër të shndritshme. Lidias i pëlqeu shumë se sa bukur dukeshin figurat me dredha.

Kur vezët u thanë, Lidia mblodhi në formë tubi fotografi të familjes së saj dhe vendosi një në çdo vezë. Kjo e Premte ishte një ditë për të qenë së bashku dhe për të kujtuar flijimin e Jezusit. Ishte dita e javës kur vdiq Jezusi. Vezët i kujtuan Lidias varrin ku u vendos Jezusi. Familja e Lidias bëri më të mirën për ta kujtuar Atë.

Të Shtunën e Shenjtë, mami bëri kuliç (bukën e Pashkës). Përgatitja e kuliçit ishte një traditë e rëndësishme e Pashkës në Rusi. Njerëzit gjithmonë përpiqeshin të ishin nderues kur piqej kuliçi. Lidia mendoi për familjen e saj, Ringjalljen e Jezusit dhe gjërat për të cilat ajo ishte mirënjohëse. Ishte më e lehtë të mendonte për gjëra shpirtërore kur shtëpia e saj ishte kaq e pastër dhe paqësore.

Më në fund erdhi e Diela e Pashkës! Lidia ishte kaq e emocionuar. Kushërinjtë e saj erdhën për ta vizituar. Të gjithë hëngrën ushqimin e shijshëm për të cilin ajo kishte ndihmuar për ta gatuar. Kishte ëmbëlsira, kuliç, salsiçe dhe djathëra. Ndërsa hanin, ata dhanë dëshmitë e tyre dhe folën rreth gjërave për të cilat ishin mirënjohës.

Pas darke ata luajtën një lojë të veçantë. Çdo person mbante një vezë të zbukuruar dhe e çokiste lehtë me një vezë tjetër. Personi të cilit i plasaritej veza e para, dilte nga loja. Krahët e Lidias u drodhën kur ajo i ra me vezën e vet vezës së kushërirës së saj. “Hë pra, vezë!” bërtiti ajo. Veza e saj me ngjyrë vjollcë të shndritshme u bë copë‑copë. Atje në lëvozhgën e thyer ishte fotografia e familjes së saj.

Lidia buzëqeshi kur e pa fotografinë. Nuk e pati problem që e humbi lojën. Një ndjenjë e ngrohtë, e lumtur ia mbushi zemrën. Kishte punuar fort për t’u përgatitur për këtë Pashkë duke e ndihmuar dhe duke i dhënë dashuri familjes së saj. Për shkak të Ringjalljes së Krishtit, të gjithë ata do të jetonin sërish!

Product Shot from March 2021 Friend Magazine

Ilustrimet nga Sofia Cardoso