Shokë Kampi
Në fillim, Edisoni pati ndjesinë sikur nuk i përkiste atij vendi.
Edisoni përplasi këmbët në tokë. Të gjithë djemtë e tjerë po bisedonin dhe po ngrinin çadrat. Por ai nuk njihte askënd.
Familja e Edisonit pushoi së shkuari në kishë pak kohë pasi u shpërngulën në Spanjë. Por më pas djemtë nga lagjja erdhën dhe e ftuan të shkonte në një udhëtim me kamp. Kampi i ishte dukur argëtues, por tani Edisoni nuk ishte i sigurt nëse dëshironte të ishte atje. Pati ndjesinë sikur nuk i përkiste atij vendi.
Dy djem, Diegoja dhe Huani, shkuan tek Edisoni. “A dëshiron që të rrimë në çadër bashkë?” – pyeti Diegoja.
Edisoni mori frymë dhe buzëqeshi. “Sigurisht!”
“Bukur!” – tha Huani. “Dhe pastaj mund të shkojmë për not.”
Djemtë e ngritën çadrën dhe vrapuan drejt lumit. Uji ishte i ftohtë, por tani Edisoni po argëtohej aq shumë sa vështirë se e vuri re. Pas drekës, djemtë dhe udhëheqësit shkuan për ecje të gjatë. Ata u kthyen sapo dielli kishte filluar të perëndonte, kështu që ndihmuan për të bërë një zjarr.
“Si e ke familjen?” – pyeti Huani.
Edisoni hodhi një grumbull degësh në zjarr. “Prindërit e mi janë shumë të mirë. Dhe motra ime është shoqja ime më e mirë. U shpërngulëm këtu nga Ekuadori.”
Diegoja dhe Huani vështruan nga njëri‑tjetri me një buzëqeshje të madhe.
“Edhe ne jemi nga Ekuadori!” – tha Huani.
Diegoja hapi zinxhirin e xhaketës së tij për të treguar bluzën me mëngë të shkurtra. Kishte simbolin e ekipit të futbollit të Ekuadorit.
“Ua!” – tha Edisoni. “Për çfarë ju ka marrë malli më së shumti prej Ekuadorit?”
Diegoja dhe Huani qeshën. “Për ushqimin!” – bërtitën që të dy.
Djemtë vazhduan të bisedonin rreth gjërave për të cilat i merrte malli për Ekuadorin dhe për ato që u pëlqenin nga të jetuarit në Spanjë. Edisonit i pëlqeu lehtësia me të cilën mundi të bisedonte me Diegon dhe Huanin.
Pastaj njëri nga udhëheqësit, Vëllai Sisneros, u ngrit në këmbë. “Ej, të gjithë ju! Dëshirojmë ta mbyllim natën me një mbledhje dëshmish.”
Një e nga një, djemtë dhe udhëheqësit u ngritën dhe dhanë dëshmi. Fjalët e tyre e bënë zemrën e Edisonit të ndihej sikur ishte mbështjellë me një batanije të ngrohtë.
Diegoja u ngrit në këmbë. “E di se Kisha është e vërtetë! E di se Perëndia është Ati im dhe se Jezu Krishti është Shpëtimtari im.”
Ndjenja e ngrohtë u bë edhe më e fortë. “Dua ta di dhe unë”, – mendoi Edisoni.
Kur Edisoni u kthye në shtëpi nga udhëtimi, fjalët e Diegos i mbetën në mendje. Ai dëshironte që të mund të shkonte në kishë dhe të mësonte rreth Jezusit me Diegon dhe Huanin.
Atë natë për darkë, Papá e pyeti: “Si ishte udhëtimi me kamp?”
“Ishte i shkëlqyer!” – tha Edisoni. “Notuam, bëmë ecje të gjatë dhe zjarr. Madje zura dy shokë që janë gjithashtu nga Ekuadori!”
“Shkëlqyer! Duhet t’i ftojmë”, – tha Mamá.
Edisoni u ndal. “A mund të fillojmë të shkojmë sërish në kishë?”
Mamá dhe Papá nuk thanë asgjë për pak çaste. Pastaj Mamá u kollit. “Nëse dëshiron të shkosh, nuk ka problem”, – tha ajo. “Por unë dhe Papá nuk do të shkojmë.”
Edisoni u lëshua në karrigen e tij. Nuk dëshironte të shkonte në kishë i vetëm. Ndoshta duhet të qëndronte në shtëpi me familjen.
Pastaj Edisoni solli ndër mend ndjenjën e ngrohtë nga mbledhja e dëshmive. Edhe nëse familja e tij nuk dëshironte të shkonte në kishë, Edisoni dëshironte të shkonte.
Përveç kësaj, nuk do të ishte vetëm. Edisoni buzëqeshi teksa hëngri darkën. Pastaj mori telefonin. Ai njihte disa miq me të cilët mund të shkonte në kishë!