Gjeje se Kush të Do, Znj. Benks!
E gjitha filloi me një lule …
Roksit i pëlqente shumë të shikonte të gjitha shtëpitë në lagjen e saj ndërsa kthehej nga shkolla për në shtëpi. Një shtëpi kishte një qen që lehte dhe kërcente lart e poshtë në dritare. Një shtëpi tjetër kishte zogj që cicërinin në pemë.
Dhe ja ku ishte shtëpia e znj. Benks. Znj. Benks kishte qenë mësuesja e saj në klasën e tretë dhe ajo ishte mësuesja e parapëlqyer e Roksit. Roksi gjithmonë e përshëndeste me dorë znj. Benks kur e shihte të ulur në karrige në verandën e saj përpara shtëpisë. Znj. Benks ishte gjithmonë miqësore dhe e lumtur.
Por sot karrigia në verandë ishte e zbrazët. Shtëpia dukej e qetë. As macja e znj. Benks, Çesteri, nuk ishte.
Roksit iu kujtua që mami i kishte thënë se znj. Benks ishte e sëmurë. Ajo shkonte në spital çdo ditë për trajtim. Roksi u ndje e trishtuar. Ajo dëshironte të bënte diçka të mirë për znj. Benks. Por çfarë?
Roksi e hodhi vështrimin përreth te bletët që fluturonin nga lulja në lule. Pastaj i erdhi një ide.
Roksi vrapoi për në shtëpi dhe këputi një trëndafil nga kopshti i saj. Ajo u kthye te shtëpia e znj. Benks dhe e vendosi atë në verandën përpara shtëpisë.
Të nesërmen Roksi vendosi një luledielli në karrigen e znj. Benks. Dhe ditën më pas, ajo vendosi një lule margaritë pranë portës kryesore. Çdo ditë për dy javë, Roksi linte një lule për znj. Benks. Ajo ishte e kujdesshme që të mos e shikonin.
Një ditë, rrugës për në shtëpi, Roksi e pa znj. Benks të ulur në verandën përpara shtëpisë. Ajo po mbante disa lule në dorë.“Roksi”, - tha
znj. Benks, “shikoji lulet e mia të bukura. Dikush i ka lënë ato për mua. Çdo ditë një lule më priste kur kthehesha në shtëpi nga spitali.”
Roksi buzëqeshi. “A e dini se kush ishte?”
Znj. Benks i buzëqeshi asaj. “Kushdo që të ishte, do të doja ta falënderoja.”
“Ndoshta ishte dikush që ju do!” – tha Roksi.
“Epo, e prisja me padurim të gjeja një lule të re çdo ditë”, – tha znj. Benks. “Lulja e parë ishte në verandë.”
“A mendoni se e la macja juaj?” – pyeti Roksi.
“Çesterit i pëlqen të më lërë surpriza, por kurrë nuk ka lënë lule.” Znj. Benks qeshi. “Po lulja në karrigen time?”
“Qeni që është atje tutje?” – Roksi buzëqeshi edhe më shumë.
“Pranë portës kryesore?”
“Një ketër?”
“Ua!”, – tha znj. Benks, duke qeshur. “Nuk e kisha kuptuar që kishte kaq shumë krijesa që më donin! Por lulet me siguri më ndihmuan të ndihem e veçantë.”
Roksi pothuajse po shpërthente nga lumturia. Ajo ishte e lumtur që e bëri znj. Benks të buzëqeshte sërish.
Ilustrimi nga Adobe Stock